Kulturë » Vataj
Ruaje Zot Shqypnin nga Shqyptaret
E merkure, 16.05.2007, 08:36 PM
Nga Albert VATAJ
![]() |
Albert Vataj |
E këta fytyrëlyrosur e barkalecët e sotëm nuk ka gjasa të jenë diçka tjetër. Kush ua la paqen politike, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën, që ata ta kishin si trashëgimi dhe t’i shërbenin asaj si një fëmije hekakeq, për ta rritur e për ta bërë të zotin e vetes e të këtij vendi. Interesat e palëve kanë qënë në Lidhjen e Lezhës, për dreq po i njëjti harxh u nda edhe në tavolinën e Presidentit të Republikës.
Duke dashur të risjell gjithë atë zallamahi që u bë për certifikatat mund të them se kapsllëku politik erdhi nga babëzia e palëve për terren politik, për pushtet vetoje e çmos tjetër, që ka të bëjë vetëm me: se mos pritej një pelë e të mos merrnim një felë. Loja e ndyrë që kapërtheu vendin nëpërmjet një krize të riciklueshme u mbars më shumë me përpjekje për ta degdisur vendin në një hendek pa rrugëdalje, se sa për të garantuar standarde për zgjedhje të lira dhe të ndershme, trumbeta të cilave i frynë derisa shkoj zëri në qiell. Moti, KQZ, Kodi Zgjedhor, certifikatat ishin vetëm koperturë e gjithë atij meraku që kishin persona të veçantë dhe palë politike për të shtyrë sa të ishte e mundur përballjen fatale me vullnetin e zgjedhësve shqiptar. Shumëçka që dallgëdisi këtë të sotme pakrye kishte zanafillën muaj më parë, kohë kur opozita propozoi para shqiptarëve rikthimin e vitit 1997, sikur të ishte ky vit jo çmenduria jonë kolektive që na ktheu në tribu, por moti i bekuar nga vetë Zoti. Këta derbederë pasi panë se elektorati ua kishte kthyer kurrizin e qasej të shihte jetën e vet të vështirë ndërruar tabjat dhe shpikën mangësitë që kërcënonin standardin evropian të zgjedhjeve për t’i patur si ngasje për nji dimension të ri elektoral. Vetëm zgjedhjet dhe rezultati i tyre do të jetë dëshmia e qartë, nëse kjo vërtetë ka shërbyer si ngasje apo si nervacingëritje. Ajo që mund të shquajmë këtë dekik është se të dy palët kanë bjerrur goxha në elektoratin e tyre, tregues të cilin do ta diftojë pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të fundshkurtit. Hamendjet tregojnë se kjo zvargie e pakuptimtë, kjo kacafytje politike e paprinciptë, kanë kultivuar në kushte mrekulluese indiferentizmin ndaj institucioneve të shtetit, ndaj politikës në tërësi dhe në kryeherën e tanëçkaje, ndaj zgjedhjeve.
Me kompromisin hekakeq të arritur ka pak gjasa që armëpushimi të mbretërojë në sarajet e politikës shqiptare, sikundër nuk kam asnjë mëdyshje se "Shqypnin" vijojnë ta kenë halë në sy "shqyptarët".
Komentoni