E shtune, 27.04.2024, 02:15 AM (GMT+1)

Kulturë

Anastas Nika: Aktori që u përcjell personazheve emocione tronditëse

E merkure, 14.11.2007, 11:01 PM


Anastas Nika ka lindur në 1960 në fshatin Sopik. Atje i ka fillesat e para si babagjyshi i Vitit të Ri dhe më pas do të jepte shfaqje me të rriturit në kohën e korrjeve, ku aktivizohej si i vetmi fëmijë pasi ishte i bëshëm në trup dhe kishte një zë të fuqishëm. Këndonte bukur dhe shkruante parodi, kuplete duke i deklamuar para shkollës dhe para fshatarëve në fushë. Anastas Nika është aktori dhe regjisori që është ngjitur në skenë kur ishte djaloshi me pantallona të shkurtra dhe tani është aktori që numëron më shumë se 80 role. Po Anastasi në rrugën e tij të aktrimit dhe më vonë edhe si regjisor në 27 vjet ka bërë një emër të dashuruar nga artdashësit sarandjotë dhe më gjerë.Ai është aktori që me një shprehje të fytyrës flet sa për disa faqe të shkruara. Është aktori që u jep jetë ngjarjeve dhe personazheve duke e gozhduar spektatorin të qëndrojë sy e vesh në sallën ku shfaqet tragjedia apo komedia. Duke udhëtuar me aktorin e talentuar ndër vite atje ku zhvillohen ngjarjet dhe merr jetë një fillim i ri. Është aktori që asnjëherë nuk është ngjitur në skenë në kërkim të lavdisë, aktor që edhe kur i kërkuam një intervistë me modesti foli për vete dhe për shokët në vitet kur nisi të ecë deri sot kur ka një emër dhe një figurë që të bën ta shikosh dhe admirosh. Ai ka në skenë një jetë dhe i ka dhënë asaj emrin dhe shpirtin. Po kush është Ananstas Nika dhe rruga që ka bërë? Për këtë le të flasë vet ai si njeri, qytetar dhe aktor.

A mund të tregosh se cili ishte artisti që zbuloj talentin tuaj dhe kur?

Njeriu që zbuloi talentin tim do të ishte kinooperatori dhe regjisori i Livadhjas dhe zonës ku unë u linda dhe u rrita Vasil Kromidha i cili do të punonte për të me përgatitur  për konkurruar në Tiranë në degën e regjisurës.

Kur i filluat mësimet e para në aktrim?

Në vitin 1975 do të filloja mësimet në degën e regjisurës në Tiranë dhe këtu janë fillesat e mia. Këtu do të niste rruga ime për një interpretimi profesional, dhe ja vlen të përmendet  interpretimi i figurës së Jonuz Brugës  në dramën “Familja e Peshkatarit” të Sulejman  Pitarkës si dhe kuestori tek “Qielli i kuq” i Tefik Çaushit. Tek unë u panë fillesat e një aktori që profesorët do ta quanin i “fuqishëm” e me të ardhme. Po që unë i mendoja këto cilësime si një kuraje për të ecur dhe për të arritur atje ku gjykonin mësuesit e mi të dashur ata që më dhanë nga bota e tyre dhe që më thanë se të bëheshe artist të duhej të ecje e të lodheshe drejt një rruge të vështirë e plot të papritura. Po mendoj se kisha shumë ëndrra të cilat disa mbetën përgjysmë.

Ju keni pasur në shkollën e artit disa peripecira përse apo ke qenë njeri i vështirë, apo…?

Në fund të vitit të tretë  unë do të përjashtohesha nga shkolla “për shfaqje të huaja”- dhe kjo do të vinte pas dëbimit e internimit të mikut e pedagogut tim që më futi në atë shkollë, “mjeshtrit të madh të punës” kritiku i teatrit shqiptar dhe pedagog në Akademinë e Arteve Miho Gjini ku dhe unë do të ndiqja kalvarin e mundimeve duke u përjashtuar disa herë nga shkollat për “ide e shfaqje të huaja”. Po nejse të shkuara të harruara. Edhe këto episode do të ishin pjesë e artit dhe e botës sime. Pa dhimbje nuk mundet të kuptosh asgjë as artin as jetën as dashurinë as urrejtjen as dhimbjen disa cilësi të vyera dhe të nevojshme për atë që ngjitet në skenë.

Po para se të shkonit në auditorët e artit ju sikur keni nisur shkollën e bujqësisë, ishte një zgjedhja juaj apo një drejtim i paditur apo për riedukim?

Do të nisja studimet e mia në Shkollën e Mesme Bujqësore në Delvinë për Zooteknikë, pra më çuan atje për tu riedukuar, dhe ku unë kisha humbur të drejtën për tu kthyer në degën  për regj. Këtu unë me pasionin tim të çmendur kur isha në vitin e dytë të kësaj shkolle, ku nuk kisha asnjë lidhje me këtë degë për trajtim kafshësh, do të nisja dhe rrugën time si regjisor duke vënë me nxënësit e kësaj shkolle shokë klase dhe të viteve të tjera komedinë “E fejuara ime” të autores Fatmira Aliaj. Dhe ku do të luaja dhe vetë rolin kryesor në rolin e të fejuarës do të ishte Kozeta Bogdo, një vajzë me të dhëna interesante për aktore, por që sot nuk e di se ku gjendet. Menjëherë pas kësaj shfaqje të suksesshme në Delvinë e Sarandë do të merrja dhe një çmim inkurajues. Po për këtë vepër nuk e di pse unë do të përjashtohesha nga shkolla përsëri. Dhe arsyetimi ka qenë qesharak. Nuk kisha  kryer të gjitha ditët në orën ushtarake.

Po më pas përse edhe ushtar, apo se të duhej të mësoje edhe artin ushtarak?

Pas një viti tjetër i dënuar në punë bujqësore do të shkoja ushtar në zonën e Konispolit, ku unë do të vazhdoja rrugën time artistike dhe do të kisha një bashkëpunim që më ka lënë mbresa me njerëzit atje. Këtu do të jetë dhe fillesa dhe shkaku  për tu bërë më pas aktor në trupën profesioniste të Sarandës. Dhe këtë ja dedikoj aktorit  simpatik e plot energji e humor Ilo Martiko, që tani nuk jeton më, si dhe regjisorit të shquar të kësaj trupe, që do të  më mbante në shtëpinë e vet si djalin e tij, Thoma Milaj.

Ju keni bërë rrugë të gjatë derisa u ngjitët në estradën e Sarandës po si erdhët deri këtu?

Në estradën e Sarandës do të interpretoja në shumë role në skeçe, parodi, kuplete e monologje. Arritja më e mirë do ishte  një nga rolet kryesore në komedinë e Pëllumb Kullës “Flokë dëbore në prill”- dhe konkretisht në rolin e deputetit Laze ku vlejnë për të përmendur që unë isha 21 vjeç dhe mosha e rolit ishte rreth të 70-ve. Interpretimi im u vlerësua nga kritika dhe sidomos autori i kësaj vepre, Pëllumb Kulla. Këtu vlerësoj ndihmesën e madhe të aktorit të njohur e të talentuar Karafil Shena, si dhe dashamirësinë ndaj meje të aktorit të vjetër të kësaj trupe, plot vlera në fushën e humorit, Haki Spaho.

Ju mbetët pa arsim apo pas kalvarit të gjatë ju u  kthyet përsëri studimeve në  shkollën e artit?

Në vitin 1986 do të nisja studimet në Akademinë e Arteve në degën e aktrimit,dhe ku vërtet do të zhvillohet e përsoset figura ime si njeri e artist-aktor. Këtu do të njihem me aktorë e regjisorë të shquar në detyrën e pedagogëve të mi si Timo Flloko, një pedagog  i shquar por dhe një mik i vërtetë imi i cili do të nguliste tek unë lojën organike, Vangjush Furxhiu një yll që do të ndriçojë në qiellin e artit e të teatrit e filmit shqiptar, për plastikën e forcën e brendshme shpirtërore. Rikard Ljarja do të evidentonte tek unë madhështinë e figurës në skenë e forcën e fjalës. Pirro Mani - forcën e të qenit aktiv, si dhe Agim Qirjaqi  aksentimin e fjalës e të mendimit të fuqishëm. Në Akademi do të interpretoja figura të fuqishme të dramaturgjisë botërore si Besëmenovi tek drama e Maksim Gorkit “Mikroborgjëze apo gjykatësi Denforth tek drama “Shtrigat  e Salemit” - të autorit  amerikan Artur Miler. Filimoni tek “Njeriu që pa vdekjen me sy”, si dhe plakun e zgjuar e fisnik Rakip që u shurdhua për të marrë vesh se çfarë ndodhte në shtëpinë e  tij, si dhe në komedinë dramatike “Lojë dashurie” në rolin e Bridenit, një rol i dytë por që në premierë do të kthehej i parë pasi unë shfaqa cilësi që nuk i kisha shfaqur në rolet e tjerë pasi ai ishte një topall, kurrizo, qorr dhe rreth të 70-ve dhe një personazh tragjikomik dhe kryesorja me fare pak tekst.

Po pas përfundimit të akademisë si do të shkonte aktrimi dhe si do të ishte Anastasi më i pjekur, më i ditur apo një aktor tanimë i shkolluar dhe pak mendjemadh?

Mendjemadh aspak. Asnjëherë. Më i përgjegjshëm po, më i matur po ashtu. Më serioz po. Në vitin 1990 pas mbarimit të Akademisë do të rikthehem në qytetin e Sarandës pasi refuzova të shkoja në teatrin “Skampa” në Elbasan, pasi kishin nisur eksodet e ngjarjet e korrikut në ambasada, u ktheva pranë familjes. Fillova në trupën e Sarandës. Në këtë trupë ku punoj edhe sot për 17 vjet si aktor, regjisor, skenarist e autor komedish e skeçesh. Kam interpretuar në premier. Kam shkruar e vënë në skenë, duke qenë vetë aktori kryesor në këto premiera: “Po të mos kesh kokë”, “Një shqiptar në hënë”, “No coment”,  “Syri jeshil në kohë të tretë” si dhe komeditë “Marrëzia e një të mençuri”,  “Tre kërcunjtë”, “Dhëndri nga Amerika” si dhe komedi me një akt “Vaji i dashurisë”, “Këngën ma dëgjoni nesër”, “Gjyq në fund të shekullit” dhe “Krijimi i Partisë  Lakuriqe”. Në vitin 1992 kam vendosur me shumë sukses komedinë e Nobelistit të njohur Italian Dario Fo “Jo të gjithë hajdutët vijnë për të keq”  ku janë dalluar për një lojë realiste e krijim figurash aktorët: Theofil Haxhijani, Haki Spaho e Pranvera Brinja dhe veçanërisht skenografinë e të mirënjohurit të talentuarit skenografit Lefter Çeko.

Po me talente e reja a keni ndonjë përvojë?

Kam punuar si mësues i fjalës në Qendrën e fëmijëve dhe do të evidentoja fitoren e vendit të tretë në takimin kombëtar në TVSH të fjalës artistike si grup, dhe vend të dytë si individ duke lënë pas Elbasanin, Tiranën e Durrësin. Gjithashtu kam përgatitur me muaj të tërë e orë pambarim studentët që kanë shkuar në Akademi të ndryshme të artit skenik, dhe përmend këtu aktorin e shquar shqiptar në skenën e teatrit e filmit grek Laert Vasili si dhe regjisorin e talentuar i cilësuar “djali i tragjedisë moderne” - Mikel Kalemi, gjithashtu Ervina Kotolloshi në spektaklin “Portokalli”- në rolin e Ponjës e Adelës e plot të tjerë që sot studiojnë në Akademinë e Arteve në degët regji e aktrim.

A ke ende ndonjë ëndërr të pa arritur aktori, Anastas Nika?

Patjetër. Ëndrrat janë pafund. Unë kam shumë jetë ende për të qëndruar në skenë dhe besoj se do të interpretoj shumë role të reja. Ëndrra ime për të ardhmen e afërt do të jetë të realizoj figurën e Sokratit, por një Sokrat ndryshe në koncept, tekst, e vend. Po mbase guxoj shumë. Po pa ëndrra nuk mundet të mbetesh në skenë dhe të jesh artist. Dhe unë pa artin skenik pa aktrimin dhe personazhet e mi nuk mundet ta kuptoj jetën. Arti mbetet jeta ime. Dhe skena shtëpia e ëndrrave të mia.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora