Kulturë » Vataj
Albert Vataj: Fatet e 16 jetëve këputen në minutat fatale të natës së 6 marsit
E enjte, 06.03.2008, 06:32 PM
Fatet e 16 jetëve këputen në minutat fatale të natës së 6 marsit
Nga Albert Vataj
Jo të gjitha rrugët janë vajtje-ardhje. Për Pëllumb Hysa, Majlinda Hysa, Alban Hysa, Aurela Osmani, Halil Osmani, Hatixhe Osmani, Eljo Osmani, Alket Osmani, Ida Osmani, Gersi Osmani, Rei Osmani, respektivisht 3 – vjeç binjakë, Thëllëza Spahiu, Arlind Spahiu, Afrim Dibra, Pranvera Blamo dhe Erjon Blamo, rruga për të darkuar në një bar-restorant-piceri në Farkë të Tiranës të ftuar në një ditëlindje ka rezultuar pa kthim. Ata të gjithë janë fikur në minutat e para të 6 marsit për të ndezur një trishtim që ka mërthyer dje gjithë Shqipërinë. Ka qenë nata më e gjatë e jëtës së familjeve fatkeqe, protagonistë të tragjedisë së 6 marsit në Liqenin e Farkët, 5 km larg Tiranës. Pak pas mesnatës, në minutat e para të ditës së enjte, 6 mars, 19 persona, pjesëmarrës në një ditëlindje kanë përdorur një varkë për të marrë bregun, në të cilin 16 prej tyre kanë dalë kufoma. Vetëm 4 është numri i të mbijetuarve. Ndoshta që kjo tragjedi të kishte rrëfimtarët e saj drithërues të atyre momenteve të zgripit të 16 jetëve. Ngjarja ka tronditur gjithë Shqipërinë. Lotët dhe pikëllimi i familjeve fatkeqe ka qenë dhimbje dhe përjetim për gjithë shqiptarët nga ku lajmi ka përpirë dhenë.
Ironia e fatit ka lujtur tragjedinë me jetët e 16 qytetarëve, të cilët nisen për të festuar në një ditëlindje dhe kthehen në shtëpitë e tyre nëpër arkivole. Liqeni i Farkës dhe kjo varkë fatale nuk kursyer as jetët e binjakëve 3-vjeçarë dhe prindërve të tyre.
Nata e 6 marsit ka qenë nata e fundit që ata kanë përmbyllur në përqafjen e dy botëve, atë të gazmendit dhe prarimit dhe marrjen e rrugët së gjatë të përjetësisë. Nga dëshmitë e të mbijetuarve, bëhet me dije se gjatë udhëtimit për në restorant janë përdorur dy barka. Gjatë kthimit është përdorur vetëm njëra, e cila i ka marrë të gjithë të ftuarit të darkët së ditëlindjes, por pa mundur t’i nxjerr në breg të gjithë.
Jetët e 16 viktimave të tragjedisë janë shuar në natën e 6 marsit, për të mbytur në lotë dhe pikëllim, jo vetëm familjet e tyre, por edhe gjithkah ku lajmi ka përshkuar rrufeshëm Shqipërinë dhe nëpërmjet medjas ndërkombëtare, të gjithë botën. Shteti dhe politika nuk i kanë munguar këtij dekori të trishtë. Strukturat, ajo e Shëndetësisë dhe e Brendshme, të përfshira direkt në lehtësimin e dhimbjes për të afërmit e fatkeqëve të tragjedisë, kanë ndjekur hap pas hapi ngjarjen e rëndë. Në të njëjten kohë ministria e Brenshme ka marrë urdhër të ndjek zbatimin e Ditës së Zisë Kombëtare, të shpallur nga Kryeministri, Sali Berisha dhe mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ceremonive mortore. Ngushëllimet për familjet e prekura nga tragjedia janë përcjellë nga Presidenti i Republikës, i cili ka shtuar se “Kjo tragjedi arriti kufinjë e absurdit”. Për të vijuar në radhën e këtij kori funebër me pjesëmarrja në këtë dhimbje të Kryeministrit Berisha, Kryeparlamentares, Topalli, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, eksponentëve të partive politike dhe për të vijuar nga të gjitha mediat, të cilat e kanë përcjellë këtë ngjarje të rëndë hap pas hapi, dhe njëheraz me lajmin ngushëllimet e tyre më të sinqerta për këtë tragjedi.
E ndërsa trupat e 16 viktimave të këti fati fatal mbulohen nga rrebesh lotësh e qiej të murrmë pikëllimi, apeli për t’i shërbyer më shumë jetës është një kushtrim. Pas një humbje të tillë, pas një pësimi të përmasave të tilla tragjike, për secilin “kujdes” është mesazhi që duhet të dëgjojë kurdo dhe kudo. Jo vetëm në raste të tilla të ngjashme, por edhe në një udhëtim, në një darkim mes miqsh, apo dhe në një jetë të ngrysur në halle dhe vështirësi pafund. Çmimi i jetës është ai çmim që vë secili, sot. në Ditë Zie Kombëtare e nesër në lamtumirën e fundit për 16 jetët që u nisën mbrëmjen e 5 marsit për të rrokur më shumë qëllimin e jetës, dhe për të mos u kthyer më kurrë. 16 ëndrra i këputi në mes nata e 6 marsit. 16 jetë përpiu në thellësinë e saj ai liqen, që shumë prej nesh e njohin sot, së bashku me bëmën e kësaj tragjedie.