E premte, 26.04.2024, 11:58 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Një letër për Kadarenë

E shtune, 21.05.2011, 08:01 PM


Një letër për Kadarenë

 

I nderuar zoti Kadare,

 

            Shkas për këtë u bë letra e juaj, në të cilën  i kërkoni zotit Lulzim Basha, të tërhiqet nga gara për kryetar bashkie kundrejt zotit Rama. Natyrisht ju do të habiteni dhe do të mendoni se kush është ky person i panjohur që më drejtohet? Dhe keni te drejtë. Për t’u sqaruar po ju a shpjegoj më poshtë:

            Kemi lindur të dy në një ditë, më 28 janar 1936. Por rrugët e jetës i kemi patur të ndryshme. Ndërsa orbita e juaj vinte gjithmonë në ngritje, ajo e imja ecte në drejtim të kundërt. Kjo edhe për faktin pasi unë, së bashku me dy shokë të mi, kur ishim në vitin e parë të gjimnazit të Vlorës, në moshën 15 vjeçare,  krijuam një organizatë klandestine dhe shpërndanim trakte kundër pushtetit komunist. Natyrisht u arrestuam dhe u dënuam. Unë u lirova pas pesë vjetësh.  Vazhdova përsëri shkollën e mesme, atë të sistemit të natës, të cilën e përfundova me të gjitha notat dhjeta. Kisha një dëshirë të zjarrtë të vazhdoja universitetin në degën e letërsisë, për të cilën, t’ju them të vërtetën, kisha një farë prirje. Por kjo kënaqësi m’u refuzua. Unë vazhdoja të isha armik i popullit.

            Fillova të shkruaj disa tregime dhe ndonjë poezi, por e gjeta të mbyllur derën e botimit. Në një moment dëshpërimi i grisa të gjitha ato që kisha krijuar dhe që nga ajo ditë nuk e mora më penën. Vetëm pas ndryshimeve demokratike, ndonse në atë kohë po i afrohesha të gjashtëdhjetave, fillova përsëri të shkruaja. Deri më sot kam botuar mbi 130 artikuj të ndryshëm nëpër gazetat e vendit dhe në mediat elektronike, kam mbajtur mbi 60 kumtesa nëpër aktivitete të ndryshme si dhe kam botuar nje liber me kujtimet e rinise time te copetuar, nje liber me tregime dhe dy romane. Ia le lexuesve te çmojnë nëse ato kanë vlerë apo jo.

            Të gjitha këto më bënë që ta shikoja letërsinë e realizmit socialist si një letërsi boshe që i mungonte shtylla kurrizore. Përjashtim bënin vetëm një pakicë e shkrimtarve të asaj periudhe dhe në krye të tyre qëndronit ju. Në veprat tuaja, krahas ndonjë shprehje mendimi negativ për shtresën së cilës unë i përkisja (për shembull shoferi i furgonit të mishit që ëndëronte se kur të vinte dita do të vriste dhe do të vriste komunistët) apo hymnizimit të disa liderve komnuistë, shikoja edhe një alegori për të ardhmen, gjë të cilën të tjerët nuk guxonin ta shkruanin. Kështu që m’u krijua një bindje se ju do të jeni shkrimtari i së ardhmes së letërsisë shqipe. Dhe me të vërtetë nuk u gabova.

            Ja, pra, ky jam unë. Siç e shihni nuk bëjë pjesë në rradhët e militantëve të asnjë partie. Është e vërtetë që jam antar i Partisë Demokratike, por kam mbajtur gjithmonë një qëndrim kritik kur punët nuk venin mirë në këtë  parti. Madje kam arritur deri aty sa t’i kërkoj dorëheqjen edhe Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, kur Partia Demokratike humbi disa nga qytetet e mëdha të vendit. Një gjë të tillë e kam bërë hapur, në faqet e shtypit shqiptar.

            Më falni nëse u zgjata pak si tepër për jetën time, por e quajta të domosdoshme t’u paraqitesha me hollësi pasi doja të më njihnit mirë kush jam. Ndaj ju drejtohem dhe ju them se tani, me letrën drejtuar zotit Basha, keni gabuar. Dhe kjo për arsyet që do t’i rendis më poshtë:

            A nuk do të ishte më mirë që një thirrje të tillë t’ia drejtonit zotit Rama? Kjo për faktin se ai ka tre legjislatura që sundon mbi Tiranën dhe qytetarët janë lodhur tashmë me sundimin e tij autokrat. Ejani dhe shikoni se në ç’gjendje e ka katandisur kryeqytetin ky kryebashkiak i dështuar. A e dini se ne, në kryeqytetin tonë, nuk ngopemi dot me frymë, pasi kudo jemi të rrethuar me beton, se rrugët janë në gjendje mjerane, se fondet e bashkisë nuk dihen se ku kanë përfunduar, se bizneset po shuhen për shkak të politikës diskriminuese të taksave të bashkisë. Përjashtim këtu bëjnë ato biznese që janë të lidhura me fije të padukshme më kryebashkiakun.

            A e dini, zoti Kadare, se në personin e Edi Ramës nuk shohim socialistin e vërtetë me tipare europiane. Ai nuk ka asgjë të përbashkët me socialistët e vërtetë. Unë nuk jam socialist, por do të doja të kisha në krye të një partie opozitare një njeri me karakteristika të theksuara qytetarie dhe patriotizmi. Këto i mungojnë “heroit tonë”. Ai e nisi karrierën e tij politike në fillimet e vitit 1991, si një ultra i djathtë që kërkonte ekzekutimin e të gjithë ish komunistëve, papritur dhe pakujtuar na shndërrohet në një ultra të majtë që me manovrimet e tij dinake arrin të rrëmbejë frenat e Partisë Socialiste. E keni lexuar, besoj, biografinë e Benito Musolinit? Edhe ai, si Edi ynë, nga një aktivist i shquar i Partisë Socialiste italiane, u shndërrua në kryetar të Partisë Fashiste që i shpalli luftë të hapur gjithë socialistëve të botës duke u lidhur me kolegun e tij të Gjermanisë, Adolf Hitlerin. Një veprim të tillë mund ta bëjnë vetëm tipat me tipare të theksuara anarshiste dhe revanshiste.

            Ju thoni që këtë tip ta bëjmë përsëri kryetar bashkie dhe ndoshta pas dy vjetësh edhe kryetar qeverie. Zoti na ruajtë nga një gjë e tillë! A e dini se qysh nga viti 2005, kur ai hipi në fronin e socialistëve, Shqipëria nuk po gjen qetësi? A e dini se ishte ai që, me gjithë thirrjet e herë pas herëshme të autoriteteve ndërkombëtare për ta ndaluar, përgatiti 21 janarin 2011, ku u vranë katër vetë, për të cilët ende nuk dihet se kush i vrau?

            Sa për zotin Basha, besoj se e keni ndjekur fushatën e tij elektorale. Ishte modeli më i mirë i një fushate me të vërtetë europiane. Është njeriu i së ardhmes së vendit.

            Thirrjen tuaj ju thoni se e bëni  për interesat e larta të vendit dhe e quani dorëheqjen e zotit Basha një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar. Unë nuk mund të jem dakord në këtë pikë me ju. Do ta quaja kapitullim para një të keqeje më të madhe një veprim të tillë dhe t’i dorëzohesh një të keqeje për hir të një ndjenje emancipimi është që të biesh me këmbët e tua në batakun e krijuar nga ata që nuk njohin asnjë normë kombëtare.

Në rast se do të pranonim një gjë të tillë atëherë do të pranonim “turpin e përbashkët” (siç shkruani juve), në vend të “nderit të përbashkët”.

 

Me respekt!

 

Reshat Kripa

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës



(Vota: 30 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora