E diele, 28.04.2024, 11:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Sefaj: Poeti i tri dashurive!

E enjte, 05.05.2011, 07:57 PM


POETI I TRI DASHURIVE!

 

Halit Gashi: “Festi i gjyshit”, poezi, botoi VATRA Prishtinë, 2011

 

Nga Ilir Sefaj

 

Nuk e di të ketë poet i cili nuk i ka kushtuar poezi nipit, mbesës. E kam përshtypjen se dashuria e madhe që ndjen gjyshi për nipin, bën që jo rrallë të lexojmë vargje të bukura e të gdhendura deri në palcën e tyre. Nipi në sytë e gjyshit është gjithçka, ai është sinonim i dashurisë së çiltër, dashurisë platonike, ngase nipi shihet nga gjyshi si një fryt i pemës së tij, pemë kjo e cila është e predestinuar të jetojë dhe kjo pemë jeton falë dashurisë që sjellin me vete kur vinë në jetë, këta fryte të njoma të cilët zbukurojnë botën. Halit Gashi është një ndër autorët që këtë ndjenjë e ka plasuar mjaft bukur në librin e tij të fundit dedikuar fëmijëve, e që mban titullin “Festi i gjyshit”. Ky libërth i vogël në vëllim, por i madh në vlerë, shpalon ndjenjën e hollë e sensibile që ka poeti kundrejt nipit të tij. “Festi...” është dashuria e pambarimtë për gjyshin, i cili një jetë të tërë i ka dedikuar pikërisht edukimit të fëmijëve, këtyre “Luleve të kombit”, siç do të shprehej poeti.

Libri është i ndarë në dy pjesë dhe ka gjithsej 36 poezi. Pjesa e parë përbëhet nga poezi kushtuar kryesisht nipit, i cili rritet në “kopshtin më lule” që ka mbjellë gjyshi, meqë edhe Festi është një lule më shumë në kopshtin e gjyshit; “Kam tri lule/ Ku s’bjen vesë/ Dy nipër/ Dhe një mbesë”.

Poezia e Gashit, përveç mesazhit që bart te lexuesi ajo është tejet e  kapshme edhe për fëmijët që kanë mësuar ABC-në. Vargu i tij është i thjesht i lehtë dhe rrjedh ashtu tok me ndjenjën e poetit, i cili ka dy dashuri të pazëvendësueshme e që rrinë bashkë në veprën e tij; poezia dhe fëmijët.

Gashi në librin  “Festi i gjyshit”, ka derdhë tërë fantazinë e tij prej krijuesi, duke u futur thellë në psikologjinë e fëmijëve, në botën e këtyre krijesave, gjestet instiktive të të cilëve jo rrallë na bëjnë të bashkë-ndjejmë me ta: “Kur më shikon, Festi/ Ma shëron dhimbjen/ Ma freskon zemrën/ Ma falë buzëqeshjen”.

Lulja është figurë e cila dominon në vargun e këtij poeti, ajo dhe fëmija janë një, edhe njëra edhe tjetri duan përkujdesjen maksimale që të rritën të palënduar, dhe cili njeri nuk ruan dashurinë më të madhe pikërisht për këto të dyja krijesa, që botës i japin jetën, ngjyrën, frymën, kuptimin.

Poeti Gashi, me vargun e tij sikur ka dashur t’i ndriçojë edhe pikat më të ndjeshme të qenies sonë, ai dëshiron që hapësira shqiptare të jetë e definuar edhe në poezinë dedikuar fëmijëve, pra ky autor sikur ndjen nevojën që edhe fëmijët të mësojnë qysh në vegjëli se si ta duan vendin e tyre; “Moti, moj MOLLË/ Moti, moj MOTËR/ Të flisnin SHQIP/ Të puthnin SHQIP/.....Unë nuk të harroj kurrë/ Vëlla më ke, MOLLËKUQE”. Këtë ide ky autor e plason tutje me vargjet; “Vargu im ka aromë Kosove/ Si Dukagjini freski Rugove”.

Tri janë dashuritë e mëdha të poetit; poezia, fëmijët, Kosova. Janë këto tri terme të shenjta të cilat autori ynë i ruan me mjaft xhelozi në krijimtarinë, por edhe në shpirtin e tij. Ata që kanë rastisur ta njohin për së afërmi krijuesin Halit Gashi, në individualitetin e tij kanë takuar njeriun i cili për asnjë çast nuk heziton të falë ngrohtësinë, me të cilën kam përshtypjen se karakterizohen vetëm njerëz me virtyte të larta, të cilët fëmijët  i konsiderojnë “lule të kombit”. Dhe nëse fëmijët në sytë tanë janë vërtetë lule të kombit, vetëkuptohet se çfarë kombi do dali prej tyre.

Mesazhi që përçon vargu i këtij poeti tek fëmijët dhe jo vetëm te ata, dëshmon për një krijues me talent, dhe jam mëse i bindur se kjo përmbledhje me poezi e treta për fëmije nga pena e këtij krijuesi (Gashi është autor edhe i tre romaneve dhe i dy librave të tjerë në vargje), do të shënojë vetëm një fillim në botën e pasur imagjinative të poetit tonë.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora