E premte, 26.04.2024, 04:43 PM (GMT+1)

Speciale

Përparim Demi: Nostalgjikët e enverizmit apo: Shqipëria ndërmjet luftës nacional çlirimtare dhe kolapsit (1945 – 1990)

E shtune, 12.02.2011, 10:00 PM


Nostalgjikët e enverizmit apo:

Shqipëria ndërmjet luftës nacional çlirimtare dhe kolapsit (1945 – 1990)

 

Nga Dr. Përparim Demi

 

Nostalgjia është një ndjenjë normale kur i referohet vendlindjes, njerëzve të dashur që nuk jetojnë më, kujtimeve personale rreth ngjarjeve që kanë lënë mbresa të pashlyeshme. Por të kesh nostalgji për një sistem politik, për një regjim diktatorial, për një periudhë historike që solli varfërimin e popullit, kolapsin ekonomik dhe eksodin masiv, anarkinë sociale, dhe të mundohesh ta shpërndash në median shqiptare është një qëndrim tejet antishqiptar, është një tentativë për manipulim të bazuar në një propagandë tashmë të dështuar, që mbështetej në aparenca fallco të një realiteti të hidhur.

 

Duhet të pranoj që në fillim se iritohem kur lexoj shkrime mbi bëmat e Enverit dhe regjimit të tij. Më iriton fallsiteti, gënjeshtrat, falsifikimet e historisë. Iritohem kur të zezën e bëjnë të bardhë, kur kriminelin e quajnë hero dhe antishqiptarin e bëjnë patriot. Kur mohohet e vërteta, sakrifica e patriotëve shqiptarë për çlirimin dhe ndërtimin e vëndit tonë. Iritohem kur periudha e varfërimit dhe masakrimit të popullit shqiptar konsiderohet periudh begatie. Iritohem kur tradhëtia paraqitet si virtut, kur spiunllëqet konsiderohen vigjilencë, kur sabotimi shpallet si largpamsi, kur terori reklamohet si liri dhe diktatura shitet për demokraci. Iritohem kur shoh se si vazhdon rruga e manipulimit të popullit. Iritohesha sa herë që shkoja në Durrës me tren dhe tek stacioni i Shkozetit lexoja një parullë të shplarë me bojë të kuqe ”çfarë don populli bën Partia dhe çfarë thotë Partia bën populli”. Ku ku moj nënë! Çfarë gënjeshtre dhe propagandë e poshtër, me të bërë budall në mês të ditës.

 

Kisha kohë që bluaja dhe matesha të shkruaja për ca gjëra nga e kaluara për të cilat kam qënë dhe unë dëshimtarë, por i zënë me punë për të mbijetuar, apo nga mukajeti e kam shtyrë përherë, duke menduar se kur do dal në pension do i vë në rradhë kujtimet e do shkruaj me nge për qejf. Kuptohet që kujtimet e mija nuk besoj se u intereson të gjithve, pasi kanë dhe ato subjektivizmin e tyre dhe gjatë shkrimit ngarkohen me emocionet e mia të çastit. Ato nuk janë gjë tjetër veç një vështrim i botës ku kam jetuar unë nga një pikë e vetme. Nga ana tjetër shumë lexues ndoshta mund të gjejnë në to gjëra që dhe ata i kanë përjetuar, atëhere bëhen të besueshme për ta. Ndërkohë, në këtë shkrim do mundohem tu shmangem hollësirave të paverifikueshme dhe do mundohem të përqëndrohem në fakte historike, të cilat shumë lehtë mund verifikohen në shtypin zyrtar të periudhës respektive. Kuptohet faktet e ndodhura nuk janë meritë e ime dhe në shumicën e tyre bëhet fjalë për fatkeqsitë e personazheve historike të një periudhe mjaft të gjatë, që në historinë e Shqipërisë do quhet periudha e regjimit enverist. Ndërsa interpretimi dhe gjykimi për sa ka ndodhur është e imja personale, është një koncentrat dhe koagulim i përshtypjeve të gjata të ngjarjeve të cilat i kam përjetuar nga afër. Tani kam avantazhin ti shoh gjërat në qetësi, i distancuar nga momenti i ndodhjes së tyre, kur të gjithë ndodheshim nën presionin e tmershëm të frikës dhe pabesisë, të paftyrsisë dhe poshtërsisë së hapur zyrtare, që ushtronte presion direkt mbi gjithsejcilin për të na detyruar të shprehnim atë që nuk besonim.

 

Të deklaronim gënjeshtrën si të vërtetë dhe pastaj ta besonim edhe vetë atë, pa haruar ta transmetonim dhe të detyronim dhe të tjerët rreth e rotull të hynin në këtë valle vdekje prurëse. Jam i sigurt se më von do i rikthehem këtij shkrimi për ta plotësuar me plot gjëra që kësaj rradhe më kanë shpëtuar, prandaj i lutem lexuesve të mos e konsiderojnë si një shkrim të përfunduar, por si një shkrim që sapo ka filluar. Kjo ndodhi pasi materiali mbi të cilin mbështeten kujtimet e mija është aq voluminoz sa do më duhej një bibliotek me libra të shkruaja për ta përmbledhur shkurtimisht, ndërkohë që unë nxitoj tju jap diçka paraprakisht, pasi disa njerëz prodhojnë në vazhdimsi gënjeshtra që më iritojnë. Nuk e mohoj, nga eksperienca e regjimit nga kam ardhur, është e vërtet fjala se po të gënjesh shumë diçka do mbetet, dhe po të gënjesh në vazhdimsi mund të mashtrosh dhe një popullat të tërë për një periudhë kohe, por jo për gjithmon. Kjo ndodhi në Shqipëri, kjo ndodhi dhe në Kosovë.

 

Ndoshta lexuesi do gjej gjëra në këtë material që kanë lidhje me ca fenomene aktuale që përjetojmë sëbashku sot. Ndoshta pa dashur mund të zbulojnë se ca metoda ose strategji jetojnë akoma midis nesh. Ndoshta do vërejnë se ca njerëz nuk janë shëruar akoma nga ndonje sëmundje kronike e marr nga regjimi enverist. Ndoshta zbulojnë se historia mund të përsëritet në njëfar mënyre nëse nuk jemi konshtjent për atë që na ka ndodhur neve si komb. Ndoshta dikur populli ynë i vuajtur dhe heroik, viktimë e gabimeve të veta të përsëritura në kohë të ndryshme, vendos të çlirohet nga kthetrat e së kaluarës sonë gjakatare dhe vendos të marshoj përpara me kurajo. Paralelizmat me kohës dhe ngjarjet mund ti zbuloj kushdo, simbas aftësis së tij, kulturës, orientimit politik, lidhjeve dhe trashëgimis, pra hyme në një zonë të gjërë të relativitetit opinion.

 

Një shkrim anakronik i nxjerr nga sunduku 50 vjeçar

 

Dje, tek Kosovarimedia.com, lexova një shkrim që më iritoi. Bëra një koment aty, ku dhe premtova që do rikthehem me një shkrim ku të flas për të vërtetat shqiptare. Unë nuk jam shkrimtar, megjithatë do mundohem të jap maximumin për tju transmetuar sa më mirë mesazhin me stilin tim autodidakt, por ndërkohë ju siguroj se do gjeni në këtë shkrim vetëm fakte të vërteta dhe emra real të njohur nga shumë shqiptarë.

 

Një nostalgjik në shkrimin e tij të datës 09.01.2011, e filloi mbarë vitin e ri me një ofensiv të dështuar kundra sistemit demokratik, për të paraqitur avantazhet e sistemit socialist, ateizmit komunist dhe hymnizimin e personazhit diktator shqiptar të Enver Hoxhës. Sa anakronik, sa i blokuar mëndërisht, sa i pa kulturë dhe falls në slloganet e përdorura. E fillon shkrimin e tij duke ngritur në qiell Hysen Milloshin dhe librin e tij ”100 vjet” të cilin e quan historik dhe programatik, dedikuar përvjetorit të lindjes së diktatorit.  Ky libër nuk solli asgjë të re për publikun shqiptar, vetëm se iritoi dhe provokoi viktimat e regjimit komunist. Kuptohet që një libër si ky, përveç nostalgjikve, ish apartçikët, ish sigurimsat, dhe ish bllokmenët e pinjollët e tyre, që vazhdojnë të plotsojnë bibliotekën e tyre me veprat e E.H., asnjë shqiptar tjetër nuk e zë me dorë. Veprat e Enverit i prodhonte Nexhmija ne guzhinën e saj të institutit dhe i shpërndante me forcë njerëzve. Askush në atë kohë nuk i blinte këto libra që nuk i vlenin kujt, kështu qe i shpërndanin në qëndrat e punës me listë dhe u mbanin parat nga roga. Nga njëherë ta jepnin me zor si shpërblim për punën e papaguar. Pra kur veprat e Enverit nuk lexoheshin atëhere si do lexohet sot libri i Hysen Milloshit, i cili mundohet të lavdërojë me hipokrizinë e tij anakronike veprat e merhumit.

 

Nostalgjiku, e nis sulmin e tij me ”lugën e floririt” që gjoja nuk iu premtua popullit nga komunistët. Sa pak dika ky për luftën NÇ dhe prapaskenat e saj. Për ta kthyer në epokë, desha ti kujtoja se në vitet 40-të, populli shqiptar ishte 90 % analfabet, por me një ndërgjegje patriotike të jashtzakonshme, të kultivuar nga rilindasit tanë. Niveli propogandës që bëhej në atë kohë i përshtatej dhe shkallës së kulturës. Që ta ilustroj këtë, po ju jap një shëmbull konkret. Një propagandiste Argjiro Leka, partizane e brigadës së VII – të nga Berati, me shkollë fillore në atë kohë, bënte një mbledhje me gratë e një fshati nga Skrapari, ku u shpjegonte barazinë mes njerëzve të pas luftës. Sipas saj njerzit pas lufte do ishin njësoj, do punoni dhe do hanin të gjithë një lloj. Për ta bërë më të kuptueshme u thoshte se psh. Sot do hanin mish me bamje te gjith njelloj pa dallim, nesër fasule, të gjith njëlloj, e kështu me radhë. Një vajzë naive e fshatit, shpërtheu – qyqja po unë që nuk e há bamjen si tja bëj? ”Ti merre me lëng” i tha Argjiroja. Pra në këtë nivel bëhej propaganda në vitin 1944 në Skrapar. Në atë kohë kush kishte shkollën fillore mund të bëhej dhe mësues, pa le ata që kishin të mesmen, që ishin shumë pak, dhe konsideroheshin kuadro të larta, intelektualë.

 

Imazhi i lugës së florinjtë iku shpejt pas çlirimit, kur njerëzit vitet e para punonin pa rogë dhe më von shpërbleheshin me triskat. Si një paralelizëm që nuk egziston, në 1991, një pinjoll i përkëdhelur, Gramoz Pashko, i biri i ministrit Josif Pashko, përdori në propagandën e tij termin e ”Çekut te bardhë”. Ideja ishte se sa të përmbysej regjimi, do vinin vëndet e perëndimit me para të madhe dhe do na e bënin si në reklamat e televizorit. Kjo s’ka të bëjë fare me regjimin demokratik si sistem politik dhe as me ekonominë e tregut. Profesori Gramoz (që nuk i tha kush punë e mbarë ndonjëherë deri atëhere) përfitoi nga mos njohja që egzistonte mbi ekonominë e tregut, kur ai si djalë i dal nga blloku kishte privilegjin të lexonte revista të huaja. Kështu që dinte disa fjalë të huaja dhe terma që populli nuk i kuptonte. Si përfundim askush përveç tij nga nismëtarët e PD-së nuk e ka përdorur këtë sllogan, bile më vonë kjo hyri në fondin e barcaletave në Tiranë dhe u multiplikua nga PS-ja .

 

Nuk dua të trajtoj këtu epërsin e sistemit të ekonomisë tregut ndaj ekonomisë socialiste të centralizuar që u aplikua në Shqipëri e gjetkë. Ishte pikërisht kjo epërsi që i rëzoi bllokun e lindjes, disniveli i jetesës ishte aq i dukshëm sa të gjithë popujt e lindjes filluan të dynden në perëndim për të siguruar mbijetesën, proces qe akoma vazhdon dhe sot e kësaj dite. Besoj se dhe zotëria nostalgjik është një nga ata. Nuk arrij të kuptoj se ku e gjen guximin ky zotëri i dashur të deklaroj tani të kundërtën. Kësaj propagande i erdhi fundi që në momentin e hapjes së madhe, kur populli shqiptar vërshoi drejt kufijve. Qëllimi i izolimit ishte pikërisht që populli të mos informohesh se si jetohej në vëndet perëndimore. Kush fliste për këtë temë përfundonte në burg si armik i popullit, neni ”agjitacion dhe propagandë”, ku jepejh zakonisht dënimi maximal – 10 vjet burg, i cili mund të zgjatej në rast nevoje. Kush do e nxirte kromin për export – të burgosurit e Bulqizës. Ministria e Brëndëshme kishte plan arestimesh që të siguronte fuqinë punëtore për minierat. Ndodhte shpesh që ky ministër të kritikohej në byron politike se nuk kishte realizuar planin dhe direktivat e kongresit të partisë, atëhere bëhej fushat arestimesh. Çdo oficer sigurimi sipas zonës që mbulonte kishte planin e tij. Shumë hynë në burg se thanë që s’kishte djath në dyqan, dikë e tradhtoi gruaja që donte të shpëtonte nga ai, një tjetër për shkak të gruas së bukur që kishte, dikush se komentoi një film artistik. Psh. Xhaxhai im Kasem Demi, veteran i luftës, antari i qarkorit të Gjirokastër , antari i partisë që në 1942-shin, inxhinjer, pionjeri që ngriti sistemin energjitik të Shqipërisë, vdiq në burgun e Ballshit më 1981 për një motiv të till qesharak.

 

Sa fshatarë u burgosën ose u vranë se nuk pranuan kolektivizimin e tokave në vitet 50 – 60, sa veta u dergjën burgjeve se nuk pranuan heqjen e fesë, sa u dënuan se nuk pranuan të dorzojnë lopën a dhinë e vetme në vitin 1981. Sa familje u shkatruan, u burgosën, u internuan, u vranë, vetëm e vetëm se kishin prejardhje të familjeve të dëgjuara patriotike. Monstruoziteti i atij regjimi nuk mund të përshkruhet me një artikull dhe as me një libër, do na duhet kohë të dokumentojmë gjitha krimet që kanë ndodhur nën pushtetin e enverist. Diku në shkrimin e tij, nostalgjiku përmënd se iniciativën e ndalimit të fesë e bëri rinia. Po i jap ca detaje, kjo doli nga një organizatë e rinisë së Durrësit. Kam qënë aty kur u hap kjo përallë. E kush guxonte të merrte iniciativa të tilla në atë kohë pa udhëzimet e partisë?

 

Si regull iniciativat kishin një histori të ngjashme. Merrej një vendim në byronë politike, pastaj komitetet e partisë së rretheve merrnin udhëzimet e duhura si do proçedohej. Behej plani i masave ku caktoheshin se nga cila organizatë do dilte iniciativa, dhe kush do e propozonte, si do vazhdonte perkrahja në organizatat e tjera dhe si do fryhej në nivel vëndi. Komitetet e partisë së rretheve koordinonin dhe ndiqnin hap pas hapi dhe raportonin në komitetin qëndror rezultatet. Gazetat kishin detyrat e tyre për ti bërë popullaritet e kështu me rradhë. Nga njëhere puna fillonte me një artikull redaktorial në faqen e parë të ”Zërit të Popullit” i cili rekomandohej të analizohej të nesërmen nëpër organizatat bazë të partisë dhe të rinisë. Në këtë rast dihej linja ishte direkte nga i madhi Diktator.

 

Hysen Milloshi e di mirë si funksiononte mekanizmi pasi me këtë punë është marrë, pra kur ai thotë broçkulla të tilla të gjithë që e njohin e dinë sa i pasinqert është, por ja që gjen ca naivër nostalgjikë dhe ua mbush mëndjen se vërtet doli rinia dhe hoqi fenë në Shqipëri. Pastaj ky merr dhe na bën teorinë e faraonëve dhe të komunës së Parizit. Ti thoshte dikujt të moshës time në Tiranë përalla të këtilla, e merrte me shkelma që të mos dinte nga të vente. Në vitet 60 – të e më tutje, pas shkëputjes nga kampi socialist, Enverit i lindi idea të deklarohej si mbrojtësi i marksizmit të pastër dhe pasardhësi direkt i Stalinit. Pati fat se Stalini kishte vdekur ndërkohe, se da ja kishte heq kokën.

 

Në kohën e kolektivizimit të tokave, shkonin agjitatorët fshat më fshat e der më derë. Nga fundi në një fshat të Labërisë u ngeci gozhda. I gjithë fshati tha se do hyjmë në koperativë vetëm pasi të hyjë filani. Behej fjalë për një plak, veteran me zë në gjithë krahinën, bashkëluftëtar me Selam Musain, i cili nuk pranonte të jepte tokën për asnjë arsye. Si përfundim, ja gjetën anën dhe atij, e shtrënguan, pasi e thirrën në këshillin popullor të fshatit dhe ai u zu keq dhe  e firmosi. Kur doli tek dera, para ishte mbledhur i gjithë fshati. Që të dilte nga situata, me atë humorin karakteristik të labit tha: ” e morre shokë, edhe atë merak që kisha e këreva, hyra në kooperativë”. Kjo pasi ai rezistoi një vit plot presioneve. Pas tij u fut i gjith fshati se ashtu e kishin dhënë fjalën.  Atij plaku veteran ja shkurtuan jetën, ja hoqën burrërinë, e poshtëruan para gjithë fshatit. Pas asaj dite s’ngriti kokë i shkreti, vdiq me marraz.

 

Në shkrimin e tij, nostalgjiku thot se kontrabanda dhe trafiku është fenomen që lindi pas 1990-tës në Shqipëri. Kaq di i shkreti për këtë punë. E ndjej për detyrë ta informojë se kontrabanda dhe trafiku në Shqipëri është bërë gjatë gjithë kohës, vetëm se në periudhën e diktaturës me këto punë merrej sigurimi i shtetit.  Mallrat kontrabandë si cigaret Malboro, Wiston, Pall Mall, etj., depozitoheshin në depot e ushtrisë dhe transportoheshin me mjetet e tyre. Në Durrës vinin anijet e mafies italiane apo greke dhe ngarkoheshin nga ushtarët e njësive speciale. Një oficer i sigurimit me pseudonimin Sinjor Antonio, shoku Qazim e kishte shtëpinë tek kafeneja Flora në Tiranë, e drejtonte të gjithë këtë aktivitet fitim prurës. Me sa kam dëgjuar unë, qëndrën ky oficer e kishte në Zvicër, në Zürich, që aty ai organizonte të gjitha, në Shqipëri vinte rrallë sa të shihte familjen dhe të raportonte, pastaj shëtiste në gjithë Europën me dokumenta të sajuara . Kishte një gocë të bukur që vishej gjithmon me roba perëndimore, një gjë e rrallë në Tiranë, pasi këtë privilegj e kishin vetëm kalamajt e bllokut ose të shoferave të TIR-it, që dilnin shpesh jashtë . Unë në 1978 pata rastin të pi nga këto cigare falas, pasi mi sillte një ish puntori im nga Elbasani, që bënte ushtrinë në një repart të tillë. Sa herë që vinte me leje me binte dhe mua nga një kartush me dhjet paketa. Po atë vit, me sa më kujtohet, një armator grek, që bënte këtë trafik, u tregua i mençur, pasi e ngarkoi vaporin me mallin kontrabant, e mbyti vaporin mu tek kanali i radës (zona e pritjes para portit) në Durrës.

 

Dolën kutitë me cigare në breg, mblodha dhe unë nja dhjet kartusha me atë rast. Durrsakët me siguri e mbajnë mënd mirë se u mblodhën aty si mizat. Më vonë morra vesh ku qëndroi marifeti i mbytjes së vaporit. Ai e kishte siguruar vaporin me gjith mall, për një shumë të madhe parash, prandaj pas mbytjes erdhi komisioni i agjensis respektive të siguracionit për të verifikuar kushtet e mbytjes.  Kuptohet gjerat ishin regulluar dhe sajuar perfekt, pasi në atë vend ishte një vapor ushtarak italian i mbytur që në kohën e luftës. Nëse nuk besoni mund ta verifikoni këtë histori dhe ndoshta e gjeni akoma vaporin aty, ose pyetni ndonjë durrsak të vjetër për vaporin grek dhe jua tregojnë menjëherë historinë e mësipërme dhe vëndin ku ndodhet. Shpesh dëgjonim për futbollista që ziheshin në aeroport me gurë çakmaqesh kontrabandë, siç ishte rasti i Mile Qoshes në vitet 60-të. Shumë njerëz kanë blerë roba dhe ora të prura kontrabandë nga shoferat që çonin mallrat për export. Po kështu shumë nga këta blinin nëpër fshatra florinjtë që ruanin fshehur nëpër sunduqet e vjetra dhe nga halli detyroheshin ti shisnin fshehtas për dy lekë. Shoferat shqiptarë i shisnin këto në antikuariatet e Vjenës për të blerë valutë.

 

Zhvillimet shqiptare në vitet e pas luftës NÇ

 

Pas çlirimit, populli shqiptar kaloi disa etapa të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Në 1945, Shqipëria doli nga lufta e shkatëruar, e djegur, pa industri, pa infrastrukturë, pa një administratë shtetërore të aftë të drejtojë dhe me një popull analfabet. Historia dihet, por për freskim memorje po i përshkruaj shkurtimisht etapat kryesore pa hyrë në hollsira. Kush dëshiron të dokumentohet, nuk i duhet veç të marrë të lexojë shtypin e kohës për çdo etapë. Ju rekomandoj gazetën e partisë ”Zëri i Popullit”.

 

Regjimi komunist e filloi punën me reprezalje ndaj forcave nacionaliste, duke eleminuar ajkën intelektuale patriotike shqiptare. E orientuar krejtësisht që në kohën e luftës për tju nënshtruar politikës titiste, filloi të eleminonte veteranët e luftës që nuk iu nënshtruan këtij orientimi vetvrasës. Këshilltarët e Enverit ishin Vukmanoviç Tempo, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi. Ata e rekomanduan dhe e shtynë atë në krye të partisë komuniste. Ata e urdhëruan të fillonte luftën civile duke goditur forcat e Ballit pas kapitullimit të Italisë. Po ata e mësuan teknikat e eleminimit të drejtuesave të partisë, dhe si piksynim kishin grupin e Shkodrës dhe grupin e Sadik Premtes në Vlorë. Kështu vdiqën të tradhtuar Emin Duraku, Hajdar Dusha, Sadik Staveleci, Qemal Stafa, Vojo Kushi, Ali Demi etj. U dekonspiruan të gjitha bazat klandestine të këtij grupi në Tiranë, për ti bërë më vonë pas çlirimit shtëpira muze. Kesaj i thonë vraje natën dhe qaje ditën. Kështu u përjashtua Ymer Dëshnica, Kadri Hoxha, Sejfulla Malëshova, Gjin Marku etj. Kështu u vra më vonë Ilmi Seiti, Lym Keta, etj.

 

Pas çlirimit u eleminuan familjet me emër duke filluar nga Bari Omari, kunati i Enverit, që mbajti me bukë atë bukshkelës dhe që kontribuoi maximalisht për çlirimin e vëndit. I jati e mallkoi, e motra nuk i shkeli në derë deri sa vdiq. E gjeje të motrën për ditë tek qoshja përball kinemas Partizani, me një peshore të vjetër , ku fitonte 10 qindarka për një peshim. Sa herë kaloja andej e shihja me keqardhje kur rrinte me vajzën pranë (i ngjante Enverit sikur tja kishte prer kokën), peshohesha kot vetëm për ti dhënë asaj ndonjë lek sa herë kaloja dhe largohesha shpejt që të mos i merrja kusurin. Kështu vepronin dhe të tjerë. Një komunikim pa fjalë midis nesh, në heshtje, zhvillohej vetëm me sy, sejcili e kuptonte. Të jatin e Enverit e gjeje për ditë tek stoli i parkut të Rinisë përball hotel Dajtit. Disa të rinj harakatër e ngacmonin dhe e pyesnin për Enverin. Ngrihej e ikte i shkreti sikur ta kishte pickuar diçka, duke mërmëritur nëpër dhëmbë diçka si ”tojbestrofullah” sikur thoshte mos ma përmëndni atë lanet. Me sa di unë gjithë jetën plaku kishte qënë shumë fetar dhe ashtu mbeti deri sa vdiq.

 

Vazhdoi serinë e krimeve më tej me gjithë opozantët jo komunistë, të Ballit Kombëtarë dhe Legalitetit, për të vazhduar me grupin e deputetëve, duke i akuzuar si bashkëpuntorë të pushtuesit dhe tradhëtarë. Psh. U burgos familja e Abaz Kupit që ishte nënkryetari i Frontit NÇ, dmth u burgosën gratë plaka, fëmijët, pinjollët e familjes. Më 1991, në kampin e refugjatëve, më tregonte i biri, Dhimitër Kupi, se e kishin arestuar duke qënë partizan me yll në ball në 1945-sën. Halla e tij, motra e Abazit, në atë kohë plakë mbi 60 vjeçare, kur e nxirnin shëtitje në oborin e vogël të burgut të Tepelenës, gardiani i burgut i vinte në duar dhe një gur të rëndë që ta shëtiste dhe qeshnin me vuajtjet e plakës. S’kishte asnjë gjë njerzore në këtë ritual makabër, më bëhej mishi kokra kur dëgjoja fatkeqsit e këtyre njerzve, gruaja ime fillonte qante me dënes. Dhimitri nga 45-sa e deri në 90 kishte bërë herë burg e herë i internuar në një fshat të Lushnjës. Kur i lindi fëmija e parë ”shtëpia” e tyre, dmth një kasolle ku çatia kishte një distancë prej 30 cm nga muret, ishte aq e ftohtë në dimër sa vihej jeta e foshnjës në rrezik . Kur frynte erë e fortë hynte e tëra në kasollen e tyre. Dhimitri mundohej të ngjiste letra për të penguar erën, por kalecat sa e shihnin menjëherë ja hiqnin.

 

Regullat e internimit ishin që duhej të paraqiteshin tre herë në ditë për apel tek posta e policisë së fshatit, për këtë nuk bëhej përjashtim as dimër as verë, as kur ishe i sëmurë apo duke vdekur. Kush nuk paraqitej, mobilizohej policia me qen ti kërkonin. Po të ankoheshin i fusnin në burg përsëri, ku kishin trajtim special një periudhë kohe. Shpesh gardianët e burgjeve mërziteshin dhe atehere shpiknin lloj lloj lojrash të eglendiseshin që tu kalonte tetë orshi shpejt. Kush e ka provuar burgun në Shqipëri i di mirë këto marifete të gardianve. Njëherë, duke biseduar për të jatin, Dhimitri më thoshte se nuk e fajsonte të jatin për vuajtjet e tij dhe të familjes së tij. Ishte krenar që kishte për bab atë burr të lartë që e donte gjithë populli i Krujën dhe që nuk kishte bërë asgjë kundra tij. Peng e kishte se mos i jati kishte vdekur me ndjenjën e përgjegjsisë që nuk e shpëtoi dot tërë familjen dhe fisin nga ferri komunist. Dhimitri, një burrë i thyer në moshë, me një kulturë të gjërë që të linte pa gojë për atë që e dinte se çfarë jete kishte bërë. Fliste lirshëm në katër ghuhë dhe mund të diskutoje deri në hollësira për klasikët e literaturës botërore. Tek ai nuk pash asnjë pik dëshire për hakmarrje, përkundrazi më habiste kur arinte të justifikonte dhe gardjanin e tij injorant të burgut, që ja kishte nxirë jetën. Ishte musliman me bindjen e një katoliku që thoshte ”fale o zot se nuk dinte çfarë bënte”.

 

Kështu e pësoi Isuf Vrioni, Dhimitër Canco (ish pronari i shtypshkronjë Argos në Tiranë) e shumë të tjerë. I shkreti Dhimitër, jetonte në një dhomë të vjetër afër ish kinema 17 Nëndori, i veshur keq, plak i krusur nga burgu që kish bërë, jetonte duke dhënë fshehtas mësim gjuhën frënge. Kishte jetuar 20 vjet në Paris. Si patriot u kthye në Shqipëri ku e priti burgu, kuptohet pasi ja konfiskuan krejt pasurinë. Tek ai, në bibliotekën e vjetër të mbingarkuar me libra të vjetra, pashë katallogjet e muzeve të famshme të artit, të Luvrit, të Versajës etj. Praktikisht banesa e tij përbëhej nga vetëm një dhomë e ngushtë, ku kishte një bibliotekë dhe një krevat, një stol të vogël dhe një plitkë ku gatuante. Dera prej dërase të vjetra me ngjyrë të kaltër të shplarë lidhte dhomën me çardhakun, ishte dhe dera që të nxirte jashtë. Në dimër duhej ta mbyllje shpejt kur hyje pasi ftohej komplet dhoma  që nuk kishte me se të ngrohej. Intelektual i shquar, patriot, lingvist, botuesi i shumë librave të patriotëve më në zë shqiptarë të periudhës interbelike, e mbështillte qafën me një peshqir dalë boje, mbante në duar ca doreza leshi të grisura dhe rrinte në krevat i veshur me një pallto të vjetër me jakë të nxirë. Kur fillonte të ligjëronte në theksin e tij parizian dhe të fliste për Francën, Parisin, Hygoin, Balzakun, Molierin etj., i shkëlqenin sytë, transformohej, gunga e tij sikur zvoglohej. Këtë fat pati dhe Isufi e të tjerë pasi bënë të njëjtin gabim, u kthyen nga Parisi në vëndin e tyre.

 

Gjatë kësaj periudhe të pas lufte, paralelisht Enveri organizoi çarmatimin e kosovarëve, vrasjet masive të nacionalistëve në Kosovë, zhdukja e luftëtarëve kosovarë në Tivar, dhe deri në tërheqjen e trupave shqiptare nga Kosova për ti lënë dorë të lirë regjimit të Rankoviçit. Ndërkohë filloi eleminimi i veteranëve të luftës brënda vëndit, ish formuesit e PKSH të mbetur gjallë, sidomos antarëve të grupit të Shkodrës, ata që i kishin shpëtuar spastrimit gjatë periudhës së luftës. Ky aksion arriti kulmin me vrasjen e Nako Spiros, pasi nuk pranoi të firmoste planin titist të nënshtrimit ekonomik.  Duke qënë kryetari i komisionit të planit të shtetit, Nako Spiro në 1946-tën, nuk pranoi të barazonte vlerën e lekut shqiptar me dinarin e zhvlersuar jugosllav. Nakua, natën e fundit të qëndrimit, në një dhomë hoteli në Beograd piu dy paketa me cigare duke shëtitur tutje tëhu. Nuk i besohej, plani dy vjeçar i pregatitur nga pala sërbe binte erë, propozonte skllavërimi total të Shqipërisë.

 

Me gjith urdhrat e marra ai refuzoi ti zbatonte, gjë që e korigjoi Enveri më vonë duke ja dhënë sërbit në tavë gjithë pasurinë e vëndit të mbetur nga lufta.  Pas kthimit në Tiranë e vranë dhe thanë se vrau veten. Im atë ishte nënkryetari i atij delegacioni, si shokë lufte të mbrujtur me patriotizmin më të lartë, kurrë nuk bënë pazar as jetën e tyre dhe vendosën të mos dorzoheshin para shantazhit titist. Ne jetonim atëhere në një shtëpi të vogël përdhese me bahçe në rrugën e Elbasanit. Kjo shtëpi ruhej nga angjentët e sigurimit të Koçi Xoxes, nga jashtë dhe nga brënda oborit, sa një natë halla e babait, nanë Zizja, një plakë e vjetër burrneshë që sja bënte tërr syri, doli në obor dhe u tha ”djema dilni pak më tutje se na trëmbet fëmija”.

 

Kështu filloi procesi i ”djegjes së shtrigave” të inkuzicionit mesjetar në formën e tij të re, në kushtet e Shqipërisë komuniste. U eleminua Gjin Marku në kongresin e parë, pasi akuzoi Enverin për veprimtari antishqiptare pro titiste. U eleminua Koçi Xoxe që ishte bedeli i Enverit, një analfabet injorant i hypur në pushtet në rolin e ministrit të brëndëshëm, duke ja hedhur atij fajet e krimeve, që Enveri vetë i kish organizuar. Kështu mbaroi punë me konferencën e Beratit ose ”prapskena e Beratit” siç e quajti më vonë në veprat e tij. Në 1943, në këtë konferencë ai u kritikua rëndë për shkeljet e bëra, edhe përpak dhe do dilte jashtë loje, u propozua për përjashtimin e tij, por shpëtoi në saj të ndihmës që i erdhi nga ana e Mugoshës dhe Hysni Kapos, i cili përvete e filloi karierën e tij duke eleminuar Sadik Premten dhe duke vrarë Ali Demin në Vlorë.

 

Në vitet 50, e ashtuquajtura periudha pro ruse, pasi u hodh poshtë “shpëtimtari” Tito, na u bë ”baba” Stalini, i cili vdiq shpejt. Mjaft të rinj, veteranë të luftës u shkolluan në Moskë. Por meqë rreziku Enverit po i vinte tani nga klika e Hrushovit pas kongresit të XX-të në BRSS (1956) dhe paralelisht në konferencën e partisë së Tiranës, ku ai akuzohej për kultin personal, filloi një val e eleminimit të komunistëve ”filorus” me idera revizioniste. U eleminuan Bedri Spahiu, Liri Gega në fillim, më von dhe Liri Belishova (të tre anëtarë të birosë politike). Kjo periudhë u mbyll me gjygjin e famshëm antiçam, ku u egzekutuan Tahir Demi dhe Teme Sejko, veteranë të luftës dhe zyrtarë të lartë të pushtetit ”popullor”. U hapën vënde boshe në byron politike që u plotësuan me injorantët Pilo Peristeri, Rita Marko, Hysni Kapo etj., Këta ishin yzmeqarët e Enverit, material mbushës dhe figurantë, sidomos xha Pilua që kishte vetëm një detyrë, shëtiste nëpër qëndra pune dhe u kallzonte miletit se si e kishte njohur ai Enver Hoxhën në Korçë kur punonte si çirak. Rita Marko ishte kamzhiku i Enverit, kush nuk rrinte urtë dhe nuk bindej kishte punë me të.

 

Në vitet 60-të, ishte periudha kineze. Revolucioni kulturor Maoist u shtri edhe në Shqipëri duke bërë viktima të shumta. Një nga metodat më të çmëndura ishte ajo e ”flet rrufeve”, dmth njerëzit për motive të ndryshme mund të akuzonin publikisht kë të donin (si në Kinë). Kuptohet kjo punë u organizua dhe u drejtua plotësisht nga partia për të eleminuar elementët e pakënaqur ndaj politikës enveriste. Kjo periudhë arriti kulmin e saj me maskaradën e ndalimit të fesë në Shqipëri, që solii shumë viktima njerëzore dhe ndrydhje të shpirtit shqiptar. Ndërkohë u shkatruan të gjitha vlerat historike dhe të kultit shqiptarë, si kisha, xhamija, manastire etj. Më kujtohet Theofan Popa, historian i artit mesjetar, i cili qau kur morri vesh për prishjen e kishave të shek.XIV të Voskopojës me afreske të pikturuara nga Onufri (rilindja e hershme shqiptare). Theofani i shkolluar në Janinë për teollogji në vitet 30-të, njohës i gjuhëve të vjetra, një bibliotek dhe arhivë shëtitëse, me prejardhje nga familja e nderuar Popa nga kalaja e Elbasanit, pas lufte pasi bëri nja dy vjet burg,  u la në haresë më vonë. Kjo nuk zgjati përgjithmon, ai vëzhgohej dhe ndiqej vazhdimisht nga sigurimi, prandaj dhe ishte shumë i kujdesshëm. Shpesh ma tërhiqte vëmëndjen kur i jepja gojës, si i ri pa eksperiencë. Më në fund ja gjetën çelsin, i futën djalin në burg, gjë që e vuri përfund në shtratin e vdekjes.

 

Në vitet 70-të, Enveri u sëmur. Paranoja pushtoi trurin e tij. Filloi të trëmbej dhe nga hija e tij. Për të, të gjithë antarët e byrosë dhe të qeverisë ishin të dyshimtë, kundërshtarë, që donin ta rëzonin nga pushteti, pra potencial armiq të popullit. Në këtë periudhë ai nuk kishte më frikë nga populli, të cilin tashmë e kishte shtypur mirë nën thundrën e sigurimit të shtetit, askush nuk pipëtinte. Rrezikun e shihte nga ata që kishin diçka pushtet dhe që ja njihnin metodat. Spastrimin e filloi me të famshmin pleniumi i IV i KQ të partisë. Grupi i kulturës me Fadil Paçramin, grupi i ushtrisë me në krye Beqir Ballukun, të cilët u deklaruan armiq, agjentë etj., të cilëve iu aplikua një regjim special. U goditën kryesorët për të vazhduar me nivelin e dytë, të tretë, të katërt e deri tek farefisi i tyre. Me grupin e Fadilit ra dhe Koço Vasili (ish drejtori i teatrit të operës dhe baletit) të dy ishin një nga 200 petritat që formuan PKSH-në. Më tej vijuan Thoma Deliana ish ministër i arsimit, Todi Lubonja ish drejtori i RTSH-së, të dy antarë të KQ të partisë. Grupi ekonomik i kryesuar nga Koço Theodhosi (ministër i industrisë dhe kandidat i byros politike), Kiço Ngjela (minister i tregëtisë), Vasil Kati (zv/ministër), etj.  Në qëndër të vëmendjes filluan të vihen intelektualët e rinj, mbi të cilët ra sopata e luftës së klasave. Kështu e pësuan dhe artistët si Sherif Myrdani (këngëtar), Xhevahir Spahiu (shkrimtar), Vilson Blloshmi (poet), Max Velo (arqitekt) e shumë e shumë të tjerë. Prodhimi i kromit u rrit në menyrë progresive, exporti i tij pa nivelet maximale pasi siguroi valutën e nevoshme për importimin e armëve. Lufta e klasave hyri si plugu në rradhët e Partisë Punës.

 

Desha të përmënd një rast shumë tipik. Baki Kongoli, veteran i luftës, komunist, nga një familje intelektuale me emër të Elbasanit, drejtori i institutit të folklorit, i shkolluar në Itali, kompozitor, u përjashtua nga partia pasi kishte miqësi me Beqir Ballukun (shokë lufte në brigadën e II-të). Akuza për të ishte se në darkat familjare kishte ftuar Beqirin me Havanë (të shoqen), i kishte rënë violinës dhe kishte kënduar këngët e Isuf Mezyrit (këngë popullore elbasanase). I shkreti Baki, një burrë i urtë dhe i shtruar, shumë i dashur me të gjithë, e hoqën nga shtëpia dhe nga puna, e diskretituan në publik si miku i armikut të popullit, vdiq me marraz (past rahmet). Beqiri vetë një veteran injorant, ministër i mbrojtjes, iku për dhjam qeni dhe nuk e morri vesh përse. Kur e pushkatuan bërtiste ”rroftë partia”. Ai u sakrifikua për të eleminuar grupin e gjeneralëve veteranë (Rahman Perlaku, Arif Hasko, Hito Çako, Petrit Dume… etj.). Në lagjen tonë (Tirana e re), të gjithë rrinin me frik në zëmër sa dëgjonin zhurmën e një kamioni. Prisnim me ankth se para derës së kujt do ndalonte. Asnjë nuk ishte imun, kushdo mund të kthej në armik për 24 orë. Ministrat dridheshin, në çdo mbledhje të qeverisë ose të byros politike ku mund të humbisnin gjithshka pa asnjë shkak. Mjerë ai që hynte në shënjestër.

 

Në atë periudhë askujt nuk i shkonte ndërmënd të kritikonte, jo e jo, por as të shprehte ndonjë mendim personal. Të gjithë prisnin të thoshte Enveri diçka, që pastaj të hidheshin kush e kush më parë ta mbështeste dhe ta lavdëronte për gjenialitetin e tij (lexo çmëndurinë). Bile heshtja shihej me dyshim, ose disa e gjykonin se ishe shprehur jo mjaftueshëm, apo e kishe thënë me zë të ulët devotshmërinë. U kërkoj i ndjes viktimave të tjera që nuk i përmënd në këtë shkrim, por është komplet e pamundur pasi lista është shumë e gjatë. Disa prej tyre ndruan rolin në periudha të ndryshma, nga gjuetarë të armiqve, u kthyen në armiq dhe pasuan fatin e viktimave që ata vetë kishin bërë. Kështu nuk mund të haroj Bedri Spahiun, Liri Gegën, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun etj.

 

Enveri morri publikisht autorsinë e zbulimit të grupeve ”armiqsore”, bile akuzoi Kadriun për munges vigjilence në mbledhjen e KQ. I sëmur siç ishte i shkëlqenin sytë kur dëgjonte se mund të dilte një armik i ri dhe këtë e bënte pa luajtur nga kolltuku me ndihmën e ”ushtarve” të partisë që vigjëlonin (pëgjonin) dhe imagjinatës së tij shumë pjellore. Nga njëherë kosultohej dhe me të shoqen, shokun e jetës, shoqen e luftës, të uzurpimit të partisë dhe të intrigave për marrjen e pushtetit. ”Delikatja” i mbeti besnike dhe sot e kësaj dite, ku me gjith sklerozën e moshës së thyer vazhdon të nxjerrë serinë e kujtimeve të saja për Enverin. Ora e saj ka ndaluar me kohë, para 30 vjetësh. Ndoshta e ndihmon nga pak Hysen Milloshi dhe shërbëtorët e tjerë, që janë në moshë më të re dhe e kanë kujtesën më të freskët.

 

Ata që ngritën kokë dhe zunë vëndet e lira, të krijuara në strukturat e partisë dhe të pushtetit, ishin ca militantë pa asnjë vlerë që bërtisnin fort për partinë. Ngjireshin duke brohoritur. Kuptohet jo të gjithë ata që bertisnin fort dhe betoheshin për ”ideal të partisë” bënin karierë, duhej të kishe merita të veçanta për këtë. A propo, për çfarë ideali bëhej fjalë, keni dëgjuar këtë betim ndonjëherë? Betoheshin ashtu ata që nuk kishin asnjë ideal, kishin vetëm metoda për të hypur në karierë, dhe kjo ishte – bëji gropën tjetrit ti zësh vëndin. Prandaj sejcili kërkonte mvartës më injorant ose më idiot se vetja. Nënpunësit e zgjuar, kurrë nuk bënin dot karierë në parti ose pushtet, për vetë faktin se ishin të zgjuar ose më të ditur. Ky fenomen u shtri avash avash dhe në art dhe kulturë, në arsim e kudo. Shteti shqiptar në vitet 70-të u transformua, u shndrua në një shtet injorantësh. Kështu u krijua dhe Akademia e Shkencave pasi me dekret u emëruan një tuf me profesora që s’kishin botuar asnjë libër, s’kishin bërë asnjë studim. Për ilustrim po ju jap dy shëmbuj. Profesor Kumbara, mbaruar në Moskë për ekonomist inxhinjer metalurg, i cili gjithë jetën lëvriu nëpër zyrat e ministrisë së industrisë.

 

Pasi u kthye nga Rusia, kopjoi një uzinë të vjetër për shkrirjen e bakrit të Uraleve, me teknollogji të kohës së Carit dhe e ngriti në Kukës. E shkatëroi gjithë zonën, i sëmuri gjithë puntorët, të cilët villnin gjak prej squfurit që gëlltisnin përditë, edhe sot e mallkojnë ditën kur u hap ajo uzinë. Shpesh i thoja – ”profesor me atë që ke bërë në Kukës edhe në var nuk do gjesh rehat”.  Profesor Besim Daja, arqitekt që gjatë gjithë jetës së tij nuk bëri asnjë projekt dhe nuk botoi asnjë libër, por thjesht jepte mësin vizatimin teknik në fakultetin e inxhinjerisë. Ky, me të marr titullin u bë dekan dhe më vonë zv/rektor i UT – së si dhe antar i këshillit popullor të rrethit të Tiranës. Këta ishin akademikët e Shqipërisë, si puna e kryetarit të saj Prof.Alex Buda, historian pa histori, nuk i pash një libër të botuar me emrin e tij. Detyra e tij ishte të merrte pjesë nëpër mbledhje dhe të rrinte urtë nëpër presidiume kur ftohej nga partia. Shpesh kur shihja të shkretin Haxhi Lleshi (ish presidenti i Shqipërisë), që rinte me kokën varur mënjëanë nëpër kongrese ose në Kuvëndin Popullor, si gjynahqar, më vinte keq për të ku ishte katandisur. Gjith ai dibran, luftëtar, patriot, u katandis të mos thoshte dot një fjalë gjëkundi.

 

Na mbytën injorantët që nuk mbaroheshin. Sa binte njëri hop hypte tjetri i zinte vëndin.  Ata e kuptuan momentin, që të bëje karierë, duhet të ishe ”vigjilent” të zbuloje armiqt e popullit dhe të informoje partinë (Enverin dhe sigurimin).  Nëse partia u jepte leje, hidheshin si bisha sipër ”viktimës” dhe shqyenin deri tek thërimja më e vogël, lëpini dhe buzët më pas që ti shihte Enveri se megjithmënt kishin ngrënë nga mishi i armikut. Kështu na dolën një gjeneratë e re drejtuesash injorantë që i vunë kazmën asaj që ishte realizuar me aq mund nga populli dhe veteranët e luftës. Ka patur raste dhe nga këta që e hëngrën pas shpine si puna e Veli Llakaj me shokë, por ishte luftë mês ujqish për copën e mishit që u hidhte Enveri. Pali Miskja, nga shofer në Durrës u bë ministër dhe antar i biros politike. Në një mbledhje me kuadrot e ministrisë na thoshte ” unë s’marr vesh nga këto, por po ju them ca gjëra që mi thanë atje, ju jeni me shkollë dhe e kuptoni vet se partia….”.

 

U mbush udhëheqja e partis me emra të panjohura si Hekuran Isai (ministër i brendëshëm nga Peqini) pa shkollë ish shefi reparti në rafinerinë e naftës Cërrik, i cili fliste një gjuhë të trashë katundari sikur dje të kish zbritur prej Garuje (fshat i Peqinit). Lenka Çuka prej Lushnje, që la stallën e lopëve për tu bërë ministre dhe antare e byros politike. Në një mbledhje të komitetit të partisë së Lushnjës i tha sekretarit të partis së rrethit ” unë ti heq brekët nga sipër e morre vesh morr…”.  Simon Stefani, anëtari i biros politike dhe sekretar i KQ, mbulonte dhe kuadrin. Njëriu i zi që e kishin frik të gjithë, nga puntor nafte hypi me katapult. Këta tërhoqën pas vetes gjithë tarafin e tyre që u bënin hosana me ditë me natë. Tefta Cami, nga një mësuese filloreje të një fshati (rrethi i Peshkopisë), një mikeshë e Hekuran Isait, u bë ministre e arsimit dhe kulturës. Në një vizitë të saj në Francë, shtypi francez komentonte, ”erdhi ministrja e kulturës pa kulturë”.

 

Në kohë që veteranët e luftës shiheshin me dyshim, pasi nuk ishin ”bijt e rritur nga partia” dhe kishin mbeturina nga e kaluara (mentalitet i trashëguar nga tradita shqiptare), këta në rastin më të lumtur liheshin në hije. Vetëm një pakicë e vogël që e drodhi dhe iu shtri nën këmbë Enverit mbijetoi, si puna e Ramiz Alisë me shokë. Ramizi shpëtoi në fill të perit në 1974-ën, por bëri një autokritikë” të shëndoshë”, iu betua Enverit se do i mbetej besnik për tërë jetën (dhe ashtu ndodhi), dhe u hodh me zell të jashtzakonshëm kundër shokëve të tij për ti groposur. Nejse këtë punë e kishte bërë dhe më parë që kur ishte një quravec në luftë. Me formimin e brigadës së shtatë e futën si spiun në shtabin e brigadës, me detyrën e përgjegjsit të rinisë. Ishte vetëm 17 vjeç, po punën e bënte të madhe spiunonte tërë shtabin tek Enveri. Dihej se pika nevralgjike ishte Kadri Hoxha, komisari i brigadës dhe Gjin Marku komandanti. Që aty e filloi karierën Ramizi, në fund të luftës u bë komandant i divizionit V-të e kështu me rradhë.

 

Periudha e fundit, vitet 80-të, filloi me vrasjen e Mehmet Shehut. Fuqin e morri e shoqja, ”Pantera e zezë” siç e përshkruan Fari Balliu në librin e tij. Grupi i saj ortodoks, që morri përsipër të siguronin vazhdimsinë e pushtetit pas vdekjes së Enverit, vunë si pasardhës Ramizin frikacak, i cili kishte shumë gjynahe dhe mund të shantazhohej kollaj. S’kishte nga já mbante, do vazhdonte rrugën e Enverit, siç u shpreh në 1985-sën në Korçë. Kori i sahanlëpirsve si Hysni Milloshi me shokë filluan hosananë e ”vazhdimsisë”. Kjo punë vazhdoi deri sa hyri Shqipëria në kolaps, dhe i hodhi njerëzit në rrugë. Plani i kromit vazhdonte të realizohej si përherë.

 

Si u bë Enveri stalinist?

 

Nuk jam kronikar, as historian, por kam të drejtën si dëshimtar i kohës të jap opinionim tim, që është rezultati i gjithë informacionit direkt të grumbulluar gjatë jetës, i përjetimit nga afër të ngjarjeve të ndryshme, i bisedave me veteranët e partisë, të luftës, dhe të rindërtimit të Shqipërisë. Kam patur rastin të njoh personalisht, gati të gjithë formuesit e partisë komuniste që mbetën gjallë pas lufte dhe pas spastrimeve të ndodhura deri në vitet 60-të. Kam njohur pjesën më të madhe të antarëve të byrosë politike, të qeverisë, të dënuarit dhe të përjashtuarit, të lavdëruarit dhe të lënët në heshtje. Kam njohur familjet dhe fëmijët e tyre, me të cilët isha bashkëmoshatar dhe koleg në shkolla. Kam asistuar në biseda të lira ndërmjet dëshimtarve të ngjarjeve të mbuluara me heshtje, që nga koha e luftës e deri më vonë. Kam dëgjuar opinione të shokëve të heronjve dhe armiqve të partisë dhe arrita në konkluzionin se diferenca midis tyre ishte thjesht një aparencë propagandistike, në vartësi të momentit dhe orientimit të Enverit.

 

Kuptova se për Enverin nuk kishte rëndësi se çfarë kontributi kishte sejcili dëshmor i luftës, mund të ishte një kalama i vrarë rastësisht nga një plumb qorr dhe të transformohej në hero, kur një tjetër që kishte patur një aktivitet të gjatë dhe të ishte vrarë në përballje direkte me pushtuesin të lihej pak në heshtje. Mund të ishtë vrarë në një kurth të ngritur prej vet Enverit dhe të shpallej hero, por mund të ishte vrarë nga vetë shokët dhe veglat e Enverit me urdhërin e tij dhe të bëhej hero. Keshtu ndodhi në rastin e kushëririt tim Ali Demi më 1943 (ish sekretari i pare e qarkorit të Vlorës) që u vra nga Hysni Kapo, për ti zënë vëndin, kuptohet me miratimin e tij.  Po e mbyll me kaq për ti lënë vënd një prezantimi të shkurtër të figurës së këtij diktatori që hyri me zor dhe me dhunë në historin e vëndit tonë, duke krijuar një epokë të paharuar për memorjen kolektive të popullit shqiptar.

 

Një djalosh i bukur arriti në rrugët e Parizit në vitet 30-të, ku zbuloi parajsën e lagjes Pigal. U çorientua komplet dhe haroi se kishte vajtur për të studiuar. Jeta bohemë, kabaretë, kishin shpenzime të mëdha që i kapërcenin ato që i dërgonte kunati ose bursa e vogël e mbretit Zog i Parë, gjë që e detyroi të bënte gjëra të pahijshme, të cilat u mundua ti fshehë gjatë gjithë jetës. Mjerë ata qe e patën njohur në atë periudhë pasi shumë prej tyre e patën jetën në rrezik mbasi ky djalosh u transformua papritur në burrë shteti, udhëheqës dhe ”bir i shtrënjtë” i popullit shqiptar. Kur u kthye dhe i mbeti si dopio gjashta në kurriz familjes, i papunë, me ndërhyrjet dhe influencën e patriotit të shquar Bari Omari, bë profesor pa mbaruar asnjë shkollë. Jepte frëngjisht në nuk e di se çfarë shkolle në Korçë. Atje, që të ishte sa me larg Karuselit (bar dhe bordel, ku luhej bixhos në mesin e Tiranës së asaj kohe), sa më larg syve të opinionit zyrtar dhe shoqërisë së lartë të Tiranës. Gjatë viteve 90-të, dolën plot gjëra të shëmtuara për të në shtypin e përditshëm. Nuk vë dorën në zjarr dhe nuk kam mundësi praktike të hetoj vërtetësinë e tyre. Ka shumë autorë të tjerë që merren me këtë punë. Por për një gjë jam i bindur, e vërteta nuk vonon dhe nuk mbulohet dot përgjithmon.

 

Në ditën e fundit të mbledhjes së formimit të partisë komuniste (1941), futet i ftuar dhe i rekomanduar nga agjentët e Titos. Më von pasi eleminon disa kryesorë të lëvizjes, vetzgjidhet kryetar i përkrahur nga Koço Tashko dhe Delikatja (që iu bë më vonë grua). Gjatë gjithë kohës rrinte i fshehur, larg lëvizjes dhe nuk morri pjes në asnjë aksion. Aktiviteti i tij u përqëndrua në takime të fshehta ku kurdiste intrigat e tij. Në 43 – shin për të qënë më i sigurt u largua nga Tirana, për tu fshehur në Labinot e Çermenikë. Nuk hodhi asnjë pushkë gjatë gjithë luftës. Bënte mbledhje të fshehta dhe dërgonte letra konspirative. Askush, asnjë shqiptar nuk e njohu gjatë luftës. Për herë të parë doli në publik në të ashtuquajturin kongres të Përmetit, ku u zgjodh dhe në krye të qeverisë së përkohëshme. Më gjithë këtë, pas lufte nuk nguroi të përfehtësonte dhe të merrtë përsipër autorsinë e luftës nacional-çlirimtare mbarëpopullore.

 

Shumë ngjarje dhe shumë fakte u shpronësuan, duke përfituar nga rasti se autorët e tyre nuk jetonin më, ndërsa ndonjë që kishte dijeni nuk guxonte ta kundërshtonte në publik. Kështu, në veprat e tij u paraqit si themeluesi i shtypit ilegal dhe autori i traktit të parë në fillim, pas krijimit të partisë komuniste. Rastësisht duke lexuar kujtimet e Meriban Najdenit (ilegalistja që shpërndau traktin), më ra në sy fraza se traktin e parë e morri nga Voci (pseudonimi i Niazi Demit) në darkë vonë pranë shkollës Nëna Mbretëreshë në Tiranë. Në të njëjtën kohë në kujtimet e e tij Alex Çaçi, shkruan se u ngarkua nga Qemal Stafa për krijimin e fletushkës Kushtrimi i Lirisë. Të gjithë veteranët e asaj kohe tregonin se me ngritjen e shtypshkronjës së partisë u morr Nako Spiro. Ndërsa në 20 Maj 1942, kjo bazë konspirative u dekonspirua nga një letër anonime dhe karabinjerët arestuan aty Vocin, në një dhomë të nëndheshme plot me dokumenta të partisë dhe armë. Raporti i kuestorit të Tiranës së asaj kohe drejtuar prokurorit të përgjithshëm, gjëndet në arkivën e shtetit, kam dhe unë kopjen e tij.

 

Kariera e tij u lidh pazgjithmërisht me Titon dhe ndihmesën që i jepnin agjentët e tij. Mos ishte prishur Tito me Stalinin, Shqipëria do ishte edhe sot e kësaj dite republikë e shtatë e Jugosllavisë. Më shumë vështirsi e morri kthesën për të shplarë protitizmin e tij deri në 1948-tën. Já doli mbanë pasi shkeli mbi kufomën e bedelit Xoxe. I shkreti iku për dhjam qeni. Megjithë devotshmërinë e tij për të eleminuar kundërshtarët e Enverit dhe komunistët e tjerë që nuk rrinin urtë, prap e hëngri plumbin nga shefi i vet. Përplasjen përfundimtare e pati në kongresin e parë ku triumfoi mbi Gjin Markun dhe më në fund u zgjodh legal sekretari i parë i partisë. E ndihmoi dhe loja që organizoi shërbimi i fshehtë me ”bombën” e hedhur në ambasadën ruse. Aty eleminoi ca opozantë, po jo të gjithë, se ja ndaloi reprezaljet ambasadori rus (1951, u pushkatuan pa gjygj 10 intektualë ).

 

Pasi morri pjes në varrimin e Stalinit (Moskë 1953), u morr vesh me udhëheqjen bolshevike për ndihmën që do i jepnin, u deklarua hapur stalinist. I shkreti nuk dinte se çfarë gatuhej atëhere në koridoret e Kremlinit. U kthye në Shqipëri dhe filloi ta kthej tërrë makinerinë propagandistiketë partisë në drejtim të hyjnizimit të baba Stalinit, kur ndërkohe në Moskë po pregatitej varrimi i figurës së tij. Kjo mos përputhje e bëri të kapej në befasi në koferencën e Tiranës, ku për pak sa nuk u hodh poshtë. Nga që kishte vjellur shumë për Stalinin dhe bëmat e lavdishme të tij, dhe e kuptoi se në zyrat e Kremlinit po përkraheshin të tjerë drejtuesa të partisë, pra ditët po i numëroheshin, e pa të arsyeshme të luftonte deri në fund duke e shtrënguar fantazmën e Stalinit fort në gji. Filloi beteja për eleminimin e prorusve revizionistë. Ndërkohë rimorri fshehtas lidhjet e vjetra me Titon, por kësaj radhe jo hapur por nën rogoz. Hendeku u hap në mbledhjen e Bukureshtit (1960) dhe ndarja zyrtare ndodhi në mbledhjen e 81 partive në Moskë (1961). Aty filloi dhe flirtin me kinezët.

 

Në vitet 60 –të, e më tej, pas shkëputjes nga kampi socialist, Enverit i lindi idea të deklarohej si mbrojtësi i vetëm i Stalinit dhe si marksisti-leninisti më i vendosur në botë. Përhapjen e kësaj ideje brënda Shqipërisë e kryenin në mënyrë të organizuar, gazetat, revistat, lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve dhe deri tek merimanga e organizatave bazë të partisë në teritor. Kështu filluan të dalin ”kryeveprat” artistike të proletkultit të cilat e çuan më tej këtë fushë të manipulimit në masë, duke e zhvilluar më tej teorinë e realizmit socialist në kushtet e vëndit tonë. Mediokriteti, hipokrizia, fallsiteti, dominuan dhe prodhuan pseudo artistë në masë, aq të etur për karierë dhe emër. Kështu pamë të ngrihen monumente gjigande, ku figura e diktatorit në krye të  ”kllasës puntore” dominonte sheshet, faqet e murreve, galerive etj. U prodhuan filma si ”Furtuna” gjatë xhirimit të së cilës salla e kinemasë su mbush asnjëherë.

 

Enveri nuk jepte dy lekë për Stalinin, pasi për natyrën e tij dhe ëndrat rinore që pati, nuk e kapërceu kurrë lagjen Pigal, por ja që fantazma e tij i duhej. Ai i kopjoji Stalinit veprat, metodat, pozat, taktikën e luftës së klasave brënda partisë dhe në gjirin e popullit. E ka studiuar me imtësi politikën e kuadrit të aplikuar nga Stalini, mënyrën e organizimit të pogromeve, të fushatave vrastare. Filloi të shtirei fillozof si ai, dhe të bëhej kritik arti sidomos në fushën e letërsisë. Vetëm që nuk la mustaqe, dhe nga pamja e jashtme ndryshonin shumë, çifuti gjeorgjian xhuxhmaxhuxh, gjirokastriti i gjatë dhe i bukur. Kishte avantazhin e zërit aktoresk dhe shkollës së interpretimit para publikut. Jam i sigurt se vuante shumë, që kishte lindur në një vënd të vogël dhe i mungonin përmasat gjigande të stepave ruse, të cilën u mundua ta kompesonte me apsolutizmin e mbrëndëshëm dhe mashtrimin, tërheqjen e levizjes pseudomarksiste perëndimore.

 

Për ti dhënë dimensione ndërkombëtare si çdo diktator, që e respekton veten (shih Stalini, Tito, Mao, Fidel Kastro etj.), vërshuan në Tiranë të ftuar grupe marksiste nga Italia, Franca, Brazili etj. U bë regull, që në çdo kongres të partisë, vinin delegacione nga partitë marksiste të perëndimit. Në fakt ishin fraksione minuscule të cilat u shkëputën nga influenca e BRSS-së, që merrnin financime nga Kina dhe Shqipëria. Kryetarët e delegacioneve lexonin nga një përshëndetje 5 minutëshe, ku lavdëronin suksesete socializmit dhe të udhëheqsit të madh. Këto multiplikoheshin pastaj në shtypin zyrtar dhe shpërndaheshin si broshura nëpër diasporë nga ambasadat. Kështu mundoheshin të krijonin përshtypjen, se Enveri ishte një udhëheqës marksist-leninist të nivelit botëror. Ai luante teatër në presidium dhe para ekranave, lëshonte kërcënime ndaj përëndimit dhe lindjes, dmth kundër imperializmit dhe revizionizmit në botë. Ishte ”heroi” ynë që si bëntë syri tërr para ”kuçedrës imperialiste”, i vetmi, që qëndronte si ”shkëmb graniti”, një Gjergj Elez Alia, Skënderbeu modern, për të cilin populli shqiptar bënte harakiri.

 

Nga Zerlanda e Re, na erdhi Ron Teylor, sekretar i një partie që nuk egzistonte më. Në vitet 60-të Roni emigroi në Kinë, më vonë meqë kinezët nuk ja varën shumë, erdhi në Shqipëri. Ju dha strehim atij dhe familjes së tij, rogë, shërbyese dhe privilegje të tjera. Punonte me Ramiz Alinë për propagandën e jashtme në zyrat e KQ, më vonë si përkthyes në Radio-TV të Tiranës. Në vitet pas 1985-ë u kthye në Zerland me sa di unë. Familja iku pas 1990-tës. Kishte katër fëmijë me ngjyra dhe nëna të ndryshme, të cilët u shkolluan në Shqipëri falas. Ky personazh, filloi të dilte dhe të përshëndeste në kongreset e partisë punës në emër të një partie që nuk egzistonte më. Kjo ishte detyra e tij dhe për këtë roi për qejf 20 e ca vjet plot, me tërë salltanetet bashkë me familjen e tij.

 

Kjo maskaradë që përsëritej vazhdimisht, morri përmasat e groteskut. Shihje njerëz të thjesht, injorantë të indoktrinuar, sy të përlotur që mahniteshin para spektaklit të organizuar. Dëgjoje brohoritje dhe duartrokitje histerike që vazhdonin minuta të tëra pas çdo deklarate bombastike. Induktoheshin emocione fallco, krenarira të paqëna, dashuria ndaj xhelatit, lumturi imagjinare e fantazuar. Manipulimi ishte i përkryer, skenari i prodhuar në zyrat e KQ ishte shumë i studiuar në detajet më të imta. E gjitha kjo shoqërohej me publikimin e veprave ”të ndritura” të Enverit, që prodhoheshin në institutin e Nexhmies, shumëfishoheshin, përktheheshin dhe shpërndaheshin në botë nëpërmjet këtyre grupeve marksiste. Lindën Lei Fen-at shqiptarë. Në 1975-sën, pata rastin të shihja filma shqiptarë të dubluar në gjuhën kineze. Kam qeshur me lot bashkë me shokët e mi, kur pash se si Rikard Larja (aktor i njohur në kinematografinë shqiptare) i ngrirë në maj të shtyllës së telefonit, i thoshte në telefon centralistes, së dashurës së tij të fshehtë –  ” uo e ni ” (të dashuroj) në kinezçe. Kinezët qanin në kinema, për ta ishte perfekt i kuptueshëm filmi, ishte kinezçe, që nga skenari, textet dhe diallogjet e deri tek gjuha e dubluar. Në atë kohë në Kinë nuk çfaqeshin filma të huaj, përveç ”Leninit në tetor” dhe ca filma shqiptarë.

 

Kjo punë u transformua në industri. Për të punonin me mijrea punonjës intelektualë të lirë ose të burgosur. Për të buxheti ishte i hapur, shpenzohej pa asnjë kufizim apo limit. Ndër të tjera, një formë shpërblimi për propagandën që bënin, grupet marksiste si dhe disa persona të diasporës shqiptare, ftoheshin të kalonin pushimet gratis në Shqipëri. Këta kishin përkthyes, shofera, autobuze, shoqëruesa, në dispozicion, të cilët pagueshin nga drejtoria e protokollit, nga një fond i veçant. Kontakti me këta ishte shumë i kufizuar, nëse dikush hynte në bisedë rastësisht, në plazhin e Durrësit ose në bulevardin e Tiranës, menjëherë thirrej nga punonjës i sigurimit dhe bëhesh hetimi i rastit. Përveç personelit të caktuar, askush nuk kishte të drejt të fliste me këta të huaj, qoftë dhe grup marksist që na deklaroheshin miq. Kam përshtypjen se zoti nostalgjik ka përfituar nga ky lloj trajtimi gjatë vizitave në atdheun mëmë. E nxjerr këtë konkluzion, duke gjykuar mbi mënyrën se si  e përshkruan ”mrekullin” e regjimit dhe lumturinë e popullit shqiptar nën thundrën e diktaturës komuniste dhe ”epërsinë” e sistemit socialist. Të duket sikur ka shkëputur faqe nga broshurat që ka pas marr në ambasadën shqiptare në atë kohë.

 

Ky njeri ka i gëlltitur me kohë ”këto të vërteta”  (lexo pallavra) të servirura nga regjimi i Enverit dhe me to do të vdesi. Për të koha ka ndaluar në vënd, atëhere në atë kohë, mëndja e tij nuk mund të konceptoj se mund të egzistoj dhe faqja tjetër e medaljes dhe shoqëria shqiptare mund të zhvillohet. Ai duke jetuar në mes ”socializmit” perëndimor, duke përfituar gjithshka që i ka ofruar mirqënia e shoqëris kapitaliste perëndimore, lirin, të cilën ka gëzuar në perëndim, ku asnjëri nuk i kërkonte hesap për idet e tij komuniste, i duhej imazhi i një Shqipërie të izoluar sfiduese pasi ja krehte krenarinë meskine pseudonacionaliste. Për të, vuajtjet e popullit shqiptar, shtypja, genocidi, shkatërimi kombëtar, nuk kishin asnjë vlerë. I duhej heroi, të cilën e gjeti tek aktori Enver Hoxha. I duhej një simbol, të cilin e gjeti tek njëriu që nuk pyeste për asnjëri në botë, i cili shtypte dhe vriste këdo kur i tekej, i cili luante rolin si te Tomi&Jerry, duke përfituar nga konjuktura e luftës së ftohtë. Populli ynë ka një fjalë nuk është turp të lidësh i paditur por është turp të vdesësh i till.

 

Unë e kuptoj këtë fosile të gjallë, pasi kam njohur dhe të tjerë shqiptarë të mashtruar, që jetonin jashtë Shqipërisë. Megjithëse ata nuk kanë shkruar si ky dhe pasi hynin në kontakt me të vërtetat e realitetit shqiptar ndronin mendim dhe kjo ka ndodhur herët, në ditët e para pasi u hapën kufijt dhe e vërteta shqiptare doli në shesh për të gjith ata që kishin sy dhe donin ta shikonin. Kështu sot me pak përjashtime, opinioni kosovar për Enverin ka ndryshuar rrënjësisht. Kosovarët të shtypur nga pushtuesi sërb, kishin nevoj për një idealizim të atdheut mëmë të lirë, kishin nevoj për deklaratat në televizor të Enverit në vitet 70-80, që ishin komplet të kundërta me ato të viteve 1941-48, dhe që nuk kishin të bënin fare me gropën që u hapte kosovarëve për ditë sigurimi e shtetit shqiptar. Ky idelizim u rriste forcat të rezistonin, u jepte shpresën, ëndrën e një Shqiprie të lirë e të bashkuar. Më ngjethet mishi kur kujtoj se si luante ky xhelat i popullit shqiptar me ndjenjat e pastra patriotike të prizrenasve, të dibranëve, të tetovarëve etj. Mallkuar qoftë dita që e lindi këtë përbindësh. I rekomandoj zotit nostalgjik me këtë rast, të lexoj romanin ”Përbindëshi” të Kadaresë, nëse është në gjëndje ta kuptoj.

 

Në 1990, në verë, takova një student ”marksist” englez duke shëtitur në bulevard. Hyra në bisedë më tepër për të ushtruar atë çikë anglishte që dija. Gjatë bisedës u mundova ti shpjegoja realitetin tonë. Ai pasi më dëgjoi me vëmëndje më tha – ti je një tradhtar. Um erën sytë. Nuk e di si u përmbajta pa e rahur vënçe. Një student buzë qumësht, që bënte pushimet gratis në vëndin tim, më jepte leksione marksizmi si puna juaj zoti nostalgjik. Kisha diçka njohuri për këta lloj marksistësh. Skema ishte kështu: Studentët englezë, gjatë pushimeve zbrisnin në Paris, punonin një javë si larës pjatash, me parat që grumbullonin vinin në Ballkan se ishte lirë. Po të deklaroheshin marksistë, mund të hynin në grupet që ftonte partia dhe e bënin pushimet gratis, kështuqë u tepronin paratë të kalonin dhe një javë tjetër në Paris, gjatë kthimit. Grupet nga Suedia ishin më të kamur dhe prishnin më tepër para, po të bënin dhe ndonjë parti sexi për ta ishte OK, pasi ballkanasit ishin më të nxehtë dhe mbi të gjitha gratis pa para. Kishte të rinj durrsak më tepër por dhe nga Tirana, që ishin specializuar për grupet e turistave sexo-marksist. Gjith marifeti ishte të mos të shihte roja e sigurimit ose policia e plazhit, se për ndryshe e kaloje natën në dush të ftohtë. Suedezve u thonim kokë kashta, pasi shumica ishin blondë, me djem me vajza. Këta i gjuanim tek zona e parfumit (kështu quhej zona e rërës para hotelit Adriatik pasi mbante era parfum nga turistat që kundërmonin).

 

Çfarë ndodhi me arsimin në Shqipëri?

 

Nëse ka diçka pozitive në këtë periudhë, është fusha e arsimit, zhvillimi i tij. Kur forcat partizane u organizuan në 1944, në çdo pauzë midis betejave filluan të zhvilloheshin kurse për të mësuar shkrim dhe këndim. Shumica e partizanëve vinin nga fshati dhe ishin analfabet. Në atë fazë mësues bëhesh kushdo që dinte shkrim e këndim pamvarsisht nga niveli i arsimimit. Kuptohet në krye të këtij aksioni masiv ishin nxënsit e shkollave të mesme, nxënsit e Alexandër Xhuvanit dhe të Gjergj Fishtës, të cilët kishin marrë stafetën e rilindasve që iua dorzuan profesorat e tyre, për ta çuar atë më tej.

 

Në vitet e para pas çlirimit, mësimi dhe lufta kundër analfabetizmit u përhap në të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare. Në qytet dhe në fshat. Veteranët e luftës e dinin se lufta çlirimtare nuk kishte mbaruar me largimin e pushtuesit, duhej arsimuar populli që të rindërtohej dhe të zhvillohej ekonomia e vëndit. Kishte një entuziazëm të pa parë, sakrifica të panumërta në të gjitha qoshet e vëndit. Çdo aksion mbështetej mbi bazën e vullnetarëve, të rinisë entuziaste ëndrimtare. Kuptohet që mësuesit e vjetër, ata që shpëtuan nga shpata e Demokleut, ishin në ballë të këtij aktiviteti. Ca nga këta i arriti dhe gjenerata jonë në vitet 60-të. Ishin pedantë, të stilit klasik, bënin një punë sistematike, metodike, dhe me shumë përgjegjsi. Ishin intrasigjentë, nuk të falnin asnjë gabim, sidomos në mësimin e gjuhës shqipe. Kam njohur mësues pasional të historisë, me një kulturë, që rrall e takon sot. Në atë kohë as mund të të shkonte ndër mënd se mund ta merrje notën me ndërhyrje ose miqësi. Ky fenomen u çfaq më vonë, në vitet 70-të, kur mbinë agallarët e rinj, që ofronin kariera të mira mësuesave më të rinj dhe më pak të përgjegjshëm, të tërhequr më tepër nga interesi personal.

 

Radhët e mësuesve shtohej për ditë periudhën e parë. Ndërtoheshin shkolla me ç’të mundej. Shumë fshatarë ofronin kasollen e tyre per zhvillimin e mësimit, u sillnin dhe bukën mësuesave vullnetarë. Shumë nxënës pamvarsisht nga mosha, sapo mbaronin një kurs kundra analfabetizmit ktheheshin si mësues në fshatin e tyre. Pra ishte një reaksion zinxhir, një aksion kombëtar. Të krijohet përshtypja se sikur u zgjua një popull i tërë brënda ditës. Me gra me burra, djem dhe vajza deri dhe të moshuar në disa raste u zgjuan një ditë të bukur me një dëshirë të pa matur të mësonin. Ky fenomen nuk ka shpjegim tjetër veç rrënjve të thella që mbollën rilindasit tanë në periudhën e zgjimit kombëtarë dhe luftës së vazhdueshme të popullit shqiptar për liri. Kur Perandoria dhe Patriarhia ndalonte mësimin e gjuhës shqipe, digjte librat dhe çdo shkrim në gjuhën tonë të ëmbël siç thoshte Naimi. Kur vriteshin mësuesit, pionierat dhe dëshmorët e parë të gjuhës tonë. Në ADN-në e popullit shqiptar u shkrua se të mësosh do të thotë të luftosh për çlirimin e kombit. Kjo është e vërteta jonë dhe jo përallat komuniste. Nuk ishte merrita e komunizmit, nuk ishte merrita e Enverit, ishte merita e popullit shqiptar. Një fakt duhet pranuar se një pjes e veteranve të luftës, ishin të rinjtë e grupeve komuniste, të edukuar me patriotizmin e rilindasve dhe të iluminizmit francez. Edhe sot i kam në shtëpi librat e Marratit dhe Robespierit në frëngjisht, dhe ”Lahutën e Malsisë”, që i pati ruajtur im atë që nga koha e shkollës, në gjimnazin e Shkodrës.

 

Këta të rinj, u shkolluan dhe frymëzuan dhe të tjerë pas tyre, krijuan një gjeneratë patriotike, e gatëshme për sakrificat më të mëdha për realizimin e ëndrës së tyre për një Shqipëri të begatë. Shumë nuk arritën ta kuptojnë qëndrimet dhe politikën e Enverit, kështu që dhe e pësuan, u eleminuan. Por dhe ata që mbetën të heshtur, vazhduan punën e tyre vetmohuese deri në ditët e fundit të jetës së tyre, pa hequr dorë nga ëndra. Ishin të sëmurë të ëndëronin, të pashërueshëm. Përulem me respektin tim më të thellë ndaj këtyre heronjve të heshtur të cilët nuk ngritën kokë kurrë, por veç sakrifikuan gjithshka për çështjen kombëtare. Shumë kam njohur nga këta, ishin njerëz të rrallë. Të ndershëm deri në dhimbje.  I takoja për ditë, në raste festash, në rastet e përvjëtorëve të brigadave partizane. Nuk mbureshin, flisnin pak për veten dhe heshtnin për gjëra që nuk u pëlqente as ti dëgjonin dhe nuk i shikonin si të drejta. Kishin një luftë e brëndëshme kur shihnin abuzime nga ana e ndonjë antari të partisë që i kishte hypur kalit mbrapsht. Ndodhnin dhe përplasje, por aparatçiku kishte Enverin ose ndonjë mëkëmbës të tij krah dhe fitonte shpeshherë. Kjo ishte lufta e vërtet që u zhvillua në Shqipërinë e pas luftës.

 

I nderuari nostalgjik, është e vërtet se Enveri ka thënë diku, që të mësojmë duke punuar, por këto nuk ishin fjalët e tij. Para tij e kishin thënë rilindasit ” të mësojmë duke luftuar”, e kishin thënë Luigj Gurakuqi me Sali Çekën kur organizuan dhe ngritën sistemin arsimor në vitet 1920 – 25, kur u ngrit shteti i parë shqiptar. E kishte zbatuar me kohë mbarë populli shqiptar, që çliroi dhe ndërtoi Shqipërinë e shkatëruar dhe të prapambetur. Enverit i takon autorsia e futjes së luftës së klasave në shkollën shqiptare, i takon fallsifikimi i historisë, indoktrinimi dhe politizimi i sistemit arsimor shqiptar. Ai është autori i politikës së kuadrit në sistemin arsimor ku përkrahej paaftësia dhe mediokriteti. Është autori i ngritjes së akademisë së shkencave pa shkencëtarë. Motoja e tij ishte se pamvarsisht se nuk kishe pregatitjen dhe njohuritë e duhura, duke pas partinë krah, mund të beje mbrekullura, të shëmbje malet, që ne e përkthenim se mund të shtypje popullin dhe ashtu ndodhi.

 

Shkatrimi i sistemit arsimor shqiptar filloi që në vitet 70-të, për të vazhduar dhe pas viteve 90-të. Mësuesit filluan ti shisnin notat, në fillim për privilegje dhe më vonë për para. Mësuesit haruan detyrën e tyre dhe filluan ta konsiderojnë shkollën si dyqanin e tyre, nga duhet të vilnin të ardhura sa më të mëdha. Mësuesit nuk i konsideronin më nxënsit si e ardhmja e vëndit, por i shihnin si një potencial kontribues në begatin e tij personale. Mësuesit e humbën aftësinë dhe dëshirën pë transmetuar dijet nxënësve, këtë e quajtën angari të pashmangëshme, që duhej reduktuar në maximum. Në këtë periudhë as që bëhej fjalë për punë vullnetare në arsim, gjykohej si donkishotizëm, e pakonceptueshme. Mësuesit largoheshin nga fshati dhe më tej nga qytetet e vogla provinciale, bënin gjithshka të shpëtonin, të rrëshqisnin, fusnin miq, paguanin, shpërblenin me favore etj. Nuk besoj se nostalgjikët kanë dëgjuar për këto gjëra. Ju rekomandoj të shihni filmin ”Zonja nga qyteti” dhe mundohuni të kuptoni realitetin që mundohet të mbuloj ky film. Kuptohet se për ne përveç lojës së bukur të artistes, ky film nuk vlente dy pare, ishte një propagandë banale e partisë, na vinte për të vjell  kur na e vinin në programin e TVSH-së dhe zakonisht ndronim kanalin, por një sy i vëmëndshëm mund të nxirte konkluzione të vlefshme nga ai. Populli i mënçur shqiptar i kuptonte mirë esencën e fjalëve personazhit të Ollgës dhe shpesh nënkuptonte të kundërtën e saj, të mesazhit që desh partia të na transmetonte.

 

Për të kuptuar se si fliste dhe kuptonte populli shqiptar, po ju kallzoi një histori humoristike që qarkullonte tek ne. Në kohën e aksionit të hapjes tokave dhe të kthimit të kullotave në toka buke, një grup agjitatorësh të partisë shkuan në një fshat malor të jugut. Mblodhen fshatarët dhe u mbajtën një leksion mbi avantazhet dhe efektin dobiprurës të konsumimit të zarzavateve për organizmin e njëriut. Një plak , pyet një djal nga fundi i rreshtave – ” e çoç thonë këta more djalë ?”, djali  i ri, një çoban i fshatit i përgjigjet – ” na thonë të ham bar, xhaxha, që të bëjmë qumësht, e të na mjelin si lopët”.

 

Kjo puna e barit ka shumë meselera tek ne. Në një fjalim, Enveri i sëmurë, me një këmbë në var, në një takim me popullin e Gjirokastrës, thotë ” populli shqiptarë do haj bar e nuk dorzohet”. Për tu bërë qejfin grekve, fjalimin e tij e filloi greqisht.  Ishte periudha kur në dyqane nuk gjeje kurgjë dhe shumë ushqime i merrnim me ca racione mizerabile, sa të mbanin shpirtin gjallë. Pas asaj dite, kur po shkoja në punë një mëngjes herët, u ndala tek stacioni i autobuzit tek banka në Tiranë, hedh sytë nga statuja e Enverit para muzeut kur ç’të shoh, në dorën që mbante mbrapa si Stalini, dikush i kishte vënë një dorë bari. Gjith mileti sa e pa qeshnin dhe largoheshin shpejt, lajmi morri dhenë. Më vonë morra vesh se policia dhe sigurimi, vinin vërdall si të tërbuar për të gjetur se kush e kishte bërë këtë shaka armiqsore.

 

II.

 

Arti dhe kultura shqiptare nën regjimin Enverist

 

Nostalgjiku në shkrimin e tij shprehet: ”Nën flamurin e Enver Hoxhës arti dhe letërsia, shkenca dhe kultura me institucionet e tyre, ku militonin disa mijëra intelektualë të formuar në socializëm, premtonin për lartësi të reja. Një mori veprash e kryeveprash letrare, muzikore, figurative, historike shpërthyen si pranvera në fusha e male në vitet e socializmit.”

 

Nuk ju duken të njohura këto lloj formulimesh? Zakonisht këto fraza i gjen në të gjitha parathëniet e raportazheve, dokumentarëve, studimeve, dizertacioneve, fjalimeve jubilare, festivaleve folklorike dhe raporteve në kongreset e rinisë dhe të partisë së punës. Tonelata botimesh ditore, javore, nga viti në vit përsërisnin pa pushim këto sllogane pa asnjë ndryshim. Qëllimi i tyre ishte fiksimi në konshjentin kolektiv të popullit shqiptar se çdo sukses, çdo arritje, çdo vepër artistike, çdo krijim popullor dhe kulturor lindte, frymëzohej dhe i dedikohej partis dhe udhëheqsit të saj. Asgjë, nëse nuk i referohej kësaj, nuk kishte vlerë dhe nuk meritonte të publikohej. Bile pa një parathënie të tillë asnjë vepër nuk kalonte dhe nuk merte aprovimin e censurës së partisë për botim. Nëse në një vepër mungonte ”heroi pozitiv”, ”përfaqsuesi i kllasës”, ”biri i partisë”, i cili zhvillonte luftën e klasave për mbrojtjen e fitoreve të socializmit, merrte nga censura vulën e mbeturinave mikroborgjeze, të dëmshme, që fshihte helmin dhe autori nëse nuk e korigjonte veprën e tij për tja përshtatur orientimeve dhe udhëzimeve të partisë, rezikonte të izolohej, të hynte në listën e zezë, të shpallej armik i popullit dhe të dënohej.

 

Pa mohuar zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare në këtë periudhë, doja të theksoja se fusha e krijtarisë shqiptare pati një problem të madh – censurën komuniste, kufizimin ideologjik dhe politik, autocensurën dhe shtypjen diktatoriale. Eleminimi i intiligjencës shqiptare të paraluftës, edukimi selektiv i intelektualve të rinj, barierat e luftës të klasave, presioni i mediokritetit mbi krijimtarinë, nuk mund të çonin në zhvillim të lirë të veprimtarisë krijuese shqiptare. Përkundrazi ato e frenuan shpirtin krijues shqiptar, na shkëputën nga rruga e evolucionit normal të artit dhe kulturës kontemporane që njohën të gjitha vëndet e Europës perëndimore. Njohëm mjaft artistë të talentuar që u persekutuan për arsye se guxuan shpreheshin sadopak ndryshe dhe të çfaqnin mendimin e lirë. Pamë vepra të groposura që nuk e panë kurrë dritën e publikimit, për arsye se u klasifikuan si të papërshtatshme për edukimin e masave, ose u klasifikuan si të mbarsura me ideollogji të vjetër, borgjezo-reaksionare.  Veprat artistike shqiptare të asaj periudhe mund të çfaqeshin pa krijuar ilaritet vetëm para publikut aziatik të Kinës, Koresë së veriut dhe Vietnamit komunist, pasi as me vëndet e lindjes europiane nuk mund të krahasoheshim. Artistët shqiptarë nuk patën gjatë asaj kohe as gjysëmlirin e  atyreve rusë, pa lej pastaj të atyre polak, çek, hungarez apo gjermanë.

 

Në shkollat tona studiohej romani ”Nëna” e Maksim Gorkit dhe ”Si u kalit çeliku” si kryevepra të realizmit socialist. Nga rilindasit tanë jepej poezia e Naimit ”Bagëtia dhe bujqësia” si dhe ”Fjalët e qiririt” për veprat e tjera të tij ose për rilindas të tjerë asnjë fjalë.  Ne nuk aritëm të njohim as artistët shqiptarë e jo më ata botërorë. Në Pleniumin e IV-t , Enveri përmëndi diku Sartrin, të gjith pyesnin kush është ky, na u shpjegua më vone se paskish qënë një shkrimtar reaksionar francez që nuk na duhej. Pra që të mos e zgjatur shumë, të etiketosh si periudhë që zhvilloi artin dhe letërsin shqiptare, të flasish për kryevepra artistike, hyn në fushën e humorit dhe është njësoj sikur të tallesh me sakrificat dhe vuajtjet e artistëve shqiptarë që mbijetuan në atë periudhë.

 

Zotëri si guxoni të mohoni kulturën dhe artin shqiptar në historinë e popullit tonë. Nëse nuk njihni trashëgiminë tonë artistike në shekuj dhe nuk njihni veprat e artit të krijuara pas 1990-tës, tregoni se keni një defiçit të madh në kulturën tuaj. Nëse dini diçka dhe nuk doni ta mirni në konsiderat për motiv të orientimit tuaj politik prej komunisti të balsamosur, atëhere jazëk ju qoftë.  Vetëm një antishqiptar i përkushtuar mund të mohoj veprat e Gjergj Fishtës, të poetit, piktorit dhe skulptorit Murat Toptani (dhëndërit të Naimit), të gjenaratave të tëra të artistëve arbëresh. Keni dëgjuar për Onufrin (piktor i rilindjes së hershme shek.XIV), për Jan Kukuzelin nga Durrësi (krijuesin bizantin të pentagramit), për vllezërit Zografi (piktorë shek.XVII) të njohur në tërë Ballkanin, keni dëgjuar për sopranen Tefta Tashko Koço, për aktorin e famshëm Alexandër Moisiu, etj. Si guxoni të kufizoni kulturën shqiptare vetëm në kufijt e periudhës enveriste. Kultura shqiptare është nga më të vjetra në Europë. Shqipëria është djepi i kulturës europjane, për këtë mund të vizitoni muzet e Shqipërisë dhe të europës, të shihni zbulimet arkeollogjike në Shqipëri. Shkoni në Luvër, që të admironi skulpturën e Apollonit pa kokë, një nga kryeveprat e skulpturave të lashta, ose hajdeni në Shqipëri të admironi mozaikun ”Bukuroshja e Durrësit”. A e dini se kur romakët pushtuan Ambrakinë dhe Epirin, grabitën ndër të tjera 1500 skulptura prej mermeri dhe i çuan në Romë (shih raportin e konsullit romak dërguar Senatit).

 

Në fushatën kundër kulturës shqiptare që organizoi  Enveri (1974), ai eleminoi shumë artistë dhe krijuesa shqiptarë. Eleminoi ata që kishin guxuar të nxirnin pakëz këmbën jashtë vijës së verdhë komunisto-enveriste. Kam njohur shumë artistë bashkohës të dënuar, të internuar, të përzënë nga Tirana, të cilëve ju pre ruga e krijimtarisë në kulmin etyre. Në doni hollësira, pyesni Visar Zhitin (shkrimtar i talentuar, ish i burgosur politik, tani diplomat në Itali), pyesni këngëtarin Sherif Merdani (beri 16 vjet burg për një këngë), tju thonë më tepër për jetën e artistëve të asaj kohe. Në se doni të dini se me se merrej Lidhja e Shkrimtarve e drejtuar nga politruku Dritëro Agolli, pyesni Ismail Kadarenë tjua shpjegoj. Nëse doni të dini se çfarë ndodhte me veprat e bukura të piktorëve dhe skulptorëve shqiptarë të asaj kohe, se si masakroheshin nga komisionet e drejtuara nga Kristaq Rama (skulptor mediokër, antar i KQ, i jati i Edi Ramës), kontaktoni artistët shqiptarë të shpërndarë nëpër botë, që fituan famë vetëm pasi u larguan nga burgu i artistëve shqiptarë.

 

Populli shqiptar ka qënë dhe është një popull krijues, një popull artist, këtë mund ta shihni qartë në folklorin aq të pasur shqiptar, ku çdo fshat ka vënë gjurmën e tij me karakteristika të veçanta. Ju rekomandoj të studioni kostumet tona kombëtare dhe nivelin e lartë artistik të mjeshtrave shqiptarë. Në Shqipëri ta ngren populli bejden në çast, për të mir apo për të keq, sipas rastit. Mos kujto se Enverit nuk ja ka ngritur me kohë. Por ju zotëri keni lexuar vetëm ato që ka dashur partia të lexoni dhe të dëgjoni. Zbritni në popull të merrni vesh, të prekni realitetin shqiptar dhe pastaj flisni. Nëse keni qënë aq i kufizuar dhe aq i indoktrinuar atëhere, të paktën hapni sytë tani, pasi kanë kaluar 20 vjet demokraci, dhe nuk ju pengon askush të informoheni. Në fund të fundit nëse dini të përdorni internetin, hyni në shtypin e vëndit dhe në atë të diasporës shqiptare të kuptoni se sa mbrapa paskeni mbetur.

 

Ekonomia shqiptare në periudhën e diktaturës

 

Zoti nostalgjik i enverzmit, me që e ngritët aq në qiell dhe pretendoni se: ”Një mori transformimesh të mëdha treguan epërsinë e rendit socialist mbi atë kapitalist, politikën e drejtë ekonomike të Partisë në pushtet, udhëheqjen frymëzuese, organizuese, mobilizuese dhe triumfuese të Enver Hoxhës”, më lejoni tju informoj dhe tju hap sytë. Niveli im nuk më lejon të tallem me injorancën tuaj në këtë fushë, prandaj do mundohem tjua sqaroj me durim, sa më shkurt që të jet e mundur, se si qëndron puna me ekonomin shqiptare të periudhës enveriste.

 

Ekonomia e vëndit tonë në 1944-ën ishte inegzistente. Shqipëria kishte mbetur një vënd agrar i prapambetur, pa industri, pa infrastrukturë, ashtu siç doli nga zgjedha e perandoris Otomane. Në 11 vjetët e mbretërisë së Zogut, ngritja e administratës shtetërore, organizimi i xhandarmërisë, postës, komunikacionit ishin prioritare. U hapën disa rugë nga italianët (me të cilat mbetëm deri në 1990), u dhanë ato pakë konçesione në naftë dhe bakër, u ngrit ndonjë punishte mielli dhe kaq. Nuk kishim as klasë puntore dhe as kapital autohton, pra nuk diskutohej fare për industri. Ekonomia feudale shqiptare bazohej në ata pak tregtarë dhe zejtar të vegjël, që u rënuan në rëmujën e viteve 1944-45. Depot e mallrave që iu morrën tregtarëve dhe ato që na la ushtria italiane pas kapitullimit, u konsfiksuan dhe u transferuan në pjesën më të madhe të tyre në Jugosllavinë e uritur të asaj periudhe të vështirë, si shkëmbim për ”ndihmën” që Titoja i dha Enverit për marrjen e pushtetit.

 

Rindërtimi i vëndit filloi me punë vullentare. Kështu mund të përmënd këtu hekurudhën Tiranë-Durrës dhe tharrjen e kënëtës së Maliqit. Në vitet 50-të, me ndihmat ruse filloi industria shqiptare – kombinati tekstilit ”Stalin” në Tiranë, një hidrocentrai i vogël ”Lenin” në Dajt, rafineria e naftës Cërrik, uzina mekanike “Enver”në Tiranë dhe ndonjë gjë tjetër që s’po më kujtohet tani. Industria e vërtet u ngrit me kredinë kineze pas vitit 1965. Shqipëria në periudhën 1965 – 1977, morri prej kinezve 16 miliard dollar kredi që nuk e ktheu më. Për një vënd me popullsi sa një qytet mesatar i europës, një kredi e tillë duhej të na çonte peshë. Për krahasim, Titoja në atë periudhë morri gjithsej 20 miliard dollarë kredi nga perëndimi dhe e bëri Jugosllavinë një vënd me nivel perëndimor. Çaushesku me 20 miliard dollar që morri nga Amerika, ngriti një industri të zhvilluar në Rumani që mund të prodhonte deri në 16 milion ton çelik në vit, pamvarsisht se u çmënd në vitet 80-të dhe lau krejt kredin, duke e bërë popullin të pakënaqur. Në 1991, pas larjes së borxhit, disniveli i jetesës midis Rumanisë dhe Shqiprisë ishte 10: 1, dhe kur e pushkatuan merhumin, la në rezervat e shtetit 3,5 miliard dollar gjëndje. Megjithatë, pa llogaritur Shqipërinë, Rumania konsiderohej si vëndi me nivelin më të ulët ekonomik në ish kampin socialist.

 

Një intelktuali rumun, siç më kallzonin kolegët e mij, i mjaftonte roga e lejes që ti hypte veturës personale Daçia dhe të bënte turizm jashtë shtetit 20 ditë, që fillonte nga Hungaria, Çekia, Gjermania, Polonia, Ukraina dhe kur kthehej i tepronin para. Unë duhej të merrja borxh nga prindërit që të bëja 10 ditë plazh në Durrës. Në 1991-shin, me një dollar në Rumani bleje 11 palë çorape grash, në Shqipëri blej vetëm një palë. Kush bënte tregëti me çanta në atë kohë e di mire diferencën e çmimeve dhe disnivelin e jetesës midis këtyre dy vëndeve. Në 1990-tën, në Bukuresht rinin aparatmente bosh dhe kur martohej një çift i ri merrte dhe apartamentin. Në Shqipëri në një apartament gjeje që jetonin deri në tre breza, mund të shihje tre familje në apartament me dy dhoma. Njërëzit shpesh flinin në guzhinë dhe gatuanin në nevojtore me furnella  vajguri. Shqipëria një vënd naft dhe gaz mbajtës nuk kishte sisteme ngrohje dhe gazi nëpër qëndra banimi. Në të gjitha vëndet e lindjes popullata përdorte vetura private, në Shqipëri ishin të ndaluara. Aparatura elektro shtëpiake si frigorifer, televizor, makinë larse, shpërndaheshin me lista të kufizuara nga ndërmarjet dhe kushtonin sa kursimet e dhjet vjetve për një familje normale.

 

Një televizor bardh e zi kushtonte 45 000 lekë të vjetra kur roga mesatare e një puntari ishte 4000-6000 lekë ndërsa e një intelektuali ishte 7000 – 8000 lekë. Një orë dore kineze ”Shang Hai” kushtonte 8500 lekë, një kostum burrash kushtonte 10000 lekë, një kg mish 180 lekë, një vez 10 lekë, një bukë 50 lekë. Mua asnjëherë nuk më dolën parat deri në fund të 15 ditëshit. Çdo gjë ishte me racion. Një familje, pamvarsisht nga numri merrte vetëm një kg mish në javë. Kur nuk kishte mish merrte sallam derri, ose një pulë. Ne ishim 7 veta në familje, e gatuanim pulën dy herësh, kështu hanim dy herë në javë mish. Zakonisht mamaja thoshte se i bënte dëm mishi dhe na e linte neve fëmijve. Nuk po vazhdoj më, mjafton, kur i tregoj këto gjëra djalit tim që ka lindur pas 90-tës, nuk më beson se mund të jetonim në ato kushte, ndoshta dhe ju zoti nostalgjik nuk më besoni. Tani, pas 20 vjetësh dhe mua më duket si përallë, por fatkeqsisht ishte një e vërtet shumë hidhur për ne. Pas 90-tës kur u hap kufiri, vinin kosovarët dhe prishnin markat djathtas dhe majtas, ne na dukeshin milionera. Nuk arrinim ti kuptonim përse qaheshin. Ishim si dy botë të ndryshme paralele dhe i njëjti popull. Ata kishin problem shtypjen sërbe, ndërsa ne ishim shpërfyturuar dhe transformuar në skllevër dhe kishim humbur notionet e kombit.

 

Si thoni, gjithë ata të rinj shqiptar që u mbytën në det, përse arritën në atë hall sa të mos kishin frikë as nga vdekja, mos vallë që tu tregonin italianve epërsinë e sistemit socialist? Apo se nuk kishin bukë të hanin? Në 1990-tën, Shqipëria zyrtarisht hyri në kolaps total ekonomik. Buxheti i shtetit nuk kishte para as për lëndë të para, as për mjetet e xhiros për zhvillimin e prodhimit dhe as për rogat e puntorëve. Për investime as bëhej fjalë. Atë vit u kujtuan të fusin sistemin e vetadministrimit (si në Jugosllavinë e Titos), por ishte tashmë vonë, asgjë nuk e shpëtonte kancerin e ekonomis shqiptare. Kështu ndodhi që Shqipria u bë i vetmi vënd ku u aplikua terapia e shokut. Në 1991- 92, u mbyllën të gjitha ndërmarrjet shtetërore dhe 90 % e fuqis puntore në fshat dhe në qytet çau kufijt. Nëse partia e punës me Ramiz Alinë, lanë njerëzit të hynin nëpër ambasada në Tiranënë Korrik 1990 dhe pranuan pluralizmin në dhjetor 1990, mos vallë e bënë me dëshirë? Jo në asnjë mënyrë, ata e panë që nuk kishin rrugë tjetër, po të mos ndodhnin këto gjëra, do derdhej gjaku deri në gju, do hanim njëri tjetrin. Kësaj ju trembën këta. Njerzit nuk pyesnin më as për policinë dhe as për sigurimin. Nuk kishte më vënde nëpër burgje, s’mund të burgosnin gjith popullin brënda ditës.

 

Si ndodhi që hymë në kolaps?

 

Situata e përshkruar mësipër mbi gjëndjen e ekonomisë shqiptare dhe nivelin e jetesës në Shqipëri ishte rezultat i një periudhe të gjatë, të politikave të gabuara makroekonomike dhe të një politizimi të plotë të aktivitetit ekonomik në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe të gjatë, nuk u respektuan dhe nuk u morrën fare parasysh ligjet ekonomike të zhvillimit të një vëndi, që pamvarsisht nga sistemi veprojnë dhe godasin rëndë një vënd dhe një popull. Kush ka sado pak njohuri mbi ekonomin politike i di pikat e dobta të ekonomive të centralizuara vendosura dhe të aplikuara nga Stalini. Në 1924, Lenini duke parë këtë të metë, duke mos gjetur rrugë tjetër, propozoi një variant të ndërmjetëm, që u zbatua në të ashtuquajturën periudh e NEP-it, ku ekonomia e centralizuar u kombinua me ekonomin e tregut privat të vogël. Kjo periudhë e ringjalli ekonominë e shkatëruar të Rusisë së asaj kohe.

 

Lenini vdiq dhe Stalini pas katër vjetësh, në 1928, kaloi në ekonomin plotësisht të centralizuar. Kjo politik bazohej në planifikim të centralizuar deri në nivelet më të ulta dhe nuk linte asnjë vënd iniciativës, nuk merrte parasysh faktorin e efiçiencës dhe u bazua vetëm në rritjen sasiore të prodhimit, pa marr parasysh ruajtjen dhe rritjen e cilsisë. Ajo nuk linte shteg për motivimin e punonjësve dhe shoqërohej me një politik kuadri mbi kritere politike dhe jo të aftësive apo të performancës. Kështu prodhimet e lindjes nuk i bënë dot ballë kompetivitetit dhe nuk përballeshin dot me konkurencën perëndimore, si i vetmi motor për zhvillim dhe perfeksionim. Prodhimet e një ekonomie socialiste kishin destinacion të sigur, ishin detyrimisht të konsumueshme në mënyrë të planifikuar. Çmimet e mallrave të konsumit në këtë ekonomi nuk kishin fare të bënin me koston e prodhimit dhe as me rendimentin e tij. Ishin plotësisht fiktive, rezultat i një metodollogjie të prodhuar artificialisht në zyrat e komisioneve të planifikimit, nga disa individë që vinin në jetë direktivat e partive komuniste. Në asnjë vënd tjetër përveç  Shqipërisë nuk u krye kolektivizimi i plotë i tokave. Në këte pikë ajo e kapërceu dhe vetë Rusinë, duke kolektivizuar dhe bagëtin shtëpiake të fshatarit, duke i hequr mundësin e fundit të mbijetesës. Enveri u bë ”më katolik se Papa” në injorancën e tij ekonomike gërmoi gropën e sistemit, duke hequr ”tullën” e fundit nën këmbët e veta.

 

Tito, vendosi sistemin e vetadministrimit jugosllav, një teori hibride e propozuar nga Kardeli. Në vitet 70-të, shumë ekonomista mediokër shqiptarë mbrojtën dizertacione, ku kritikohej kjo teori dhe praktikë revizioniste. Në Shqipëri, si në tërë vëndet e ”llagerit” socialist, planifikohej rritja e prodhimit pamvarsisht se sa e nevojshme, sa e argumentuar dhe sa sustenabile ishte kjo. Nga kongresi në kongres, nga pesëvjeçari në pesvjeçar, nga viti në vit, planifikohej rritje fiktive pa asnjë bazë, pa asnjë llogjikë ekonomike. Asnjë zyrtar dhe asnjë studiues nuk mund të thoshte qoftë dhe një fjalë kundër kësaj maratone të çmëndur vetvrasëse që shkatëroi ekonominë dhe varfëroi deri në fillin e fundit popullin shqiptar. Ky popull entuziast në fillim, sakrifikoi gjithshka për rindërtimin dhe lulzimin e ekonomis shqiptare, por me kalimin e kohës ky entuziazm u shua për tu transformuar në indiferentizëm dhe më tej në armiqsi në fazën e fundit. Kina aplikoi sistemin e vet që ishte një kombinim midis ekonomis socialiste me atë kapitaliste. Pronarët e companive private u kthyen në drejtora dhe ndanin fitimin me shtetin. Kina pësoi një dëm të jashtëzakonshëm pas revolucionit ”kulturor” i drejtuar kundër intiligjencës kineze. Vetëm pas vdekjes së Maos dhe Çu En Lait, pasi filluan të zbatojnë 10 pikat e Ten Siao Pinit, që propozonte riorientimin e ekonomis dhe shoqëris kineze, u arrit zhvillimi që solli bumin e ekonomis kineze që asistojmë ne sot.

 

Më 1981 – 82, u morra me planifikimin dhe metodollogjinë e saj për degën e industrisë ku punoja, gjatë kërkimeve zbulova variantin origjinal të saj nga ishte përkthyer kjo. Në atë periudh mu desh të lexoja tërë literaturën ekonomike dhe manualet e fakultetit të ekonomisë që egzistonin për të kuptuar dhe për të kryer  sa më mirë detyrën që mu ngarkua. Ishte një manual mbi organizimin dhe planifikimin e ndërmarrjeve socialiste i publikuar në një universitet të Sverdllovskut (qytet në Urale). Texti i metodollogjisë ishte identik, nuk i ishte hequr një presje, sa dhe shëmbujt numerike ishin po ato, ”autori” (një pedagog i fakultetit ekonomik) kishte zëvëndësuar vetëm rublën me lekun shqiptar. Kur e pyeta këtë profesor, pasi i tregova dhe textin origjinal në gjuhën ruse, se si mundi të bënte një gjë të tillë. Përgjigjia ishte e thjeshtë se kjo gjë iu kërkua nga partia dhe se nuk guxonte të fliste më për këtë temë.

 

Si u zvogluan të ardhurat e punonjësve.

 

Në të gjitha vëndet e lindjes, pagat e punonjësve gjatë kësaj periudhe patën një rritje që u shoqërua me rritje e fuqis blerëse. Në Shqipëri ndodhi e kundërta. Periudha më e begat ka qënë vitet 1965 – 70, pas kësaj patëm një rënie graduale të pagave dhe të fuqis blerëse. Në këtë drejtim, u aplikua një politik gjithnjë e më shtrënguese. Gjithandej shihje parullat ”të jetojmë si në rrethim”. Kjo përsëritej në çdo fjalim, në çdo artikull gazete, në çdo mbledhje apo miting, në çdo konferencë apo kongres. Vetizolimi i Shqipërisë përkthehej me rrethimin imperialisto-revizionist. U bënë tonelata studimesh se si duhej të jetonim si në rrethim, me pak fjalë ftohej populli të shtrëngonte rypin dhe të heshte, askush nuk guxonte të ngrinte pretendimin për të jetuar pak më mirë ose që të ngrihej niveli i jetesës. Kursimi ishte në rendin e ditës, kuptohet kjo ishte e detyrueshme për qytetarët e thjesht, pasi zyrtarët e lartë kishin tjetër standart, sidomos udhëheqësat e partisë.

 

Më 1970, bënë nivelimin e pagave, ku raporti midis pagës minimale me atë maximale ishte1: 2. Kjo për pagat e puntorëve, pasi për nënpunësit ishte 1:1,5, ndërsa paga maximale u kufizua në 10000 lekë. Për punonjësit e bujqësisë pagesa ishte nën pagën minimale në nivel ekonomie. Rritja e pagës në industri për fuqin puntore bëhej mbi bazën e kualifikimit që kishte 6 kategori. Puntorët që punonin natën merrnin një shtesë të vogël dhe ata që punonin në kushte të vështira kishin gjithashtu një supliment, nënpunësit nuk përfitonin asgjë nga këto. Kështu ndodhte shpesh, sidomos në sektorët e minierave, metalurgjisë etj., që puntori të merrte më shumë se inxhinjeri dhe nga njëherë më tepër se drejtori. Të gjitha këto ishin të fiksuara në ligj dhe në normat e pagave ku ishte asnjë dritare për stimulimin e iniciativës ose të krijimtarisë në punë.

 

Një pjesë e mirrë e puntorëve punonin dhe me akord ose me normë siç i thoshim ne. Mekanizmi ishte i tillë: caktohej një njësi prodhimi mujore individuale që përllogaritej sipas planit të prodhimit. Nëse puntori e kapërcente atë atëhere i rritej paga për periudhën respektive me masën e tejkalimit të normës. Kështu shumica e puntorve u mobilizuan për tejkalimin e normës. Mirpo dardha e kishte mbrapa. Kur tejkalohej norma dhe arrihej një vlerë e caktuar mbi 5 %, kjo automat kthehej në plan dhe normë për periudhën e ardhëshme. Kështu, po ju jap një rast konkret të jetuar. Në 1969, në fonderinë e uzinës traktori Tiranë, një formist i kualifikuar, kishte si normë të formonte një formë bllok motori në ditë. Ai filloi të bënte dy forma dhe merrte rreth 12000 lekë në muaj. Në 1987-ën, i njëjti puntor, në të njëjtën fonderi, kishte si normë ditore të bënte 25 forma të të njëjtit model (bllok motori), dhe merrte nën 5000 lekë në muaj. Kuptohet në këtë rast cilsia e pjesës së derdhur ishte jashtë çdo kushti teknik, pasi puntori nuk i arrinte koha të bënte të gjitha operacionet e parashikuara në projekt dhe prodhimi dilte gati 95 % skarco, i cili kalonte nga kontrolli teknik dhe u jepej konsumatorve pa asnjë çertifikat cilësie.

 

Pjesët e këmbimit të prodhuara nga industria mekanike për mirmbajtjen e makinerive në të gjitha degët ishin të një cilsie aq të dobët sa, ndërmarrjet planifikonin 5 fishin e më tepër të nevojave dhe prap mbeteshin pa një gadishmëri të mjaftueshme për të përballuar nevojat e prodhimit bazë, i cili dhe ashtu ishte i mbidimensionuar. Pra prodhimi përfundimtar siç mund të ishte prodhimi bujqësor ose tekstil etj., ngarkohej me shpenzime suplementare që kapërcenin shume vetë koston e prodhimit. Rendimenti i prodhimit ishte jashtzakonisht i ulët dhe koha e shfrytzimit të paisjeve industriale apo të transportit shumë e ulët. Në vitet 80-të, industria dhe bujqësia shqiptare kishte një park makinash aq të vjetruara dhe të konsumuara sa ishte e pamundur të vazhdohej prodhimi pa ndërhyrje nga jashtë.

 

Si shëmbull po marr situatën në bujqësi. Në atë kohë Stacionet Makinave dhe Traktorëve (SMT-të), që ndodheshin pranë çdo ferme apo qëndre e madhe bujqësore, kishin në inventar 75000 traktorë DT-75, nga të cilat në periudha fushatash mjellje vetëm 25000 ishin në gjëndje pune dhe në fund të fushatës mbeteshin vetëm rreth 9000 – 10000 traktora. Një situatë e ngjashme e gjeje dhe në degë të tjera të ekonomisë. Në një fabrikë të kombinatit metalurgjik Elbasan i quajtur ”Çeliku i Partisë”, koha e punës efektive të linjës teknollogjike në 1983, ishte rreth 40 %, dmth linja nuk punonte dot mesatarisht më tepër se 9,5 orë/ditë, pjesën tjetër të kohës e zinin ndalesat për difekte të ndryshme. Riparimet e rradhës dhe ato kapitale nuk kryheshin për munges të pjesëve të këmbimit, të prodhimtarisë së ulët dhe planifikimit jo korespondues me situatën e gjendjes teknike. Lufta për të mbajtur gjallë këtë teknikë të mbaruar, epuizonte të tëra energjitë e punonjësve dhe të drejtuesave të prodhimit.

 

Plani  i prodhimit nuk realizohej, ose realizohej në letër por jo në realitet dhe si rrjedhim pagat e puntorve nuk merreshin të plota. Në 1981, doli në skenë vepra e Enverit mbi planin e 7-të pesëvjeçar. Një vepër e prodhuar në bodrumet e KQ, ku për herë të parë flitej për koston dhe efiçiencën e prodhimit. Aty gjëja e re ishte se me orientimin e ri, norma e rritjes së pagës mesatare duhej të ishte nën 50 % të normës së rritjes rendimentit. Kjo për kushtet e atëhershme ishte SF. Të flisje për rritje rendimenti duhej të transformoje tërë ekonominë mbi një bazë krejt të re, pale pastaj që kjo rritje të bëhej normë. Veç kësaj kalemxhinjtë për të ulur fondin e pagave, nxorën marrifetin që në rastet kur nuk realizohej plani, indiferent për çfarë arsyesh, uleshin dhe pagat në masën e mosrealizimit. Shpesh gdhiheshe në fund të muajit me 80 ose 90 % të rogës. Por meqë në 15 ditëshin e parë kishe konsumuar paradhënien (50 %), në fund të muajit merrje praktikisht vetëm diferencën, pra 30 ose 40 % të rogës. Kjo e përkthyer në lekë, për një rogë mesatare prej 5500 lekë/muaj, mund të përkthehej me 1650 – 2000 lekë të marra në fund të muajit. Pra një familje mesatare e përbërë prej katër personash i binte të jetonte me 825 – 1000 lekë/javë, ose për person 206 – 250 lekë/javë, kur çmimi i bukës ishte 50 lekë. Pra nuk i arrinte të merrte një bukë në ditë pa asnjë gjë tjetër. Mjerë ai që kishte më tepër fëmijë.

 

Gabimet e politikës makroekonomike

 

Në vizitën e fundit që bëri Hrushovi në vëndin tonë në 1960-tën, rekomandoj ta orientonim ekonominë drejt prodhimit të agrumeve dhe turizmit. Ngeli në histori shprehja e tij se aq grur sa i duhej Shqipërisë në Rusi  i hanin minjtë. Kur u prishën marrdhëniet pas mbledhjes së Moskës, presioni i qeverisë sovjetike u shpreh qartë në këtë pikë. Kur u nis delegacioni tregëtar shqiptar në BRSS, rezervat e grurit mjaftonin vetëm për pesë ditë. Delegacioni u kthye me duar bosh, nuk na dhanë grurë, dhe qeveria shqiptare u detyrua të blinte në tregun botëror me të shtrënjtë duke e paguar me flori. U kthyen vaporat kanadez nga rruga në drejtim të portit të Durrësit.

 

Që në 1956-tën, KNERI (Këshilli i Ndihmës Ekonomike) – grupim ekonomik i vëndeve socialiste me qëndër në Moskë, homologu i Tregut të Përbashkët të vëndeve perëndimore, vendosi realizimin e një projekti për zhvillimin e turizmit në Shqipëri. Ideja ishte që bregdeti shqiptar të ndahej në zona ku sejcili shtet socialist të investonte për turizmin e tij. Mendohej që Shqipëria të kthehej në pasqyrë e mirqënies së sistemit socialist që do konkuronte me bumin e planit marshall të zbatuar në perëndim. Punë imazhi supermacie. Ky projekt mbeti në letra pasi ngjarjet rrodhën ndryshe dhe Shqipëria u izolua plotësisht. Ne zgjodhëm rrugën ”heroike” të mbrojtjes së stalinizmit dhe u ”treguam vëndin” qeverive revizioniste, duke shtrënguar rypin. Një milion e gjysëm shqiptarë u bënë grusht rreth partisë dhe ”shokut” Enver. Çdo shqiptar filloi ta ndjente veten ”hero”, krenar se do vuante për të mbrojtur një kauz, pamvarsisht se e kujt ishte dhe përse na duhej kjo. Çështja jonë kombëtare atëhere as që diskutohej, u harua fare, patëm rastin të mateshim me gjigandë, si në kohën e Skëndërbeut.

 

Politika ekonomike e Shqiprisë u orientua drejt zgjerimit të tokave të bukës, që të prodhonim dhe të plotsonim gjithë nevojat e vëndit me grur dhe misër në vënd, pamvarsisht se çfarë çmimi do kishte kjo dhe të rritej fuqia mbrojtëse e vëndit, të bëheshim më të fuqishëm se fqinjët tanë. Për këtë na ndihmoi Kina me kredinë e saj, i cila na e dha si këmbim për mbështetjen politike, për pranimin e saj në OKB dhe ngritjen e stacioneve të radios kineze për europën në Shijak. Nga ana tjetër dhe Kina e asaj kohe ishte një vend i varfër pervehte, duke qënë izoluar  kishte nevojë, që në politikën e saj të mbrëndëshme të dilte para popullit me aleat ndërkombëtar. Pra Shqipria u bë vëndi më i popullarizuar në Kinë. Dëgjoje lloj lloj slloganesh, për partit tona motra etj. etj. tam tame dhe vajtje ardhje delegacionesh partiake dhe qeveritare. Ne, të rinjtë atij brezi i therisnim kinezve, çunat e tezes, kuptohet me ironi. Filloi industrializimi i vëndit.

 

Industria

 

Përiudha e industrializimit të Shqipërisë i përket viteve 1967 – 1977 e cila për inerci u zgjat deri në 1981. Ishin investimet e kryera me kredin kineze, prandaj dhe shpesh e quajmë periudha kineze. Kush vizitonte atëhere Shqipërinë i krijohej përshtypja e një kantjeri të madh ndërtimi.

 

Për freskim memorje po numëroj investimet kryesore. U ngrit sistemi energjitik me treshen e Hidroçentraleve mbi lumin Drin: Vau i Dejës, Fierza, Koman. Ungrit industria e metalurgjisë me minierat e Gurit të Kuq dhe Përenjas, Kombinati metalurgjik i Elbasanit dhe ferrokromi i Burrelit, uzina e bakrit Laç, Rubik, uzina e telave Shkodër. Industria e minierave u shtri në fushën e bakrit me 14 miniera dhe 5 fabrika të pasurimit. Minierat e qymyrit të Krabës dhe Valiasit, minierat e kromit në Bulqizë dhe në Batër të Martaneshit, fabrika e pasurimit të kromit etj. Industria e çimentos, fabrikat e FushKrujës, Elbasanit dhe Vlorës. Industria e naftës, rafineria e Ballshit etj. Industria textile me kombinatin ”Mao Ce Dun” në Berat, fabrika e trikotazhit në Korçë. Industria kimike me Fabrikën e superfosfatit Laç, azotiku i Fierit, kimikja e Tiranës etj.

 

Kombinati i drurit Elbasan, kombinati ”Misto Mame” e prodhimit të mobiljeve Tiaranë si dhe fabrika e mobiljeve Pogradec. Industria mekanike: në çdo qytet u ngritën UMB-të (Uzina Mekanike Bujqësore), në Tiranë u ngrit kombinati i autotraktorëve ”Enver Hoxha” që përmblidhte uzinën traktori në Shkozë dhe uzinën e vjetër ”Enver”. NSHRAK – u , uzina e riparimit të automjeteve në Tiranë, Uzina Dinamo për pjesët e këmbimit për minierat.Uzina Partizani në Tiranë për industrinë e lehtë. Uzina mekanike pranë kombinatit metalurgjik.  Uzina e instrumentave të preçizionit në Korçë. Kantjeri detar dhe uzina e riparimit të Lokomotivave në Durrës. Shumë investime u bënë për armatim. Uzina e Poliçanit, uzina e Gramshit, uzina e Mjeksit në Elbasan, uzina e artilerisë në Tiranë, uzina e tankeve në Tiranë, uzina e aviacionit në Kuçovë (ish qyteti Stalin). Në industrinë e lehtë dhe ushqimore, fabrika e bukës Tiranë, kombinati i mishit Tiranë, fabrika e birrës Tiranë, fabrika e birrës Korçë, fabrika e konservave në Vlorë, fabrikat e duhanit Gjirokastër, Durrës dhe Shkodër.

 

Përveç kësaj industrie në të njëjtën periudhë në Shqipëri u investua për hapjen e aeroportit ushtarak të nëndheshëm në Gjadër, u zgjerua aeroporti i Rinasit dhe u ngrit regjimenti i aviacionit, u ngrit baza ushtarake e nëndheshme në Pasha Liman, u hapën tunele gati në çdo mal të Shqipërisë, në Malet e Skraparit, në malin e Dajtit në Gramsh, etj., u ngritën qëndra lokacioni dhe përgjimi ushtarak, u shtua flota ajrore me shumë aviona MIG 19 dhe MIG 21, u shtua flota detare me një nëndetse (e pesta) dhe anije të tjera luftarake më të lehta, u krijuan disa brigada tahkesh dhe u fuqizua artileria me topa detarë, obuze, raketa etj. U ndërtuan 700000 mijë bunkere të madhësive të ndryshme, të shpërndara në gjithë Shqipërine, në bregdet, zona kufitare dhe përreth Tiranës e qëndrave të tjera të banimit. Në çdo qytet u ngritën sistemet e mbrojtjes antiajrore, dhe repartet e mobilizimit ushtarak në rast lufte. Populli shqiptar mbante me bukë rreth 120000 ushtarë rekrut 2 dhe 3 vjeçar dhe 250000 ushtarë rezervista, që bënin çdo vit nga një muaj stërvitje (zborin ushtarak), shkollën ushtarake ”Skënderbej” dhe Akademin ushtarake ”Enver Hoxha” në Tiranë, shkollën e aviacionit dhe të marinës në Vlorë.

 

Për një shtet të vogël si Shqipëria, e gjithë kjo industri ishte diçka e pa aritshme si nga ana finaciare ashtu dhe nga ana e burimeve njerzore dhe organizimi në nivel mikro dhe makro. Grupe të shumta shkuan në Kinë per tu specializuar dhe më vonë shumë grupe specialistësh kinezë erdhën për vënien në punë të gjithë kësaj industrie. Fuqia puntore kryesisht u tërhoq nga fshati. Psh qyteti i Elabasanit me 45000 banor pas ngritjes së kombinatit arriti 90000 banorë. Tirana nga 100000 banorë në 65-sën, në vitin 1990 kishte 250000 banorë. Normalisht me një bazë të tillë industriale dhe me gjith atë mekanizim të bujqësisë, niveli i jetesës në Shqipëri duhej të rritej dukshëm. Po ta marrim për frym popullsie të asaj kohe, ne në atë periudhë investuam gati 8000 dollar për person. Në të njëjtën periudhë Rumania investoi gati 1000 dollar pë person, Jugosllavia 1660 dollar për person, etj. Atëhere si pati mundësi që në të gjitha këto shtete u ngrit niveli i jetesës dhe tek ne ra aq keq. Këtë përgjigje nuk e kanë dhënë asnjë nga ata që e lavdërojnë sistemin dhe regjimin enverist, për këtë fenomen nuk thotë gjë as nostalgjiku dhe as inspiruesi i tij Hysen Milloshi. Haj ta marrim me rradhë.

 

Çfarë prodhoi kjo industri?

 

Metalurgjia shqiptare gjatë viteve 1976 – 1990, prodhoi kryesisht hekur beton me kapacitet rreth 120000 – 130000 ton/vit. U ndërtuan dy furnalta të vogla me volum 300 m3 sejcila dhe 4 konvertizorë LD me kapacitet 20 ton sejcili. Kështu gjatë kësaj periudhe u prodhua rreth 1.800.000 ton hekur beton, i cili u përdor kryesisht për ngritjen e bunkerve, tuneleve, dhe objekteve të tjera ushtarake. Një miku im, inxhinjer ndërtimi, që punoi për ngritjen e bazëz ushtarake në Vlorë më tregonte: në gjirin e Vlorës u hap në mal, diku afër Orikumit një bazë nën malin e Karaburunit, ku do strehoheshin nëndetset. Me betonin dhe hekurin që u fut atje mund të ngrihej qyteti i Tiranës nga zeroja. Bunkerat e mbjellura nëpër teritorin e Shqipërisë ishin prej betoni të armuar special që ti rezistonin gotitjeve të artilerisë së rëndë, që konsumonin rreth 1 – 2 ton hekur betoni sejcili. Industria e çimentos u përqëndrua për mbulimin e realizimit të këtij plani fortifikimi gjigand me nevojat e mëdha që dolën për çimento speciale. Industria e bakrit gjithashtu, me gjith investimet që u kryen në të, për hapjen e minierave, uzinave shkrirëse dhe përpunuese, u orientua për prodhime ushtarake, për të siguruar bimetalin (produkt i bronxit dhe tunxhit) të nevojshëm për prodhimin e predhave. Pra 90 % e prodhimit të metalurgjisë shkoi në këtë drejtim, i cili nuk solli asnjë mbivlerë, asgjë për rritjen e mirqënies. Industria e kromit gjatë kësaj kohe përballonte exportin e kromit, i cili në masën 90 % shkoi në Kinë në këmbim të teknikës ushtarake që ajo na solli.

 

Industria mekanike e ngritur, kishte për detyrë të mbante gjallë parkun e vjetëruar të makinave industriale dhe të transportit, që funksiononte me parametra të ulta dhe jashtë kushteve teknike. Cilësia e prodhimeve të saj ishte jashtë çdo lloj komenti, ndërsa kostoja e prodhimeve mekanike e kapërcente shumë kostot e projektuara fillimisht. Po jua ilustroj me një shëmbull tipik që më ka mbetur në memorje. Një miku im, Artan Kongoli, ish drejtori i fabrikës së çimentos Fush Krujë, më erdhi një ditë për ta ndihmuar në zgjidhjen e një halli të madh që e kishte gjetur. Fabrika kishte ndërprerë prodhimin pasi nuk kishin më zgara për furrën e klinkerit (një pjesë që duhej derdhur prej çeliku zjarrdurues me Cr dhe Ni). Në uzinën mekanike të KME-së (Kombinati Metalurgjik Elbasan), kishin një muaj që përpiqeshin ta derdhnin këtë zgarë dhe u dilte prodhimi 100 % skarco, zgarat çaheshin sa po i nxirnin nga format e derdhura, dhe personeli teknik nuk ishte në gjëndje ta shpjegonte këtë fenomen.

 

Në rastin më të lumtur edhe kur dilte një zgarë, ajo nuk rezistonte më tepër se një muaj. Já zgjidha problemin në fonderin e çelikut ku punoja atëhere në Tiranë. Po kështu, në vitet 80-të, në uzinën traktori Tiranë pllakat e zinxhirit të traktorve prej çeliku me mangan, dilnin në masën 90 % skarco, dhe shumica e tyre çaheshin pa arritur të montoheshin në traktor. Në raste të tjera, kur i rezistonin montimit, traktori mbetej në mês të fushës pasi i këputej zinxhiri. Pra në atë periudhë nuk mund të diskutoje për cilsinë fare, uzinat dërgonin prodhimet e tyre skarco për të raportuar planin e prodhimit të realizuar dhe as që u interesonte se çfarë ndodhte më tej tek konsumatorët. Kontrolli cilsor i uzinave, ndalonte vetëm pjesët që nuk mund të përdoreshin fare, ndërsa nuk garantonte jetgjatsin e përdorimit të pjesve që dërgoheshin si të mira. Formalizmi dhe mashtrimi zyrtar në raportime ishte në rendin e ditës. Aparati shtetëror ishte i paaftë të ndalte këtë fenomen, në të cilin ishte bashkautor.

 

Ky orientim për rritjen e kapacitetit mbrojtës të vëndit, thithi tërë të ardhurat e ekonomisë shqiptare të asaj kohe. Konsumoi lëndët e para, prodhimet metalurgjike, fuqin punëtore, prodhime tekstile dhe veshmbathje për ushtrine aktive dhe rezerviste, ushqimet e nevojshme për gjithë këtë armatë që nuk prodhonte asgjë. Kështu investimet e bëra dhe industria e orientuar për të, nuk sollën dot të ardhura për ngritjen e mirqënies dhe as për riprodhimin e zgjeruar apo akumulim kapitali që duhej të gjeneronte investime të mëtejshme. E gjithë kjo garë armatimi u mbështet në kredinë kineze dhe kur kjo u ndërpre, u vazhdua me budallallëk po në këtë drejtim duke konsumuar rezervat e mbetura dhe të ardhurat nga zgjerimi i exportit me produktet bujqësore, duke e varfëruar në mënyrë extreme tregun e brëndshëm, etj. Ishte mëse e qartë se ekonomia e vogël shqiptare nuk mund ti bënte ballë kësaj gare armatimi, prandaj u përdorën të gjitha mundësit duke ulur pagat dhe rritur koston e jetesës. Ekonomia shqiptare e ngritur mbi këtë strategji armatimi, ishte një ekonomi konsumatore.

 

Industria e naftës siguroi nevojat e vëndit për karburant i cili kryesisht konsumohej nga ushtria dhe transporti i lëndëve të para për industrinë. Populli, përveç transportit urban dhe hekurudhor, që ishte minimal, nuk mund të konsiderohej si një konsumator i rëndësishëm i prodhimeve të karburanteve të vëndit.  70 % e konsumit të energjis elektrike ishte i orientuar për industrinë metalurgjike dhe atë mekanike. Konsumi i energjisë për nevojat e popullatës ishte minimal pasi shqiptarët nuk kishin në atë periudhë aparaturë elektroshtëpiake dhe konsumi bazë i energjis për të ishte vetëm ndriçimi. Edhe ashtu për të ardhurat që kishim, na dukej fatura e energjisë e madhe dhe bënim kursim. Kjo ishte arsyeja e vërtet që u zhvillua me vonesë industria e lehtë në drejtim të plotsimit të nevojave për paisje elektroshtëpijake, por dhe kur filloi prodhimi lavatriçeve ose televizorëve bardh e zi, kapaciteti i prodhimit u mbajt aq i ulët sa nuk plotsoi asnjëherë nevojat e vëndit, dhe populli i paguante (kush arrinte dhe përfitonte) me një çmim disafish më të lartë se kostoja e prodhimit të tyre. Ky kapitull mund të klasifikohet si një vjedhje e hapur ndaj popullit, që shteti shqiptar e bëri për të siguruar një burim të ri për financimin e garës së armatimit.

 

Industria metalurgjike dhe në përgjithësi industria e rëndë shqiptare, me të cilën mburej propaganda partiake, duke e quajtur çlirimi i dytë i Shqipërisë, u kthye në një industri konsumatore që thithte pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit. E gjithë kjo çmënduri armatimi e pajustifikuar ra në kurrizin e fshatarsisë, si e vetmja forcë prodhuese kryesore, që mbante popullin shqiptar me bukë. Popullsia e fshati u zvoglua, u shpronësua dhe u varfërua deri në nivelin e mbijetesës minimale, popullsia e qytetit u shtua dhe shfrytëzua maximalisht në kushtet e një bandustani – ky ishte rezultati final i kësaj politike antipopullore që siguroi mbajtjen e pushtetit nga Enver Hoxha, të mbështetur në forcën e dhunës.

 

Fenomeni i mplakjes së përshpejtuar të industrisë

 

Problemi madhor në të gjitha ndërmarrjet socialiste shqiptare, në veçanti në industrinë e rëndë, ishte gjëndja teknike e ulët e makinerive teknollogjike dhe shfrztyimi i egër jashtë kushteve teknike të tyre. Mjetet e parkut kombëtar të transportit arritën rekorde në konsumin e karburntit. Sistemi i mirmbajtjes në këto ndërmarrje u orientua, duke u kthyer në ”zjarrfikës”, dmth nuk kryheshin riparimet e planifikuara dhe mbi të gjitha nuk bëheshin remontet kapitale në kohë, të nevojshme për rikondicionimin e tyre. Motivet e kësaj mënyre të drejtimit të prodhimit ishin të nartyrës subjektive dhe objektive që nuk varreshin nga ndërmarrja, por nga vet sistemi.

 

Kështu uzinat e reja të sapo ngritura pësonin një mplakje intensive brënda dy – tre vjetve, gjë që reflektonte në cilsinë e prodhimeve dhe në rënien e kapaciteteve prodhuese dhe rritjen e kostos. Kultura e organizimit të prodhimit të zgjeruar mungonte plotësisht, në atë periudhë kërkohej kryesisht riprodhimi i thjesht në kufijt e kapacitetit të mundshëm. Niveli i kapaciteteve të projektuara u harua fare dhe nuk përbënte një pikë referimi gjatë planifikimit ose gjatë diskutimeve në mbledhjet e partisë për caktimin e planit të prodhimit. Zakonisht uzinat e fillonin punën me gjysëm kapaciteti dhe më tej çdo rritje prodhimi nga viti në vit me disa përqind mbi atë të periudhës paraardhëse konsiderohej një sukses i madh i partise dhe e drejtorit të uzinës, pamvarsisht se kjo ishte larg kapacitetit të projektuar. Kjo periudhë zakonisht zgjaste tre katër vjet dhe kur i afroheshin kapacitetit, tashmë makineritë ishin të vjetruara dhe nuk siguronin dot cilsin dhe nivelin e prodhimit.

 

Një nga arsyet që e shtynte personelin teknik të adoptonte metodat zjarrfikse të mirmbajtjes, ishte planifikimi jo korekt i mjeteve të xhiros (shpenzimet e nevojshme indirekte që siguronin realizimin e prodhimit), këtu hynin dhe planifikimi i pjesëve të këmbimit dhe shpenzimet e tjera për riparimet e pjesëshme ose kapitale. Me qënë se në fillim makineritë ishin të reja, efektet e saj nuk ishin aq të dukshme, por më vonë u konstatua se makinerit tashmë ishin të mplakura. Shpesh ndërmarrjet, që tejkalonin koston e prodhimit, nuk e raportonin këtë, duke i shkarkuar tejkalimin e shpenzimeve në kapitullin mjetet e xhiros të planit financiar. Pra edhe ato pak fonde që planifikoheshin për mirmbajtje shpesh nuk arrinin në destinacionin e tyre. Për ta ilustruar po ju jap një shëmbull klasik. Uzinat e bakrit merrnin koks të metalurgjisë me ngjyra nga KME. Në 1980, një ”shkencëtar” me origjin çifute, Marko Menahen, që nuk dihej se çfarë arsimimi kishte, por që dinte disa gjuhë të huaja, doli me propozimin e futjes së qymyreve të vendit të pakoksifikueshme në strukturën e recetës së prodhimit të koksit.

 

Ky koks dilte me 50 % pluhur. Uzinat e bakrit e blenin me një çmim fiktiv, e sitosnin dhe gjysmën e tij e depozitonin si mbetje me gjysmën e çmimit të koksit të blerë. Vlera e diferencës së çmimit të humbur nuk planifikohej në kosto dhe mbulohej me humbjet e prodhimit që zakonisht kalonte për llogari të mjeteve të xhiros. Pra industria e bakrit arriti që të humbte gradualisht komplet fondet e nevojshme për të mbështetur prodhimin. Përpjekjet e dëshpëruara të drejtuesve të këtyre uzinave, duke ulur pagat, duke bërë kursime të egzagjeruara edhe aty ku nuk duhej, prap se prap nuk gjetën shpëtim, pasi gropa financiare ishte mjaft e madhe dhe i gëlltiste të gjitha këto.

 

Me një artikull që shkruajta në gazet atëhere, ku propozoja rikthimin e këtij stoku me pluhur koksi në origjinën e tij, dmth në KME, u bër? armiku i Hajredin Çelikut, ish drejtor i kombinatit dhe antar i byros politike.  Diskutimi u shtri me ministrin e financave dhe me komisionin e planit të shtetit, por askush nuk merrte inisiativën për zgjidhjen e tij. Ideja për ta mbuluar me një fond të veçant nga buxheti i shtetit, për ti çliruar uzinat e bakrit nga kjo mbingarkesë artificiale financiare që po i mbyste, nuk u gjet me vënd. Ky propozim e kapërcente nivelin e kurajos së Harilla Papajorgjit (ish kryetari i komisionit të planit në atë kohë) dhe gjeti një kundërshtar të vendosur tek ministria e financave, e cila përpëlitej për të stopuar difiçitin buxhetar në rritje. Nga ana tjetër kurkush nuk guxonte ti thoshte udhëheqjes së partisë se përdorimi i qymyreve të vëndit në prodhimin e koksit ishte një sabotim i organizuar i ekonomisë. Kjo ishte konsideruar një sukses i iniciativës dhe shkencës shqiptare dhe ashtu duhej të mbetej. Kështu vazhdoi kjo punë deri në falimentimin dhe mbylljen e uzinave.

 

Niveli i teknollogjisë

 

Nuk mund të flas për të gjitha investimet që u kryen se në çfarë niveli erdhi teknollogjia e tyre nga ana e kinezëve, por kuptohet, çdo gjë që prunë për ne ishin të reja dhe u asimiluan me vështirësi, me shumë përpjekje nga ana e punonjësve tanë. Për herë të parë u krijua në vëndin tonë një klasë puntore me origjinë fshatare. Avantazhi jonë ishte se duke patur një popullsi të re dhe rritëm karakteristik të rritjes së popullsisë, në këtë aksion kombëtar u bë e mundur të angazhohej rinia kryesisht. Me fuqi absorbuese të lartë të teknikës dhe njohurive të nevojshme për të përballuar sfidën e vënies dhe mbajtjen në punë të këtyre objekteve industriale, ajo tregoi vitalitetin e popullit tonë, gjë që u duk qartë dhe pas rënies së diktaturës, kur rinia jonë u ballafaqua me teknikën e lartë të vëndeve perëndimore, ku edhe migroi në mënyrë masive. Unë do mundohem të sjell këtu disa shëmbuj më të cilat pata unë kontakt, si një pjesmarës në këto aktivitete në industrinë e rëndë të krijuar.

 

Kur në gjith botën e zhvilluar filluan të prodhoheshin televizorat me ngjyra, tek ne në 1970, u ngrit në Durrës, një linjë e vogël e montimit të televizorave bardh e zi, e blerë nga hungarezët, që filloi të nxirte jo në tregun e lirë televizorin ”Orion” (nëse më kujtohet mirë), i cili më vonë u emërtua sipas variantit ”Iliria”, më tej ”Adriatik”, etj. Duke gërmuar në bibliotekën kombëtare për literaturën profesionale, gjeta një shkrim për prodhimin e traktorëve në Rusi. Në vitin 1936, në Stalingrad u ngrit uzina e traktorëve me kapacitet prej 50000 traktorësh të tipit DT-75 në vit. Projekti i saj mbështetej në dokumentacion të amerikanëve të viteve 20 – 25. Në 1940, për shkak të luftës, u çmontua kjo uzinë dhe u transferua në Urale duke i rritur kapacitetin dhe ndryshuar destinacionin. Ajo prodhoi 100000 tanke në vit. Në vitet 50-të, rusët ja shitën projektet e uzinës iniciale kinezëve dhe në 1967, kinezët na e dhanë neve. Kur pash skicat ruse e pjesve të traktorit të viti 1936, ishin identike me ato skica që mbaheshin me sekretin më të madh në arhivën e uzinës traktori, se mos na e vidhnin armiqt e popullit. Se sa bashkohore ishte kjo teknollogji – NO Coment. Uzina jonë e traktorve Tiranë prodhoi gjatë gjithë jetës së saj vetëm një traktor, në fillim, me të cilin bëri një xhiro Mehmet Shehu në oborin e uzinës dhe pastaj u vu në muze. U tha se nuk kishte pse të prodhonim traktora pasi na dha kinezi aq sa na duheshin, kështu që ne do prodhonim vetëm pjesë këmbimi . Ashtu ndodhi, u mbushën SMT-të me pjesë ”skarco” që recikloheshin, për të mbajt miletin me punë.

 

Gjatë takimeve të delegacioni shqiptarë me palën kineze, për metalurgjinë, kinezët, duke u mbështetur në potencialin e natyrës së vëndit tonë për prodhimin e hidroenergjisë, propozuan të instalonin furra elektrike për shkrirjen e mineralit të hekur nikelit. Pala shqiptare e kryesuar nga Prof. Kumbaro nuk pranoi, pasi donte patjetër furrlarta që konsumonin koks, i cili mund të sigurohej vetëm nga importi. Kështu në bilancin tregtar të shqipërisë u shtua një zë i ri prej 13 – 15 milion dollarë i cili e thelloi defiçitin e valutësnë mënyrë të ndjeshme. Kjo ndodhi pasi Kumbaro nuk kishte parë furra elektrike në Rusi, ku kishte mesuar dhe kishte frikë nga teknollogjitë e reja , etj.

 

Një anomali tjetër ishte kërkesa e palës shqiptare për prodhimin e hekur betonit nga minerali ynë i pasur në Ni dhe Cr. Nga pikpamja ekonomike ishte shumë më e leverdisëshme të profiloheshim në prodhimet e çeliqeve speciale konsumatore të këtyre elementeve dhe hekur betonin e nevojshëm ta blenim nga jashtë. Çeliqet speciale kishin çmime disa herë më të lartë se hekur betoni banal që na duhej neve dhe kishim mundësi ti exportonim lirshëm. Si rezultat, ne shpenzonim energji për nxjerjen kromit të mineralit tonë dhe pastaj e hidhnim atë në brigjet e Shkumbinit në formën e skorjes. Kur më pyeti një specialist suedez (Pjor Lingren, ish drejtori teknik i firmës ASEA nga Ökselsundi), për këtë anomali, nuk kisha përgjigje ti jepja dhe i thash se këto ishin punë të brëndëshme të partisë dhe nuk mund të diskutoja për këtë pikë.  Kështu ne hoqëm dorë nga avantazhi ekonomik që na jepte minerali ynë dukezvogluar artificialisht kapacitetin tonë exportues, vetëm e vetëm për të ruajtur izolimin ekonomik, që të prodhonim çdo gjë me forcat e veta. Ky orientim i partisë në fakt nuk u zbatua dot plotësisht pasi ekonomia jonë importonte çeliqe si lëndë të parë për industrinë mekanike në një kohë që ne prodhonim hekur betonin më të shtrënjtë në botë. Ministria e industrisë kishte një plan vjetor të importit prej gati 300 miliona dollarësh, të cilat vëndi ynë me shumë vështirsi i siguronte duke shitur domate dhe fruta.

 

Në bilancin material të kombinatit metalurgjik, vetëm një e pesta pjesë e hekurit arrinte në çelik, pjesa tjetër fluturonte nga oxhaqet ose grumbullohej si shllam në dambën e Paprit. Ne konsumonim gati 700 – 800 mijë tonë mineral në vit për të prodhuar maximum 140 mijë tonë hekur betoni. Në këtë periudhë lumi Shkumbin dhe zona përreth tij nga Elbasani e deri në Rogozhinë u ndot aq keq sa edhe sot ndihen pasojat. Sikur këtë investim ta kishte bërë ndonjë firmë private, që vitin e parë do kishte dhënë faliment. Ky kombinat angazhoi të paktën dyfishin e fuqis puntore të nevojshme, konsumonte gati dyfishin e energjis dhe katërfishin e lëndës së parë dhe e gjithë kjo u gropos në tunele dhe bunkerët e famshëm. Ndërsa ”populli” i shkretë thëriste ”të na rrojë sa malet Partia dhe shoku Enver”. Mjerë kush arrinte ta kuptonte ose fillonte të bënte hesape – ngordhte në burg si armik i popullit.

 

Bujqësia socialiste

 

Nuk jam agronom dhe nuk mund të prononcohem shumë lidhur me zhvillimet në sektorin e bujqësisë, por ca fenomene, që ne i jetuam në atë periudhe, dhe që nuk kanë nevojë për kultur bujqësore për ti kuptuar do desha ti paraqes. Fshati shqiptar iu nënshtrua presionit të humbiste kullotat që ukthyen nëmënyrë masive në toka gruri. Humbi pyjet gjatë aksionit të hapjes së tokave të reja. Pra humbi dy burime të ardhurash natyrale që i ka patur me shekuj. Rinia e fshatit rinte me sytë nga qyteti dhe endëronte për një punë shteti me një rogë të sigurt, pra u shkëput nga toka që nuk ishte më e tyre. Nëpër fusha ngado që veje shihje ca gra që ulnin kurizin me shatin në dorë dhe ndonjë brigadjer të ulur në hijen e ndonjë peme. Burrat e fshatit preferonin punë të zgjedhura si brigadjer, magazinjer, karocjer, çoban, kusurin e bënin gratë. Vazhdonte të ishte aktuale thënia e Çajupit ”burrat nënë hije rrinë e kuvendojnë, pika që su bie se nga gratë rrojnë”.

 

Me gjithëse nëpër filma dhe gazeta dilnin ca gra kryetare kooperative, në realitet këto ishin raste të rralla. Rendimenti i grurit të mbjellur në toka të papërshtatshme luhatej në kufijt 15 – 2o kv/hektar. Një rast tipik që e kam parë me sytë e mi është zona e Belshit. Pyjet e bukura të Belshit, të cilave i këndon Sami Frashëri për bukurinë e tyre, u fshinë plotësisht, nuk egzistojnë më. Në një lojë ushtarake të bërë në këtë zonë në 1980, si oficer rezervist pata rastin të shoh tokë të tharrë dhe çarë deri në thellësi një metër. Pamje ekstratereste, nuk u besoja syve si mund të transformohet mikroklima dhe ekosistemi i një zone. Aty jo gruri dhe misri që nuk mbiu por as dreqi nuk mbillte dot gjë, sikur ndodhesha diku në planetin Mars.

 

Në mijëra hektarë u investuan para, energji, mjete, pa asnjë kriter dhe studim ekonomik. Rezultati ishte një dështim i plot. Në një moment të caktuar u shpall se kemi prodhuar në vënd gjithë sasin e grurit të nevojshme dhe pas një viti pash në portin e Durrësit vapora me grurë duke u shkarkuar. Zakonisht në dyqan të bukës gjëmonim bukën e zezë me krunde se ishtë më e lirë (40 lekëshe). Ne atë kohë as që e dinim që bënte mirë për uljen e kolesterolit. Pas lajmit që prodhuam bukë në vënd, u vu racioni dhe listat tek dyqani i bukës. Norma ishte një bukë për familje në ditë. Vetëm buka e misrit ishte pa racion por dhe ajo nuk para rastisej. Fshatarët nuk merrnin bukë gruri dhe kur vinin plakat nga fshatrat përreth Tiranës që shisnin erzat e bahçes në qosh të rrugës, na luteshin tu merrnim një bukë gruri për kalamajtë. Shitsja e bukës na vështronte vëngër me dyshim.

 

Zoti nostalgjik, keni kaluar ndonjë natë në rradhën e qumështit? Se ne nga Tirana e zinim rradhën në orën një të natës. Në familjen time këtë detyrë e kisha unë si i vetmi djalë i shtëpisë. Makina e qumështit vinte në orën shtatë të mëngjesit dhe në në orën tetë duhej të isha në shkollë. Në rradhë, para derës së dyqanit zakonisht mblidheshin 70 – 100 veta, kjo ndodhte nja 500 metra larg bllokut, në Tiranën e re. Makina shkarkonte sipas rastit 20 – 30 arka dhe ne numëronim shishet për të ditur se deri ku arrinte qumështi, që të mos rrinim kot në rradhë. Jepeshin  2 litra për person, por nga fundi kur mbarohej vendosej me marrveshje të jepej nga një litër që të merrnin sa më tëpër njërëz. Shumë herë ktheheshim me duar bosh, ajo do ishte dita e çajit. Pasi rrija gjithë natën në rradhë prap se prap mbetesha pa përsheshin tim të darkës. Ndarja e qumështit zgjaste gjithsej 20 – 30 minuta.

 

Që të kuptohemi dhe të mos krijojmë konfuzion, qumështi, për të cilin po ju flas, nuk ishte si qumështi sot, ku në etiketë shkruan yndyrërat 3,5 % ose 1,5 %, prodhuesi dhe data e vlefshmërisë. Jo jo, shishja e qumështit nuk kishte asnjë etiketë, ishte një farë lëngu i bardhë, të cilit i ishin nxjerë të gjitha çfarë kishte brënda, shpesh as që zinte ajkë dhe po ta zije kos, dilte aq i thartë sa nuk e di se çfarë marifeti i bënte nëna që të merrte një shje të pranueshme. Por ne e hanim pa zë, bile na dukej i mirë se s’kishim gjë tjetër, shumë nuk e arrinin pasi dhe ashtu siç ishte kushtonte 25 lekë litri. Kishte ditë që makina nuk vinte fare dhe unë prisnja deri në orën 7:45 duke llogaritur kohën që të arrija në shkollë pa mëngjes. Pensionistët prisnin me durim deri në orën 10. Desha tju pyesja zotërinë – a e dini sa qumësht prodhon një lopë hollandeze, para së cilës lopët tona bënin qumësht sa një dhi. A e dini me çfarë rendimenti prodhojnë grurin hollandezët, në tokat e tyre nën nivelin e detit? Ku e shihni ju epërsinë e sistemit socialist, me kë na krahasoni dhe për çfarë na krahësoni?

 

Në fushën e agrumeve, pati një zhvillim të madh. Me punë vullnetare u hapën taracat e Rivierës, ku u krijuan plantacionet e portokallave dhe të limonave. Kuptohet atje është klima më e mirë për këto prodhime dhe cilësia e frutave ishte shumë e lartë, njësoj si në Çamëri. Megjithatë, ne nuk i pamë ato fruta, ato njësoj si rrushi Afizali i fermës Gjergj Dimitrov përrreth Tiranës, merrnin rrugën e exportit, pasi na duhej valutë për mbrojtjen e atdheut. Ne Tiranë në dyqan gjeje portokalle Elbasani ose të fermës së Sukthit, që ishin shumë më të vogla, më të tharta, dhe plot me bërthama.

 

Këto që ju thash vlejnë vetëm për Tiranën, që furnizohej me përparësi, se në rrethe situata ishte mjaft më gri. Shumë nga farefisi që u binte rruga të vinin në Tiranë nuk largoheshin pa bërë pazarin për ushqimet që nuk i gjenin në qytetin e tyre. Pas vitit 1982, nuk gjeje në Tiranë as një lloj pije dhe as cigare DS. Si duhanxhi, e zgjidha problemin duke porositur ca puntorë nga fshati dhe u bleja duhan të hapur, preferoja duhanin e Belshit, por dhe nga Labinoti nuk e refuzoja. Pastaj mbaruan letrat e cigareve. Ca kohë e shtyva pasi më gjeti një shok që punonte në fabrikën e duhanit Durrës, pastaj morra një llullë. Në 1990-tën, raftet bosh të dyqaneve ishte një pamje normale dhe përveç të huajve, askujt nuk u bënte më përshtypje, kishim fituar imunitet. Besoj se me kaq informacion, panorama e bujqësis së ”përparuar” socialiste është e qartë dhe e plotë. Nuk dua të hyj tju përshkruaj gjëndjen e fshatarëve sidomos ato të malsive dhe të zonave të verut, pasi do ju mbetet në mëndje. Por dhe une e kam të vështir ti kujtoj ato gjera. Megjith atë për tu orientuar ju rekomandoj të shihni ndonjë dokumentar për Afganistanin në Discovery.

 

Fenomeni i varfërimit pasoj e udhëheqjes

 

Baza ekonomike për ngritjen e nivelit të jetesës u ngrit, por nuk reflektoi në të. Ky është rezultat i cili duhej të ishte analizuar me vëmëndje, por nuk ndodhi kjo, pasi udhëheqja e partisë shtet nuk dëshiroi një gjë të tillë. Pamvarsisht nga slloganet e deklaruara në fakt ajo ishte përgjegjsja kryesore e këtij fenomeni, pasi ajo kishte objektiva të tjera të pa deklaruara, të cilat nuk merrnin parasysh popullin shqiptar. Byroja politike e KQ e drejtuar nga Enver Hoxha, krijoi kushtet për të demoralizuar çdo protest, çdo kritikë, çdo mendim ndryshe dhe çdo iniciativë, që nuk përputhej me obiektivat megallomane të tyre.

 

Nga ana tjetër, kjo udhëheqje, nuk kishte kualifikimin, kulturën, eksperiencën për të drejtuar këtë zhvillim ekonomik, i cili e kapërceu shumë nivelin primitiv të administrimit të njohur deri atëhere. Paaftësia u bë armiku dhe forca frenuese kryesore i zhvillimit ekonomik, arsimor, shoqëror dhe kulturor të vëndit. Të gjitha vëndet socialiste kaluan periudhën e komunizmit të luftës por në vëndin tonë kjo periudhë nuk përfundoi, ajo vazhdoi deri në fund, deri në 1990-tën kur ekonomia shqiptare hyri në kolaps të plotë. Në Rusin e revolucionit të parë, 1917, periudha e komunizmit të luftës u mbyll në 1920, kur Stalini mbajti fjalimin e tij programatik për këtë problem në kongresin e Sovjetit Suprem. Karakteristik në komunizmin e luftës ishte eleminimi i drejtuesave teknik dhe organizues të ndërmarrjeve dhe zëvëndësimi i tyre me puntorë revolucionarë. Shumë shpejt pasi ekonomia u bllokua Lenini, u detyrua të hiqte dorë nga kjo politikë dhe ktheu mbrapsht drejtuesit e vjetër të kualifikuar . Në Shqipëri, jo që nuk kishim të tillë por drejtimin nuk e morrën as puntorët revolucionarë, pasi as nga këta nuk kishim, prandaj, u vunë në krye fshatarë që kishin marrë pjes në luftë dhe kishin mësuar shkrim dhe këndim.

 

Në fund të viteve 50-të, filluan të kthehen nga BRSS-ja kuadrot e parë të arsimuar, të cilët u vunë në drejtimin e administratës qëndrore dhe në krye të realizimit të projekteve dhe të kantjerëve të ndërtimit. Fatkeqsisht një pjesë e tyre, shumë shpejt (pas 1961) doli jashtë loje pasi u konsideruan mbartësit e ideve revizioniste. Gjatë viteve 70-të, sidomos pas pleniumit të IV, filloi një fushatë e re e qarkullimit të kuadrove, dmth zëvëndësimi i të aftit me të paaftin, i drejtuesit të kualifikuar dhe me eksperiencë me atë injorant dhe pa eksperiencë. Një shkallzim i paparë i luftës së klasave ndodhi në gjirin e shoqërisë shqiptare, në gjirin e klasës puntore dhe në gjirin e partisë. Kjo përfshiu tërë objektet kryesore të investuara dhe deri në kooperativën e fundit bujqësore. Ishte një lëvizje masive nga sipër poshtë. Enveri eleminonte antarët e byros politike dhe të qeverisë, ndërsa sekretarët e komiteteve të partisë së rretheve e shtrinin këtë deri në qelizat më të thella të administratës dhe të ekonomisë shqiptare. Për ironin e fatit, kjo fushatë u konsiderua si shpikja më e madhe e partisë dhe udhëheqsit të saj vigjilent, e cila do siguronte dhe garantonte fitoren e socializmit dhe mbajtjen e pushtetit nga partia. Ashtu ndodhi por jo shumë gjatë, vetëm deri në 1990-të.

 

Një kofuzion i orientuar u krijua me konceptin e luftës kundra burokracisë, kur ne akoma nuk e kishim krijuar këtë burokraci. Shqipëria nuk ishte Rusia, e cila trashëgoi burokracin e perandorisë Cariste dhe krijoi shpejt dhe burokracin e saj të re të përbërë nga teknokratët e arsimuar. Në Shqipëri gjatë gjithë kohës drejtohej partizançe si të vetmen metodë që njihnin fshatarët injorant të hypur në postet shtetërore. Kështu, luftonin me burokracin shtetet e mëdha, luftonte dhe Shqipëria, pra ishim njëlloj. Vetëm se shtetet e tjera kishin administrata mbi 200 vjeçare dhe ne e kishim 20 vjeçare. Sa shpejt u burokratizua administrata jonë, sa të hapish e të mbyllish sytë, sa u formua dhe hop u burokratizua. Me këtë rast, asnjë kuadro nuk e kishte vëndin e sigurt, çdo drejtor, sekretar partie apo ministër, kur nuk i pëlqente ndonjëri nga mvartësit e vinte në listën e qarkullimit dhe e degdiste nuk e di se ku. Kjo pasiguri i bëri punonjësit të” vëmëndshëm”, ndaj drejtuesave dhe sekretarëve, të mos ua kthenin fjalën, ti duartrokisnin për çdo budallaëk të tyre, të përkrahin çdo idiotësi të propozuar në mbledhjet e partisë, e kështu me rradhë. Kuptohet se indiferentizmi ndaj performancës nuk ta hiqte vëndin e punës.

 

Ekonomin e morri lumi, qerrja socialiste e tërhequr nga buajt e partisë mezi lëvizte. Nëpër gazeta, dilnin herë pas here inisiativat e partisë prezantoheshin si propozime revolucionare të mjelses X nga kooperativa Y, ose të puntorit X nga ndërmarrja Y. Një maskarade tillë propagandistike banale të linte një shije të keqe që shpesh transformohesh në humor satirik popullor që qarkullonin si barcoleta ”armiqsore” . Në vitet e fundit të kësaj periudhe, kur Ramizi nuk e kontrollonte më dot pakënaqësinë popullore, ose lejoi njëfarë liberalizmi të pakontrolluar, bënë që në zonën e artit të dalin vepra pak më të guximshme që kritikonin tërë këtë propagandë banale. Më kujtohet një skeç i pregatitur nga një trup estrade për koncertin e vitit të ri 1990. Nuk më kujtohet texti egzakt, por ideja ishte se diku në një minierë, shokët e punës i sollën si peshqesh për ditlindje një cop guri të ambalazhuar. Personazhi hyri në një luftë brëndëshme një meditim sarkastik, gjoja ai nuk do e pranonte kurrë këtë nder kaq të madh që i bën shokët. Ky cop guri ishte pronë e popullit, djersa e minatorve dhe mund të vinte në rezik realizimin e planit të prodhimit dhe të angazhimeve që ata kishin marrë para partisë… ilariteti i spektatorëve ishte i madh.

 

Politika e kuadrit të partisë

 

Në periudhën e diktaturës enveriste, kuadri kosderohej monopol i partisë. T’jua zbërthej këtë formulim aq të konsumuar në atë periudhë. Me emërimet në strukturat e larta të partisë dhe të qeverisë merrej një organ, që quhej drejtoria e kuadrit të KQ, e drejtuar për gati 25 vjet prej Mihal Bishës. Ky ishte njeriu që gjatë gjithë kohës rrinte në hije, nuk dilte në TV, as nëpër konferenca apo kongrese. Ishte personi i cili kërkonte, gjente dhe propozonte kandidatët, bënte formulimet e urdhërit të emërimeve, propozonte ose zbatonte vendimet e shkarkimeve. Ministrat, kur i drejtoheshin, e quanin shefin e tyre dhe i serviloseshin njësoj si dhe para Enver Hoxhës. Kam asistuar në rastet kur dhe antarë të byrosë politike i serviloseshin, kuptohet ata të rinjt që u emëruan më pas. Të gjitha propozimet e kryeministrisë, të anëtarëve të KQ, të komiteteve të partisë së rretheve, studioheshin, hetoheshin në zyrat e kësaj drejtorie. Fuqia e kë këtij personi qëndronte në lidhjet dhe besueshmërinë që i kishte dhënë atij Enveri.

 

Në çdo komitet partie të rretheve, funksiononin degët e kësaj drejtorie, që kishin mvartësi të dyfisht. Nga sekretari i parë i rrethit dhe nga kjo drejtori e KQ. Kuadrot e larta ishin nomenklaturë e komiteteve të partisë. Çdo kuadër i lartë kishte dosjen e tij në zyrat e kuadrit të komiteteve të partisë të cilat kompletoheshin vazhdimisht me tërë informacionet që kishin të bënin me atë. Aty gjeje biografin e tij dhe të farefisit të tij, informacionet e zyrave të kuadrit të ndërmarrjeve ku ai punonte, propozimet, vërejtjet, letrat që dërgonin kundër këtij kuadri ”besnikët” e partisë apo informacioni sistematik nga rrjeti i informatorëve të sigurimit etj.   Transferimi i një kuadri, nga një ndërmarrje në një tjetër ose nga një qytet në një tjetër, ose kariera profesionale dhe administrative, ishte një punë shumë e vështirë nëse nuk propozohej nga partia, dhe kthehej në një veprim banal automat kur vinte një urdhër nga sipër për këtë. Shumë kuadro prisnin me vite përgjigje kur bënin kërkesa transferimi për arsye personale ose familjare, shpesh nuk merrnin asnjë përgjigje edhe pasi kërkesa përsëritej shumë herë. Pas hedhjes së kërkesës, fillonte një periudhë e gjatë kërkimi për të gjetur mikun, personin që do thoshte një fjal të mirë ose do ndërhynte për tja bërë të mundur transferimin ose emërimin që donte. Jepeshin peshqeshe, favore personale të ndryshme. Servilizmi ishte shumë i këshillueshëm. Shpesh dëgjoje këshilla për të ulur kokën dhë të bëheshe i vëmëndshëm me çdo koleg ose shef që mund të të prishte punë.

 

Në çdo ndërmarrje gjeje tre figura kryesore, drejtori, kryeinxhinjeri dhe sekretari i partisë. Në eshalonin e dytë ishin shefi i kuadrit, kryetarët e degëve dhe shefat e reparteve. Tre të parët ishin nomenklaturë e komitetit të partisë së rrethit, të tjerët ishin nomenklaturë e komitetit të partis së rajonit të zonës. Për çdo emërim ose transferim, formalisht merrej dhe një vendim nga organizata bazë e partisë, në mbledhje speciale, edhe për ata që nuk ishin antarë partie. Kjo gjë u krijonte, antarve të thjeshtë të partisë, një ndjenjë superioriteti, pasi kujtonin se fjala e tyre në atë mbledhje mund të influenconte fatin e kuadrit në fjalë. Disa nga këta, mundoheshin të përfitonin nga kjo, sa merrnin vesh që ky kuadër kishte ndonjë problem ose kishte bërë ndonjë kërkesë. Pra ishte një sistem diabolik i cili shtrythte çdo kuadër, i shtypte personalitetin, e kthente në një mjet manipulimi, i shkatëronte karakterin, i ktheu në skllevër të arsimuar.

 

Që të bëhet më e qartë se kush drejtonte ndërmarjet do ju prezantoj dy figura tipike të epokës që nuk kam mundur ti haroj as sot. Fadil Deliu nga Cacabeza (një katund malor i Peqinit), e filloi karierën e tij duke shtyrë fuçiat e ziftit në rafinerin e naftës Cërrik. Më vonë u bë sekretar partie në kooperativën e Pajovës, instruktor i komitetit të partis së rrethit të Elbasanit dhe me vënien e kombinatit në punë në 1976 u bë drejtori i furlartës së parë shqiptare. I shkreti i dilnin djersë kur shkruante dy rjeshta. Ky kishte një As në xhep, njihte Hekuran Isain pasi kishin punuar bashkë në rafinerinë e Cërikut. Pilo Peristeri (xha Pilo e thërisnin), injorant pa shkollë, në 1967-tën u bë drejtori i uzinës traktori në Tiranë dhe më vonë i kombinatit të autotraktorëve ”Enver Hoxha”. Xha Piloja kishte një huq, çdo mëngjes dilte dhe mblidhte letrat në oborin e uzinës. Shefat e reparteve dhe kuadro të tjera që e shoqëronin në këtë shëtitje të përditshme, sa shihnin ndonjë letër në ndonjë qoshe, ziheshin kush ta kapte i pari që ti shihte drejtori i madh, antari i përhershëm i byros politike. Piloja pasi mbaronte xhiron e mëngjesit shkonte në zyrë dhe ja merrte një sy gjumë, pasi ishte i lodhur nga mosha e vjetër dhe nga ”hallet e mëdha” të partisë. Pasi i dilte gjumi nga ora 11, thëriste shefat ti raportonin dhe në orën 12:00 i hypte benzit për tu drekosur në shtëpi. Ky plak injorant kishte nën hyqëm rreth 5000 punonjës dhe qindra kuadro të larta. Në memorjen e punonjësve ka mbetur dhe për diçka tjetër, po të merrte vesh se dy të rinj duheshin, i thëriste në zyrë dhe i martonte në vënd. As që i interesonte nëse të rinjtë ndoshta s’kishin ndërmënd ta bënin këtë. Kështu u formuan shumë familje të uzinës, një pjes nga të cilat përfunduan në divorc më vonë.

 

Më të shfrytëzuarit ishin kuadrot që punuan nëpër kantjeret e mëdha të ndërtimit të ”veprave të partisë”, siç mund të përmënd hidroçentralet, kombinati metalurgjik, azotiku, rafineria e Ballshit etj. Këta në përgjithsi ishin inxhinjera, ekonomista, të dalë direkt nga dyert e shkollave që punonin pa asnjë kusht minimal që mund të egzistonte në atë kohë. Strehoeshishin në baraka ose konvikte beqarësh dhe hanin nëpër menca puntorësh. Kishin pagat minimale të stazhjerit si fillim dhe më vonë pas një viti arrinin në rogën bazë 6800 – 7000 lekë. Si shëmbull që e kam përjetuar, mund tju sjell rastin e kuadrove që u caktuan të punojnë në ngritjen e Kombinatit metalurgjik Elbasan. Në 1974-ën, ishim 25 inxhinjera që u vendosëm në një apartament me dy dhoma e një guzhinë (rreth 45 m2) në rrugën që të çonte tek ura e Shkumbinit. Dhjetë inxhinjera flinin në dhomën e gjumit (4×5 m), gjashtë në një dhomë të vogël (2×3 m) dhe kusuri në guzhinë. Kishte një koridor të vogël ku në darkë mblidheshin rreth 50 këpucë dhe çizme. Në orën gjashtë të mëngjesit niseshim për në kombinat dhe rendnim të hypnim në autobuzat fizarmonik, ku njerzit bëheshin sardele për të shkuar në punë.

 

Në atë periudhë ishin gati 25.000 punonjës që duhej të arrinin në kombinat (6 km larg qytetit) nga ora 5 deri në orën 7-të dhe transporti realizohej me rreth 30 autobuza që venin dhe vinin. Për të ngrënë ishin ngritur disa menca, ku në sejcilën prej tyre mesatarisht ushqeheshin rreth 2 – 3 mijë punonjës. Po të vonoheshe pak në mencë i vetmi variant mëngjezi ose dreke ishin kurabiet 5 lekëshe. Në drekë për shëmbull, gjellët fillonin të mbaronin pas 30 minutash nga fillimi i ndarjes, kështu që brigadat dërgonin dikë një orë përpara që të mbante rradhën në mencë. Nga puna zakonisht ktheheshim në darkë rreth orëve 19 – 21, dhe shkonim direk në restorant që të kapnim diçka nga menyja e ditës. Në hotelin e turizmit të Elbasanit, tek dera gjeje të varur një tabel ku shkruante ”ndalohet hyrja me çizme”, ishte vënë special për ne inxhinjerat e metalurgjikut. Megjithatë ishim me fat në krahasim me ata të Fierzës, ishim të priveligjuar pasi ishim në mes të një qyteti. Të të caktonin në hidroçentral konsiderohej si një dënim, pasi jetoje në kushtet e një kampi përqëndrimi.

 

Në vënd të përfundimit

 

Në 1985-sën, pata një diskutim privat me Leka Shkurtin (ish drejtor i drejtorisë ekonomike në KQ dhe më vonë këshilltar i parë i Ramizit). Pasi dëgjoi prognozën time, se për pesë vjet Shqipëria do hynte në kolaps ekonomik nëse nuk ndryshonim metodën e planifikimit, më tha miqësisht se isha extremist dhe e kisha gabim. Më vështroi me qesendi sikur thoshte ” çi ke këto fantazira more djalë, mi the mua po mos ja thuaj kujt tjetër se të marrin për të marrë”. Adil Çarçani (ish kryeministër në atë kohë) nuk foli, ai heshti, por më vonë i tha nënës time se i bëhej qejfi që djalin e kishte mirë.

 

Unë e kuptova se disa nga udhëheqja e partisë e dinin, por nuk kishin guximin ta pranonin hapur këtë orientim të gabuar ekonomik dhe preferuan të heshtnin që të mos shpalleshin dhe ata armiq të popullit si shokët e tyre më parë. Ndihej njëfarë pranimi në heshtje të fatit, një nënshtrim kapitullues. Nuk guxuan ta paralajmëronin popullin për çfarë e priste. Përkundrazi vazhduan në idiotësinë e tyre me kokfortësi edhe kur këtë jua tha troç dhe hapur Shtrausi, kur erdhi tre herë për të na dhënë dorën. Patën paturpsinë të dërgonin Foto Çamin (ish antar i byros politike) në 1985-ën, që tju jepte leksione marksizmi kapitalistëve dhe industrialistëve më të mëdhenj të Bavarisë.

 

Shtrausi nuk kërkoi asnjë koncesion politik, e vetmja këkesë e tij ishte të hiqnim nga kushtetuta atë nenin më të çuditshëm, të ndalimit të marrjes së kredive nga jashtë, që ishte një premierë në gjithë botën. Asnjë vënd në botë nuk ka guxuar kurrë të ligjëronte një budallallëk të tillë, përkundrazi të gjitha shtetet mundoheshin të tërhiqnin sa më tepër investime të huaja. Ndërsa Ramiz Alia mbajti atëhere fjalimin e tij të famshëm që ”Shqipëria as do hapet dhe as do mbyllet” dhe na tregoi drejtimin e politikës së tij të vazhdimsisë, të rrugës së Enverit. Pra na e bëri të qartë, se ne do vdisnim dhe nuk ”do e shtrinim dorën” për ndihmë. Vetëm se në 1990-tën, pasi pa se çfarë pësoi Çaushesku në Rumani, i hyri lepuri në bark dhe nuk dinte si ta bënte atë çikë pluralizmi, që tu hidhte hi syve të botës perëndimore.

 

Si një paralelizëm, më vinte shpesh në mëndje situata kur Hitleri i mbyllur në bunkerin e tij, vazhdonte planet dhe variantet për pushtimin e botës, ndërkohë që ushtria ruse arriti në dyert e Berlinit dhe aviacioni anglo-amerikan rafshoi qytetet e Gjermanisë. Ndryshimi ishte se ai u tregua burrë dhe ja hoqi vetes në momentin e fundit, ndërsa këta tanët i mbushën… Perëndimi e dinte jashtëzakonisht mirë situatën ekonomike të Shqipërisë, por na la ta çonim çmëndurinë tonë pseudostaliniste deri në fund dhe ndërhyri vetëm kur populli shpërtheu kufijtë dhe dyert e ambasadave. Bomba shqiptare shpërtheu mu në mes të Ballkanit, në gjirin e Europës.

 

Unë e falënderoj këtë zotëri nostalgjik që më nxiti dhe më krijoi rastin për të përmbledhur kujtimet e mija për atë epokë të përmbysjes së madhe dhe të shkatrimit të vlerave tona kombëtare. Në të njëjtën kohë u kërkoj ndjesë historianëve dhe analistave shqiptarë, që pa qënë një specialist në këto, hyra sadopak në fushën e tyre. Do më ngushëllonte fakti nëse dikujt prej specialistëve shkrimi im mund t’i zgjojë ndonjë ide për tu përqëndruar në studimet e tij rreth asaj periudhe historike të kombit tonë martir. Gjithashtu falënderoj lexuesit e këtij shkrimi për durimin që patën ta lexoni këtë prezantim pak të gjatë, ku shpresoj të kenë gjetur përgjigjen e kërkuar për të paktën ndonjë nga pikpyetjet që kishin lidhur me arsyen e krijimit të asaj gjëndje aq anormale që kaloi vëndi ynë në vitet 90-të, që na bëri të marrim rrugët e kurbetit të hidhur. Zoti të na ruajë nga injorantët, budallenjt dhe të çmëndurit! (Bukuresht, 29.01.2011)

 

***

Përparim Demi jeton në Bukuresht të Rumanisë. Është diplomuar si inxhinjer metalurg më 1974, në Universitetin e Tiranës. Ka marr pjes në vënien në punë të kombinatit metalurgjik të Elbasanit, deri në vitin 1990 ka punuar në vënde të ndryshme të industrisë metalurgjike. Ka marr pjes në lëvizjen studentore 1990 dhe është një nga nismëtarët e PD-së. Në shkurt 1991 u largua nga Shqipëria dhe morri statusin e refugjatit politik në Bukuresht. Ka punuar si punonjes shkencor në Institutin e Kerkimeve Metalurgjike Bukuresht dhe së fundi ka hyre në enciclopedinë e personaliteteve të Rumanisë (koleksioni Hübners Who is Who in Romania) botimi 2010. Përveç proekupimeve profesionale ka shkruar shumë shkrime dhe poezi në gjuhën shqipe dhe rumune, të cilat mund ti lexoni në blogun e tij: Epiriotul.wordpress.com



(Vota: 53 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora