E premte, 26.04.2024, 02:17 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Shqipëria - ky vend që po hedh dritë të re në turizëm dhe histori...!

E premte, 16.09.2011, 08:05 PM


 

SHQIPËRIA-KY VEND QË PO HEDH DRITË TË RE NË TURIZËM DHE HISTORI...!

 

Nga Sejdi BERISHA

 

...Punishtet na trimëronin shpresën se kjo tokë do të arrijë shumë  duke ndërruar edhe shumëçka në histori por edhe në ngjitjen e “arnave”, për ta kthyer tërësinë origjinale të vazhdimit të rrjedhave që popullin me decenie e shekuj e kanë bezdisur dhe e kanë ndrydhur nga më të ndryshmet shtypje dhe tortura.

Gjithkah vërejmë dritën që hedh magjistralja, e cila etshëm por me gëzim ka vazhduar gjarpërimin edhe në pjesën e Kosovës.

Tuneli i Kalimashit-madhështi historike e kombit dhe e atdheut.

Bregdeti shqiptar, i cili shndritë si zonjë e paparë, si një madhështi e cila nuk ka as nuk njeh fund...

Kjo është kënaqësia, komenti i së cilës është i gjatë dhe do të nevojiten edhe libra për ta analizuar, studiuar dhe respektuar këtë thesar kombi.

Ymer Lushakaj, si njeri i suksesshëm në këtë fushë, ai në fund të këtij muaji pritet të shpallet qytetar nderi i qytetit të Durrësit, i cili është dalluar me kontributin e tij në afirmimin e vlerave turistike të vendit.

...Në kokë çdo gjë më tingëllonte edhe si kënaqësi e mburrje, por edhe si këshillë për ndërgjegjësim e vetëdijesim të secilit për madhështinë e kombit dhe të atdheut, për unitetin i cili gjithnjë e më shumë na nevojitet më këtë aspekt...!

_____________

 

Kishte kohë që udhëtimet në Shqipëri më provokonin të shkruaj përveç tjerash edhe ndonjë shkrim në trajtë reportazhi. Dhe, vërtetë është kënaqësi të shkruash për këtë tokë me një histori të begatë e karakteristike, e cila sot ka marrë kahen e mbarë dhe çdo ditë lulëzon me të arritura dhe me objekte e me nga diçka të re, të cilat gjëra i vejnë një themel të ri Shqipërisë pothuaj se cep më cep.

Por, për të mos e zgjatur, herët në mëngjes nisem rrugës për në Prizren. Edhe ky rrugëtim ta detyron mendimin për këtë pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, i cili ka historinë e rebeluar dhe me etje për shumëçka, që dëshmon si qytet i vatrës së kulturës dhe i vlerave shpirtërore, që dëshmon me Qendrën Memoriale të Lidhjes së Prizrenit, me kalanë madhështore. Por, rrugëtimi im kalonte përbri hyrjes së këtij qyteti dhe drejtoheshim për në Morinë.

Në të afruar “kufirit” në Vërmicë-Morinë, menjëherë vërejmë një tjetër frymëmarrje të jetës. Përgjatë rrugës, kantieret dhe punishtet na trimëronin shpresën se kjo tokë do të arrijë shumë  duke ndërruar edhe shumëçka në histori por edhe në ngjitjen e “arnave”, për ta kthyer tërësinë origjinale të vazhdimit të rrjedhave që popullin me decenie e shekuj e kanë bezdisur dhe e kanë ndrydhur nga më të ndryshmet shtypje dhe tortura. Gjithkah vërejmë dritën që hedh magjistralja, e cila etshëm por me gëzim ka vazhduar gjarpërimin edhe në pjesën e Kosovës. Tash, askush nuk e rrudh as trupin as mendjen kur afrohet tek “kufiri”, sepse aty nuk ka ndalesë. Por edhe nëse ka, ka vetëm formale, dhe njerëzit hapin krahët drejtë shkrepave të veriut, duke i bërë dy paralele të kësaj toke të shqiponjave; tokën dhe malet e shkëmbinjtë e thepisur, mbi të cilët dikur veneronin shqiponjat dhe tash tretin mendjen për ta ringjallur këtë pjesë të cilën e përshkon dhe e madhështon vepra më madhore, e cila vetëm bashkon dhe afirmon e tregon begatitë e vendit, e ajo është magjistralja, tamam Rruga e Kombit.

Dikur, në fillim, nëpër këtë rrugë qarkullonin numër i vogël automjetesh, sepse akoma dukej si ëndërr të cilën duhet testuar. Tash, ajo është një mbretëreshë e cila në gjirin  e vetë ngrohë dhe bartë qindra e qindra automjete, të cilat sjellin zhvillimin kulturor, ekonomik mbase edhe industrial. Kjo është tash ajo pjesë e atdheut e cila për çdo ditë ngre zërin për t’u bashkuar për integrim të plotë në botën e civilizuar.

                       

I afrohemi tunelit historik në Kalimash, dhe sa më shumë që t’i afrohesh kësaj madhështie historike të vendit, vetëm kush nuk do apo ai që nuk e vranë mendjen, se vëren dhe sheh një fillim të mbarë të transformimit të këtyre vendbanimeve. Ndërkaq, mu në hyrje të këtij objekti madhështor, i diktojmë rregullat e reja të sjelljes dhe të jetesës. Këtë na imponon bukuria dhe madhorja e bashkëkohores së një objektet të infrastrukturës, që sot rrallë edhe mund t’i gjesh shoqin!

Kalojmë gjashtë kilometra nëpër tunelin, udhëtim ky i cili na dukej si udhëtim apo shëtitje në liqenin me mjellma, që të zgjon inspirimin e përjetimit të jetës e cila tanimë rrëshqet lehtë, mençur dhe lezeqëm drejtë të arriturave dhe synimeve që i do dhe i meriton Shqipëria. Krahas kësaj, mendja më shko edhe tek ngritja e vetëdijesimit dhe të ndërgjegjes individuale, kolektive dhe kombëtare, e cila kujtoj se na nevojitet edhe për një kohë.

Nuk është lehtë t’i kapërthesh të gjitha ato që i sheh gjatë udhëtimit, por të gjitha nga pak ta grishin mendjen për të mirën, për historinë, për vuajtjet dhe qëndresën që ato bashkë bëhen kështjellë e së mirës.

Përbri rrugës takojmë shumë vendbanime, fshatra, qyteza dhe qytete, të cilat kanë filluar të frymojnë ndryshe nga e kaluara, si Miloti, Burreli, Kukësi, Rrësheni, dhe të gjitha vendbanimet deri tek udhëkryqi, ku rruga nga mundëson të zgjedhim kah të drejtohemi: kah Shkodra, Velipoja, Lezha etj, apo në drejtim të Durrësit dhe të bregdetit shqiptar, i cili shndritë si zonjë e paparë, si një madhështi e cila nuk ka as nuk njeh fund.

Gjatë tërë këtij rrugëtimi, nuk më ikën nga syri dhe mendja edhe begatia që ka ky vend me ato fusha e pllaja që tash janë plotë bereqete, as hardhitë e rrushit dhe as bjeshkët e larta, pyjet dhe gjithë ato nuse-energjie, hidrocentrale që vendin e bëjnë dritë. Dhe të ju them të drejtën, nganjëherë loti ma tradhton edhe syrin edhe mendjen për shumëçka por edhe malli që kam. Ju e dini se shok e kam lotin dhe ndjeshmëria ime nganjëherë më bën të “lig” që ndoshta ma prish disponimin apo edhe të tjerët i bezdisi me këtë “dhunti” shpirti!

Në këto rrapëllima shpirti, gjatë rrugës, në veturë, padiktueshëm me njëfarë etje e krenarie i shikoj mbesat dhe nipin tim, të cilët, interesant, nuk kalonte kilometër pa më përqafuar dhe pa m’i puthur duart por edhe faqet e mia dhe ballin me rrudha. Rritesha, si thonë nga shtatë pëllëmbë. Por shikimin e shpërndaja vjedhurazi edhe tek vajza ime, e cila ishte, si duket e gëzuar si kurrë më parë, vetëm e vetëm pse iu kishte dhënë mundësia që sivjet pushimet t’i kalojë edhe me prindërit e saj. Sa të madh e ka shpirtin ky fryt i jetës sime... Por, tinëz e shikoja edhe dhëndrin i cili me siguri me gëzim nxitonte me makinën. Edhe ky e ka madhështinë dhe virtytin e veçantë të shpirtit. Interesant, rrallë gjënë njeri të këtij karakteri. Kurse, shikimi kah bashkëshortja ime, gjithnjë ma përkujtonte sakrificën dhe përkushtimin e saj për krijimin, ruajtjen dhe ndërtimin e familjes në frymën e nderit dhe të ndërgjegjes së pastër. Edhe kjo më trimëronte dhe në të njëjtën kohë ma rrëqethte trupin, sepse, shpeshherë kam thënë, e ndoshta kjo është pak, ajo thjeshtë është heroinë e familjes, e cila i edukoi fëmijët dhe mua ma ruajti e ma trimëroi rrugëtimin për të qëndruar vertikalisht në jetë!

Kalojmë rrugë e rrugë, e cila ka gjallëri të paparë. Por, gjallëri ka edhe për anësh, ku punohet lirshëm, pa frikë as pa tronditje shpirti. Kjo ka rëndësi të madhe,... dihet pse.

Hymë në zhurmën e makinave në autostradën e Durrësit, dhe tani të gjithë kureshtarë për të na mos shpëtuar asgjë nga syri. Kënaqësi dhe krenari.

Nuk heqim keq dhe e gjejmë hotelin për ku ishim drejtuar. Kisha frikën për kushtet, sepse shpeshherë, siç e kemi zakon, flasim edhe pa bazë për kushtet e vendosjes. Por, në hyrje të hotelit, e vërej një rregull hotelier dhe turistik. Na pret njeriu i cili punon në portën e hotelit. Ai na hapi derën dhe futemi me makinë. Na udhëzon se ku duhet ta vendosim makinën. Menjëherë vërejmë se në oborrin e hotelit ishte një pamje që dëshmonte për rregullsinë, për pastërtinë dhe profesionalizmin.

Vendosemi në apartman, me të gjitha kushtet optimale. Mos mendoni se kam ndërmend të bëjë ndonjë marketing. Jo. Larg asaj. Por dua të theksoj se në këtë objekt hotelier dhe turistik në Golem-1, ishte dhe është shembull për të mirë. Ja, pse. Në hotelin “Dolce Vita”, përbrenda disponohej me të gjitha kushtet e qëndrimit me akomodim perfekt. Ndërsa, lulishtja përball, e cila kombinohej me barin e gjelbër, me lloje të shumta të luleve, me pisha dhe me palma, “transformonte” klimën, dhe në të njëjtën kohë haseshe në freskun e pishave, e pak më larg në “flladin” e pishinës me ujë të pastër, kurse vetëm pak më larg edhe me vapën, me kripën dhe jodin e madhështinë e detit, i cili ka një plazh shumë të harmonizuar.

Pushojmë në këtë vend, por nga pak nuk rrija rehat edhe duke shëtitur për të shijuar edhe bukuritë tjera që po i madhështon dhe po i vënë në jetë Shqipëria. Kjo është kënaqësia, komenti i së cilës është i gjatë dhe do të nevojiten edhe libra për ta analizuar, studiuar dhe respektuar këtë thesar kombi.

Ditët kaluan shpejtë, por këtu dua të theksoj se hasëm edhe shqiptarë nga të gjitha viset e Kosovës, Shqipërisë dhe të Maqedonisë, por edhe familje që kishin ardhur për të pushuar nga Franca, Anglia, nga Bullgaria dhe Hungaria por edhe nga Italia.

Për këtë rregull hotelier dhe turistik që pa fije hezitimi ishte i kategorisë evropiane, mbase edhe ndërkombëtare, e kërkonim pronarin e këtij kompleksi, dhe ia arrijmë. Ishte një njeri i thjeshtë, i veshur thjeshtë, por madhështia e tij shpirtërore dhe prej njeriut të përkryer të punës, pra edhe të hotelerisë dhe të turizmit.

Unë dhe dhëndri im Arbri, takohemi dhe përshëndetemi ngrohtësisht me te. Ishte i veshur me një bluzë të bardhë dhe me një palë pantallona të thjeshta e me atlete. Atë ditë nuk i bezdisem, por kisha dëshirë një ditë tjetër të mësoj më shumë për të arriturat dhe për jetën e tij.Nuk kaluan dy ditë dhe u takuam, dhe në restorantin e hapur pranë pishinës biseduam gjatë e gjatë. Ky njeri i cili quhej Ymer Lushakaj, ishte me prejardhje nga Kosova e që jeta e tij kishte qenë plotë sfida, të cilat, asnjëra nuk ka mundur t’ia rrënojë synimet dhe ëndrrat. Kishte filluar nga shitësi “nomad” duke marrë mall nga Turqia dhe vende fqinj e duke shitur. Por, idetë dhe ëndrrat e tij vetëm sa kishin ardhur dhe ishin shtuar e forcuar, dhe tash ka ardhur në atë shkallë që i bën nderë edhe turizmit dhe hotelerisë së kombit. Si njeri i suksesshëm në këtë fushë, ai në fund të këtij muaji pritet të shpallet qytetar  nderi i qytetit të Durrësit, i cili është dalluar me kontributin e tij në afirmimin e vlerave turistike të vendit.

I lakmoja për të gjitha dhe në të njëjtën kohë mburresha me të arriturat kaq të larta dhe cilësore. Ai, nuk ishte ndalur vetëm me kaq. Së shpejti do të ndërtojë edhe objekte të tjera që do ta madhështojnë turizmin bregdetar të Shqipërisë. Ditën e fundit u ndamë edhe me një bisedë jete, por assesi nuk mundem të shpëtojmë pa na shtruar një drekë lamtumirëse, e cila ishte e nivelit dhe për t’u mbajtur gjatë në mend.

Në ditën e trembëdhjetë, i përgatitem plaçkat dhe u nisëm për në Kosovë. Në kokë çdo gjë më tingëllonte edhe si kënaqësi e mburrje, por edhe si këshillë për ndërgjegjësim e vetëdijesim të secilit për madhështinë e kombit dhe të atdheut, për unitetin i cili gjithnjë e më shumë na nevojitet më këtë aspekt.

Kthehemi Rrugës së Kombit për në Morinë. Arrijmë edhe në Kalimash dhe gjithnjë njeriu e shijon këtë të arritur. Kaluam e kaluam e do të kalojmë rrugëve të kësaj toke, me shpresë për ta bërë ashtu siç e meriton, ashtu si e ka ëndërr vetë toka dhe njeriu. Kjo është krenaria, apo jo...?!           



(Vota: 26 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora