E enjte, 01.05.2025, 06:10 PM (GMT+1)

Mendime

Hajdin Islami: Letër Publike Dërguar Institucioneve të Republikës së Kosovës!

E enjte, 20.03.2008, 05:42 PM


Letër Publike Dërguar Institucioneve të Republikës së Kosovës!

Nga Hajdin Islami

Letër Publike Dërguar
Kryetarit të Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu
Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi
Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë z. Bajram Mulaku
Ministrit të Kulturës së Republikës së Kosovës z. Skënder Hyseni

Të nderuar udhëheqës të Institucioneve të Republikës së Kosovës, vendosa që nëpërmjet kësaj letre publike që të ju njoftoj juve dhe opinionin kosovarë për së afërmi me gjendjen faktike të Trashëgimisë Kulturore në njërin prej qyteteve më të vjetra të Republikës së Kosovës Vushtrrinë.
Emërtimi “Vushtrria qytet i lashtë dhe antik” sipas të gjitha gjasave do të mund që të quhet vetëm edhe disa muaj pasi nëse vazhdon ky trend i shkatërrimit të monumenteve kulturore dhe arkitekturës së vjetër qytetare e cila tashmë mund të gjendet vetëm në foto si shenjë nostalgjie. Epiteti i Vushtrrisë si qytet i vjetër dhe antik shumë shpejt do t’i humbas pasi vizitorët e huaj nuk do ta dinë se ky qytet është ndër më të vjetrit jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan pasi çdo gjë e vjetër këtu është duke shkatërruar dhe zëvendësuar me të re.
Shkatërrimi i tërësishëm i këtyre monumenteve me vlera të rralla do të ishte fatale për Republikën e Kosovës pasi Kosova njëherë e përgjithmonë do ta humbiste njërin prej qyteteve që në gjirin e vetë ka disa monumente të rëndësishme që i takojnë thesarit kulturorë të Kosovës.
Faktet në teren janë alarmante për të mos thënë ndërhyrja në disa monumente është tepër e vështirë pasi ato janë shkatërruar deri në atë masë saqë edhe restaurimi jo profesional do t’i dëmtonte vlerat e tyre që janë pasuri kulturore kombëtare.
Deri më tani disa Monumente që janë paraparë që të mbrohen edhe nga UNESKO-ja janë duke u shkatërruar nga dhëmbi i kohës e ndër to veçojmë disa prej tyre:
1) Hamamin e qytetit në Vushtrri, i cili megjithëse konsiderohet si më i ruajturi në Ballkan, fatkeqësisht i ka humbur shkëlqimi pasi ai sot është shndërruar në mini-deponi mbeturinash, dhe dera kryesore e tij është e mbyllur nga kontejnerët e mbeturinave. Nga moskujdesi institucional dhe shoqëror edhe muret dhe pullazi kanë filluar të dëmtohen me të madhe, ndërkaq era kundërmuese e mbeturinave ta zënë frymën nëse hynë në ketë objekt kulturor.
2) Kështjella e qytetit (Kalaja) e cila në vend se të ishte objekt atraktiv turistik ajo nga moskujdesi adekuat shtetëror e ka shëmtuar imazhin e qytetit dhe dita-ditës gurët shekullor të saj do të mund të ishin fatalë për kalimtarët e rastit të cilët janë të shumtë në këtë rrugë.
3) Ura e famshme e gurit e cila është njëherit edhe simbol në emblemën Zyrtare të Komunës së Vushtrrisë, edhe kjo urë e ka pasur fatin e keq ashtu si monumentet e tjera në Vushtrri, kjo urë dita-ditës po shkatërrohet, ndërkaq ditëve të Premte që në Vushtrri është ditë tregu hapësira përreth harqeve të Urës së Gurit përveçse shërben si parking ajo shërben edhe si vend i shitjes së gjësendeve të ndryshme madje në disa raste automjetet parkohen edhe mbi urë.
4) Po, ashtu janë duke u shkatërruar edhe shumë shtëpi muze. Ndërkaq, tash së fundi disa objekte që i kishin shpëtuar luftës po rrënohet dhe mbi themelet e tyre po ndërtohen ndërtesa të reja.
5) Ditë më parë më ra të shoh personalisht duke u shkatërruar një shtëpi e vjetër qytetare e cila ndoshta ka mbetur e vetmja e këtij lloji në Vushtrri kjo shtëpi është duke u shkatërruar dhe më nuk ka mundësi që në të intervenohet pasi ajo është shkatërruar tepër. Kjo shtëpi e ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XIX ka pasur arkitekturë të veçantë dekoruese brenda dhe jashtë.
6) Po ashtu shumë keq e kanë pësuar edhe disa Nishan të varrezave të vjetra muslimane pranë Xhamisë “Gazi Ali Bej” dhe xhamisë “Karamanli” në Vushtrri të cilët po ashtu kanë qenë një thesar i çmueshme i trashëgimisë kulturore të Vushtrrisë, këta gurë të këtyre varrezave të personaliteteve të njohura të asaj kohe janë thyer dhe shkatërruar nga disa qyqarë dhe persona të pa ndërgjegjshëm, të gjithë gurët janë shkatërruar dhe sot as edhe një gjurmë nuk mund ta gjesh aty ku kanë qenë të vendosur më parë.
7) Edhe Çezma (çeshmja) e qytetit që ndodhet në qendër të Vushtrrisë kërkon një restaurim të vogël pasi nuk është e dëmtuar shumë, por një intervenim i vogël do të ja zgjaste qëndrueshmërinë.
8) Intervenim të menjëhershëm kërkon edhe Teqja e Vushtrrisë e cila është restauruar më parë nga EBA-të por që më pas është demoluar nga disa persona të papërgjegjshëm dhe një investim tepër i vogël do ta përmirësonte dukshëm këtë objekt.
Përveç trashëgimisë kulturore edhe objektet e tjera kulturore shtetërore kanë pësuar shumë çoftë nga lufta e Kosovës por edhe nga moskujdesi adekuat pasi në gjendje të mjerueshme është edhe Shtëpia e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri ku inventari por edhe muret dhe fasada e jashtme kërkon intervenim urgjent hiq më mirë nuk është as Biblioteka publike e qytetit “Naim Frashri” e cila edhe sot e kësaj dite vepron në objektin e Shtëpisë së Kulturës.
Kronika e shkatërrimeve të monumenteve kulturore në qytetin e Vushtrrisë është e gjatë dhe e dhimbshme por i përmenda disa që presin mëshirën e Institucioneve të Republikës së Kosovës apo të donatorëve të huaj.
Një mundësi e mirë për këto monumente dhe në përgjithësi për ringjalljen e kulturës në Komunën e Vushtrrisë do të ishte Takimi i Donatoreve për Kosovën që do të mbahet gjatë këtij viti ku Komuna e Vushtrrisë në kuadër të projekteve të veta të paraqiste edhe Restaurimin e këtyre monumenteve kjo do të ishte mundësi historike për të bërë diçka .

Me nderime të thella dhe të sinqerta për ju.
Hajdin ISLAMI. Prof dhe gazetar nga Vushtrria.
E-mail:
dini_hi@hotmail.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx