E diele, 28.04.2024, 01:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhevat Bislimi: Një ditë e vetme për dëshmorët dhe një ditë për Heroizmin shqiptar

E enjte, 05.05.2011, 07:58 PM


Një ditë e vetme për dëshmorët dhe një ditë për Heroizmin shqiptar

 

Nga Xhevat BISLIMI

 

Gjëra të çuditshme po ndodhin në këtë nënqiellin shqiptar. Dita e Dëshmorit, - 5 Maji, - edhe këtë vit nuk u bë dita e të gjithë dëshmorëve të kombit. Kjo, jo për fajin e atyre që vepruan, luftuan dhe ranë për liri e bashkim kombëtar, por për fajin e bashkëkombësve të tyre të gjallë, të cilët sikur janë mësuar me ndarjen dhe copëtimin e atdheut të tyre, Shqipërisë, prandaj po duan t’i ndajnë edhe Ata që me rënien dhe gjakun e tyre na dhanë jetë dhe na e hapën rrugën e lirisë dhe të bashkimit kombëtar. Ajo, që ndër shekuj njihej dhe quhej nga të huajt Albani (pa hyrë më thellë, kur vendi ynë quhej Iliri dhe shtrihej deri në Istri), ndërsa nga populli i saj Arbëri dhe më vonë Shqipëri, u “kafshua” pa mëshirë gjatë shekujve nga ardhacakët sllavë, që u dyndën në Ballkan dhe u bënë fqinjët tanë shovinistë. Zaptimi, spastrimi dhe sllavizimi i tokave të Shqipërisë mori përmasat e një procesi të pandalshëm. Në prag të luftës serbo-turke të viteve 1876-1888 Shqipëria shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 100 mijë km². Populli shqiptar, i udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, u përpoq me ç’pati, duke derdhur lumenj gjaku, të pengonte pushtimin dhe zaptimin e tokave të Shqipërisë nga fqinjët shovinistë, të cilët gëzonin përkrahjen e Fuqive të Mëdha të kohës dhe bekimin e Stambollit. Jo më pak gjak u derdh gjatë kryengritjeve të vitit 1910-1912. Rezultat i kësaj qëndrese dhe i këtyre flijimeve ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Mirëpo, edhe pas këtij veprimi të lartë kombëtar, historik e politik, fqinjët shovinistë, me ndihmën e miqëve të tyre të mëdhenj, mbajtën të pushtuar dhe të copëtuar midis tyre më shumë se gjysmën e Shqipërisë. Lufta dhe përpjeket për çlirimin e këtyre krahinave të Shqipërisë vazhduan me vetëmohim. Mendimi, fjala, veprimtaria dhe demonstratat, në periudha të ndryshme edhe kryengritjet e armatosura, çuan në krijimin e famëmadhes, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pastaj të UÇPMB-së dhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Sot ekziston edhe AKSH-ja, e cila ka shpallur programin e saj kombëtar dhe politik për Bashkimin e Shqipërisë. Edhe kjo Ushtri ka dëshmorët e saj. Si përfundim: I gjithë mendimi shqiptar, e gjithë fjala shqiptare, të gjitha vuajtjet nëpër kazamatet e pushtuesve, e gjithë veprimtaria, dhe në fund (edhe sot) të gjitha kryengritjet dhe luftërat çlirimtare, i gjithë gjaku i derdhur dhe të gjithë të rënët kishin një ideal dhe një synim kombëtar e historik: Çlirimin dhe bashkimin e tokave të Shqipërisë. Të gjithë brezat atdhetarë dhe liridashës u përpoqën, vepruan, qëndruan, luftuan dhe ranë në Altarin e Atdheut me emrin e Shqipërisë në zemër dhe në gojë. Urdhëroni dhe lexojeni (është i shkruar shqip!) BETIMIN e UÇK-së dhe të luftëtarëve të saj. Është shkruar e zezë në të bardhë: Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i diciplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse e shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpëra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im”. BETOHEM!

 

  Të gjithë brezat e atdhetarëve u betuan, vepruan, luftan dhe ranë nën hijen e Flamurit shqiptar, Flamurit të Shqipërisë, të asaj Shqipërie që burrat e dheut e thirrën (dhe vazhdojnë ta thërrasin) NËNË... Lufta e fundit Çlirimtare u ndërpre (pa përfunduar misionin e saj historik dhe kombëtar) me angazhimin dhe ndërhyrjen e NATO-s, veçmas të ShBA-së. Drejtuesit e shtetit shqiptar dhe të Luftës Çlirimtare i besuan fjalës dhe zotimit të Bashkësisë Ndërkombëtare. Në këtë çështje më rëndë peshoi fjala e ShBA-së. Shqiptarët besuan se zgjidhja përfundimtare e çështjes së tyre do të arrihet me mjete politike dhe demokratike. Gjashtë vjet pas Luftës Çlirimtare, Kosova–hallka kryesore e çështjes shqiptare - vazhdon të qëndrojë midis kudhrës dhe çekanit! Ende nuk po duket në horizont kurorëzimi i Luftës Çlirimtare. Shqiptarët nën “Maqedoni” kanë njohur njëfarë progresi, por larg asaj që synonin ata dhe i gjithë kombi, kurse në Luginën e Preshevës nuk është bërë asgjë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve. Madje, ka tendenca negative. Shpërnegulja nga trojet e tyre ka marrë përmasa shqetësuese. Medvexha shqiptare, pothuaj se nuk ekziston më... Njësoj shqiptarët nën Malin e Zi, keq e më keq ata nën Greqi (Çamëria). Megjithatë, shteti shqiptar dhe shqiptarët vazhdojnë të shpresojnë se kësaj radhe bota nuk ua ka me hile...

 

   E bëra këtë hyrje të gjatë për të ngritur një çështje, për mua e rëndësishme për kombin tonë. Më lartë u tha në mënyrë të përmbledhur historia jonë tragjike e spastrimeve dhe e sllavizimeve të tokave të Shqipërisë, historia e pushtimit dhe e përvetsimit të tokave tona, si dhe ajo e përpjekjeve, e sakrificave dhe e luftërave për çlirimin e tyre. E thamë dhe u përpoqëm ta dëshmojmë një të vërtetë që dokumentohet si një dhe e vetme: Luftën për bashkimin e Shqipërisë nën Flamurin e vetëm, atë të Shqipërisë. Më lartë u tha se në këto përpjekje dhe luftëra me armiq të shumtë shekullorë kanë rënë dhe po bien heroikisht bijtë dhe bijat më të mira të kombit. Çështja është se këta dëshmorë, që ranë për lirinë dhe bashkimin e kombit, ne të gjallët po i ndajmë dhe “përçajmë” (ky fenomen i çuditshëm po ndodhë veçmas pas Luftës së fundit Çlirimtare). Dita e parë e Dëshmorit, për herë të parë për kombin shqiptar, u caktua - 5 Maji. Kjo Ditë në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës nuk repektohet, kurse shqiptarët nën “Maqedoni”, Ditë të Dëshmorëve kanë vendosur ta kenë ditën kombëtare, 5 Majin. Ata nuk e bënë gabimin e Kosovës dhe të Luginës së Preshevës, nuk i ndanë Ata që luftuan dhe ranë për bashkimin kombëtar. U lumtë!

 

   Në Kosovën e çudirave pothuajse çdo komunë ka caktuar ditën e vetë të dëshmorëve! Për të qenë “çudia” dhe “mëkati” edhe më i madh, për caktimin e këtyre ditëve, që mund të jenë gjithëçka, por jo të dëshmorëve, kanë ndikuar e ndonjëherë edhe kanë vendosur vet bashkëluftëtarët e dëshmorëve, të cilët kishin bërë të njëjtin BETIM! Në këtë çështje janë përzierë dhe kanë ndikuar (aty-këtu) edhe familjet e dëshmorëve! E ngrita këtë çështje me qëllim që të tërheq vëmendjen e atyre të gjallëve që nuk respektojnë Idealin dhe Betimin e të rënëve për Liri. Nëse kombin dhe Shqipërinë i copëtoi e i ndau dhe po i mbanë FORCA dhe DHUNA, pse duhet t’i copëtojmë dhe ndajmë dëshmorët, që ranë për Bashkimin e Shqipërisë. Për këtë askush nuk po na detyron... Prandaj, t’i BASHKOJMË ata që mundemi, - DËSHMORËT, - dhe të përpiqemi e të luftojmë pa rreshtur edhe për bashkimin e të gjallëve, - kombit tonë...

 

Rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, të shpallet DITË E HEROIZMIT SHQIPTAR!

 

         Njëra prej figurave më emblematike të heroizmit shqiptar është ajo e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit. Lufta dhe rënia e Tij dhe e familjesë së Tij të gjerë përbënë shembull unik në Historinë e Shqipërisë dhe më gjerë. Me luftën dhe qëndresën e Tij të armatosur për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, Adem Jashari, shkroi faqen më të lavdishme të Heroizmit shqiptar. Familja Jashari atë ditë i tregoi botës se për çlirimin e krahinës më të madhe shqiptare, Kosovës, janë të gatshëm të luftojnë dhe të vdesin burra, gra, fëmijë e pleq. Lufta dhe Heroizmi i tyre udhëhoqi Ushtrinë Çlirimtare, çdo luftëtarë të saj dhe mbarë kombin në Luftën Çlirimtare kundër pushtuesve.

 

   Lufta e Drejtë dhe Çlirimtare e Komandantit Legjendar, e Familjes dhe e Ushtrisë së Tij, - UÇK, - hodhi themele të sigurta për ngritjen dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare. Beteja e Tij legjendare, ajo e 5 dhe 6 marsit e shndërroi atë në legjendë, në simbol dhe Hero Legjendar. Mendimi dhe propozimi ynë është që 6 Marsin, kombi (shteti) shqiptar ta shpallë Ditë të Heroizmit Shqiptar. Në këtë ditë do të kujtohej dhe nderohej Komandanti Legjendar, Familja dhe bashkëluftëtarët e Tij të rënë për Liri e bashkim kombëtar dhe dëshmorët e heronjtë e të gjitha kohërave dhe luftërave çlirimtare. Kjo Ditë do të forconte edhe vetëdijen, krenarinë dhe atdhedashurinë e brezave që vijnë



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora