E shtune, 27.04.2024, 02:07 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Profesori im dhe kushtetuta e re e Kosovës

E marte, 04.03.2008, 11:30 PM


PROFESORI IM DHE KUSHTETUTA E RE E KOSOVËS

Nga Adnan Abrashi

(Letër e hapur profesorit tim të nderuar, prof. dr. Fatmir Fehmiut, aktualisht njërit  prej anëtarëve të Komisionit për përpilimin e Draft Kushtetutës së Republikës së Kosovës)

I nderuari profesori im Fatmir Fehmiu,

Adnan Abrashi
Nuk e di se sa do t’ju kujtohem, profesor, më 1979, unë kamë qenë student i vitit të dytë në Fakultetin Juridik të Prishtinës. Atëbotë, në mesin e pedagogëve të shquar dhe të respektuar nga ana e ne studentëve, keni qenë edhe ju, mësimdhënësi i drejtës kushtetuese. Kjo konsideratë e veçantë ndaj personalitetit tuaj, nuk ishte vetëm si rezultat i ligjërimit nga ju të një lënde të ngushtë profesionale sikur është e drejta kushtetuese, por, ndërlidhej edhe me gjenezën e prejardhjes suaj nga një familje e shquar dhe me traditë të madhe atdhetare. I motivuar në mes tjerash edhe nga këto qëllime, si një student i pasionuar në profesion, atëbotë, vendosa që ta punoj një seminar mu nga kjo lëndë. Temën e seminarit e përzgjodhëm së bashku: “Barazia nacionale sipas Kushtetutës së KSA të Kosovës”. Menjëherë u angazhove me pasion dhe përqendrim  të shtuar në këtë drejtim. Para se ta merrja dritën e gjelbër për promovim  publik të seminarit para studentëve, fillimisht duhej që një kopje të përfunduar t’ju dozoja juve për vlerësim. Ashtu edhe veprova. T’ju them sinqerisht, edhe në këtë fazë të verifikimit formal, nuk prisja nga ju ndonjë vërejtje, meqë, për shumë çështje didaktike dhe përmbajtjesore të seminarit, paraprakisht disa herë kishim pasur konsulta të ndërsjella.
Pasi që, me padurim e prisja caktimin edhe formal të datës së prezantimit publik të seminarit, nuk u befasova fare kur një ditë kolegët më njoftuan se duhej t’ju paraqitem urgjentisht. Menjëherë u gjeta në kabinetin tuaj. Për befasinë time, posa hyra brenda, as një as dy, ju filluat të më bombardoni me rrebesh fjalësh qortuese: A je në mend? Çfarë ke shkruar kështu në seminar?...donë ta marrësh veten në qafë?...ku ke par ti se sot në botë mund të ekzistojnë dy shtete shqiptare?...Kosova është e pamundur të bëhet Republikë e shtatë e Federatës Jugosllave...etj.
“De facto”, në seminar çdo gjë ishte në rregull, përveç dy faqeve kontestuese ku unë me vendosmëri mbroja tezën se, niveli më i lartë i realizimit të barazisë nacionale në këtë hapësirë multietnike, mund të arrihet vetëm nëse Kosova do ta gëzonte statusin e Republikës së shtatë të Federatës Jugosllave .
Gjatë debati tejet të nxehtë që u zhvillua atëbotë në mes nesh, na u deshën dy orë insistime dhe bindje të pandërprera.  Më në fund, pranova kushtin e juaj të dytë: heqjen e pasuseve nga seminari ku si mundësi përmendej kjo tezë. Desha, apo s’desha, isha i detyruar të veproj ashtu, meqë kushti i dytë qe edhe më i ashpër për mua: anulimi i seminarit në tërësi, me rrezik që më vonë t’i barti edhe pasojat e mundshme negative gjatë provimit përfundimtar vlerësues nga kjo lëndë.
Por, e tërë kjo “mesele”, nuk do të kishte edhe aq rrëndësi të madhe, sikur ju, sot, pas sa e sa viteve, të mos jeni anëtarë i Komisionit për përpilimin e Draftit Kushtetutës të po kësaj Republike të Kosovës, për të cilën, dikur na bindnit se kurrë nuk mund të arrihet.
E shikoni pra profesor, seminari im të cilit dikur me dhunë ia hoqët disa faqe politikisht të papranuara, sot, vetë ju po ja hartoni kushtetutën e po kësaj Republike të Kosovës.
Kur, pas shumë viteve, këtë çështje e analizoj si paevitueshmëri evolutive e bindjeve tona, aspak nuk ju zë fajtor për këtë paradoks kohor të qëndrimeve.
Edhe unë ma nuk jam ai student i dikurshëm që Kosovën e shija si Republikë. Bile-bile, pranoj se as nuk dita t’i gëzohem aq kësaj pavarësie që posa na erdhi.
Po, po, profesor! Edhe unë kam evoluar! 
Ju, nga një fanatik i dikurshëm për pamundësinë e ndryshimit të statusit ekzistues të Kosovës, nga Krahina Autonome Socialiste në kuadrin e Serbisë, në Republikë të Kosovës, sot jeni një partizan i mu kësaj Republike të Kosovës, duke dhënë plus  edhe kontributin  tuaj të drejtpërdrejtë si ekspert në përpilimin e kushtetutës së saj.
Nga ana tjetër, unë prej një ithtari të dikurshëm disident për statusin politikë të Kosovës Republikë, sot kam evoluar kah nevoja e patjetërsueshme e realizimit të synimit tonë historik si popull për BASHKIM KOMBËTAR.
Por, si duket, edhe sot nuk po më lini rahat profesor. Sepse, ju në at Draftin e juaj të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, askund as që na përmendni neve shqiptarëve si popull, ndërsa, nga ana tjetër, sikur për inat timin, në kapitullin I, nenin 1 dhe pikën 3 të po këtij Drafti, decidivisht tentoni që ta pengoni edhe realizimin demokratik të këtij synimi:  shprehjen e lirë të vullnetit si popull t’i bashkohemi shtetit tonë amë Shqipërisë.
Dhe, për fund, me plotë përgjegjësi po ju garantoj profesor: Edhe përpos këso far drafteve, thuaja kushtetuese, që po na i servoni si propozim, ky synim i popullit tonë për Bashkim Kombëtar do të realizohet patjetër dikur. Por, kësaj here, kur të vjen kjo ditë madhore, sigurisht se ju ma nuk do të jeni në mesin e atyre ekspertëve juridik që do ta kurorëzojnë edhe formalisht këtë akt.
Të jemi të sinqertë, profesor!  Krahasuar me hamendësimet e gjeneratës tonë të frustuar në mes patriotizmit etik dhe servilizmit faktik, kuadrot e raja që po na vijnë, përveç edukatës së pastër atdhetare dhe dijes profesionale, janë të armatosur edhe me guximin e madh politik  Mu ata pra, në të ardhmen, do të jenë ekspertët e mirëfilltë, që pa kurrfarë ndikime nga të tjerët, juridikisht dhe në mënyrë lakonike, do ta materializojnë këtë synim tonë përfundimtar si komb
Duhet të krenohemi me ta, a po, profesor?!!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora