Kulturë
Arqile Gjata: Meditime vjeshte
E shtune, 05.11.2011, 07:26 PM
Arqile Gjata
MEDITIME VJESHTE
NË VENDIN TIM
Në vendin tim
kam parë shkëmbinj prej ajri,
ata ecin fuqishëm në mbretërinë e tyre.
Vetëm zogjtë e erës,
me flatra të hapura e shpërbëjnë
atë kaos ngurtësuar prej reshjeve.
Ja, ai
ajri të rrëqeth...në këto vite
as të vdekur-as të gjallë
në kërkim të lumenjve të dijes
ku mungon dashuria për këngët
më shumë lot brenda vetes
dhe paturpësi në djegien e lartësive.
Jemi ende këtu...
rreshtuar si pemë të zhuritura
gati për të mbjell trëndafila
në pallatet moderne,
ku kërcasin rënkimet e xhamave xajs.
Apo...?
Të ngremë shtëpi pushimi anës brigjeve,
të ndalim ethet e babëzisë,
e së bashku të përcjellim vështrimin
zbavitës të Atdheut.
DUKE PRITUR DITËN E ANKANDIT
Hapin tim nuk po e ndjej,
botës
prangat e rënda ia dëgjoj.
Kësaj bote ia njoh zërin,
emrat dhe disa iniciale
që përcaktojnë zonat e vdeksisë.
Jeta ime, bardhë e zi
si dorëshkrim i zbehur
dhuratë nga zogjtë shtegtarë.
Tani buzëqesh me ironi
fisnikërinë time,
të shkruar kam në pëllëmbë
Datën e Lindjes.
Çastin hyjnor të ankandit pres...
NË KËRKIM...
Çdo natë,
nëpër gjumë më mungon një gjymtyrë.
Sa çelet dita
me duar mbaj eshtrat
e lodhura të trupit nga nata,
dhe pa frikë
e derdh trupin gjatë rrugëve rebele...
Me peshën e fjalës
nxitoj drejt dritës së thinjur
me një buqetë mallëngjimesh
të gjej perëndit dhe njeriun
e kohës time.
KUSH MË BUKUR E NJEH VJESHTËN?
Kush më bukur e njeh vjeshtën,
kush loz e harbohet qiellit
edhe reve
dhe pastaj përmbi bash të anijes
u bëjnë miqësi timonierit?
Pastaj...fët ngrihen lart,
pastrojnë qiellin nga retë.
Dhe unë shihja përmbi det
si u çel stuhia
kur përmbi rrjetë ra, e u mbytë
e shkreta pulëbardhë.
RI E SODIS KUJTIMET
Rri e sodis kujtimet,
frymëmarrjen e tyre ndjej.
Ato rinë përball meje
nga përkëdheljet,
më recitojnë poezi.
Me pika loti
më tregojnë thashë e thënat e fajeve të mia.
Tashmë, në Skelë
nga kujtesa e gabuar
mbijnë përsëri fjalët e paprekura,
e kalendari buzëqesh me ironi.
ASKUSH NUK E DI,
KUR DO QETËSOHET KOHA
Kushedi...!
Kujtesa do kujtoj
shterpësinë e këtij vendi
me plotë ajër dhe fidanishte.
Çdo ditë lule e pemë të vrara,
vështrime fëmijësh mbytur brenda një sfere
gjakmarrëse.
Në çdo orë, të brengosurit kalimtarë
mes vijave të heshtjes, me pak ajër
bisedojnë me fatin memec,
shpesh e më shpesh tremben në gjumë
sa herë vritet e vërteta.
Këtij vendi,
po i shteron drita,
më e ëmbël arratisja,
se ujë qelibar i bjeshkëve.
E zemra ime dridhet
kur sheh duart e trishta të moshës time,
e shumë të tjerë të sëmurë nga dëshpërimi.
Askush nuk e di,
kur do qetësohet koha...!