E diele, 28.04.2024, 06:13 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ekskluzive - Albert Vataj: Vështrim mbi pikturën e Gjovalin Pacit, penelit të salloneve aristokrate

E hene, 25.02.2008, 08:06 PM


Emocion përmes maktheve ngjyrash të ftohta dhe Evash të epshme

Nga Albert Vataj - Zemra Shqiptare Ekskluzive

Vështrim mbi pikturën e Gjovalin Pacit, penelit të salloneve aristokrate

Gjovalin Paci
Tridimensioni i qasjes së një peneli në përcikjet e tij ndërmjet qiellit, tokës dhe Hyut, formëzojnë kutin e një arti modern, që duke të joshur të përpin në shtjellat e saj të përmendjes drithëruese. Në tërësinë e saj, kjo pikturë mbart me kumtin e larushuar përmes relieveve dhe ngjyrave, atë realitet që ngërthen sejcilin prej nesh. Trajtat emotive që përshkojnë si një fill i vetëm gjithë impresionin, lakohen vibrues mbi telajon dhe formëzojnë plotësinë e formës. Përplotësojnë gjithçka që shkulmon në gjëndjen e transit të piktorit. Biblikja, toksorja, njerëzorja shkrihen nëpërmjet linjave të pandashme që ngjizin trupa që zanafillin nga gjëndje dhe kulme emocionesh për tu njësuar në trajta spazmesh shpirtërore. Linjat duket se fillojnë për të mos përfunduar askurrë, në pikturën e Pacit. Sosin në një telajo dhe fluturojnë në tablonë tjetër për të ravijëzuar sakaq rishtaz një tjetër episod të vërshimit të tij mistik. Në formën e bordurave, ata duket sikur kërkojnë të formëzojnë trajta plazmuese, më shumë si mure rrethuese të emocionit, se sa si qasje delikate për të shfryr atë që gufon furishëm brenda një konstelacionin shpirtëror. Nga një telajo në tjetren perceptojmë kjartazi një tendencë të evolucionit të vetë piktorit që specifikohet tek gjymtyrët, që jo rastësisht shfaqin një mangësi delikatese të perceptimit dhe të përçimit. Graviteti i trupave dhe personazheve emotiv duket se është i rëndësishëm për piktorin. Ai i vendos fort në taban, sikurse u jep po ashtu mundësi të kapen fort pas rrethrrotullisë që hera-herë është një frymëmarrje eterne, e tek-tuk një hapsin që diku thyhet e diku tjetër është aq e fortë dhe e zymtë sa për tu kapur në të duhen vetëm ato gjymtyrë. Tjetër veçori e një prej periudhave të punëve të Pacit është dhe ndërfutja, rrokaqafja dhe rikrijimi, në çdo nerv, në çdo nyje, në çdo gjymtyrë, në çdo kacarritje për zgjatim, për formëzim. Biokimi e këtyre gjëndjeve, dukshëm orjenton përnga një evolucion shumfishues i objekteve, i qënjeve, i gjithsisë dhe pjesëzave përnga e tërë, përnga pafundësia. Qeliza në këto tablo është pambarimisht në evolucion, pafundësisht në pajtueshmëri me krijimin. Në çdo gjë dhe gjëndje një jetë gjallon, një emocion kapërthehet pas rrezeve të para të agut, një ngulm në tërbimin e vet, porsi një stuhi galaktike shtjellin, e behim me fillesat e një bote që piktori e hedh për eksplorim. Krijimi dhe rikrijimi janë në një pakt sublim. Gjithçkaja krijohet nga diçka, dhe diçka kumton ne gjithçka krijimin tërësor të gjithçkasë. Nuk ka ndalim. Përmes linjave dhe ngjyrave, nejve që herë lidhen e herë zgjidhen, për misionin e krijimit. Gjithësia merr formë brenda një shpirti e vihet përballë ëndjes tonë dhe shijeve të holla estetike për të dëshmuar dhe kumtuar. Teksa përçon në çdo grimcë këtë krjim dallon kjartazi, se kurrëçka nuk është aty rastësisht. Rastësore mund të jetë momenti, impresioni qaset të orvatet në të qenin si i tillë, por kurrsesi jo, ajo që është brenda këndeve të telajos. Epja për të përceptuar tanëçka Paci vendos në telajo, nuk është bindja foshnjore, për të zbërthyer enigmat. Më duket se ka diçka më të ngërthyer, më të garrameçme. Do të thoja, është si të zgjidhësh një rebusi. A nuk është dhe ekuacioni i tërësisë sonë të përjetimit dhe zotërimit të jetës diçka e tillë, e ngjashme.
Akriliku i pjekur më shumë se një dritëshikim i trajtimit, më shumë se një mënyrë e zotërimit të këtij tërbimi të sentimenteve të kulmëzuara estetikisht, është një shkas për tundim, për yshtje nga përfshirja me të gjithë dimensionet e përjetimit, edhe me shqisën e të prekururit. Rilievet thepisen, rrumbullakosen dhe sakaq shkrihen përnga njëtrajtshmëria e lëmuar, si kurmi i një vërshimi pikëllues uji e trajta e epshme e Evave që përplotësojnë botën tonë të epshme. Kjo skulpturë e sheshtë shakadahet po me atë nerv limfatik dhe zjarm brendie, sa dhe vetë shtatoret dhe muralet, para të cilave kemi mbetur gojëkyçur, pa fjalë, të dyzuar, por mrekullit të përfshirë. Loja me format nga tabloja në tablo, në çdo pjesëz të së tëres hidhet për të mbetur ajo që perceptim pas perceptimi të rrëfen një realitet të ri, një gjëndje, e cila të është fshehur më parë. Në përgjithësi koloriti i kësaj kreature estetikisht të përkorë, nuk ka gjasa të na ofrohet përkundër dëshirave dhe afshit që të ysht të gjendesh para një pikture. E kenun për të mos ju gjunjzu asaj që duam, ajo është për më shumë, për të joshur më të thellat dhe më të naltat shije dhe kandje. Shumë syresh do të  ngrysen para një larushie të ftohtë ngjyrash dhe formash të një pjese të punëve të Pacit. Ata thjeshtë do të kundrojnë, do të sorollaten dhe do të rikthehen rishtaz, do të tendosen në fortësinë e pasqyrimit dhe ndjesitë e tyre do nisin sakaq të kapin sinjale dhe të perceptojnë reflektime, deshifrimi i të cilave ngjet rëndom tek mistikja, natyra që piktori ka vendosur të kumtojë. Atë që do ta quante si të përbashkët të punëve të tij, Paci do të veçonte mbizotërimin e toneve të errëta dhe një lloj ndriçimi i fuqishëm që zbret nga maja e një mugëtire që krijohet nga poshtë. "Është një lloj frike që të krijohet kur bie muzgu, nata, drita e fortë dhe errësira gjithmonë krijojnë një kompleks mistik", saktëson ai. Tjetërçka që beh para kureshtisë është një risi, nëse mund ta quajmë atë të kodeve. Simetria korrekte e vendosjes së gërmave, jo në sinkron alfabetik, që qarkojnë kryesisht nudot e dëngura në epsh e sharm, sipas tij përfaqësojnë diçka, një fenomen a një dukuri jetësore dhe ajo që përfaqëson e gjithë puna në tërësinë e saj. Është një ndërthurje mes strukturës së prozës, të muzikës në pjesën abstrakte dhe të figuratives në siluetën e vajzës. Nga një tridimension, ai vjen me një tridimension tjetër, më të drejpërdrejtë, më përfshirës, më domosdo për joshjen e yshtjeve frelëshuara estetike.Si për të mos mbetur i plotesuar si deri më tash me telajon, ai kushtron duke përftuar instalacionin në këtë qasje të shpaluarit të gjithë asaj larushie fëshfëritëse, e gjithë atij dufi gurgullues që kaplueshëm kërcën hop nga një realitet në tjetrin, nga një strofkë në një univers. Do ta quanin të makthshme, atë që piktori në këtë hop orvatet të përplotësojë tërbimin e vet me "shtëpia e artistit". Sipas tij, kurrçka tjetër nuk përçon veç ngasa realiteti përqarkon, si artistin e gjithsekënd tjetër rrethekrah. "Është artisti i rrethuar prej mijëra e mijëra ngjarjeve, guxon të deshifrojë këtë panoramim sendesh dhe mjetesh, ku futen për shembull: lajmi, moda dhe të tjerë elementë që artisti i përjeton në mënyrë shqisore ose të padukshme. Mes tyre është artisti, në rastin konkret piktori, i cili qëndron mes ca gurëve e ca tubave; një moment thotë, jam i madh, një moment thotë jam i vogël e një moment thotë, jam i mesëm. Pra është ideja e njeriut në formim e në plotësim e sipër". Sakaq ai udhërrëfen kundruesin, i cili duke u gjend i hutuar në një kryqkalim drithërues, kjo do ta hopte më tej në të tjera labirinthe magjepsëse të deshifrimit të kodeve të Pacit dhe flirtimit me Evat e dlira të mëkatit të zanafillës. Gjithseçysh, ajo që është e Pacit është e tij, dhe kurrsesi s’ka si të jetë e tjetërkujt. Enigmatike, misterioze, e ngurtë, muzikale, drithëruese, e epshme e gjithëçka tjetër që sekush që gjëndet para punëve të tij munet me ndje, me përceptu, e me i dhan njasaj gjëndje nji lloj tagri a një emërtesë. Përsfundit të gjërave, duhet më u kujtu edhe nji përkujdesje që duhet me e ysht gjithsekënd, është, se nëse kjo pikturë nuk ju thotë kurrgja, e më së shumtu nuk ju jep kurrçka, kjo nuk don me thanë se ajo s’ka gja me thanë, e me dhanë, por ju sjeni i mujtun, për me ndigju atë çfarë ajo thotë, dhe me marrë ma të naltin emocion, të cilën ajo është gati me e dhanë.

Per tu njohur me disa nga veprat e piktorit te madh, mjeshtrit Gjovalin Paci, klikoni Ketu



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora