E hene, 29.04.2024, 01:06 AM (GMT+1)

Mendime

Dr. Erina Geci: Europa më dha mendjen, Shqipëria më dha zemrën!

E shtune, 22.03.2008, 07:02 PM


Marre nga libri "Me zemer prane Shqiperise"

Nga Albert Zholi

Dr. Erina Geci: Europa më dha mendjen, Shqipëria më dha zemrën!

Është emocionuese të flasësh me një vajzë të re që zotëron një nivel të tillë intelektual dhe një ndjeshmëri poetike kaq të arrirë. Kjo është Erina Geci, vajza që ka arritur të bëhet doktoreshë e shkencave ekonomike në Itali dhe të jetë eksperte kontabël me të drejta të barabarta me gjithë kolegët e saj italianë.

Pak fjalë për dr.Erina Gecin

Pasi mbaron studimet e larta në fakultetin Ekonomik të Tiranes dega Financë-bankë në vitin 1998; vazhdon me korrespondencë fakultetin Juridik në Shkodër, dhe lë në mes këto studime për shkak të vendosjes së saj në Trieste-Itali. Do të vazhdojë formimin e saj akademik dhe në Itali ku në mars të vitit 2003 do të marrë titullin doktoreshë në shkencat ekonomike. Menjëherë pas përfundimit të formimit të saj të përgjithshëm do të nisë praktikat për të marrë dëshminë e aftësisë si eksperte kontabël. Do të marrë pjesë në shumë seminare dhe do të arrijë të jetë anëtare e Institutit të Ekspertëve Kontabël duke u emeruar si eksperte kontabël e përgjegjësive civile dhe penale të organeve të kontrollit të bizneseve. Ka një eksperiencë pune mbi 6-vjeçare në sektorin e administrim-financës dhe punon prej 5 vjetësh pranë studios së ekspertëve kontabël “Cossutti-Lavagnini” në Trieste të
Italisë. Në vitin 2008 përgatitet të hapë në Tiranë studion e saj të konsulencës si eksperte kontabël, duke sjellë të gjithë eksperiencën pozitive të punës të fituar në Itali.

Kur jeni larguar në emigracion dhe pse?

-Është një pyetje disi e”e çuditshme” që sot më bën të vë buzën në gaz, por njëkohësisht, më fut në mendime dhe më kthen prapa në kohë, përkatësisht 10 vjet më parë, kur familja ime u vendos në Trieste-Itali.

Cilat ishin emocionet tuaja në momentin e largimit?

Në ato momente nuk arrija te konceptoja apo te realizoja atë që po ndodhte rreth meje; shumë emocione, pështjellim ndjenjash, imazhesh, ëndrrash, njerëz që në ato caste nuk më linin të përqëndrohesha tek ajo që do më priste; jeta ime në ato momente po merrte një kthesë të fuqishme, një rrjedhë tjetër; nuk arrija të perceptoja peshën e asaj fjale që vetem një person që ka provuar emigracionin arrin të kuptojë, fjalën : EMIGRANT, dhe ajo që nuk mendoja kurrë se do të ndodhte ishte fakti që unë do të isha një emigrante në Itali, por krejt pa dashje do të ndjehesha një “emigrante” një “e huaj” edhe në Shqipëri, në vendin tim.

Ç’farë ndjetë në çastet e para të mbërritjes në tokë të huaj?

- Isha si në ëndërr, më dukej sikur dikush tjetër po jetonte jetën time, po jetonte në vendin tim; Ç’do gjë ndodhte me një shpejtësi marramendëse, njerëzit që më rrethonin, gjuha e huaj që ata flisnin, rrugët plot dritë….e ndërkohë, pas një udhëtimi 24 orësh me traget, mendja ime duhej të ishte e qetë pasi të nesërmen më priste provimi për të hyrë në universitet….eh, sa të largëta më duken ato ditë.

Nëse e zbërthen emigracionin duket se ka vështirësitë e veta dhe në pranimin e njerzve inteligjentë dhe të zotë. Duket sikur të huajt na duan të nënshtruar, zbatharakë dhe pse jo në pozitat e inferioritetit. E keni ndjerë ndonjëherë këto lloj racizmi?

- Personalisht pothuajse jo. Ndoshta për faktin se qyteti që unë kam zgjedhur të jetoj, ose më saktë jam vendosur me familjen time është një qytet kufitar i mësuar me komunitetet e huaja. Në Trieste krahas vendasve jetojnë tre komunitete të rëndësishme që janë:sllovenët, grekët dhe çifutët. Të qënit disi konglomeratë ka bërë që mentaliteti i njerëzve të këtij qyteti të jetë i hapur ndaj të huajve. Ambjenti universitar me të cilin u ndesha që në ditët e para ishte mikpritës dhe pa paragjykime.

E megjithatë duhet të keni kaluar dhe ju ato ditët e trishta të përshtatjes, ose “ditët e zeza të emigracionit”?

- Më shumë se për ditë të zeza do të flisja për momente të vështira, momente pikëpyetje ndaj vetes në dilemën e zgjidhjes që kisha bërë për tu vendosur në Trieste. Shumë ëndrra të braktisura, ose më saktë të lëna në gjysëm që i kam fshehur në cepat e memories, shumë ndjenja të çuditshme që të ngërthejnë e nuk të lënë të marrësh frymë...Po për fatin tim të mirë, këto momente zgjatën pak, aq pak, sa nuk më lanë t’i përulesha “fatit” tim.

Dita më e bukur e jetës suaj në Trieste kush ka qenë?

- Dita më e bukur?! Edhe këtu do të flisja për momente të bukura; janë shumë, por ato që do veçoja janë ato kur u ndjeva e realizuar, kur u ndjeva më e fortë, kur arrita t’ia konfirmoja vetes ëndrrën e jetës time. “Arrita atje ku desha”, pra me diplomimin tim në një shkollë të huaj, më pas të marrjes së dëshmisë së aftësisë si Eksperte Kontabël. Nuk kam pse e mohoj që ndjehem krenare për atë që kam arritur profesionalisht, e për më tepër, kur mendoj se nuk më kanë munguar çastet, ditët e veshtira, kur çdo gjë më dukej larg, shumë larg, gati një mirazh….

Si për të gjithë dhe për ju emigracioni ka qenë një shkollë e madhe. Ç’keni mësuar?

-Emigracioni më ka dhuruar diçka që nuk e mësova as në bankat e shkollës dhe as nëpër libra. Më ka dhënë mundësinë për t’u matur me veten dhe me të tjerët me një kut largpamës. Emigracioni të detyron të piqesh shpejt, të shohësh realitetin ashtu siç është dhe ta prekësh me dorë. Këto për mua janë vlera të vërteta në jetë.

A e keni vizituar atheun dhe si jeni ndjerë në Shqipëri?

- Sigurisht qe kam ardhur ne Shqiperi, dhe çdo herë veten e kam ndjerë si emigrante edhe aty. Sensacionet e mia janë mbase personale, dhe unë i kam përjetuar në atë mënyrë; në rrugën e kthimit jetoj me mallin dhe emocionet për njerëzit që kam lënë aty, për shtëpinë, rrugët ku ecja përditë.
Duket paradoksale, por kur jam aty mes tyre, ndjehem si e huaj; e huaj në ato rrugë qe nuk i njoh më, në atë lagjen time ku, përveçse njerëzve më të plakur e më të vegjël në trup (sikur të jenë futur në ujë) gjithcka ka ndryshuar; shtëpitë, dyqanet, gjithåka; takoj miqtë, të afërmit, shokët, shoqet e më duhet kohë për të vendosur “lidhjet” me ta, shumë ngjarje kanë ndodhur në mungesën time, dhe biseda të tilla” a e mban mend…” janë një ritual i zakonshëm….dhe sapo filloj të ambjentohem vjen dita për të ikur, për tu kthyer…. nganjëherë më duket vetja si njeri që nuk kam rrënjë, e kjo herë – herë më trishton, por në fund të fundit ky është realiteti im.

A ndjeni mall për Shqipërinë?

- I kam bërë shpesh herë pyetje vetes: pse gjërat marrin vlerë atëhere kur mungojnë?! Pse ndjejmë nevojën e diçkaje apo të dikujt kur nuk e kemi më, kur është larg nesh?! Pse ndjejmë nevojën ti përkasim dikujt, të bëjmë pjesë në një grup, në një bashkësi?!
Për sa vjet kam jetuar në Shqipëri nuk arrija te kuptoja mallin për njerëzit, për ambjentet, për tokën, për gjuhën e të gjithë atyre që jetonin jashtë shtetit....nuk arrija të kuptoja lotët që derdheshin, zërin që dridhej tek anija hynte në portin e Durrësit, apo tek rrotat e avionit preknin tokën e Rinasit; është një sensacion që mund ta provosh dhe ta kuptosh vetëm kur ke provuar emigrimin. Nuk është e lehtë të largohesh nga dashuritë, ndjenjat, njerëzit me të cilët ke ndarë çdo gjë, gëzimet, hidhërimet, pasionet, punën, gjithcka.....fillimisht bën valixhen gati si pa menduar, si një robot i programuar që nuk mendon, ose më mirë të them që eviton të mendojë se ç'po ndodh në atë moment, se ç’do të ndodhë pastaj....askush nuk mendon për atë ç’ka do të ndjejë tek do shkelë një tokë të huaj, tek do dëgjojë një gjuhë të huaj, tek do të shohë njerëz të huaj për rreth; janë ndjenja që njeriu gati-gati kërkon ti mbajë fshehur diku atje thellë, në koshiencën e tij, në mendjen e tij. E më së fundi, këmba shkel një tokë të huaj; ambient i pastër, plot drita marramendëse, njerëz të qeteëtek ecin ashtu sikurse po ecën dhe ti....e ti ecën nëpër ato rrugë e syri kënaqet tek shikon rregull, vitrina plot gjallëri, por thellë në vetvete ndjen që ti nuk i përket këtij ambjenti, që diçka të mungon....e ti ecën.....dhe ja papritmas, veshi kap një fjalë SHQIP, e koka kthehet menjëherë ndërsa sytë fillojnë të kërkojnë dicka, të etur për ta kapur, të etur për të zbuluar....janë dy gra që përshendeten; sa të afërta dhe të ngrohta të duken fjalët e tyre; edhe pse i shikon për herë të parë të duket sikur janë mikeshat e tua që i njeh prej një jete... E pra, kësaj ndjenje nuk mund ti vë emër tjetër veçse MALL, mall për njerëzit, mall për ambjentet, mall për gjuhën….
E kam kenduar me dhjetra here himnin tim kombetar kur isha ne bankat e shkolles, e kurre nuk i kam ndjere aq te miat fjalet e tij, kurre nuk jam perlotur tek degjoj notat e tij tek shperndahen neper sallat apo ambjentet e Italise ku festohet festa e flamurit.

Pak vite keni që jeni ndarë nga bota e shkollës. Çfarë do veçonit nga gjithë kjo jetë e ndarë me studimin?

- Nëse do nisem nga përvoja e shkollës në Itali do të veçoja momentin e diplomimit. Akoma dhe sot e kësaj dite më kumbojnë në vesh fjalët e rektorit të universitetit: “Në emër të ligjit dhe të popullit italian, ne të japim titullin doktor në Ekonomi dhe Tregti”...Kanë qenë momente me të vërtet emocionuese. Edhe nga jeta ime shkollore në Shqipëri kam kujtime vërtet të bukura, kujtime që lidhen me shoqërinë time, me mësuesit, me vitet më të dlira të jetës së një njeriu.

A e lexoni shtypin dhe a i ndiqni mediat shqiptare? Ç’mendim keni për to ?

- Shtypin shqiptar e lexoj pak, dhe mediat i ndjek në ato raste kur jam në Shqipëri. Personalisht, mendoj se medias në Shqipëri i duhet më shumë profesionalizëm, ose të paktën nje pjese të saj; ka shume agresivitet në komunikim e mbase kjo është pasqyrë e realitetit të përditshëm; ekziston servilizmi, njëanshmëria në vërtetësinë e lajmeve që trajtohen.

Zakonisht çfarë bëni në fundjavë?

- Fundjava është momenti që zakonisht përpiqem të qëndroj larg punës ( jo gjithnjë ia dal me sukses këtij qëllimi, edhe pse puna që bëj më pëlqen shumë). Kam fatin të jetoj në një qytet bregdetar shumë të bukur siç është Trieste, kështu që gjatë verës mundohem të organizohem me shoqërinë time për të frekuentuar plazhin. Në dimër e kemi disi më të vështirë dhe pse mënyrat për tu argëtuar nuk mungojnë. Sigurisht që një vend të veçantë e zë dhe familja, shtëpia. Më pëlqen shumë të gatuaj, sidomos ëmbëlsirat, dhe kohën për tu marrë me to e gjej vetëm në fundjavë.

Ç’farë vlerësoni më shumë tek një njeri?

- Sinqeritetin, që është një nga virtytet që po humbet tek njerëzit.

Dhe, çfarë urreni?

- Sikur njerëzit të flisnin më pak dhe të punonin më shumë, bota do ishte ndryshe, më humane, më e bukur.

A do të ktheheni ndonjëherë në Shqipëri?

- Disa rreshta më sipër jam shprehur se më duket vetja si njeri pa rrënjë….thellë në veten time mbase i kam ushqyer gjithmonë vetes idenë e një kthimi, e mbase sot më shumë se kurrë vleresoj fjalen e urtë” Guri i rëndë në vend te vet”
Sot unë kam privilegjin të zgjedh se ku dua të punoj e të jetoj. Rruga për të ardhur deri këtu nuk qe aspak e lehte, sakrificat, lotët, dhimbjet nuk munguan, por ama, them se ja dola mbanë, ja dola të bëj diçka në jetën time, edhe pse rruga që kam përpara është akoma e gjatë.
10 vjet më parë mendoja se jeta ime, e ardhmja ime do të ishte jashtë Shqiperisë, larg saj; provova të jetoj, të studjoj e të punoj në një qytet të huaj, në një shtet të huaj që më dha shumë, më dha shoqerinë, miqtë, më dha profesionin, më dha atë mentalitet punë e jete që unë kam sot….e megjithatë koka është mbrapa, tek ai vend ku u linda dhe u rrita, ku mësova të ec e ku për herë të parë thashë fjalët e para” nënë, babë”; është ai vend që të tërheq si me magnet kudo që të ndodhesh.
Po, unë do kthehem në Shqipëri, e nëse puna ime, eksperienca pozitive e fituar në një vend të huaj mund të shërbejnë sado pak në vendin tim që po ndërtohet, atëhere do të ndjehesha akoma më mirë, akoma më e kompletuar personalisht se, nëse Europa, emigracioni më dhanë mendjen, Shqipëria më dha zemrën!

Përmbajtja:

1. Vera Lucia Alves Neves (Brazil)
2. Masrur Imani (Iran)
3. Giovanni Firera (Itali-Konsull nderi)
4. Alessandro Castriota Scanderbeg (Itali)
5. Vitore Stefa-Leka
6. Alida Hisku
7. Këze (Kozeta) Zylo
8. Mardena Kelmendi
9. Nirvana Pistulli
10. Maya ( Fatbardha Aliçkaj)
11. Dr. Erina Geci
12. Edlira Dedja
13. Engjëll Koliqi
14. Petraq J Pali
15. Luigj Shkodrani



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora