E shtune, 27.04.2024, 01:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Dhurata e ditëlindjes

E enjte, 26.01.2012, 08:25 PM


Resmi Osmani

 

Tregim

 

DHURATA E DITËLINDJES

 

Blendi dhe Zana,të zënë për dore, të gëzuar,shend e verë,po ecnin në këmbësoren e “Rrugës së Barrikadave”, nga ana e pallateve, në katet e para të të cilëve kishte me dhjetra tregtore. Zana kishte ditëlindjen. E donte rasti që ata të zgjidhnin një dhuratë. Mbajtën këmbët para vitrinës së argjendarisë. Stolitë e arta, të argjendta dhe gurët e çmuar, të vendosur mbi kadifen e zezë, nën dritën e bardhë të neonit, llamburitnin me një shkëlqim të ëmbël rrëzëllitës që të lëbyrte sytë. Ata nuk i shpëtuan dot joshjes dhe ashtu të zënë për dore, hynë brenda. Shitësja që prapa banakut,u dhuroi atë buzëqeshjen e shtirë që e kish të gatshme për çdo klient. Të rinjtë ishin shtathedhur e të rinj, të veshur thjesht me xhins dhe atlete. Me siguri, mendoi ajo, duhet të jenë studentë, të fejuar ose të dashuruar. Nuk duhet të ishin provincialë. Provincialëve ua ndjente erën që larg. Vajza kishte aromën e një parfumi të ëmbël e të butë, shumë femëror. Ajo  iu drejtua me pyetjen  e zakonshme:

-Me se mund t’u shërbej?

Të rinjtë hezituan pak para se të përgjigjeshin, pastaj Blendi i tha:

-Po, si ta them, dëshiroj  ti bëj të dashurës një dhuratë për ditëlindje. Diçka të bukur e të veçantë.

-Edhe një qind. -uroi ajo, pastaj shtoi- Fjala vjen?

-Faleminderit për urimin. Epo, gjësend të bukur, të shkëlqyer, të ndritur, që të hijeshojë dhe nxjerë në pah bukurinë dhe hijeshinë, si një kujtim të vyer dashuror, jetëgjatë , të një dite të veçantë, që të mbahet mend gjatë.

-Që do të ishte?

- Ta zëmë një unazë, byzylyk, varëse, një palë vathë apo stoli tjetër. Po pse jo, edhe të gjitha tok!

Nga fjalia e fundit, shitësja bëri të habiturën, por nuk vonoi të bënte ofertën:

- Hidhini sytë vitrinës dhe do të shihni që kemi nga të gjitha. Besoj se zonjusha ka se çfarë të zgjedhë sipas shijes dhe pëlqimit të saj.

Ra heshtja. Dy të rinjtë po sodisnin stolitë e arta e të argjendta. Ishin njëra më e bukur se tjetra, të punuara  hollë e me shumë art.

-Të provoj atë unazën me gur të gjelbër.

Shitësja mori unazën me majat e gishtave si të ishte send i brishtë e i mbetej në dorë.

-Të lutem, ma jep dorën e majtë.

Zana bëri si i tha dhe e vuri dorën mbi xhamin e banakut. Shitëses i mbetën sytë te dora e vajzës: delikate, me lëkurën e lëmuar, të freskët, me bardhësi qumështi e reflekse qelibari. Gishtat të hollë e të gjatë, thonjtë e mbajtur me kujdes, në trajtë bajame hijeshuar me manikyr të kuq dukeshin sikur mbi ta të kishin çelur lule trëndafili. Gishtat lëkurë rrudhur të shitëses u afruan si me droje dhe e vendosën unazën. Floriri ndrinte, guri rrëzëllente me reflekse të gjelbra si një livadh  pranveror nën dritën e diellit. Vajza e ngriti dorën dhe kundroj unazën. Rrinte mirë, por shprehja e fytyrës së saj ishte e ftohtë. E hoqi unazën.

-Nuk të pëlqen?

-Rrethi është i hollë dhe nuk bie në sy dhe më vjen ca e madhe, ndërsa guri nuk më duket të jetë me vlerë. Do të më pëlqente diçka e veçantë. Nuk keni rubin apo diamant?

Shitëses i la mbresë mënyra si fliste vajza: me ton të qetë, nazik, me zë të butë e të ngrohtë prej llastice, dhe me një lloj shpërfillje. I pyeti nëse ishin studentë. Jo ata sapo ishin diplomuar.

-Kemi - tha ajo- por duhet të mbani parasysh çmimin.

-Është një gjë që nuk na sjell shqetësim- tha vajza moskokëçarëse sikur ai fakt të mos i sillte asnjë gajle. Mund tu paguajmë me para në dorë ose me letër krediti, si të dëshironi.

Shitësja shkoi te kasaforta e ngallmuar në mur. Hezitoi për një çast si duke dyshuar për diçka, ndonjë rreng, edhe pse mjedisi ishte nën syrin e kamerës vëzhguese, por pastaj,pasi në dyqan hynë klientë të tjerë, formoi numrin e kodit dhe e hapi. Nxori prej andej një peshtaf të zi.

-Zonjushë, të lutem, mund të vini brenda banakut- tha dhe hapi deriçkën ku duhet të kalonte vajza.

Zana u gjend sakaq brenda banakut. Shitësja hapi peshtafin. Atje ishte mrekullia dhe ëndrra e çdo gruaje: rubinë gjak të kuq, diamante të kthjellët si uji, safirë, smeralde, perla, të ngallmuar në ar, platin dhe argjend. Gurët e çmuar përthithën dritën, pastaj e reflektuan me një ylber ngjyrash që spërndriti me një dritësim të ngrohtë e të ëmbël syprinën e peshtafit. Shitësja desh të shihte përshtypjen në fytyrën e zonjushës, por për çudi, veç një buzëqeshjeje në cep të buzëve, ajo nuk shprehte asnjë habi, si të ishte rritur mes luksit dhe gjërave të çmuara. Mori një varëse platini me një mori diamantesh  të vegjël dhe ia vari në qafën e gjatë e të bukur, pastaj dy vathë me rubin të kuq që në bulat  e veshit, dukeshin si dy prushe të ndezur dhe në kyçin e dorës  i vuri një byzylyk me smeralde të gjelbër.

-Kanë ardhur nga Parisi, modeluar nga e famshmja Bulgari. Është një komplet për një mbrëmje gala. Janë kryepunë mjeshtërore. Nxjerrin më në pah bukurinë, gjë që ty nuk të mungon, dhe femrën e bëjnë të duket më femër, më të hijshme, më me klasë rrëfejnë për pasurinë që zotëron dhe rrethin shoqëror të cilit i përket. Kësisoj, duke tërhequr mbi vete vështrimet si të dashamireve apo të ziliqareve, bëhesh objekt i vëmendjes së gjindjes. Kjo nuk është pak për një femër. Apo jo?-Shitësja, që iu duk se e kishte tepruar pak, heshti dhe priti që tjetra të pyeste për çmimin, por ajo nuk pyeti. Atëherë ajo i tha se kompleti kostonte njëzet mijë euro. Vajza nuk u habit nga çmimi(siç bënin të tjerat në raste të ngjashme) por edhe nuk u ngut të kthente përgjigje. Ajo i hodhi një vështrim të dashurit të saj, por nuk i kërkoi ndonjë mendim. Pastaj e lirshme dhe paksa lozonjare, vazhdoi të shihte veten në pasqyrën e madhe. Shitësja priste. Më në fund vajza foli:

-Në llojin e tyre janë vërtet punime të bukura, por tepër klasike dhe aristokratike, parapëlqej diçka më të kohës, më moderne, të punuara jo me kaq delikatesë. Apo jo i dashur? Besoj që edhe ti të jesh i një mendimi me mua.- djali miratoi me një përkulje të lehtë të kokës. -Zonjë, faleminderit për shërbimin, ishte kënaqësi që u njohëm me koleksionin tuaj,  por nuk gjetëm atë që kërkonim!

-Më vjen keq që s’mundëm t’ua plotësonim kërkesën-tha shitësja me një zë ku vihej re ironia dhe një mëri e fshehur për këta gjoja pasunarë të rinj.

Dy të rinjtë, të kapur për duarsh, po ecnin ngeshëm në këmbësoren e bulevardit dhe mbajtën këmbët para vitrinave të një tregtoreje të madhe. Punëtoret e shërbimit po vishnin manekinët, që ashtu të zhveshur e me shikim të ngrirë dukeshin sikur mërdhinin. Hynë brenda. Salla ishte e ndriçuar bollshëm dhe çdo gjë ndrinte. U afruan te raftet e këpucëve.

Shitësja ,mesogrua, e pakët dhe e rrëgjuar u afrua për tu shërbyer. U uroi mirëseardhjen dhe me një zë të mekur, si të bënte një ritual të detyruar, nisi të lavdëronte mallin.

-Për zonjushën apo zotërinë?

-Për zonjushën-tha djali.

-Kemi çizme të modës së fundit, këpucë të modeleve elegante për çdo stinë, sandale klasike me thurje fantastike,me takë të lartë e të ulët,si ti doni dhe si ti pëlqeni, në dashçi kemi edhe ortopedike. Të gjitha prodhim italian nga firma e mirënjohur “Mineli”. Keni për të parë se do të ngeleni shumë e kënaqur dhe shpresoj se do të jeni paskëtaj klientja jonë e përhershme. Kush blen një herë tek ne, rikthehet sërish e sërish,kjo është magjia e tregut.

Shitësja, që s’ua mbushi syrin në të parë, dinte ta bënte për bukuri paraqitjen e mallit.  Pyeti për numrin e këmbës , pastaj se çfarë dëshironin të blinin dhe kur vajza i  tha nga të gjitha, ajo zbriti nga raftet kutitë e kartonit sa u bënë një pirg: këpucë, çizme, sandale. Vajza u ul në një fron dhe zgjati këmbën e djathtë, një këmbë të hollë e të vogël si të balerinave dhe nisi ti provonte,por për çdo rast ajo kishte një vërejtje:ky lloj këpuce ishte i ngushtë në majë,tjetri e kishte dekoltenë shumë të hapur, tjetri bënte rrudha, takat ishin shumë të larta, çizmet kishin qafa shumë të gjata dhe asaj nuk i pëlqenin aksesorët, i donte të thjeshta; sandalet kishin thurjen e rripave të lidhur me nyje, donte një ngjyrë të çelur, por jo të bardha.... provoi e provoi, por nuk vendosi se çfarë do të zgjidhte.

-Zonjë, më fal se të hapa punë dhe më vjen keq që nuk gjeta atë që kërkoja- i tha shitëses me  zë të butë e me një notë të lehtë keqardhjeje- dhe u ngrit që të dilnin.

-Ju lutem, është detyra ime, më vjen keq që nuk munda tu kënaqja.-Ia ktheu shitësja .

Në zërin e saj ndjehej  një pezëm i fshehur për këto të reja, që të vënë në punë sa të djersish, por nuk   dinë se çfarë kërkojnë!

Kur u gjendën sërish në këmbësoren e bulevardit, ata këmbyen nga një buzëqeshje të ngrohtë  dhe të zënë për dore nganë përpara. Blendi ndjente në pëllëmbën e vet butësinë dhe ngrohtësinë e dorës së Zanës dhe i dukej se një valë e ëmbël ndjesish i vinte prej saj. Ai ia shtrëngoi dorën dhe e pyeti se çfarë do të shihnin tjetër.

-Më pëlqen një pallto dimri- tha ajo.

Ishin duke kundruar vitrinat kur ajo ngadalësoi çapin dhe u kthye për të hyrë në dyqanin e veshjeve. Dyqani ishte i vogël por me mallra cilësore. Të zotët, burrë e grua po rendisnin mallin.

-Mirseardhët dhe paçi këmbën e mbarë. Sapo më ka mbërritur malli nga Milanua. Pallto dhe trekuarte me stof Kashmiri, për burra dhe gra, janë punime artizanale, me dorë. Përse është e interesuar zonjusha e bukur dhe shoku i saj simpatik?

-Një pallto dimri.

-Ju keni trup të bukur dhe mes të hollë, do tu shkonte më shumë një pallto me bel që lidhet me brez- vërejti zonja e dyqanit dhe i ofroi një pallto ngjyrë bezhë, me stof të butë,prerë dhe qepur bukur. Zana e provoi dhe u pa në pasqyrë. I rrinte bukur, pas trupit si ta kishte bërë me porosi, por nuk e bëri veten.

-Të pëlqen?

-Ngjyra është e ftohtë, do të desha një ngjyrë që të më çelte fytyrën, vishnje të hapur ose ciklamin.

Shitësja kërkoi nëpër kutitë e kartonit, gjeti ngjyrat që vajza tha se i pëlqenin, por ato nuk ishin numri i saj,i rrinin të gjera te supat dhe ishin më të gjata  ngasa duhej.

U ndanë mirësjellshëm, me një “mirëardhshi” nga të zotët e dyqanit,pastaj nisën të ecnin si duke vallëzuar në këmbësoren e bulevardit. Të dyve u hipi një i qeshur i papërmbajtur aq sa kalimtarët i shihnin paksa me habi. Përpara, midis dy pallateve ishte një galeri dhe nga e majta në kat të dytë një lokal me verandë të bukur ku ata vinin shpesh. Ata u kthyen te galeria. Blendi e rroku të dashurën për beli,e afroi pranë vetes e mbështeti në gjoks dhe e puthi butë gjatë dhe ëmbël. Ai e ndjeu sesi ajo fërgëllonte,pastaj e shkëputi gojën fryma e saj e ngrohtë që binte erë molle i ra mbi fytyrë. Buzëqeshja e saj ishte vetë lumturia,drita e syve të saj ishte gëzimi i tij. Qenia  e saj me të ishte si të shkriheshin dy qenie në një të vetme,një trup një shpirt, ai bashkim zemrash e ndjenjash që sillte veç gëzim dhe një etje të pashuar për njeri tjetrin.

-Gëzuar e përshumëvjet ditëlindjen zemra ime!- tha ai ,pastaj nga xhepi i brendshëm i xhaketës,nxori një trëndafil gjak të kuq,që ishte dhurata e tij e ditëlindjes. Në vend të përgjigjes ajo i dha një të puthur dhe një buzëqeshje magjepsëse.

Kur u kaloi dalldia,Blendi nisi të kërkonte nëpër xhepa dhe nxori pak para të vogla që i vuri në pëllëmbë të dorës. Edhe Zana,filloi të kruante astarin e çantës dhe xhepat anësorë,dhe lekët që gjeti i vuri në pëllëmbën e të dashurit. Ai i numëroi.

-Mjaftojnë për kafen time dhe një akullore për ty dhe një bakshish i vogël për djalin e shërbimit- tha ai- eja të ngjitemi në verandë.

Ata u ulën në cep të verandës, pranë vazove të luleve. Ishin të gëzuar. E përjetonin, e ndjenin se rinia dhe dashuria ishin pasuria e tyre e madhe që vlente më shumë se çdo pasuri.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora