E shtune, 27.04.2024, 12:34 PM (GMT+1)

Mendime

Arbën Xheferri: Edhe-Edhe

E diele, 23.03.2008, 08:02 PM


EDHE-EDHE

Nga: Arbën XHAFERRI 

Arbën Xhaferi
Kohët e fundit, në të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor zhvillohen paralelisht tre ngjarje paradigmatike: rënia e qeverisë serbe, kriza në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë lidhur me emrin dhe fatkeqësia në fshatin Gërdec, afër Vorës. Them paradigmatike ngaqë në vete ngërthejnë dhe manifestojnë në vazhdimësi mangësi tipike ideologjike që i deformojnë, i ngufatin proceset ekonomiko-shoqërore dhe demokratike në përgjithësi. Në këto shoqëri, si pasojë e këtyre mangësive, shkaktohen kriza në shumë plane dhe në vend të konsolidimit ekonomik dhe vendosjes përfundimtare të paqes, të rendit, rrjedhimisht të mirëqenies së qytetarëve shfaqet jo stabiliteti i vazhdueshëm. Pa korrigjimin e këtyre deformimeve që i tipizojnë këto shoqëri, përkatësisht identitetin nacional të pjesës dërmuese të qytetarëve, nuk mund të arrihet paqja e qëndrueshme në këtë pjesë të Evropës dhe as progresi, mirëqenia aq shumë e ëndërruar, pa korrigjim të botëkuptimeve që shtrembërojnë mendësinë kolektive të qytetarëve të këtyre shteteve, nuk do të rregullohen as marrëdhëniet e ndërsjella shoqërore, shtetërore dhe kulturore në përgjithësi.
Paradigma e parë: pse ra qeveria e Koshtunicës? Përgjigja është pa mëdyshje triviale: për shkak të Kosovës, përkatësisht, për shkak të projektit jo real serb që ata tentojnë t’ua imponojnë të tjerëve, për shkak të një trashëgimie kulturore që s’arrin dot ta analizojë, ta introspektojë veten dhe të distancohet nga e liga, nga projektet gjenocidale! Sot e gjithë bota di për krimet e serbeve, pos atyre vetë, pos parisë së tyre që duhej të distancohej nga krimet e paralajmëruara.

Qeveria parapëlqeu që ta ruajë dogmën e fetishizuar të tyre lidhur me Kosovën dhe ta shqelmojë ofertën shumë reale për integrim në UE dhe NATO. Shumëkush nuk e kupton këtë logjikë, veçmas nëse punët maten me dioptri racionale.

Serbia, gati një shekull nuk arriti të gjejë zgjidhje plauzabile, të pranueshme për Kosovën. Mënyrat që ajo i përdorte ishin gjithmonë të papranueshme si nga aspekti politik, moral, qytetërues, ashtu edhe nga ai i të drejtës ndërkombëtare, përfshi aty edhe kategorinë e të drejtave të njeriut. Kosova u shndërrua në kauzë shqiptare për shkak të faktit se Serbia përdorte mjete të palejueshme për eliminim të realitetit shqiptar. Për t’i arsyetuar metodat e palejueshme dhe drastike që ajo përdorte për ta kontrolluar faktorin shqiptar, elita serbe, politikanët, klerikët, akademikët dhe opinion-formuesit në përgjithësi, zgjodhën dy rrugë ekstreme: hyjnizimin e Kosovës, rëndësinë sakrale të saj për identitetin serb dhe satanizimin e shqiptarëve si mish i huaj, jo vetëm në Kosovën e shenjtëruar, por edhe në Evropën e krishtere. Kjo elitë nuk kishte argumente të tjera për arsyetim të përdorimit të gjithë asaj dhune ekstreme, sistematike dhe të vazhdueshme. Shndërrimi i Kosovës në fetish, në totem serb, që i jep domethënie qenies serbe, identitetit të tyre kombëtar, që i bën ata popull i veçantë, sipas modelit hebraik, kishte motive triviale: ekspansionizmin, ngritjen e relevancës së tyre në planin qytetërues dhe strategjik.

E gjithë kjo marrëzi, ky hyjnizim i Kosovës, i popullit të zgjedhur serb dhe serbizimi i Zotit( “Bog je srbin”, “Bog govori srpski” (“Zoti është serb”, Zoti flet serbisht”), kishte një qëllim djallëzor: legjitimimin e voluntarizmit, e lirisë së shfrenuar në veprim, pa kufizime morale, juridike dhe qytetëruese, e lirisë për trillim, e sajimit të vërtetave që popullin serb, të kaluarën e tyre e sakralizonte. Çdokush që e kontestonte, qoftë me argumente shkencore, apo me ekzistencën e tyre fizike këtë dogmë të hyjnizuar, dënohej. Keqtrajtimi i egër, rrahja, burgosja, vrasja dhe format tjera të represionit arsyetoheshin me argumente delirante religjioze: ata, veçmas ato krijesa teatrale, patetike, të kostimuara në trajtën e klerikëve, e mbronin Zotin nga njeriu, përkatësisht veten e hyjnizuar, Zotin e serbizuar nga njeriu, qoftë ai shqiptar, kroat, boshnjak: besa edhe malazias!

Elita serbe, por edhe pjesa dërmuese e popullit serb e duan Kosovën, ose nuk e japin atë, për shkak se nuk duan të humbin identitetin hyjnor, licencën hyjnore për prioritet, për primat. Pa Kosovën ata zhvishen nga misteri, ata e humbin atë tis që e fsheh profanitetin e tyre, ata lakuriqësohen dhe duken groteskë, bie fjala, si peshkopi Artemie, me brekë të larjes në plazhin e Budvës.

Prej shekullit XIX, prej Vuk Karaxhiqit e këndej, shoqëria serbe është kontaminuar me idenë nebuloze dhe mistike për rëndësinë hyjnore të Kosovës për identitetin serb. Sot, dallimet ndërmjet politikanëve serbë lidhur me Kosovën janë retorike. Koshtunica thotë se kurrë nuk do ta japin Kosovën, dhe se do të refuzojnë hyrjen në NATO dhe UE, nëse duhet të heqin dorë nga Kosova, ndërkaq, Presidenti serb, i perceptuar si i moderuar, Tadiq, tregohet më ambicioz: ai do edhe Kosovën, edhe Evropën, edhe NATO-n, edhe...

Ata që duan të vendosin paqen e qëndrueshme në Gadishullin Ilirik duhet definitivisht të kuptojnë se pa e ç’kosovarizuar Serbinë nuk do të ketë paqe të qëndrueshme. Kjo arrihet vetëm me dënimin e serbizimit të Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë do të pengohen vrasjet e ushtarëve të KFOR-it.

Paradigma e dytë: pse u acaruan marrëdhëniet Maqedoni-Greqi, tani në prag të hyrjes së kësaj republike të ish-Jugosllavisë, që në OKB identifikohet me emrin FYROM (IRJM)? Përgjigja edhe për këtë pyetje është e thjeshtë: për shkak të namit, të hyjnizimit të identitetit, përkatësisht të fitimit të licencës së fuqishme për përvetësim të historisë, siç do të thoshte prof.Ljubomir Frçkovski, ish-ministër i Policisë dhe i Punëve të Jashtme (“...ju nuk dini se çfarë licence e fuqishme historike është maqedonizma”, porosiste ky profesor i së drejtës, i cili mbeti përjetësisht këshilltar dhe nuk arriti dot të bëhet politikan). Ideologët e këtij projekti për marrje të kësaj “licence të fuqishme historike” pandehën se ky operacion do të përfundojë lehtë, prandaj pa hamendje dhe zellshëm i shtuan përpjekjet për të botuar sa më shumë libra që e konfirmojnë këtë përkatësi me rëndësi parësore për identitetin kombëtar maqedonas. Pandehma e këtyre ideologëve se me shumëfishimin e teksteve për vazhdimësinë kulturore dhe etnike, për ndërlidhjen maqedonasve të sotëm me ata antikë, jo vetëm që nuk e arriti qëllimin, por edhe krijoi telashe të pakapërcyeshme vetë popullit maqedonas që u zu peng nga një doktrinë ambicioze, të sajuar, që vjen ndesh me faktet historike. Popujt, shpeshherë, më lehtë çlirohen nga armiku i jashtëm sesa nga paragjykimet ambicioze, famëmëdha, të ngulitura në mendjet e njerëzve, saqë janë bërë elementi kryesor i ndërtimit të identitetit kombëtar. Pretendimi se maqedonasit e sotëm kanë njëkohësisht prejardhje nga maqedonasit antikë dhe nga sllavët, se maqedonas, në kuptimin e sotëm të kësaj fjale, na qenkan Leka i Madh, Qirili dhe Metodi, pastaj Samuili dhe përfundimisht Skënderbeu me Nënën Terezë krijon jo vetëm huti, shqetësime, por edhe kontestime të fuqishme të ekzistimit të kombit dhe shtetit maqedonas. Ky gabim buron jo vetëm nga nevoja njerëzore për të pasur një prejardhje të fisme, por edhe nga mosdallimi i historisë së territorit nga ajo e popullit. Nëse Nëna Tereza ka lindur në Shkup, kur ky qytet ende ka qenë pjesë e Perandorisë Osmane, kjo s’do të thotë kurrsesi se ajo qenka maqedonase nga aspekti etnik. Krahas këtij gabimi metodologjik, bëhet edhe një gabim tjetër i kësaj natyre: projektimi i bindjeve, koncepteve të sotme në të kaluarën. Nuk mund të thuhet se një veprimtar i shekullit XIX ose XX, i cili është deklaruar se është bullgar, apo diçka tjetër, nuk paska ditur se ç’është. Nëse në të ardhmen shqiptarët e Kosovës do të fillojnë ta ndërrojnë identitetin dhe do të bëhen kosovarë, nuk mund të anulohen, përmes kësaj metode të projektimit të bindjeve të sotme me të kaluarën, përkatësia e tyre shqiptare. Askush nuk ka të drejtë, as që mund të lejojë, që të mohohet përkatësia shqiptare e Hasan Prishtinës, Azem Bejtës, Adem Demaçit, Adem Jasharit etj.

Kryeministri maqedonas, z.Gruevski ashpër refuzon kërkesën për ndryshim të emrit të shtetit, madje në stilin e kryeministrit serb, Koshtunica, porosit se në asnjë mënyrë nuk do të bëjnë tregti me identitetin dhe ftesën për të hyrë në NATO. Ndërkaq, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, z.Lubisha Georgievski, në stilin e presidentit serb Tadiç, deklaron se duhet vepruar në stilin “edhe - edhe”, pra: edhe rruajtja e emrit, edhe hyrja në NATO.

Kjo logjikë “edhe-edhe”, në fakt, flet për një refuzim të papërgjegjshëm, për ikje të lehtë dhe komode nga problemi, ngjashëm me ikjen e strucit. Kërkesa greke për qartësim të këtij konfuzioni identitar, do të lirojë vetë Maqedoninë nga pozita e pengut brenda një doktrine që bie ndesh me faktet historike.

Pa dehelenizim të koncepteve identitare, Maqedonia dhe maqedonasit vazhdimisht do të përballen me reagimet e poseduesve të thesarit historik ballkanik, të grekëve, të bullgarëve, të serbëve, por natyrisht edhe të shqiptarëve.

Me këtë rast, duhet përmendur edhe fakti shkencor se kombet janë kategori historike, formohen dhe zhduken gjatë procesit historik. Askush nuk ka të drejtë ta mohojë identitetin e ri kombëtar të popullit maqedonas, por çdokush ka të drejtë të kontestojë uzurpimin. Nëse do të bëhet ky dallim atëherë konfuzionet vetvetiu do të zgjidhen.

Paradigma e tretë: si të shpjegohet eksplodimi i pabesueshëm në fshatin Gërdec në Shqipëri?

Në të gjitha debatet televizive zhvillohet një polemikë e ashpër për të zbuluar fajtorin. Opozita politike e fajëson qeverinë për përgjegjësinë dhe kërkon dorëheqjen, madje rënien e qeverisë, ndërkaq, qeveria jep kundër-argumente, po aq bindëse, se ata kanë bërë çdo gjë për të zbutur efektet e këtij aksidenti të llahtarshëm. Nga këto debate nuk mund të identifikohet fajtori, prandaj në shtyp dalin komente filozofike duke e shpjeguar këtë eksplodim si adhurim të vdekjes, si nekrofili kolektive shqiptare.

Opozita politike kërkon shpjegime për shkaqet e këtij aksidenti dhe fajtorët që kanë lejuar që të ndodhë kjo, ndërkaq, pozita jep argumente për angazhimin e tyre në segmentin e zbutjes së pasojave... Pra, ku duhet kërkuar fajtori?

Mendoj se fajtori duhet kërkuar te mendësia orientale që krijon dhe kënaqet me standarde të ulëta, që objektivisht nuk mund t’i parandalojnë fatkeqësitë e kësaj natyre. Shqiptarët, për një kohë të gjatë nuk kuptojnë mesazhet që vijnë nga organizmat dhe faktorët ndërkombëtarë lidhur me plotësimin e standardeve. Kërkohet që ato të respektohen, të përmbushen, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Plotësimi i këtyre standardeve nënkupton ndërtimin e një sistemi që parandalon krizën dhe jo vetëm zbutjen e pasojave. Pas eksplodimit, pa dilema, shumë qytetarë dhe zyrtarë kanë dëshmuar altruizmin, solidarizimin dhe gatishmërinë, madje heroike, për të shpëtuar atë çka ka mbetur. Mirëpo, shoqëritë moderne demokratike kërkojnë heroizëm dhe dijeni në dimensionin e preventivës. Pikërisht në këtë pikë dallohen shtetet e përparuara, funksionale, të standardizuara perëndimore, prej atyre jofunksionale, të pa standardizuara, ku mungon kultura e anticipimit, e parashikimit të rreziqeve. Sistemet, shtetet nuk mund të funksionojnë pa standarde. Sa më të prapambetura që janë shoqëritë, aq më të ulëta janë standardet, dhe anasjelltas, sa më të përparuara janë ato, aq më të larta janë standardet. I gjithë procesi i integrimit të shteteve në tranzicion, në UE dhe NATO, kushtëzohet me përmbushjen e standardeve. Ka ardhur koha që të thuhet haptazi se mendësia orientale, që manifestohet në të gjitha nivelet shoqërore, prej raporteve familjare e deri te organizimi i shtetit, është bërë pengesë për integrim të shoqërive shqiptare, jo vetëm në UE, por edhe në sistemin modern të vlerave, të shoqërive perëndimore.

Kjo mendësi orientale, kjo kllapi shfaqet në të gjitha shoqëritë shqiptare: në Shqipëri, kryesisht në dimensionin e organizimit të shtetit dhe të institucioneve; në Kosovë, po ashtu, në nivel të organizimit të shtetit, por e shoqëruar edhe me adete anakronike që tashmë janë bërë pjesë e sensibilitetit, e identitetit kombëtar, ndërkaq në Maqedoni, në të gjitha këto plane, por e shoqëruar me bindje, me besim të natyrshëm se kështu qenka mirë, se kështu u dashka të organizohet shoqëria dhe familja.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora