E premte, 26.04.2024, 04:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Mbrëmje magjike në Durrës në promovimin e librit të poetes 16-vjeçare, Darlina Mamaqi

E enjte, 29.12.2011, 01:22 PM


Një takim i veçantë me një poete të veçantë

 

Albert ZHOLI

 

Të premten më datë 22.12.2011 në qytetin e Durrësit u zhvillua një mbrëmje kulturore e veçantë. Klubi i Shkrimtarëve të këtij qyteti bregdetar, organizoi promovimin e librit poetik “Puthur nga dielli”, të poetes 16-vjeçare Darlina Mamaqi. Duhet theksuar se, Klubi i Shkrimtarëve të këtij qyteti piktoresk organizon për çdo javë veprimtari të tilla, të cilat gjallojnë jetën kulturore e artistike të qytetit bregdetar. Por mbrëmja e së premtes ishte disi e veçantë për disa arsye. E para, se të promovohej libri i një poeteje të re, një poeteje 16-vjeçare, e cila hyri në radhën e poetëve të rinj thjeshtë, por bukur. Së dyti, duhet theksuar se dhe pse shumë ftohtë, dhe pse në qytet lëvizjet ishin shumë të rralla, pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës, salla kryesore "Nikolin Xhoja" ishte e tejmbushur, ku shumë prej të pranishmëve qëndronin në këmbë.

Pjesëmarrja

Shpesh herë kur flasim për promovime librash biem në rutinë, themi të njëjtat gjëra, pasi dihet kush do të vijë, dihen dhe moshat e pjesëmarrësve. Por në këtë promovim pash që u thyen këto rregulla. Qysh në orën 16:30, salla ishte mbushur dhe pse aktiviteti fillonte në orën 17:00. Në këtë veprimtari promovuese kishte pjesëmarrës nga të gjitha grupmoshat në raporte të drejta. Me fillimin e aktivitetit në sallë shihje qartë, shkrimtarë, poetë, intelektualë, mësues, por dhe nxënës. Mes të ftuarve binte në sy pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, z. Vangjush Dako, por edhe aktorëve si: Mirush Kabashi,  Hysen Bashhysa, por dhe e shumë mësuesve pensionistë të qytetit dhe e mediave. Nga Tirana kishin ardhur me ftesë të veçantë botuesi i gazetës “Telegraf”, z. Agim Çiraku dhe drejtori z. Engjëll Musai.

Veprimtarinë e hapi Kryetari i Klubit të Shkrimtarëve të qytetit z. Nikolla Spathari. Pas fjalës së pjesëmarrësve, aktori i mirënjohur Hysen Bashhysa, recitoi disa poezi të poetes Mamaqi, poezi, të cilat e ndezën atmosferën e Pallatit të  Kulturës në qytetin e Durrësit. Pas tij e mori fjalën mësuesja e Dralinës, e cila theksoi se, ajo besonte se Darlina do të bënte diçka ndryshe nga shoqet, pasi është nxënësja më e shkëlqyer në shkollë. Shoqet e Darlinës recituan vargje të saj, duke sjellë dhe copëza nga jeta e tyre shkollore. Në fund të aktivitetit Darlina i falënderoi të gjithë për fjalët e ngrohta dhe inkurajuese dhe se do të punonte më me përkushtim në këtë rrugë të bukur, por dhe shumë të vështirë. Pas kësaj fjale ajo shpërndau për të pranishmit libra me autografë. Për të ftuarit specialë, familja e Dralinës shtroi një darkë në një prej lokaleve të bukur buzë detit. Kjo mbrëmje magjike e së enjtes në qytetin e Durrësit la gjurmë në kujtesën e pjesëmarrësve.

 

Ç’thanë për Darlinën në takim

Nikolla Spathari

Kjo ditë është e veçantë për poetët dhe shkrimtarët e Durrësit, pasi bëhet promovimi i një libri të ri, por dhe një poeteje të re, poetes më të re të qytetit të lashtë.

Është nder për ne që klubi ynë sot promovon një libër të një poeteje kaq të re, që shkruan vërtetë bukur.

Gjergj Vlashi

Sot qytetit tonë, iu shtua dhe një poete e re. Kur më dhanë të lexoja këtë libër dhe pashë moshën e autores mendoja se do të lexoja poezi të zakonshme të moshës së adoleshencës. Por në fakt gabova. Tek poezitë e Darlinës pashë një poezi ndryshe, një poezi me mendim dhe ndjenjë, pashë një poezi që të linte mbresa.

Mirush Kabashi, “Artist i Popullit”

Unë sot erdha me dëshirë në këtë aktivitet, sepse bëhet fjalë për librin e një poeteje të re që ka nisur një rrugë të bukur, por të vështirë. Por të them të drejtën, erdha i papërgatitur që të recitoj poezi nga Darlina. Për atmosferë unë do të recitoj një poezi tjetër që të jetë e pranueshme për këtë ambient kaq të bukur, ku mbizotëron rinia. Ne na duhen poet të rinj në qytet, ne na duhen aktivitete të tilla sepse i zbukurojnë mbrëmjet në qytetin tonë artdashës,

Agim Bajrami, poet

Klubi ynë i Shkrimtarëve të qytetit të Durrësit ndihet i rinuar dhe i fisnikëruar, pasi në radhët e saj hyn bindshëm një poete e re, e cila me vëllimin e saj poetik “Puthur nga dielli”, tregon se poezia dhe pse do nuanca, nuk ka rregulla moshe. Poezitë e Darlinës janë poezi të sinqerta ashtu siç është ajo vetë në jetë.

Vangjush Dako, Kryetar i Bashkisë Durrës

Ndihem i vlerësuar  dhe i motivuar që mora pjesë sot në këtë aktivitet. Ndihem i tillë, pasi Darlina është në moshën e tim biri dhe të botosh një libër pretendues në këtë moshë nuk është gjë e zakonshme. Botimi i një libri kërkon kulturë, studim, lexim, njohje, përkushtim. Si duket Darlina i ka të gjitha, përndryshe, s’kishte se si të botonte një libër.

Ardi Omeri, redaktor

Me poezitë e Dralinës jam njohur rastësisht në Facebook. Më pëlqyen, duke pasur parasysh moshën e saj. I kërkova të më niste disa poezi dhe kur i lexova, me ndjenjën e të qenit poet, pashë se me të vërtetë ajo kishte poezi të bollshme për një vëllim. Kam ndërhyrë shumë pak në poezitë e saj dhe për faktin se pata parasysh se në të ardhmen ajo të shohë se si ka ecur, si ka rrugëtuar duke i bërë vetë korrigjimet dhe krahasimet.

Kozeta Mamaqi, poete (halla e Darlinës)

Kur im vëlla më lajmëroi se do të sjell një dhuratë të bukur, mendja ku s’më shkonte, por që të më sillte një libër me poezi të vajzës së tij dhe të mbesës time, Darlinës, s’e besoja kurrë. Unë e dija që mbesa ime shkruante diçka për vete, por jo se kishte ëndrra kaq të bukura dhe pretendime konkrete pa fjalë për të botuar libër. Jeta e familjes sonë në sistemin komunist ka qenë në kushtet e mbijetesës më të pabesuar. Por ne si fis kemi qenë të dashuruar me poezinë, me librin, me dijet.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora