E premte, 26.04.2024, 10:46 AM (GMT+1)

Editorial

Ramadan Sokoli: "Përse duhet të ndryshojë Himni Kombëtar"    

E hene, 17.03.2008, 07:15 PM


Shkruar nga Qamil Xhani    

Ramadan Sokoli
Është njëlloj sikur simfonisë t'i mungojë një notë. Ramadan Sokoli, kolosi i etnomuzikologjisë shqiptare, prej dy ditësh është ndarë nga jeta. Njeriu që hodhi themelet e muzikologjisë shqiptare do të mbetet pjesë panteonit të njerëzve të artit shqiptar. Dje familjarët, miqtë të afërmit dhe përfaqësuesit e shtetit i dhanë lamtumirën në një ceremoni zyrtare. Për kolegët e tij, shkenca shqiptare humbi njeriun e pazëvendësueshëm dhe krijuesin që rrallë i vjen një kombi përsëri. Ramadan Sokoli u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare. I vlerësuar me shumë e shumë tituj kombëtarë e ndërkombëtare.
Ndërsa vlerësimi më ideal është ai i universitetit të "Cambridge" që klasifikoi si një nga figurat më shquara të shekullit të XX. "Tirana Observer" boton sot intervistën e fundit që ka dhënë për gazetën në shtator të vitit 2006. Në këtë intervistë ai jep mendimin për ndryshimin e Himnit Kombëtar.

Profesor, përse Himni Shqiptar edhe tekstin edhe muzikën e ka të huaj?

Himni shqiptar është himni rumun i adaptuar nga Hil Mosi. Ai e mori kur kalonte nëpër Rumani dhe e çoi në Korçë në vitin 1908. Ishte kompozuar nga Ciprion Porumbesku nga Moldavia dhe teksti u përshtat në shqip nga Asdreni. Duhet të kemi parasysh që në atë kohë në Shqipëri s'kishim kompozitorë. Por, megjithatë, përpjekje për të shkruar një himn shqiptar ka patur shumë. Poetë dhe muzikantë patriotë janë munduar që të bëjnë një himn për Shqipërinë, pasi ai është një nga simbolet e shtetit. Kështu, në atë kohë kishte 5 himne të ndryshme, por u vendos që himni kombëtar të mbetej ky. Por ai ishte i huaj si në tekst ashtu edhe në këngë. Kështu, gjatë historisë së himnit ka patur vazhdimisht ide dhe mendime të intelektualëve që, për hir të krenarisë kombëtare, kanë shfaqur vazhdimisht ide për ta patur himnin tonë origjinal, me ngjyra kombëtare dhe mbështetur në motivet e traditës sonë kombëtare me tekst dhe muzikë. Kjo gjë bëri që herë pas here të zhvilloheshin konkurse, të cilat sillnin poezi dhe kompozime me qëllimin për ta zëvendësuar.

Sa konkurse janë bërë për ta zëvendësuar këtë himn?

Konkurset kanë qenë të shumta në kohë të ndryshme. Për shembull, një konkurs është bërë për 25-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë, në vitin 1937, Zogu hapi një konkurs. Për këtë arsye u ngrit një juri, e cila, pasi shqyrtoi vjershat e 76 pjesëmarrësve, zgjodhi vetëm dy prej tyre, të cilat ia paraqiti Komisionit Qendror. Anëtarët e këtij komisioni u zunë ngushtë, sepse nuk po dinin për cilën nga ato dy poezi të vendosnin. Atëherë vendosën për t'i dhënë çmimin për tekstin Beqir Çelës. Por tashmë duhet të ndryshohej edhe muzika e himnit. Kështu pritej të vinte enkas nga Italia një kompozitor mjaft i njohur i asaj kohe, Xhovani Gaeto. Por sërish u hodh problemi se ai ishte i huaj, dhe kështu muzika do kompozohej nga një i huaj. Një konkurs internacional, ku të merrnin pjesë edhe kompozitorë shqiptarë, ishte një zgjidhje më e përshtatshme. Por siç ishte parashikuar, konkursin e fitoi italiani, megjithatë ai konkurs dështoi. Himni nuk u ndryshua dhe vazhdoi të këndohej si më parë. Më pas, në regjimin e Enver Hoxhës, u bënë katër konkurse të tjera. Kam marrë pjesë edhe në komisionet e ngritura.

Përse dështuan konkurset për zëvendësimin e himnit në kohën e diktaturës?

Megjithëse konkurruesit ishin të shumtë, mjerisht asnjëri prej tyre nuk fitoi. Teksti i himnit duhet të ishte një tekst i bukur, por që populli i thjeshtë ta kishte shumë të lehtë për ta kënduar, e në këtë këndvështrim nuk u gjet diçka e goditur. Por ndikuan padyshim edhe ngatërresat e prapaskenat partiake. Himni kërkohej të ishte model i "Internacionales", mirëpo kjo s'kapej lehtë nga populli.

Sipas jush, a duhet të ndryshojë himni?

Patjetër që duhet të ndryshojë. Çdo himn kombëtar duhet të jetë origjinal, të jetë i lidhur me kombin. Nuk duhen mohuar vlerat e himnit aktual. Shumë njerëz prej tij janë frymëzuar, e kanë kënduar ndërsa jepnin jetën për liri. Por tashmë kohërat kanë ndryshuar. Ashtu sikurse shumë shtete të tjera, edhe ne duhet ta ndryshojmë himnin. Për shembull, në Francë, në vitin 1817 ka patur edhe raste përshtatjesh të tilla si himni i Rusisë cariste, kompozuar mbi fjalët e dy strofave të shkruara nga autorë të ndryshëm. Vjersha e himnit grek ka qenë shkruar më vitin 1823, ndërsa muzika e tij u kompozua pas afro 20 vjetësh nga Nikolaes Manxaras. Mund të përmendim shumë himne kombëtare të kompozuar nga autorë të huaj, për shembull, himni zyrtar i Spanjës, i cili u zëvendësua pas vitit 1931, ka qenë kompozuar nga një autor anonim gjerman, ndërsa himnin e SHBA-së e ka kompozuar një autor anglez. Ka shumë e shumë shembuj të tjerë, të cilët tregojnë se himnet kanë ndryshuar. Mendoj edhe ne, meqë kemi një himn me muzikë dhe tekst të huaj, në një kohë kur edhe gjashtë vjet na ndajnë nga 100-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, do ishte shumë mirë që në këtë përvjetor, kombi ynë të ketë himnin e tij me poezi dhe muzikë shqiptare. Hapja e një konkursi do ta realizonte më së miri këtë gjë.

Kush është Ramadan Sokoli

Ramadan Sokoli lindi në Shkodër, më 14 qershor të vitit 1920, në një familje patriotike të pasur. Gjyshin e tij, Hodo Pasha, italianët e internuan në Armeni. Edhe i ati pati të njëjtin fat, duke u persekutuar vazhdimisht nga italianët. Kështu, pas mbarimit të shkollës së mesme në Shkodër, në vitin 1944 Sokoli përfundon studimet në Firence për Flaut dhe Kompozicion. Kthehet në Shqipëri, por në vitet '46-'50 burgoset nga regjimi i kohës. Në vitin 1951 vjen në Tiranë dhe më pas punon në Filarmoni, në Shtëpinë e Kulturës e së fundmi në Liceun Artistik. Shpesh herë Sokoli pushohet nga puna për shkak të biografisë. Por nevoja që kishin për dijen dhe punën e tij e ndihmojnë në çdo rast. E emërojnë pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, ku jep deri në 9 lëndë, por pa e paguar për punën. Më pas punon në Liceun Artistik deri sa doli në pension. Ramadan Sokoli është një nga studiuesit më të mëdhenj të muzikës në Shqipëri. Ai është hartues i një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore, programesh, por edhe studimesh shkencore në fushën e muzikës. Është vlerësuar më çmimet "Mjeshtër i Madh" nga Presidenti i Republikës, "Mirënjohja e Tiranës" nga Bashkia e Tiranës, dhe nga universiteti "Cambridge" është klasifikuar në personalitet më të shquara të shekullit të 20-të.

Berisha dhe Topi homazhe për Ramadan Sokolin

Në ambientet e Muzeut Kombëtar u zhvillua dje ceremonia mortore, në nderim të etno-muzikologut Prof. Ramadan Sokoli. Krerët më të lartë të vendit shprehën ngushëllimet e tyre. Kryeministri vlerësoi lart figurën dhe kontributin e Prof. Ramadan Sokolit, duke e cilësuar atë një nga korifenjtë e botës kulturore të vendit tonë. “Sot është një zi e vërtetë, një zi e thellë për mendimin shqiptar, për botën kulturore të kombit tonë. Ramadan Sokoli është njëri prej personaliteteve më të mëdha, më të shquar, një nga mendimtarët dhe studiuesit më mendjendritur të kulturës, muzikës dhe shpirtit të këtij kombi. Me këtë rast, shpreh dhimbjen time dhe ngushëllimet më të thella familjes, miqve dhe të afërmve të tij, si dhe gjithë botës kulturore të vendit, që sot humbën një prej korifenjve më të mëdhenj të kulturës”, tha Berisha. Ndërsa Presidenti i vendit, Bamir Topi në një telegram ngushëllimi që i drejtoi u shpreh se shpreh se, “me humbjen e Profesor Ramadanit shkenca e etnografisë dhe e albanologjisë humbi një ndër korifenjtë e saj”. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora