Kulturë » Vataj
Ekskluzive: Albert Vataj: Mbetin “jetim” fëmijët e mëdhenj të filmit shqip
E shtune, 22.12.2007, 01:58 PM
Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare regjisorja e filmit për fëmijë, Xhanfize Keko
Nga Albert Vataj - Ekskluzive per Zemra Shqiptare
![]() |
Xhanfize Keko |
Xhanfize Keko, e filloi karrierën e saj si montazhiere e dokumentariste. Ndërsa regjisorja e fëmijëve lindi më vonë, në vitin 1971. Për 13 vjet rresht, deri në vitin 1984, Keko realizoi 12 filma artistikë, që janë edhe sot mjaft të pëlqyer, jo vetëm për fëmijët, por edhe të rriturit. Të realizuar artistikisht, por edhe me vlera edukative, filmat e Xhanfise Kekos kanë konkuruar me dinjitet edhe në festivalet ndërkombëtare, prej nga kanë rrëmbyer edhe çmime të rëndësishme. Në disa prej filmave të saj ka qenë jo vetëm regjisore e montazhere. Por në filmat “Kur xhirohej një film” dhe “Taulanti kërkon një motër” është edhe skenariste. E kjo është një dëshmi e madhe për praninë e saj në botën e bukur e të ndjeshme të fëmijëve. E pas vitit 1984 nuk dolën më filma prej duarve të saj, duke shënuar edhe një fund paksa të hershëm të karrierës. Duke qenë “Taulanti kërkon një motër” filmi i saj i fundit kushtuar fëmijëve që iu kushtoi jetën artistike.
Falë një pune kolosale, kjo grua, kjo nënë, kjo krijuese, kjo kineaste, kjo profesioniste e paepur, ne kemi një ser filmash që nuk do të fshihen për askurrë nga kujtesa jonë. Cilado të ketë qenë koha, ideologjia dhe platforma, ata mbeten filma të arrirë, mbeten dritare nëpërmjet të cilave jemi rritur emocionalisht dhe shpirtërisht. Sot askush nuk do ta besonte se një grua kaq e lartë të përkulet para vdekjes, për të lënë të lartësuar në pjedestal, emrin dhe krijimtarinë e saj. Por askush nuk ka dy jetë, sikurse as Xhanfize Keko.
Ka mbyllur sytë një nënë e madhe. Ka ndalur së rrahuri një zemër, që vetëm si ajo ka ditur të dojë fëmijët dhe së bashku me to të lërë gjurmë të arta në historinë i kinematografisë shqiptare. Ka ikur për të mos mbetur më mes nesh një nga personifikimet e vlerave të patjetërsueshme të filmit shqiptarë për fëmijë dhe atij për të rritur ku rishtaz fëmijën e gjejmë në rol protagonisti. Xhanfize Keke u shua! Fëmijët nuk do të kenë më regjisoren “ikonë” të tyre, ndonëse personazhet e saj do të mbeten përherë të dashura. “Mimoza” e saj llasticë, ka për të qenë përherë këtu, ndër breza, për të përçuar traditën në shekujt që vijnë pas. Apo edhe “Beni”, do të vijojë të jetë këtu, për të mësuar të eci vetë. Ndërsa, ajo që i shndërroi këto personazhe në të përjetshëm, Xhanfize Keko u nda nga jeta dje, në prag të vitit të ‘80-të të jetës së saj. Shkoi edhe një prej atyre që hodhën themelet e Kinostudios “Shqipëria e re”, duke qenë edhe regjisorja e parë e filmit shqiptar për fëmijë. Apo më tej, e para kineaste femër në Shqipërinë ku prodhoheshin tepër filma. Fjalëpakë, regjisorja rrëfente vite shkuar, “Kur nisa të merrem me filmin...”.
E tani, në vitet e vona, kur filma për fëmijë zunë të mos prodhohen më, ajo shfaqej rrallë e më rrallë në publik, duke lënë një boshllëk të madh. Por personazhet e saj asnjëherë nuk u tjetërsuan dhe pëlqehen çdo ditë e më shumë. Në të fundit festival të filmit për fëmijë “Giffoni”, që u mbajt një muaj më parë në Shqipëri, ajo ishte në podin e nderit. Duke i dhënë çmime fituesve, regjisorja me të cilën kinematografia shqiptare mburret për filmat e saj për fëmijë, ishte presidente Nderi e “Giffoni 2007”. Ishte në rolin e dhënies së trofeve në këto vite të vona, kur pushoi së qeni në shesh-xhirim për të sjellë filma për imcakët e saj. Ndërsa vite shkuar, trofeu i të parit festival i filmit shqiptar, u rrëmbye prej saj. “Beni ecën vetë”, u shpall më i miri film i festivalit, duke i hapur rrugën e trofeve regjisores edhe përtej Shqipërisë, në festivale ndërkombëtare filmash. Çmimet dhe titujt e nderit u pasuan edhe nga vlerësime të mëdha, që kulmoi me titullin e lartë “Artiste e popullit”, në vitin 1984. Ndërsa Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj “Giffoni” në Itali, ka fituar medalje për filmat “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” dhe “Tomka dhe shokët e tij”. Përkrah emrit të regjisores së fëmijëve, Xhanfise Keko ka shkuar përherë emri kinodokumentaristit të shquar Endri Keko. E më vonë, ajo pos regjisores, ishte nëna e shkrimtarit Teodor Keko, që u nda nga jeta pak vite më parë, duke lënë gjurmë të pashlyera në letrat shqipe. Sot ndahemi me një nënë të përkushtuar, me një grua të madhe, me një zemër që rrahu fort e më fort për të mbetur tik-tak trokitës në motmotet e memories tonë, të historisë së kinematografisë. Njerëzit e mëdhenj vdesin për të mbetur të gjallë në përjetësi, e tillë ishte dhe Xhanfize Keko.
Komentoni
Artikuj te tjere
Albert Vataj: Beogradi i jep shah pavarësisë së Kosovës
Ekskluzive - Albert Vataj: Beogradi i jep shah pavarësisë së Kosovës
Albert Vataj: Intervistë Ekskluzive me legjendën e valles popullore Besim Zekthi
Albert Vataj: Intervistë Ekskluzive me Kryetarin e Partisë së të Drejtave të Mohuara e Re, Fatmir Hoxha
Albert Vataj: Garderoba e dritave të kuqe dhe Shqipëria
Ekskluzive - Albert Vataj: Garderoba e dritave të kuqe dhe Shqipëria
Albert Vataj: Varka e Noes dhe “përmbytja e përbotshme” e dosjeve
Ekskluzive - Albert Vataj: Praron legjenda Serafin Fanko
Albert Vataj: Praron legjenda Serafin Fanko
Albert Vataj: Niset për nga amshimi At Zef Pllumi
Tis
Golgota e një populli martir në retrospektivë
Kur popullin e shkel fataliteti dhe shtetarët kalërojnë mbi pegas
Albert Vataj: Intervistë Ekskluzive me Kompozitorin dhe Kantautorin Pirro Çako
Antishqiptarizmi i një shqipfolësi - Nga Albert Vataj
Beteja e territoreve dhe miklimi nga pushteti i parasë
Filozofia e politikës së paqes, mbi një fushë të minuar
Përtej grilave të derteve tona
Bota politike dhe animi i kandarit të barazisë
Ruaje Zot Shqypnin nga Shqyptaret