E premte, 26.04.2024, 04:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Lis Bukuroca: Mesazhe nga bota tjetër

E diele, 08.05.2011, 07:59 PM


Lis Bukuroca

 

Mesazhe nga bota tjetër

 

Pasi e mbështollën me një qefinë të bardhë, e lidhën te koka dhe këmbët me nyjë si një mumie dhe e lëshuan ngadalë brenda. Dy veta u nisën drejt kapakut të arkivolit, që e kishin mbështetur pjerrtas në murin e shtëpisë. Djali i tij nxitoi drejt tyre, nxori diçka nga xhepi dhe e futi brenda. Pas tij fqinji: një djalë me flokë kaçurrela. Edhe ai u afrua, rregulloi pakëz qefinin mbi gjoks dhe ndihmoi dy të tjerët për ta mbyllur arkivolin. Atë e thërrisnin të gjithë »Pishpirik.« Ishte batakçiu më i madh në katund. Kishte mashtruar apo gënjyer krejt fshatin. Çdo burri  i kishte borxh dhe kishte mashtruar gati çdo plakë. Shkollën e kishte braktisur disa herë. Ishte kthyer disa herë dhe në fund kishte mbaruar gjimnazin. Një ditë i dhanë  lekë dhe u bë musliman i përkushtuar dhe lëshoi mjekrën. Kur i ndërprenë ata financimin, u takua me një prift shqiptar në qytet dhe për inat, falas, u bë i krishterë i devotshëm për disa muaj. Kur pa se nuk mund të priste ndonjë përfitim material, braktisi edhe krishterimin dhe mbeti si më parë, vetëm Pishpirik. Disa muaj qëndroi në Zvicër dhe Gjermani për punë. Pas kthimit sorollatej tërë ditën nëpër qytet poshtë e lartë. Prej shtëpisë e në qendër. Prej kafeneje në kafene. Në fund vizitonte tregun, krahasonte çmimet dhe para se të binte muzgu, kthehej në fshat.

 

Burrat dhe gratë dolën në oborr dhe në këtë çast u afrua një qerre, që ndaloi pranë derës.  Dy burra para, dy pas, ngritën arkivolin dhe ecën ngadalë. Deri sa iu afruan qerres, u ndërruan disa veta. Disa anëtarë të familjes u ngjitën pas dhe u ulën duke u mbështetur në kanata në dy anët. Njerëzit ishin të veshur si edhe në dasmë: ndonjë me këmishë të kuqe, tjetri rozë, tjetri të kaltër, kaltër e mbyllur, të verdhë, të zbehtë, të ndezur, ngjyrë kafe, të gjelbër, të kuqërremtë, ngjyrë vishnje, trëndafili, mimoze dhe ngjyrë gështenje.

 »Ditë zie dhe kortezh lara-lara«, tha mbesa me vete duke sjellë kryet dhe hyri brenda. Disa gra u ndalën në shkallë dhe përcollën qerren derisa u zhduk. Tjerat hynë brenda duke vajtuar. Kali me qerren ecte ngadalë, pas tij njerëzit me koka të varura. Në qerre dhe menjëherë pas saj ishin fytyrat shumë të zymta; të afërm dhe fqinjë të pikëlluar, të ngrysur me sytë e mbushur plot lot. Sa më larg qerres, fytyrat dukeshin më të çlodhura, më pak të mërzitura. Aty nga  fundi vëreheshin edhe fytyra, që nuk ishin pikëlluar fare, por edhe këta ecnin me hapa të rëndë dhe përpiqeshin të duken sa më të hidhëruar. Në bishtin e kortezhit njerëzit bisedonin për çmimet, për topin apo për zgjedhjet. Dy vëllezër, në dalje të fshatit, krejt të ndytë, ngulën sfurqet në pleh  dhe ashtu pa fjalë e kokulur, iu bashkëngjitën rreshtit, që po kalonte pranë derës së tyre. »Asht sevap!«, i tha i madhi të voglit dhe vazhduan ecjen e tyre kokulur.

 

Para shtëpisë vunë një karrige si shenjë se pamja ishte hapur dhe se çdo njeri mund të hynte brenda për t’ i shprehur ngushëllimet. Edhe ata, që nuk ndjenin fare dhimbje. Hynin e dilnin pa pra. Pinin një çaj, hanin një biskotë të vogël dhe ngriheshin. Bijtë e tij flisnin pak apo fare dhe më shumë dëgjonin apo shtireshin se dëgjonin. Dhembja ishte shumë e madhe dhe ishte çasti kur kërkohej kuptimi i jetës: motivi i lindjes, motivi i vdekjes dhe pyetja shumë e madhe: çka pas saj?

Pasdarke vizitat u rralluan dhe mbetëm vetëm familja e ngushtë. Ishte një atmosferë e zymtë, me pikëllim të thellë, por u ndjenë pak të çliruar nga hyrje-daljet, që nuk linin ata të kuptonin, ta rikujtonin apo ta përpunonin mungesën e Lutës.

Dita e dytë. Vizitat vazhduan tërë ditën. Aty nga dreka pushuan pakëz, pas dite u rrit dukshëm numri i ngushëlluesve. Pas darke erdhën shumë të afërm me makina nga fshatrat tjera, që kishin mësuar lajmin me vonesë. Aty nga ora njëzetetre e gjysmë, dy djemtë e Lutës u përshëndetën me gratë dhe shkuan për të fjetur. Në divanin, që gjendej përballë televizorit të fikur, ishte shtrirë në një anë shoqja e Lutës, Zoja, me kokë të lidhur, në anën tjetër mbesa, që studionte në Bernë filozofi dhe psikologji. Djathtas prej tyre, në divanin që gjendej pranë dritares, ishin ulur: motra e Lutës, kushërira e Lutës, motra e Zojës dhe halla e saj. Pasi përkujtuan çaste me Lutën, vajtuan dhe rënkuan duke dënesur. Tymi i cigareve kishte mbushur dhomën. Madje, edhe Zoja e ndezi një. Aty rreth orës një pas mesnate treguan edhe për vdekje tjera që kishin dëgjuar. Mbesa tregoi se kishte dëgjuar për një njeri, që ishte ngritur pak para varrimit, derisa mbahej funerali.

»Kuku!« ofshanë gratë njëzëri dhe u lëvizën nga vendi. Halla tregoi për një plak, që mjekët e kishin shpallur të vdekur dhe e kishin dërguar në bodrum të spitalit. Kur kishin ardhur të afërmit për ta marrë, e kishin gjetur ulur në barelë duke tymosur një cigare. Pranë tij edhe një kufomë e mbuluara tërësisht. Ata, nga tronditja, kishin ikur drejt ashensorit. Por, meqë ai ishte i prishur, pa frymë kishin vrapuar shkallëve përpjetë drejt zyrës së mjekut. Të vrenjtur e hutuar e kishin parë mjekun në sy, sikur dëshironin t’ i thoshin: »Çka domethënë kjo!? Kush ja dha atë cigare?«

Shtëpia ishte mbushur me njerëz, gropa ishte hapur, ai po tymoste. Mjeku nuk kishte pasur shpjegim, por në fund i kishte bindur ta merrnin në shtëpi. Kur njerëzit kishin parë duke e zbritur nga makina, kishin ikur në të gjitha anët, madje edhe duke kërcyer rrethojën. Thua se kjo ishte pak, kushërira i shtoi edhe një rrëfim të vetin. Ajo tregoi për një rast ku shpirti i të vdekurit ishte kthyer, kishte bërë shtëpinë tollovinë dhe i kishte mëshuar shuplakë një fëmije. Ai nuk dëgjuaka më me veshin e djathtë. Përjashta nisi një erë e fuqishme dhe degët e pemëve u përplasën mbi dritare. Pak çaste më vonë, shpërtheu një rrebesh shiu me pika të trasha mbi xham. Ato hidheshin furishëm nga era dhe pastaj rrëshqitnin njëra pas tjetrës. Kushërira u ngrit dhe mbylli perdet.

 »Çka asht mëri kjo frymë kshtu?«, pyeti ajo duke mos fshehur se kjo gjendje po e frikësonte.

»Mos u tut mëri! Tutu prej t’xhallëve, se t’vdekmit nuk kthehen kurrë!«, tha halla.

 »Çysh me flet me kto dega në xham, kjo frymë...?«

»Hajt mos ki gajle, kur t’ lodhesh, t’ ze xhumi«, e ndërpreu mbesa.

Jashtë u dëgjua një mjaullimë e një maçoku; një mjaullimë tmerruese, jo e rëndomtë. Pas pak maçoku mbarsi macen dhe pas disa çasteve,  pushoi përleshja dhe  rrapëllima neveritëse mbi një llamarinë. Sapo heshti macja, ia nisi ulërimës qeni i Lutës. Pastaj edhe qentë tjerë të katundit. Ulërimën e quajtën vaj për Lutën. Mjaullimat, duke qeshur, i shpjeguan si vaj për shoqen e Demës, që kishte vdekur para dy javëve. Një copë herë nuk folën, por ashtu pa fjalë, përcollën revoltën, që po mbahej jashtë në këtë natë drithëruese me  plot dhembje. Kushërira deshi të ikte në shtëpi, por askush nuk kishte guxim ta shoqërojë. Pas gjysmë ore, shiu gati pushoi, edhe lehjet u rralluan. Tani dëgjohej fishkëllima e erës dhe shushurima e gjetheve. Ato vazhduan me llafe dhe në atë pikëllim të thellë,  herë qanin Lutën, herë qesheshin me rrëfimet e pakmëparshme.

 »Shuj mëri  se gazut, Luta ka dek, e ju pu keshni«, tha Zoja dhe ktheu kokën nga vinte tringëllima e celularit. Ajo u përkul pakëz drejt tavolinës, që ishte pranë divanit dhe e mori.

»Sigurisht dikush pi jashtë, që ka ni për Lutën«, tha motra e tij. Zoja e zbehur, shikoi celularin, që ndriçohej duke shfaqur edhe fotografinë e telefonuesit dhe mbeti si e mpirë. Një drithërimi i përshkoi trupin.

»O kuku për neve, Luta! Luta mëri!”, bërtiti ajo. Hodhi celularin pas dere dhe vuri dorën në zemër.» Po m’ dridhet zemra, mëri!«, vikati ajo.

»Çysh mëri Luta, a je trenu a?« pyeti mbesa e frikësuar dhe iu afrua pranë duke e përqafuar.  Gratë u shikuan në mes vete me fytyra zbehtake. Degët e pemëve u përplasën përsëri mbi dritare dhe ato nga frika,  u ngritën dhe u ulën të gjitha pranë Zojës.

»A je me men mëri, çfarë Lute?«, pyeti motra e trishtuar me një çehre të rrëqethmë. Zoja vuri dy duart në kokë. Askush nuk u ngrit për ta marrë  celularin, që po cingëronte akoma.

»Pse mëri tha Luta«, pyeti përsëri mbesa e zbehur në fytyrë dhe ndjeu një dridhje të ftohtë në tërë trupin. Gratë u shikuan në mes vete me sy dhe gojë të hapur: »Luta!?«, thanë ato njëzëri. »Si asht e mundshme?«, pyeti motra.

Zoja vuri dorën para goje, iu turbulluan sytë, solli kryet, qeshej vet me vete dhe fshiu lotët.

»Merne telefonin, kshyrne kush thirri«, tha duke fshirë përsëri lotët.

Mbesa u ngrit në këmbë, u hodhi një shikim grave, sikur dëshironte pajtimin e tyre, apo së paku t’ jepnin zemër e guxim dhe mori celularin në dorë: »thirrja e fundit: ora 01:35, telefonatë nga Luta.« Ajo hodhi celularin mbi divan dhe gratë kërcyen të trembura.

»O ku pe çet mëri, a je trenu a?«, tha halla.

»Çysh mëri me thirr Luta«, pyeti motra e tij edhe një herë.

»Ku mun mëri me thirr daja!?«, përsëriti pyetjen mbesa plot dyshime.

»Oh, gjali i ka fajet. Aj ja ka dhanë mobilin me veti«, tha Zoja duke sjellë kryet.

»Kukuuu, kuku për neve, po ai s’ po na lika rahat mëri«, tha kushërira. »Po çysh mëri ja dha mobilin njerit dekt me veti?«

»Oh, ja patën pru djemtë pi Zvicrës për ditëlinje dhe e pat lanë amanet me marr me veti!«, tha ajo dhe u lëviz nga vendi. Të gjitha sollën kokën të çuditura dhe ndalën shikimin të tmerruara tek Zoja.

»Kuku, çka s’ po nika njeri n’kit dynja!«, tha motra e Lutës. Ajo tundi kokën dhe çakërriti sytë në shenjë habie. Derisa po talleshin me Zojën, u dëgjuan dy tinguj: »pipip, pipip. Mesazh. «

Të gjitha e shikuan celularin dhe asnjëra nuk ngrihej. Pas një çerek ore, u ngrit përsëri mbesa dhe lexoi: »Lumi ju, te une po pikon, u mërdhina!«

Gratë u zbehën dhe mbetën të shtangura. Shikonin njëra tjetrën, ngriheshin, bënin disa hapa nëpër dhomë, pastaj uleshin përsëri dhe sillnin kokën. Gjendja ishte plot ankth dhe po ngjante diçka, që ato, kaq vonë, nuk ishin në gjendje ta shpjegojnë. Deri në të gdhirë, deri sa këndoi këndesi i parë, vazhduan bisedat: herë duke qarë, herë të heshtura dhe të zhytura në mendime. Edhe mbesa kishte frikë, por kureshtja nuk e linte të qetë. Këto mesazhe i konsideronte si një fenomen mbinatyror. Ajo mendonte se ky ishte kontakti i parë i drejtpërdrejtë me këtu dhe Atje. Me këto mesazhe mund të bëhej një punim shkencor dhe Luta do të katapultohej si njeriu i parë, që i dërgoi mesazhe njerëzimit nga bota tjetër. »Gargarini iu soll Tokës i pari. Neil Amstrong zhdrypi i pari në hanë, daja Lutë shkoi më larg se ata dy dhe nga ajo dynja, po shkrun. Po shkrun daja!«, tha ajo vete me vete. Pastaj ua mbushi mendjen grave se Zoti kishte zgjedhur Lutën për të raportuar nga bota tjetër. Do të flitej në lajme, do të shkruhej në gazeta: »Luta  informoi botën për jetën pas vdekjes! Prapë ni shqiptar, pa neve bota nuk mun. Merrne me men sa intervista dhe sa pare fitohen!«, u tha ajo grave. Zoja i mori celularin mbesës dhe i hoqi baterinë.

Ajo nuk besonte se Luta kishte merituar një detyrë të veçantë nga Zoti, por e brente edhe një dyshim tjetër: kishte vdekur Luta me të vërtetë apo e kishin varrosur të gjallë dhe ia plasën përsëri vajit. Rrëfimet e mëparshme, që nuk i besonte asnjëra, tani nisën t’ i përflasin dhe merrnin trajta reale. Njëra kishte frikë se mos po vdiste sot ose nesër: nga uria dhe të ftohti. Tjetra se ndoshta po ndjehej shumë ngushtë. E treta se sa kishte vuajtur kur ishte larguar kortezhi...

„Daja asht rasti i parë n’ botë qi ka marr pjesë n’ varrimin e vet me vetëdije! Nashte s’ ka mujt me folë.«, tha mbesa.

 »Kukuuuu, për neve!«, klithën gratë dhe ia plasën prapë vajit. Pas shumë llafeve, edhe këtë mundësi e përjashtuan. Nuk dukej e bindshme: Luta qe larë në oborr, ndërmjet shtëpisë dhe ahurit, aty qe mbështjellë me pëlhurë të bardhë dhe te varri nuk kishte dhënë asnjë shenjë jete. Edhe kur e kishin nxjerrë nga arkivoli, kishte ngelur i drejtë, si vizore. Madje, nuk kishte lëvizur as gishtin e vogël. Pastaj, sikur të mos kishte vdekur, do të kërkonte ta nxirrnin, ai këtë nuk po e dëshiron, por vetëm tregonte se ishte mërdhirë dhe se po lagej.

»A shtihet njeri n’ vorr pa arkivol, viç me ni qarshaf bre. Nuk po mushni me men kurrë! Dy djem n’ Zvicër! Marrja Zotit» tha mbesa duke sjellë kokën nga habia. »A sheh si mërdhihet njeri!?«  Pastaj u tregoi grave se të vdekurve u rritën thonjtë dhe flokët edhe disa javë, sepse ato furnizohen nga trupi...

»Boll ma, boll ma, po m’ dalin ment!«, e ndërpreu Zoja e trishtuar.

» Sit shkruje edhe ni herë, ma mirë me shku e me nxerr«, propozoi kushërira.

»Tybestikfar, ku nxirret i dekmi, e ku me çu tone?«, pyeti Zoja. „S’ guxoj me nejt me Lutën edhe me myt!«

Gratë tjera u qeshën duke u ngritur nga vendi dhe duke pëshpëritur:»Tybestikfar!«

Mbesa deshi ta ndezë celularin, por Zoja kundërshtoi. Aty nga ora gjashtë e gjysmë, u ngritën ta pastrojnë shtëpinë dhe për celularin vendosën të mos i tregojnë burrave. Edhe dita e tretë vazhdoi me vizita. Djali i kërkoi Zojës celularin dhe ajo u mundua të arsyetohet se nuk po bënte, por në fund ia dha. Ai e shikoi i habitur pse bateria nuk ishte në celular, e rregulloi, por nuk tha gjë. Bëri dy telefonata dhe ia ktheu përsëri. Para se të terrohej mirë, kushërira iku në shtëpi nga frika. Zoja, motra e saj, mbesa, motra e Lutës dhe halla, shkuan në dhomë të lodhura. Sapo u ulën, falënderuan Zotin, që kishte ndalur erën. Zoja lëshoi celularin mbi tavolinë. Nata ishte e kthjellët dhe me hënë. U dëgjuan vetëm ca lehje të qenve në katund. Aty, pak minuta pas mes nate, përsëri mesazhi.

»Erdh ni letër. A ja paske ndu baterinë a?«, pyeti mbesa.

» Jo mëri une, gjali telefonoj...Kuku për neve, apet Luta.»

»Çfarë Lute mëri, nuk asht Luta.« tha motra e  Zojës. Asnjëra nuk ngrihej. Disa çaste më vonë, pas shumë hamendjeve, mbesa u ngrit, e mori në dorë e frikësuar dhe lexoi me zë:

» Apo halitet gruja jeme?« Për ty pu vet!«,tha mbesa duke parë Zojën gjersa i dridhej dora.

»O toka t’ lishoftë o Lutë!« piskati Zoja. »Edhe pi asaj dynjaje nuk po m’le rahat! E kum dit pse e lype mobilin...!«

»Kuku për neve do t’bami gazi i botës!«, tha motra e Lutës.

»Oh, koka i xhallë!«, tha Zoja, i dekmi nuk mun me shkrujt.«

»Çy, çy,  budallica, i xhallë!«, përsëriti motra e saj.

Zoja u ngrit nga vendi dhe psherëtiu :»Tybestikfar! O Zot rumi ment!«, dhe shtrëngoi shaminë në kokë. Mbesa deshi ta vazhdojë shkrimin e mesazheve, por këtë e kundërshtuan të gjitha. Motra e Lutës tha se është shumë haram të shkruhet me botën tjetër dhe kush e di se çfarë ogur të keq mund të sjellë. Lidhja ishte e drejtpërdrejtë me atë botë dhe kjo i trishtonte. Kishin dëgjuar shumë çudira, por se i vdekuri shkruan mesazhe, këtë nuk e kishin dëgjuar kurrë.

»Ma mirë me shku e me ja marr mobilin«, tha motra e Zojës.

»Po mos me naj dhanë«, pyeti mbesa dhe të gjithë ia plasë gazit. Pas shumë kundërshtimeve mbesa kureshtare vendosi t’ i shkruaj.

 »O daja Lutë, si i ke puntë?« Nuk vonoi as pesë minuta dhe përsëri : »piip; piip.«

»Mirë, mirë me thanë...! «

Ato u mblodhën të gjitha në divanin, që ishte larg dritares.

»Kto mesazhe muj me na ndihmu me kuptu jetën. Nashta Zoti ja ka dhanë kit fuqi dajës me fol me njerzimin, m’ i kallxu krejt fill e për pe. Ata pengamerat nuk kanë ditë me shkrujt, e daja ka kry shkollën fillore, për çata. Nashte Zoti e do ni pengamer me shkollë...

»Mo, mo, mos hyn n’gjynah!«, e ndërpreu Zoja mbesën. “Krejt kan ditë me shkrujt!«

»Oh, kuptoni se nuk asht me randsi për dajën, po ta marrmi vesh çka na pret neve, krejt botën«, tha mbesa dhe shkroi:

» Dajo, çka po ban tash?«

»Çe valla kurxha, po priti n’ ren para kancelarisë. Shën Petri duhet me  më marr  n’ pytje...«

»Çy çy, Shën Petri, kush është mëri ky Petër«, pyeti Zoja pa pritur leximin deri në fund.

»Oh, ky asht shok i hazreti Isës, i katalikve”, tha mbesa.

„Po, po! Po pse Petri, ti nuk je katalik...” shkroi ajo.

Nuk vonoi shumë dhe u dëgjua përsëri tingulli i mesazhit.

»Ktu nuk pi ndajshin xhintë me fe, por n t’ mirë edhe t’ keç. Krejt jena bashk. Mas mu asht ni gjerman, ni afrikan dhe reni shumë i gatë me kinezë e indian.«

»Leje mëri raht, mos shkruj ma«, piskati motra e Lutës e trishtuar.  »Kush e di sa kushton ni letër me atë dynja.«

»Po s’ asht meri larg, dy killometra«, tha mbesa.

»Çy, dy killometra, Luta nuk asht ma ktu. Letrat po vin nga qilli, nashta kushton njëmijë euro ni letër...Kuku për neve, kush i pagun!?« Sapo lëshoi mbesa celularin mbi tavolinë, erdhi mesazhi tjetër.

»Shukne dritën, kallne ni çiri para xhamit dhe muni mem pa!« lexoi mbesa me zë dhe hodhi celularin mbi qilim. Gratë të trishtuara, të rrëqethura, vrapuan drejt derës dhe u ndalën në korridor: njëra mbuloi fytyrën me dorë, tjetra kafshoi dorën, tjetra shtrëngonte barkun. Zoja lutej. Pas disa minutave nxitoi në dhomë, i hoqi baterinë dhe iku në korridor. Gjysmë ore më vonë, bindën njëra tjetrën për t’ u kthyer përsëri.  Përjashta u dëgjua përplasja e një dere, pastaj zhurma e një makine. Ato u shtrinë duke mbuluar edhe kokat. Në këtë çast u dëgjua kënga e gjelit të Lutës. Zoja nuk mbylli sy dhe kur rrezet e diellit ndriçuan dhomën, doli në oborr. Pishpiriku ishte duke çarë drunj përjashta. Ai e përshëndeti Zojën dhe iu  afrua rrethojës.

»Apo mërzitesh oj halla Zojë?« i tha ai. 

» Eh, çka me ba, Zoti e ka shkrujt!«, tha ajo. Pas nja gjysmë ore bisede, i tregoi Zojës se kishte dëgjuar në qytet për një njeri, që kishte terrorizuar familjen nga varri me mesazhe. Zoja ndjeu një drithërimë në trup, kafshoi buzët dhe fshiu ballin.  Pishpiriku i tregoi se për treqind euro kishte nxjerrë celularin dhe kishte shpëtuar familjen  e trishtuar nga çmendja. Shpirtrat e zhgënjyer, mund edhe të kthehen.

» Sit kish dek me sytë e haptë, i kan metë shumë gjana t’ pa plotsume dhe ai nuk nalet.«

Luta pat vdekur me sy hapur. Këtë e dinte Zoja. Ajo e zbehtë, i nguli shikimin Pishpirikut si e dalldisur me sy të zgurdulluar. Pasi mori frymë tri herë, i ktheu shpinën pa e përshëndetur. Eci drejt shtëpisë, por para shkallëve u kthye prapë. Mori frymë thellë dhe çuçuriti duke belbëzuar:»Edhe Luta s’po na le rahat!«

»Jo beee! Kuku për neve, çka na paska xhetë!« Zoja mbylli sytë për një çast. Aty folën gjatë me zë të ulët, duke shikuar anash, mos dilte dikush jashtë dhe në fund e luti t’ ia marrë celularin edhe Lutës, por për dyqind euro.

Pishpiriku kundërshtoi. »Nuk muj për dyqind. Jo, tutna! Nashte trenona. Kshyre çysh e kam likurën e rrënqethme, si betha e pulës. Aj nuk nalet kurrë!«

„Shko hallës, shko mëniren dhe merrja teveqelit”, tha Zoja e vendosur. Pishpiriku vrapoi. Mori një lopatë, bëri një gropë pas shtëpisë dhe futi një celular. Pastaj mori biçikletën, lopatën e mbante në dorën e majtë dhe nxitoi drejt varreve. Zoja e përcolli me shikim nga dritarja. Atje hoqi pak dhé dhe e ktheu përsëri duke e rrahur me lopatë. Doli jashtë dhe u ulë pranë hyrjes në një shkëmb. Aty qëndroi gati dy orë, tymosi pesë cigare dhe kërceu përsëri mbi biçikletë.  E lau lopatën te çezma dhe vrapoi pas shtëpisë. Celularit nuk i fshiu dheun, madje e shtypi pakëz t’ i ngjitet mirë e mirë dhe u ndalë pranë rrethojës duke tymosur. Gjersa po fikte cigaren, u shfaq Zoja. Ajo eci me hapa të shpejt, nga frika se do të dilnin djemtë e saj dhe i shtriu dorën me paratë. Pishpiriku nxori celularin nga një qese najloni. Kur e pa ajo, u largua dy hapa pas.

»Kuku për mu, un s’ guxoj me marr n’ dorë!«

»E çka me ba une me kit mobil? Ku ta çoj?«

»Merre hallës, merre ti!« , nguli këmbë Zoja.

»Kukuuu, po edhe une tutna, s’ guxoj. S’ guxoj me çu mobilin e vorrit në shpi edhe me myt . E mem dek babloki jem?« dhe shtriu dorën përsëri.

Zoja u largua duke sjellë kryet. I ofroi edhe njëqind euro, Pishpiriku nuk pranoi, kur i tha se do t’ i jap edhe dyqind, Pishpiriku e futi në qese dhe tha se do të shkojë e ta varros sa më larg. Diku ku nuk gjendet kurrë. Zoja eci me hapa të shpejt dhe solli me vete edhe dyqind euro për varrimin e celularit.

»Çysh ish Luta pash Zotin?«, tha duke ia lëshuar paratë në dorë.

»Mos vet bre! Ke tum marr edhe mu nat dynja e ma nxhiti për dore!«

»Mos luj t’ lutna, shka po bojke Luta?» pyeti përsëri.

»O ish kanë tu lujt dugurxhinë me grujën e agës Demë...!«

»Oh toka toka mos t’ lëshoftë«, i tha Zoja dhe nxitoi drejt shtëpisë.

Pas dy javëve, mbesa u kthye në Zvicër dhe shkroi një artikull shkencor: »Studim parapsikologjik: Shqiptari Luta (daja im) raporton nga bota tjetër - studim komparativ me pseudo raportet tjera.«



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora