E premte, 26.04.2024, 05:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Ali Sh. Berisha: Nëntorët

E shtune, 05.11.2011, 08:56 PM


Ali Sh. Berisha

 

NËNTORËT

(Recital)

 

Pasi perëndia e përzuri djallin nga parajsa

Ky erdhi në Ballkan të gjejë atë që humbi

Po ai ishte i zotëruar

 

-E ju

Prej kah dhe kur erdhët këtu?!

 

-S’erdhëm prej askah

Na lindën këta gurë në këto bjeshkë

Na përkundën këto lugje si djepa

Na flladitën këta lisa të gjatë

Na ushqeu qumështi i shqipes

Dhe uji si loti që rjedh nëpër damarët e Nënës Dardani

E fushat e gjëra na e dhanë bukën

Na e zhdukën tutën

Ndërsa rrezaret na falën dashuri zanash

 

-Si ju quajnë?

Ç’gjuhë flisni?

 

-Jemi të parë e të lirë

E quajmë veten ilirë

Gjuha jonë është e ëmbël dhe e lehtë

Më e mirë se ajo që ti flet

Është gjuhë shqiponjash

Nga Tuna deri në det

 

Për një hop

Djalli humbi si pa kokë

 

Jëta vazhdoi përsëri

Nën këtë qiell

Nën këtë diell

Në këtë copë tokë

Kur - o zot

Ia bëhen hordhi

Djalli vet

Që të rrjedhin lotë

Që gjëmë të ketë

Prej njërit det

Në tjetrin det

Në këtë dhe që ishim zot vetë

 

Plasën luftëra grabitçare

Roma u nis në Iliri

E kjo nxori Teuta, Genca e Agrona

Që s’pajtoheshin me robëri

 

Vinin taborret breza-breza

Mu si re të zeza

Që të shtypnin dëshirën për liri

 

Po Bizanti nga Azia

Ç’kërkonte në Ballkan

E Sllavët nga Rusia

A s’kishin tjetër vatan

Hej, zot

Ranë si tërmet

Nga njëri në tjetrin det

Nga Tuna deri në Kretë

 

Vinin taborret breza-breza

Mu si re të zeza

Që të shtypnin dëshirën për liri

 

E Azia lindi edhe një Satanë

Arbërinë për ta ngrënë

Po s’e zhbiu këtë diell

Po s’e zbiu këtë qiell

As këtë dhe

As gjuhën që flasim ne

As etjen për liri

 

Dëgjoni galopët e shpatat vringëlluese

Në histori

Shihni këtë vetëtimë tmerruese

Për armiqtë në Arbëri

 

Si Feniksi që lindet

Nga hiri i vet përsëri

Ngritet shqiptari

Për liri

 

Skënderbeu me shpatën zjarr

Vetëtimë erdhi nëpër fushë e mal

Mëmëdheut që t’i falë

Një Rilindje madhështore

 

Seç valvitet në Krujë atje në kullë

Të parin 28 Nëntor

Shqiponjë malesh arbërore

E zhdavaritë terr mesjete

Ndër rrashta ashpër ngulë

 

Skënderbe

O Flamur

 

Vijnë taborre armiqësh e s’kthehen më

Kur Gjergji lëshon të vetmin zë

E sulet vetëtimë

Mbi djallin që kishte sjellur Azinë

 

Vaj!

Vaj!

 

Tani s’ka Skënderbe

Arbëria u mbështoll sërish në terr

Pa dritë

Pa diell

 

Shekujt ranë njëri mbi tjetrin

Hiri mbi zjarr

Në pritje që të fryjë një erë e re

Që rilindësit e gatitnin me mallë

 

Po fqinjët

Nga Satana të ndihmuar prore

Thurnin plane djallëzore

Në Shën Stefan e Berlin

Të kafshonin trupin

 

Po Prizreni

 

Nisë trimat në Evropë

Në kuvend

Dhe në male

Për një trup

Për një kokë

 

Po Evropa

 

Ah Evropë, shtriga plakë

Ah djall i zi

Do të shihemi përsëri

 

Shkoi Sanxhaku i Nishit

Shkoi Plava e Gucia

Ah Evropë shtrigë e vjetër

Do të shihemi njëherë tjetër

 

Thyhen shtiza

Këputen jataganë

Prizreni po lahet në gjak

Kosova

Gjithë Shqipëria

Se kështu deshi Evropa

Kështu deshi Turqia

 

Duhej të vintë edhe një Nëntor

 

Edhe një Nëntor

 

Nëntori i Dytë i shqiptarisë

I rilindur në Prizren

Në një fund pranvere

Nëpër mortë

 

E Rilindja kishte emrin kryengritje

Dhe paralajmëronte epokë të re

Nën qiellin e ngrysur

Në Nëntorin e ditës së njëzetetetë

Kur derdheshin shira

Kur Kosova kullonte gjak

Kur çdo gjë digjej flakë

Kur çdo gjë po kthehej në gërmadhë

Nga satanasit që i quajmë shkja

 

Plaku i Vlorës

Ecë për në Vlorë

Me flamurin e lashtë

Që të bëhej përjetësi

Ngritur mbi 500 vjet robëri

E ruajtur thell në atë pjesë zemre

Me zili

Që thërret

 

Liri

 

E Vlora s’do të ishte Vlorë

Po të mos ishte aty Çamëria

Po të mos ishte aty Ilirida

Po të mos ishte Kosova aty

Po të mos e puthte baca Isë

Po të mos e mbushte lotë baca Isë

Po të mos e bënte më të kuq

Baca Isë

 

Këtë flamur

 

Vinin taborret breza – breza

Mu si re të zeza

Që të shtypnin etjen për liri

 

Po Çamëria

Po Ilirida

A ranë?

 

Po Kosova martire

A ra

Po Kosova martire

A u vra

A u varros?

 

Jo

 

Një mijë herë jo

 

S’ra po qëndroi

S’u varros por për çdo ditë u rilind

Mbi ëndrra

Mbi eshtra t’baballarëve

Nëpër prita

Nëpër katakombe

E helmuar

Pa kafshatë goje

 

Evropë thuaje fjalën!

Evropë hidhe hapin!

 

Evropë

Laj mëkatet që ke bërë!

 

Evropë këthe borxhin që na ke!

 

Evropë

Gjarpëri duhet shtypur në kokë

 

Kosova po rilindet për një Nëntor të Ri

E stolisur me gjak

Me krizantema

 

Po rilindet për një Nëntor të Ri

Për një diell më të ndritshëm

Për një qiell më të pastër

Për këtë tokë pa shkja

Pa frikë se sërish ka për t’u nda

 

Po si Feniksi që rilindet

Nga hiri i vet përseri

Ashtu u ngrit

Edhe shqiptari

 

Për liri

 

Ai flamur me shqiponjën dykrenare

I përcjellur në Nëntor të Dytë

Do të jetë më i bukur

Më i ndritshëm

Në Nëntorin e Tretë

 

E Kosova

 

Mblodhi bijtë e bijat

Shpërndarë nëpër botë

Lidhi shamijat e plagëve për dy mijë vjet

Në një të vetme

Të jetë më e fortë

Një

Vetëm një

 

Shqipëri

 

Hej – Shaban Shala

Fazli Grajçevci

As ju bjerr mendja

As ju tretë dheu

Amaneti pa u kryer

 

Flakë digjen zemrat tona

Ashtat skuqen gacë e zjarr

Zotërote s’mbajmë më këmbana

Liri duam ose varr

Im bir gëzona

 

A s’dëgjon

Jusuf Gërvalla!

 

Edhe sa net do t’i kaloj me kitarën time

Derisa nota e domosdoshme të hyjë në pentagram

Që meloditë e mëvonshme

Me mua

Apo pa mua

Të jenë lirike

Të vrullshme

 

O Kadri Zeka!

 

Zanoreve iu dhe jehonë e jetë

Etjen për diell për ta gjetë

 

Ooooo Bajram Bahtiri!

Nuhi Berisha

Rexhep Mala

 

Qëndro nënë, qëndro pra

E ashpër është lufta me shkja

Le të biem të lindin të tjerë

Që të lirë të rrojmë përherë

 

Oj Përlepnicë!

Nixrre nga burgu I nëndheshëm

Zijahun gjallë!

Qëndro dhe mbahu

Na ke tok dhe krah për krahu

Tash kur nga një Zijah kudo fle

Diell i lirisë do të na nxe

 

Eheeeej Ismet Krasniqi!

 

Edhe deri tash

Edhe më tutje

Me ylberin mbi vdekje

Me jehonën kushtruese

Qajmë shtigjet e zëna nga bora e dimrit të gjatë

Qajmë shtigjet me lëkurën tonë të çarë

Që të arrijmë deri te luleboret

Deri te e nesërmja

Për zogjët që ke lënë me dhembje e mallë

Ti

Amanet i lashtë

 

Ah rrap kurorë madh

Me dega sipri veshur n’gjelbrim

Me zemrat poshtë që dridhen n’përmallim

M’u bëj hije Fahri e Bahri Fazliut

Trimave që tek ti përjetshëm pushojnë

 

Freski hyre në ne dhe frymon

Anipse dheu i frishkët të shënon

Zotërve të territ u tregove ç’ju duhet

Krizantemave të Nëntorit t’ju druhet

 

Ooooo Afrim Zhitia!

Eheeeej Fadil Vata!

 

Aty bri rrugës krejt kurorë

Fle unë n’gjiun tënd Kosovë

Rash e ju roje ju kam

Ime nënë e përvuajtura nënë

Mos u brengos tash më ke pranë

 

Marrin flakë zemrat djaloshare

Në qytete e në male

Ngritet në këmbë Tahir Meha

S’durohen më këta pleha

Që vrasin, presin e helmojnë

Që mbyllin shkolla e në zi harbojnë

Ky është vend plisbardhësh denbabaden

Andaj le të jehojë pushka jem

 

Dhe një zë del nga varri

Hej ku je Adem Jashari!

Hej ku je oj Drenicë

Si duron këtë kapicë!

 

Krisi pushka u dridh Evropa

U ngrit Prekazi e gjithë Kosova

Ia behën edhe bijtë e saj

Po për vdekje

Kurrë për vaj

 

Binin Shota e Azema

Ngriteshin Xheva, Fehmia e Adema

Ngritej kala Çiçavica e Llapi

Dukagjini e Nerodima

Gallapi e Karadaku

Shalë e Sharr

Po mirrte rrugën bajraku

Në Kosovën nuse t’kuqe

Të valojë gjithmonë i lirë

Flamur i madh

Flamur i mirë

 

Dhe erdhi dita

Të thyente qafën

Nga këtu kapica

 

Oj Kosovë, Kosovë e kuqe

S’je më e ngratë

Do të bëjmë nuse

Me pajën krejt n’gjak qullë

Gjithë n’qëndresë

Kurrë pa u përulur

 

Po rilindesh mbi eshtra

Mbi ëndrra

Të baballarëve

Nëntor i Tretë

Ti Nëntor që do të sjellësh pranverën

Në vjeshtë



(Vota: 3 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora