E premte, 26.04.2024, 03:17 AM (GMT+1)

Faleminderit

Kalosh Çeliku: Arratisja e profetit në Baba Tomor

E enjte, 07.07.2011, 09:05 PM


ARRATISJA E PROFETIT

      NË BABA TOMOR

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

E vërtetë, arratisja e papritur e një miku të penës, është humbje e madhe për mua dhe Atdheun: familjare, miqësore, personale, shoqërore, po edhe mbarëkombëtare. E them këtë se, njerëzit e mëdhenj lindin çdo njëqind vjet. Teki Dervishi ishte i tillë si shkrimtar. E kam njohur herët këtë burrë të letrave shqipe me Shtëpinë e sëmurë dhe Thashë. E më vonë edhe personalisht në disa takime miqësore me romanin Herezia e Dervish Mallutës dhe Bregu i pikëllimit (drama).

       Dramat e tia që janë vënë në skenë në Shkup i kam përcjell rregullisht dhe me vëmendje si zëra të ri proteste për një të nesërme. Temat aktuale problematike që na ngatërroheshin ne shqiptarëve vite me radhë nëpër këmbë, i trajtone me mjeshtri ky shkrimtar, dhe ishin guxim dhe fshikullim për kohën e sëmurë. Shkaku kryesor ky, që ra në sy qysh heret nga pushteti i atëhershëm komunist. Edhe gjatë “ndryshimeve demokratike”, ky shkrimtar nuk shiheshte me sy të mirë si dëgjueshëm, por si i “rrerzikshëm” për shtetin dhe kulturofagët që i përkundte Nëna Parti në djep duke i shpërblyer me vende pune, poste dhe çmime letrare. Kurrë nuk merrte pjesë nëpër manifestime kulturore – letrare anë e mbanë Atdheut.

       Vitet e ’80 –ta unë u ktheva në Shkup e ai “iku” në Prishtinë. Edhe gjatë këtyre viteve shiheshim shpesh në Prishtinë. Dorën në zemër, e lakmoja si shkrimtar dhe e kisha mësues të penës. Ishte njëri ndër shkrimtarët shqiptar që i njihte mirë vlerat e  arrira të letërsisë botërore që në atë kohë. Burgu i Goli Otokut siç duket përveç dënimeve dhe vuajtjeve i solli edhe përfitime. Edhe, mbi të gjitha shkruante bukur dhe ishte mik besnik edhe i miqëve të mi të një gjenerate që la gjurmë të pashlyera në letërsinë shqipe: Beqir Musliu, Teki Dervishi dhe Musa Ramadani. Treshi i Madh i asaj kohe me zgjebe, që ne si studentë librat e tyre i gëlltinim me një frymë posa e shihnin dritën.

       Vite më vonë, kur unë jetoja dhe punoja në Shkup, më dërgonte porosi pas miqëve që të kem kujdes nga disa individë, “intelektualë” të “vëllazërim-bashkimit” që në atë kohë si hije më ndiqnin hapa pas hapi si të dyshimtë. E njihte mirë këtë rreth të rrezikshëm për krijuesit shqiptar, që me montime politike për një fjalë goje, një varg i rraste intelektualët në burg. Përndjekjen dhe montimet politike, gjithë kohën për sa kishte punuar si gazetar në gazetën Flaka e vëllazërimit, në Shkup i kishte pasur vetë mbi shpinë. E unë edhe pse e njihja mirë këtë mes të ri, përsëri habitesha prej nga gjithë ajo energji e këtij njeriu që të kujdeset edhe për miqtë që të mos bien në kurthën e Policisë Letrare. Ndoshta, edhe është fajtori kryesor që unë si shkrimtar nuk rashë asnjë ditë në burg. Ndodhë, burgu famëkeq i Goli Otokut për të kishte qenë Universitet?! Nuk e di.

       Javë për javë unë lexoja çdo gjë që më biente në dorë nga ky shkrimrar. Herë pas here, para Luftës së Drenicës (1998) dhe Kosovës (1999) vinte edhe në Shkup. Një natë kemi ndejtur me miq në banesën e tij edhe deri në mëngjes. Pak para agimit u kthyem në shtëpi. Koha ishte e atillë: ne përveçse ishim njerëzit e ditës, ishim edhe të natës.

       Teki Dervishi ishte i palodhur si shkrimtar, punonte natë e ditë. Edhe botonte herë pas here ndonjë shkrim nëpër gazeta, revista letrare ose libër. Kurrë nuk e praktikonte të shkonte nëpër manifsetime kulturore duke vrapuar si të tjerët pas çmimeve letrare. E pëlqente vetminë si shkrimtar, nuk i pëlqente “rrëfimet patriotike” të tavernave. Vërtetë, ishte një Ujk plak në letërsi.

       Në prag të ndryshimeve “demokratike”, në një bisedë informative në polici, që ma kishin kurdisur kulturofagët si të “rrezikshëm” për shoqërinë dhe shtetin, unë do ta mësoj të vërtetën për veten dhe Teki Dervishin. Kurrë nuk më kishte shkuar ndërmend se, unë ndiqesha në Shkup si gjoja i dërguar nga Kosova që të veproj në Maqedoni. Edhe atë: çështjen e shqiptarëve dashkam ta zgjidh me luftë…

       Vërtetë, o burrë ishe dhe u arratise si profet i madh në Baba Tomor. Letërsia shqipe me ikjen tënde humbi një penë të rrallë rebele, po veprat tua: Shtëpia e sëmurë, Thashë, Herezia e Dervish Mallutës, Bregu i pikëllimit… rrinë kokë më kokë nëpër shtëpitë tona edhe sot e kësaj dite duke na bërë roje, në bibliotekë. Ende vazhdon të marrësh frymë në mesin tonë si shkrimtar i pavdekshëm. Profet.

       Përgëzime, o burrë edhe për amanetin: varrim vetëm nga familjarët e ngushtë, që u respektua. Nuk pati njoftime publike permes letrave nekrologe në qytet për ditën dhe kohën e varrimit, derisa ajo ishte bërë e ditur në të përditshmen “Bota sot” ku Teki Dervishi ishte i lidhur nga themelimi e deri në ikjen e tij fizike! Pa akademi përkujtimore, pa fjalime mortore, pa nekrologji. I varrosur aty pranë Erenikut, rrëzë Çabratit dhe jo larg Majës së  terrorizuar në luftën e fundit në Kosovë (1999). Luftë, në të cilën ti nu ike, nuk e lëshove Kosovën krah për krahu me Latif Berishën, Ymer Elshanin, Gani Xhafollin… Dy të parët ku edhe u masakruan në mënyrën më jonjerzore, ranë dëshmorë. Heroizëm të cilin ti pas lufte do të vësh në skenë në Shkup me dramën: Eshtrat që vijnë vonë.

       Rrofsh e qofsh përgjithmonë pranë Zotit, në Baba Tomor! Që, nuk u dhae mundësi rrufjanëve si sorra e qyqe të të “qajnë” mbi varr…

       Arratisja yte e papritur, është arratisje profeti pranë Zotit, në Baba Tomor. Vendin e Perëndive. Tyrben, ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri…



(Vota: 38 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora