E premte, 26.04.2024, 09:30 PM (GMT+1)

Editorial

Nuhi Veselaj: Rreth pjesores së shkurtër si trajtë përfaqësuese

E marte, 18.03.2008, 06:16 PM


RRETH  PJESORES SË SHKURTËR

SI TRAJTË PËRFAQËSUESE

 

 

  Dr. Nuhi Veselaj  

 

Nga shtypi i ditës dhe përgjithësisht nga masmedia na është bërë e njohur, kohëve të fundit, se në punën e Komisionit ndërakademik për shqipen standarde, selia e të cilit këtë vit qenka transferuar nga Tirana në Prishtinë që në mbledhjen e parë të mbajtur më 12.05.2006, ndonëse me ujdi vetëm për pak pika të ndryshim-plotësimit të normës, gjithsej 5 sosh, dhe me të diskutuar të çështjes rreth përdorimit të  ë-së së patheksuar, siç theksohet, qenka “thyer tabuja mbi paprekshmërinë e kodit standard të shqipes”, ndërsa në takimin e dytë, më 6.10.2006, thuhet se qenka arritur përparim, madje edhe marrëveshje “me një frymë tolerante” për “thjeshtësimin e përdorimit të zanores –ë  të patheksuar”, për pika të caktuara. Edhe pse ky material ende nuk i është prezantuar opinionit të gjerë, sidoqoftë,  edhe ndryshime e plotësimet e tilla, ndonëse për dikë ende të vogla, pothuaj kozmetike, lypset përshëndetur, sepse siç u paralajmërua, me këtë rast  po hapet rruga që në takimet e ardhshme  të merren në shqyrtim edhe çështje të tjera më serioze, ndër të cilat, siç  është paralajmëruar, do të jenë edhe dy më “të  nxehtat”: pjesorja punu(!) dhe paskajorja me punu(!), për të cilat u kërkuaka rehabilitim(!) (Shih Koha ditore, 13.05.2006, f. 18, 15.06.2006, f. 16, 2.09.2006, f. 26). Paralajmërimi i tillë na duket shumë me vend, ngase do të ndikojë pozitivisht si parapërgatitje që problemi në fjalë të trajtohet më seriozisht se që është bërë në diskutime të mëparshme. Vërtet, pasi pjesorja, më mirë paskajorja në ish-shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes konsiderohej si shtyllë kurrizore e saj, prandaj rishqyrtimi për rikthim në shqyrtim i kësaj teme gjithsesi duhet përshëndetur, por kemi vërejtje vetëm rreth tekstit të paraqitur me këtë rast nga ana e masmedias së sipërcekur për këto dy arsye:

e para, shkencërisht nuk është shprehur drejt trajta përfaqësuese e formave  që duhen trajtuar sipas paralajmërimit dhe

e dyta, është manipuluar me terminologji të diskutueshme, siç është  termi: pjesore e shkurtuar punu(!), paskajore gege me punu (!),  çka na bën me dyshue se referuesit nuk kishin njohuri të mjaftueshme rreth  tërë problemit në fjalë, sepse çështja s’ka të bëjë me këto trajta.

Sidoqoftë, ne, duke dëshiruar që trajtat e tilla të keqshënuara ashtu, më mirë të jenë gabime shtypi sesa qëndrime a lajthitje të autorëve, u tërheqim vërejtje organeve përkatëse kompetente, që paraqitjet për gjëra të tilla, me interes, jo të vogël shoqëror e shkencor, duhet të jenë më në nivel profesional, ngase kështu mund të çorientojnë  lexuesin dhe mund t’ i japin hije jo të mirë edhe institucionit dhe shkollave e fakulteteve që përgatisin kuadër përkatës profesional. Na merr mendja se opinioni i gjerë mund a duhet ta dijë se fjala është për pjesoren e shkurtër dhe për paskajoren e mirëfilltë të gjuhës shqipe të cilat, siç është konstatuar nga mjaft gjuhëtarë e intelektualë me emër, u mënjanuan në mënyrë arbitrare nga norma e shqipes së sotme letrare në vitet ‘60-’70 të shekullit të kaluar dhe nuk u përfillen as si elemente sinonimike konkurruese nga Komisioni përkatës në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, edhe pse qëndronin si trajta përfaqësuese dhe letrarisht të normëzuara, pothuajse, mbi një gjysmëshekulli të tërë. Prandaj jo vetëm diskutimi, por edhe rikthimi i tyre (i pjesores së shkurtër, përkatësisht i paskajores së mirëfilltë) në standardin e sotëm, edhe neve, na duket se është tejet me vend dhe shumë i arsyeshëm. Është e vërtetë, se funksionalisht këto dy forma të sistemit foljor kanë dallime konceptuale njëra nga tjetra, sepse pjesorja historikisht del e ndërlidhur më fort me sistemin mbiemëror, ndërsa paskajorja me atë emëror, megjithatë, ato në gjuhën tonë të sotme në sistemin ligjërimor formalisht kanë ngjashmëri e ndërvartësi të dukshme, sidomos nga pikëpamja fjalëndërtuese e drejtshkrimore, prandaj ne,  po e trajtojmë si një temë, por më tepër po vëmë theksin në pjesoren e shkurtër, andaj, po përpiqemi, me aq sa dimë dhe me aq sa na lejojnë përmasat e një artikulli, të sqarojmë a të japim përgjigje në këto dy pyetje të shtruara: a) Cilat janë trajtat e pjesores së shqipes së sotme letrare dhe si formohen ato dhe b) Cilat janë trajtat e pjesores, përkatësisht të paskajores së gegërishtes dhe si formohen ato?

a) Në shqipen e sotme letrare për formimin e pjesores përdoren këto prapashtesa -r, -rë, -ur dhe  e –në. (Shih edhe te Gjuha letrare shqipe për të gjithë, Tiranë 1976, f. 149) dhe, me sa dimë, të gjitha pjesoret e formuara me prapashtesat –r (punoj punuar, shkruaj shkruar, shuaj shuar, shpërblej shpërblyer; kryej kryer, ziej zier), -(blej blerë, bëj bërë,  fryj fryrë, laj larë, fshirë) dhe -ur (mbroj mbrojtur, vërej vërejtur, mbrej mbrehur,  buj bujtur ngre ngrehur, mat matur, derdh derdhur, mpiks mpiksur, pajis pajisur, palos palosur, radhit, radhitur) konsiderohen  ashtu si quhen: trajta të zgjeruara të pjesores, ndërsa ato me (dalë, vjelë, mbjellë, marrë) dhe -në (dhënë, lënë, qenë, shtënë, shpënë)  konsiderohen trajta të shkurtra të pjesores (ose formime pa ndajshtesa).

Kjo terminologji, trajta të shkurta/trajta të zgjeruara të pjesores, ka historinë e vet dhe si duket ka zanafillë që në kohën kur në shqipen letrare ishin në përdorim e sipër edhe variante të tjera prapashtesash, sidomos në gegërishte që përputheshin, por edhe që ndryshonin nga këto të normës së sotme.

b) Në të vërtetë, në ish-shqipen letrare mbi bazë të gegërishtes, përveç prapashtesave   dhe –në (që në normë ishin të përbashkëta me toskërishten), të cilat është më drejt, mbase, të quhen fundore, sesa prapashtesa pjesoreformuese, dilte edhe ashtuquajtura prapashtesa zero e pjesores, e cila nënkuptohet si  fundore e trajtës së pjesore së shkurtë (për tipa të caktuar pjesoresh),  e cila, si me thënë,  bashkëjetonte në kundërvënie me pjesoret e zgjeruara të toskërishtes me prapashtesat –r e – rë, por edhe me ato të gegërishtes –n / –m e -n(ë)/ -më.  Po i paraqitim tash fill shembujt sipas tipave të foljeve, fillimisht sipas letrarishtes së sotme (toskërishtes) dhe pastaj sipas gegërishtes. Krahaso:

Së pari, sipas letrarishtes së sotme, me trajtat konkurruese:

  1) më – O/j dhe –UA/j: punoj (punuar) punue, me punue; shkruaj (shkruar),  shkrue me shkrue; shuaj (shuar),  shue me shue një pjesë të foljeve më –E/j (shpërblej (shpërblyer), shpërblye me shpërblye;

2) me togzanor –YE/j, -IE/j kryej (kryer), krye me krye; ziej (zier) zie me zie;

3)  me temë në zanore, tipi:blej (blerë)  ble (me ble); bëj (bërë)  bë(me bë a me ba); fryj (fryrë) fry (me fry); laj (larë), la (me la); fshij (fshirë) fshi(me fshi) etj.,

4) me temë në bashkëtingëllore: mbroj (mbrojtur) mbrojtë (me mbrojtë),  ruaj (ruajtur) ruejtë (me ruejtë), vërej (vërejtur)  vërejtë (me vërejtë), buj (bujtur)  bujt (me bujt)ë, ngre (ngritur)  ngrit (me ngritë), mat (matur)  matë  (me matë),  derdh (derdhur) derdhë (me derdhë),  palos (palosur) palosë (me palosë), radhit  (radhitur) radhitë (me radhitë).

Së dyti,  sipas gegërishtes, ku po ajo trajtë e shkurtër me mbaresë zero bashkëjetonte në kundërvënie me trajtat e zgjeruara të pjesores, përkatësisht të paskajores së gegërishtes (me + pjesore të zgjeruar), por edhe me pjesore të shkurta jo të plota.  Krahaso:

 

a) Punue (me punue) a punuar: punuem (me punuem), punuen (me punuen), punuem/un (me punuemun), punuenun (me punuenun); (me punuë!);(me punu!); shkëmbye (me shkëmbye) shkëmbyer; shkëmbyem (me shkëmbyem) shkëmbyen (me shkëmbyen), shkëmbyemun (me shkëmbyemun) shkëmbyenun (me shkëmbyenun) (me shkëmbyë!); (me shkëmby!);

b) la (me la) larë: lam/ë (me lamë), lamun (me lamun), lanën (me lanën); fshi (me fshi) fshirë fshimë (me fshimë) fshimun (me fshimun) fshinën (me fshinën) fshnun (me fshinun), fry (me fry) fryrë; frymë (me frymë), frymun (me frymun) frynen (me frynen) frynun (me frynun);

c) zie (me zie) zier: ziem (me ziem) ziemun (me ziemun) zien (me zien) zienun (me zienun);  krye (me kry) kryer:  kryem (me kryem), kryemun (me kryemun), kryen (me kryen) kryenun (me kryenun);

ç) dalë (me dalë): dalun (me dalun  dalen (me dalen),( me dal!); mbjell (me mjellë): mbjellun(me mbjellun) (,me mjell!); marrë (me marrë): marrun (me marrun) marren (me marren), (me marr!); dhënë (me dhënë): dhanun (me dhanun) dhanen (me dhanen),me dhanun (me dhanun); (me dhan!); lënë (me lënë): lanun (me lanun) lanen (me lanen);(me lan!);

d) hapë (me hapë) hapur: hapun (me hapun) hapen (me hapen; (me hap!)                    pjekë (me pjekë) pjekur: pjekun (me pjekun), pjeken (me pjeken);(me pjek!);  ujitë (me ujitë) ujitur ujitun (me ujitun) ujiten (me ujiten); (me ujit!); vendosë  (me vendosë):  vendosur: vendosun (me vendosun) vendosen (me vendosen); (me vendos)! -  e kështu me radhë, e kështu me  radhë.

 

Pra, siç po shihet nga shembujt e mësipërm, në ish-shqipen letrare, trajtat  e shkurta të pjesores me fundoren zero dilnin në njëfarë kundërvënieje me prapashtesat –r e –rë të letrarishtes së sotme, por edhe të pjesoreve me prapashtesat –n a –m dhe –n(ë) a –më, përkatësisht –nun,-mun të gegërishtes, ndërsa ato me –Ë fundore, veç  pjesoreve të foljeve apofonike me–Ë  e atyre të parregulltave me –NË (që përputheshin me ato të toskërishtes a të letrarishtes së sotme), dilnin në kundërvënie me foljet me pjesore të zgjeruar me prapashtesën –ur  toskërisht, përkatësisht –un (-en) në gegërisht, duke fituar kështu veçori semantike në fushë mjaft të gjerë përdorimi.

Pra, tashti, besojmë, se e kemi të qartë, po përsërisim, se pjesore të shkurtra quheshin jo vetëm ato që në letrarishten kishin fundoret –ë dhe –në, por edhe të gjitha trajtat e pjesoreve të foljeve mbi temë në zanore a grupzanor (me mbaresë zero), d.m.th. që në toskërishte kishin prapashtesat përkatës –rë  (të rotacizuar nga -*në /-më të gegnishtes) dhe -r fundore (po ashtu të rotacizuar nga -*n /-m të gegnishtes. Ka shpjegime se nga asimilimi i togjeve -*lnë, *llnë, -*rrnë) u përftua fundorja –Ë, e cila sipas analogjisë në pjesoren e shkurtër në ish shqipen letrare u shtri e normëzuar mbi të gjitha trajtat mbi temë në bashkëtingëllore, të cilat në toskërishte dilnin, siç dalin edhe sot me prapashtesën –ur, të rotacizuar nga trajta -*un, prapashtesë kjo,  e cila, si e tillë, veç tjerash u ruajt në gegnishten e sotme. Që dukuria e shkurtimit të pjesores nuk duhet konsideruar si proces i vonshëm, dëshmon fakti se pikërisht kjo trajtë e shkurtër paraqitet mjaft herët në funksion të temës prodhuese fjalëformuese për formimin e emrave, ndajfoljeve, mbiemrave - të ashtuquajtur prejpjesorë,  po në këto 2 versione:

1) me fundoren zero: mësue (me mësue) mësue/s,  shkëmbye (me shkëmbye) shkëmbye/s, shkëmbye/shëm i shkëmbye/shëm; la la/s-i la/se-ja la/së-a, lashëm; pi (me pi) pi/s-i i pishëm,  pa (me pa), pa/s-i, i pashëm pashmëri etj. dhe

2) me fundoren –Ë: (si në letrarishten e sotme) mjelë: (me mjelë) mjelë/s-i mjelë/se, sjellë: (me sjellë) sjellë/s sjellë/se; marrë (me marrë) marrë/s-i marrë/se; por edhe si karakteristikë e veçantë e saj në shembuj të tjerë (po mbi temë në bashkëtingëllore): matë: (me matë) matë/s-i matë/se, i matshëm, palosë: (me palosë)  palosë/s, palosë/se, (i ) palosshëm;  ujitë: (me ujitë) ujitë-s, ujitë/se (i) ujitshëm etj.

Po theksojmë faktin se këto mënyra fjalëformimi mbi temë të pjesores së shkurtër janë të pranuara në sistemin emërformues të shqipes standarde, por ne e kemi një synim tjetër: me vu në pah dhe me theksue në mënyrë të veçantë se edhe te trajta e paskajores së mirëfilltë, të cilën, në shembujt e mësipërm, e shënuam në kllapa, u pa se secila  trajtë e pjesores i përshtatej trajtës përkatëse të paskajores së gegërishtes, ngase, kuptimin e paskajores e karakterizon, pa mëdyshje, jo fundorja a prapashtesa e pjesores, por pikërisht pjesëza paravënëse me. Me fjalë të tjera duam të theksojmë se të gjitha versionet e paskajores me pjesoren e zgjeruar dhe ato me pjesore të shkurtër jo të plotë quhen paskajore të gegërishtes, por vetëm ajo me trajtën e pjesores pa ndajshtesë (me + pjesore të shkurtë) ka marrë emërtimin paskajore e mirëfilltë e gjuhës shqipe dhe vetëm kjo trajtë konsiderohet si trajtë përfaqësuese e paskajores së gjuhës shqipe në punime shkencore, në  hartimin e fjalorëve përkatës e në referime të caktuara në raport me gjuhët e tjera.

Pra, trajta e shkurtër e pjesores në kuadër të paskajores së mirëfilltë (si trajtë përfaqësuese) i bëri të pasivizuara për destinim përfaqësimi, jo vetëm të gjitha trajtat e zgjeruara të gegërishtes, por edhe trajtat jo të plota (të rrëgjuara a të asimiluara të pjesores së shkurtër ose me Ë fundore të zhdukur), të cilat si hipergegizma ishin shfaqur në të folme të caktuara, madje edhe në gjuhën e shkrimit. Është fjala për rrëgjimin e E-së  të dyzanorshit të tipit të pjesoreve me –UE dhe –YE fundore, si mësuë, shkëmbyë,  ose për asimilimin e plotë të saj si mësu, shkëmby ashtu si edhe për zhdukjen e –Ë-së fundore te pjesoret mbi temë në bashkëtingëllore, të cilat, me plot të drejtë u gjykuan si veprime jo normative që nga Rregullat mbi ortografinë e gjuhës shqipe  të hartuara mbi bazë të gegërishtes nga Komisia Letrare (Shkodër 1916-1917) e deri te Ortografia e gjuhës shqipe (Beograd –Prishtinë 1964). Prandaj po ai rregull duhet me u përfillë edhe sot e nesër, ngase me një veprim të tillë ruhet norma letrare nga erozioni lokalist dhe, njëherazi, sipas kriterit shqiptimor dhe atij morfologjik trajta e shkurtër e plotë ka përparësi ndaj atyre jo të plotave dhe të tjerave në të gjitha segmentet e përdorimit letrar.

 Me fjalë të tjera, jo pjesorja e zgjeruar e gegërishtes dhe as trajtat jo të plota të pjesores së shkurtër, po pikërisht pjesorja e shkurtë e plotë e ish-shqipes letrare, sot për sot, del konkurruese ndaj pjesores së zgjeruar të shqipes së sotme letrare mbi bazë të toskërishtes ose më drejt del konkurruese për të zënë vendin e vet të merituar specifik në kuadër të sistemit foljor  e emëror të shqipes standarde pa e rrezikuar fare pjesoren e normëzuar të letrarishtes së sotme dhe rrjedhojat e saj fjalëformuese.

Tashti, pa u zgjatur në hollësitë e argumenteve të shprehura më përpara (Shih dy librat e botuar: Paskajorja - çështje e shqipes standarde  (Prishtinë 2000) dhe Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe (Prishtinë 2006), por duke cekur vetëm ndonjë fakt-provë me ndonjë të dhënë statistikore, sadokudo, të re,  do të përpiqemi  me u përgjegjë fare shkurtazi në pyetjen: Pse del aq e nevojshme me u rikthye në normë pjesorja e shkurtër, përkatësisht paskajorja e mirëfilltë? 

Është e vërtetë se pjesorja e shkurtër del  e involvuar  më tepër se ato të zgjeruarat si trajtë e mëvetësishme në tërë strukturën e fjalëndërtimit (në sistemin emëror e atë foljor të gjuhës shqipe), d.m.th. në: fjalëformim, kohëformim dhe formëformim:

  Së pari, pa u ndalur rreth formimit të ashtuquajtur të prejpjesorëve: emra, mbiemra, ndajfolje si p.sh. nga mësue: mësues, mësim, mësueshmëri,  pa: pashëm pashmëri, matë matës matje i matshëm matshmëri, etj., etj, të cilët u cekën kalimthi edhe më sipër, do të ndalemi vetëm te një tip-model i hershëm emrash të formuar mbi temë të pjesores së shkurtër të plotë me fundoren -Ë, tip ky të cilin prof. Shaban Demiraj e quan “pjesore të emërzuar”. Ç’është e vërteta, pasi kemi të bëjmë me një fakt me interes të posaçëm për temën që po e trajtojmë dhe, e thënë kushtëzimisht, nuk del e theksuar sa duhet në burimet përkatëse normative të derisotme, po e riprodhojmë të plotë konstatimin e profesor Sh. Demirajt:

Lidhur me formimin e emrave prejpjesorë, - thekson ai - në gjuhën shqipe duhen dalluar dy tipa. Një tip që është më i hershmi është ai që paraqitet si emërzim i pjesores me –ë, pa paranyjëzim dhe pa ndonjë ndajshtesë. Mbeturina të këtij tipi janë emri femërorë: sosë-a, pasë-a, vdekë-a (dekë-a te Buzuku), lypë-a etj. Ky tip emërzimi i pjesores që nuk është i panjohur edhe në të folmet toske (nënvizimi ynë N.V.), me kohë erdhi e u zmbraps nga gjallërimi i hershëm i emrave prejpjesorë (të paranyjëzuar) asnjanës e më pas edhe nga emrat prejfoljorë prapashtesorë të tipit *vdekë-lë, vdek-je. Gjatë këtyre tre-katër shekujve të fundit edhe emrat prejpjesorë të paranyjëzuar (asnjanës e femërorë) kanë ardhur duke e humbur gjithnjë e më shumë gjallërinë e dikurshme duke u zëvendësuar me emra prejfoljorë të formuar me anë të prapashtesave –im (bes-im), -je (lut-je) e në ndonjë rast edhe me prapashtesën –esë (kujt-esë) ... Përndryshe emrat e tipit: vdekë-a, lypë-a sosë-a etj. do të duhej t’i quanim jo emra të gjinisë femërore, por pjesore të emërzuara të gjinisë femërore, sepse në zanafillë ata të tillë kanë qenë. (Shih: Sh Demiraj, Gramatika historike e gjuhës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1988, f. 1958-1959).

A s’mjafton, pra, vetëm ky fakt (veç njëzet e sa argumenteve të tjera, të cekur në burime të sipërpërmendura) për të kuptuar arbitraritetin e anashkalimit të pjesores së shkurtër ndërlidhur me paskajoren  e mirëfilltë (me + pjesore të shkurtër) nga norma e shqipes së sotme letrare, kur dihet se pjesorja që në zanafillë paska qenë e shkurtër, gjë që dëshmohet katërçipërisht  edhe në Mesharin e Gj. Buzukut dhe burime të tjera të mëvonshme dhe fundi i fundit nuk paska qenë rast i panjohur edhe për të folmet e toskërishtes. Për të qenë edhe më e përkapshme kjo premisë për normëvënësit e sotëm, pa gjurmuar fare në gjuhën e gjallë të të dy kryedialekteve dhe në burime të tjera të gjuhës së shkruar, po theksojmë si kuriozitet se vetëm në Fjalorin e shqipes së sotme Tiranë (2002) ndeshim mbi 100 emra të ashtuquajtur nga prof. Sh. Demiraj pjesore të emërzuara të gjinisë femërore. Ja disa shembuj, që për t’u kuptuar më mirë çështja pranë të tillëve në kllapa shënuam paskajoren e mirëfilltë përkatëse.  Krahaso:

 dredhë-a (me dredhë), çikë-a (me çikë), djegë-a (me djegë), fikë-a (me (u) fikë),  futë-a (me u futë), dukë-a (me u dukë),  grihë-a (me grihë), ikë-a (me ikë) kullotë-a (me kullotë), ndejë-a (me ndejë), pritë-a (me pritë-), rritë-a (me (u ) rritë), rrokë-a (me rrokë), stërpikë-a (me stërpikë), veshë-a (me veshë) etj. 

Pra përveç tipit të emrave prejpjesorë të nyjëzuar si p.sh. të priturit (fem. e pritura të priturat), të vdekurit, të rriturit etj. atyre me –je  pritje, vdekje, rritje  etj. dalin edhe emrat (emërzime të pjesoreve të shkurtra), siç u paracekën, të cilët kanë të gjitha gjasat për t’u riaktivizuar për koncepte të caktuara, nëse tash për tash ndonjëri prej tyre ende nuk e ka qartësisht  të formëzuar nocionin përkatës.

Së dyti, për pjesëmarrjen (involvimin) e pjesores së shkurtër në kohëformim po përmendim vetëm dy kohët sintetike të habitores dukuri kjo e përbashkët e të dy kryedialekteve, si p.sh. punuekam (punuakam), shkruekam (shkruakam), pëlqyekam, matkam, pakam ose punuekësha (punuakësha), shkruekësha (shkruakësha), pëlqyekësha,  matkësha, pakësha etj. Me qëllim u mjaftuam vetëm me këtë fakt, sepse, siç dihet, mënyra habitore është veçori e sistemit foljor të gjuhës shqipe, të cilën nuk e kanë shumë gjuhë të tjera. Si duket edhe kjo mënyrë, sikurse emërzimi i pjesores së shkurtër, ishte formëzuar, mjaft herët, në gjuhën tonë, ndoshta, atëherë kur ndarja dialektore gege-toske nuk kishte marrë ngjyresa aq të forta, d.m.th. atëherë kur pjesorja e shkurtër, si me thënë, më dukshëm, ishte e përbashkët për të dy kryedialektet tona.

Së treti, edhe lidhur me formëformimin po e përmendim vetëm paskajoren e mirëfilltë, ku pjesorja e shkurtër përbën elementin kyç për t’u quajtur kjo formë a mënyrë, pikërisht parësore a paskajore e mirëfillt e gjuhës shqipe.  Ç’është e drejta, ndonëse ka edhe shumë e shumë argumente që arsyetojnë rehabilitimin e paskajores me + pjesore të shkurtë në standardin e sotëm, ne, këtu prej 20 e sa specifikave të pamohueshme të paraqitura në burimet e sipërpërmendura, në dobi të rikthimit të saj, tashti, po mjaftohemi vetëm me njërën prej atyre specifikave. E kemi fjalën për katër nënfushat semantike të përdorimit të paskajores së mirëfilltë, siç janë: përfaqësimi, shprehjet frazeologjike, sfera letrare-artistike dhe sinonimia, ku përdorimi i saj (i paskajores së mirëfilltë) është i vërejtshëm aktualisht, madje as që mund të diskutohet a të vihet në dyshim legjitimiteti i një përdorimi të tillë, sepse do të binte në kundërshtim me logjikën, pragmatikën dhe stilistikën gjuhësore. Megjithatë, në mbështetje të mendimit të saposhprehur, do t’i shtojmë nja dy tri fjalë për secilën nënfushë semantike të sapopërmendur, duke e ilustruar me elemente të reja ose pak të theksuara nga  studiuesit e derisotëm:

1. Lidhur me nënfushën e përfaqësimit, qoftë për nevoja të brendshme, por edhe në raport me gjuhët e huaja, po bëjmë me dije lexuesin e nderuar se vetëm në një punim të tij prof. Eqerem Çabej: “Shumësi i singularizuar”, mbi 40 herë e ka përdorur formën e paskajores së mirëfilltë (Shih Vepra 3, Prishtinë 1976). Siç dihet paskajores së mirëfilltë bashkë me pjesoren e shkurtër (gege) sipas normës në fuqi që para viteve ’70 të shekullit që e lamë pas, pati përpjekje institucionale me ia tha lozen, mirëpo ajo nuk ndodhi, edhe për faktin se shkencëtarët e kalibrit si  prof. E. Çabej nuk e panë të arsyeshme dhe as që u shkoi mendja që në punimet e tyre ta korrigjonin a zëvendësonin këtë formë me veten e parë të njëjësit të dëftores, siç nuk u shkon mendja as sot e kësaj ditë shumë e shumë studiuesve të tjerë të moshuar e të rij, vendës e të huaj, për mos me e përdorë këtë formë të gjuhës shqip (paskajoren e mirëfilltë), sa herë që paraqitet e nevojshme, pa e mohuar, pra, as trajtën përfaqësuese të standardit të sotëm.

2. Kur kemi të bëjmë me shprehje frazeologjike të një abstraksioni të lartë e të tjera, besoj se mjafton të përmendim vetëm faktin se në Fjalorin gjuhës shqipe të M. Elezit (Tiranë 2006), pa hyrë në ndërthurje të brendshme të tekstit të burimit në fjalë, vetëm me shkronjën B ndeshim mbi 100 fjali, si shembuj ilustrues të cilët kryesisht fillojnë me paskajoren e  mirëfilltë.

3. Sa i përket sferës letraro-artistike, mbase nuk ka nevojë të argumentohet përdorimi i paskajores në fjalë. Tani si duket nuk ka vepër letrare e publicistike, ku nuk përdoret pa ngurrim paskajorja e mirëfilltë, kur këtë e kërkon konteksti.

4. Edhe lidhur me nënfushën e sinonimisë, s’kemi çka t’u shtojmë argumenteve të shprehura në burimet e sipërpërmendura e të tjera. Tashmë, si duket, nuk ka dhe nuk duhet të ketë probleme rreth përdorimit, jo vetëm të mëvetësishëm të paskajores së mirëfilltë, por edhe në ndërkëmbim me trajta të lidhores, të dëftores, kushtores, urdhërores etj. sa herë e sheh të nevojshme autori, ose e kërkon konteksti.. Kështu, pra, edhe në këtë nënfushë gjithnjë e më tepër po vjen duke u konsoliduar përdorimi i paskajores së mirëfilltë edhe në konstrukte sinonimike.

Para se të kalojmë në konstatime të tjera përmbyllëse e ndjej të nevojshme të përshëndes mendimet e dy gjuhëtarëve tanë të rij,  njërit nga Prishtina dhe tjetrit nga Tirana, të cilët  këto ditë janë shprehur në dobi të  rehabilitimit të paskajores.

Studiuesi nga Prishtina, Rrahman Paçarizi, ndonëse më përpara, duke paralajmëruar se edhe paskajorja do të jetë objekt trajtimi nga ana e Komisionit ndërakademik, pati deklaruar se ndryshimet janë të domosdoshme, nëse duam të kemi një gjuhë të përbashkët shqipe (Shih: Koha ditore, 19.05.2006 f. 16, pak më vonë në një punim të tij, të botuar po në atë gazetë (më 2.09.2006, f 26), shprehet paksa më butë, ngase nuk e përmend kushtëzimin e sipërpërmendur me nëse..., megjithatë mirë i cek si një e një, të dyja problemet, me fjalët:  Në aspektin morfosintaksor,- thekson ai -,  do të ishte i dobishëm lejimi  i paskajores gege. – dhe vazhdon - Së këndejmi, do të ishte i dobishëm lejimi alternativ i  pjesores,- duke shtuar arsyetimin - pasi pjesorja e shkurtër është element i përbashkët i kryedialekteve të shqipes.

Edhe studiuesja e mirënjohur nga Tirana, Ledi Shamku - Shkreli, e zë në gojë paskajoren, madje si pikë të parë të çështjeve, për të cilat, sipas saj, kërkohet rikthimi në vijë, d.m.th. rikthimi në standard. Ajo shprehet kështu: Në lëmë të gjuhës së folur, ku vihet re menjëherë prania e papërfillshme e paskajores gege, e cila pa pikë dyshimi po përdoret gjerësisht në regjistra gjysmëformal të shqipes (duke hyrë së fundi jo rrallë edhe në gjuhën e shkruar) (Shih: gazeta Koha ditore (16.10 2006, f. 11) .

Me fjalë të tjera, nga sa u tha më sipër, del se rehabilitimi formal i pjesores së shkurtër, përkatësisht i paskajores së mirëfilltë, jo vetëm se nuk duhet të ketë kundërshtime, por duhet të favorizohet, duke u pranuar njëzëri nga normëvënësit e sotëm, ngase kështu ata do ta kenë nderin t’ia bënin një shërbesë të mirë normës së gjuhës shqipe, ndonëse paksa të vonuar, por shumë të domosdoshme  për standardin e sotëm dhe të nesërm.

Për mendimin tonë mbetet  e hapur vetëm çështja  se ku dhe si duhet gjetur vendi për ta shënuar këtë zgjidhje në suaza të burimeve normëzuese të standardit në tri shtyllat kryesore të shqipes standarde, siç janë: drejtshkrimi, gramatika dhe fjalori normativ Për këtë çështje, hë për hë,  jemi të gatshëm me e shprehë propozimin tonë, i cili mund të përplotësohet:

Së pari, në tekstin ekzistues të Drejtshkrimit të sotëm në paragrafin 8, pika k),  para kryerreshtit të fundit të shtohet teksti: Edhe pjesoret mbi temë në bashkëtingëllore në kuadër të paskajores së mirëfilltë marrin –ë fundore.  Ndërsa pas kryerreshtit të fundit shtohet teksti: Është i lejueshëm përdorimi pjesores së shkurtër, në kuadër të paskajores së mirëfilltë (pa formantet  –r dhe –rë të pjesoreve të letrarishtes së sotme).

Së dyti, në  tekstin e gramatikës normative (morfologji) pjesorja e zgjeruar normative si ajo e shkurtra, përplotësohet me tekstin që arsyeton  përdorimin e pjesores së shkurtër, sidomos në kuadër të paskajores së mirëfilltë. Natyrisht edhe në trajtime sintaksore paskajorja e mirëfilltë duhet me zënë vendin përkatës.

Së treti, në fjalorin normativ, natyrisht pas trajtës së shënuar të pjesores së letrarishtes së sotme mjafton të shënohet  vetëm trajta  përkatëse e paskajores së mirëfilltë.

Pra, me një veprim të tillë do të përmbushet qëllimi: bëhet institucionalisht rikthimi i pjesores së shkurtër, përkatësisht i paskajores së mirëfilltë në standard, pa u paraqitur si çështje as e nxehtë as përvëluese për normën e sotme, por do të shërbente si një mënyrë lehtësuese (relaksuese), duke i dhënë frymëmarrje të lirë standardit  sot e në perspektivë.

Në kontekst rreth thirrjes për mirëkuptim lidhur me rikthimin e pjesores së shkurtër, përkatësisht të paskajores së mirëfilltë në standard, po shtojmë këto dy mendime si premisa:

E para, fundi i fundit, një veprim i tillë nuk do të jetë gangrenës dhe as detyrues për ata që nuk e ndjejnë të nevojshme ta përdorin paskajoren e mirëfilltë, por do të jetë, si me thënë, një legjitimim për ata që e ndjejnë të nevojshme dhe të domosdoshme me e përdorë atë.

E dyta,  me një zgjidhje të tillë nuk mbyllet, po mbetet e lirë konkurrenca  e paskajores me + pjesore të zgjeruar (hibride) për foljet  me - ur, -r dhe –rë  të shqipes së sotme letrare ndaj paskajores së mirëfilltë, nëse dikush e sheh të arsyeshëm një veprim të tillë. Shembuj të tillë të përdorimit {hibrid) të paskajores ndeshim jo rrallë edhe aktualisht në gazetat tona, si.p.sh:  :

-Fokus: Askush nuk mundet me e arsyetuar tejkalimin (08..09.2006, f .7) Pse duhet Serbia me diktuar tempin... (, 20.10.2006, f. 5);

- Bota sot: po punojmë mos me lejuar... me mbushur boshllëkun, me degraduar (10.09. 2006, f. 7);

- Epoka e re:   me ia siguruar, me i bashkuar, me pasur, me lexuar(        22.06.2006 f. 4, 5)

etj.

Sido që të jetë, nga paraqitjet e mësipërme del mjaft qartë përgjigjja pse nuk duhet quajtur forma e tillë pjesore e shkurtuar(!). por pjesore e shkurtër në kuadër të paskajore së mirëfilltë dhe në rastet përkatëse të fjalëformimit, sepse, siç është parë e shihet edhe sot, ajo që herët  (që nga Buzuku e këndej) dilte edhe në trajtë të shkurtë, dhe  ajo nuk duket se del e shkurtuar nga ndonjë formë e tashme e ndonjë pjesoreje të zgjeruar (as të gegërishtes as të toskërishtes!), përkundrazi Sh. Demiraj prapashtesat pjesoreformuese të dokumentuara  r/m etj .i  konsideron si tregues jo të qëndrueshëm. Siç u tha më sipër, fundorja –Ë, tipi mjelë me mjelë vjen nga asimilimi i togut fundor *lnë,  madje edhe shtrirja e kësaj  fundoreje me -Ë të foljet me temë në bashkëtingëllore (tipi matë me matË, ngrohë me ngrohË etj., siç është shpjeguar, vjen nga analogjia e jo nga shkurtimi i ndonjë trajte të paskajores si matun a matur, ngrohun a ngrohur etj., të cilat përdoreshin normalisht në të folmet përkatëse të dialekteve, edhe atëherë si sot, kur edhe pjesorja përkatëse e shkurtër, si e tillë, përdorej normalisht, madje si trajtë e normëzuar, sidomos në kuadër të paskajores së mirëfilltë etj.. Prandaj termi pjesore e shkurtuar(!) del term i shpifur, i paqëndrueshëm, ndaj termit, si me thënë, të traditës: trajtë e shkurtër e pjesores.

 Në fund, tërhiqet vërejtje se kalimi në hipergegizma (pjesore të shkurtra jo të plota)  për këtë pikë është i dëmshëm për tërë strukturën e përdorimit të pjesores së shkurtë, d.m.th. shtrohet kërkesë që, sidomos në gjuhën  e shkrimit, por edhe në atë të folur, të mos të bëhet as rrëgjim e as asimilimi i  pjesës së dytë të  dyzanorshave -ue e -ye, sidomos në -u ose –y, (siç po veprohet mjaft shpesh në shtypin tonë dhe në të folurit e shkujdesur, madje gjithashtu kërkohet që pjesorja e shkurtër mbi temë në bashkëtingëllore, të mos përdoret pa –ë-në fundore, ngase këtë e lypë shqiptimi dhe arsyeja morfologjike e rekomanduar ligjërisht. Mjerisht, raste të tilla lajthitjesh po ndeshim mjaft me shumicë në masmediat tona, por më së paku në kohë të fundit ndeshim në gazetën Java, edhe pse kjo boton më shumë se të tjerat pikërisht tekste në gegnishte. Tani po i përmendim vetëm disa raste (të pjesoreve të shkurta jo të plota) të nxjerra nga disa gazeta tona, të cilat këtu i kemi korrigjuar, duke e plotësuar vendin e zbrazët me zanoren përkatëse, të cilën, për dallim, e shënuam me shkronjë të madhe:

-  Lajm:  (titull)Nuk është kollaj me pasË pare (14.08.2006,

   f.   10,  Me mujtË kishin me na shfarosË krejt (21.09. 2006, f. 7;

- Express: Fideli ia ka nisË me ecË (14.08.2006 f. 20, Kemi pasË edhe shpenzim (16.09 2006, f.8),  s’ka ba vaki me humbË...(22.09.2006 f. 12, Kam dalË hapur (14.10.2006, f. 15), Kanë dalË në vendin e ngjarjes         ( 13.10.2006, f.9);

- Bota sot: (titull) Fort hidhnuE janë... (28.08 2006, f. 1, 6),  Të lumnuEshmës N. Tereze (3.09.2006, f. 6,6), Ata nuk kanë pasË ingerenca (10.10.2006, f. 3 Na ka mallkuE Zoti, E ka mbytË (15.10.2006, f. 26,  27,27);

- Koha ditore: jam kruE, patën thënË, me më vozituE,, kish arritË, me u ndreqË, ka me shkuE,, me u takuE, ka mbetË, me u caktuE etj. (30.09.2006 f. 2:

-  Zëri:  me grahË (14.10.2006, f. 29

- Epoka e re:  me informuE,  me filluE, me marrË,  me ndërtuE, me prodhuE (22.06.2006 f. 6).

                    - Java, me mbajtë ders,  me huqë për së dyti (28.09.2006 f. 4) etj.

Në të vërtetë, jo vetëm në gazeta, por edhe në masmedia të ndryshme ndeshim raste të tilla, prandaj është detyrë jona intelektuale që me hipergegizma të tillë  të mos lejojmë me na u mësue  as syri as veshi, madje as goja as dora, sepse janë në kundërshtim, jo vetëm  me normën e sotme, por janë në shpërputhje edhe me normën e ish-shqipes letrare mbi bazë të gegërishtes.

Së fundi, besojmë se, jo vetëm me librat e lartpërmendura (Paskajorja – çështje e shqipes standarde  (2000) dhe Paskajorja  dhe standardizimi i gjuhës shqipe (2006), të cilat ia vlen të konsultohen, por edhe me këtë artikull kemi arritur sidokudo që koncepti i pjesores së shkurtër, përkatësisht i paskajores së mirëfilltë, të jetë më i qartë dhe më i lehtëpranueshëm për rikthimin dhe sendërtimin  e formave të tilla në standard.

                   

                                                P ë r f u n d i m

 

Meqenëse në masmedia të caktuara teksti i paralajmëruar lidhur me shqyrtimin e kërkesën për rikthimin në standard të pjesores së shkurtër, përkatësisht të paskajores së mirëfilltë, në takimet e radhës, nga Komisioni ndërakademik për shqipen standarde, nuk ishte shprehur mirë shkencërisht, sa i përket trajtës përfaqësuese etj., ne, me qëllim që kjo çështje, jo e vogël, ende e pazgjidhur e shqipes letrare, të jetë sa më e lehtëkuptueshme, më e lehtëpranueshm dhe më e sendërtueshme, jo vetëm për anëtarët e Komisionit, por edhe për opinionin e gjerë, e pamë të arsyeshme me e shprehë mendimin tonë, me këtë artikull, përmbajtjen e të cilit mund ta përmbledhim në këto 5 pika:

Së pari, u pa e arsyeshme të sqarohet fakti se nuk kemi të bëjmë as me trajtat e zgjeruara të pjesores së gegërishtes, as ato jo të plota ( të rrëgjuara a të cunguara të saj), por pikërisht kemi të bëjmë me pjesoren e shkurtër, përkatësisht me paskajoren e mirëfilltë (me + pjesore të shkurtë) të gjuhës shqipe, e cila në ish-shqipen letrare qëndronte e normëzuar mbi gjysmëshekulli dhe konsiderohej si një shtyllë kurrizore e sistemit foljor të shqipes për atë periudhë. Në të vërtetë, siç dihet, pjesorja e shkurtër e gjuhës shqipe, sipas  fundores që merr, del dy mënyrash:

            a) me prapashtesë a fundore zero, si p.sh: punue (me punue), shkrue (me shkrue), pi (me pi), zie (me zie), thye (me thye) etj., pjesore këto që në letrarishten e sotme dalin me prapashtesat –r ose –rë: punuar, shkruar, zier thyer, pirë etj. dhe

            b) me fundoren –ë,  si p.sh. vjelë (me vjelë), sjellë (me sjellë), marrë (me marrë), lënë (me lënë), por edhe te të gjitha rastet me temë në bashkëtingëllore që në letrarishten e sotme marrin prapashtesën –ur, si p.sh. matë (me matë), pajisë (me pajisë), ujitë (me ujitë) vendos ( me vendosë) etj.

 

Së dyti, njëherazi u  pa e nevojshme të paraqiten edhe format e pjesore – paskajores karakteristike të gegërishtes, të cilat letrarishtja e sotme, pos ndonjë rasti të veçantë në fjalëformim, nuk i njeh, madje, marrë në tërësi këto as që konkurrojnë për t’u futur në normën e shqipes së sotme standarde. Krahaso:

            a) (me) punuem, (me) punuemun, (me) punuen (me) punuenun (me) shkruem, (me) shkruemun; (me punuë!); (me punu!); (me) shkruen (me) shkruenun; (me shkruë!); (me shkru!); (me) pimë (me) pimun (me) pinun; (me) ziem (me) ziemun (me) zienun; (me) thyem(me) thyemun (me) thyen (me) thuenun (me thye!); (me thy! etj.

            b) (me) matun (me mat!), (me) pajisu (me pajis!) (me) ujitun, (me ujit!) (me) vendosun (me vendos!) etj.

Së treti, është trajtuar sadopak edhe funksioni i pjesores së shkurtër në fushë të:

            a) fjalëformimit, ku theksohet pjesorja e shkurtër si temë emërformuese  e një tipi të veçantë, të ashtuquajtur pjesore të emërzuara të gjinisë femërore, tipi: sosë (me sosë), dredhë( me dredhë), pritë  me pritë), kullotë (me kullotë) etj. që në shqipen e sotme, sipas FShS (2002) numri i tyre kalon njëqindshin.

            b) kohëformimit, me ç’rast  merren sa për ilustrim vetëm 2 kohët sintetike të habitores: punuekam, punuekësha  dhe

            c)  formëformimit, ku përmendet domosdo paskajorja e mirëfilltë: me + pjesore e shkurtër, me punue, me shkrue, me pi, me thye; me matë, me pajisë, me ujitë, me vendosë etj., forma këto, përdorimi i të cilave në nënfusha të caktuara semantike si në përfaqësim, në frazeologjizma, në sferën letrare – artistike si dhe në nënfushën e sinonimisë, as që mundet me dalë i diskutueshëm..

Së katërti, për të lehtësuar punën e Komisionit, rreth zgjidhjes përfundimtare të problemit, jepet propozimi konkret (i cili mund të përplotësohet) se ku dhe si duhet vënë teksti përkatës i domosdoshëm sqarues rreth rikthimit në normë të pjesores së shkurtër, përkatësisht të paskajores së mirëfilltë në tri shtyllat kryesore të shqipes standarde, siç janë: drejtshkrimi, gramatika dhe fjalori normativ i shqipes standarde.. 

Së pesti, në fund, veç ndonjë sqarimi me interes, tërhiqet vërejtje që të respektohet trajta e pjesores së shkurtë, sidomos në kuadër të paskajores së mirëfilltë, pra, të shënohet trajta e plotë e pjesores së shkurtër, as zgjeruar as e rrëgjuar a e cunguar, si në përdorim gojor ashtu edhe në gjuhën e shkruar.

Sidoqoftë, i bëhet me dije lexuesit të nderuar se për të pasur më shumë njohuri lidhur me rikthimin në standard të pjesores së shkurtër, përkatësisht të paskajores së mirëfilltë si dhe për çështje të tjera rreth kësaj teme, ia vlen të konsultohen veprat: Paskajorja – çështje shqipes letrare, Prishtinë (2000) dhe Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe, Prishtinë (2006), ku më gjerësisht, veç konstatimeve e shpjegimeve të autorit, janë përfshirë edhe mendime të studiuesve të tjerë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora