E premte, 26.04.2024, 06:06 AM (GMT+1)

Mendime

Agon Maliqi: Homazh për moralin e Kryeministrit Zero

E enjte, 11.03.2010, 09:00 PM


Homazh për moralin e Kryeministrit Zero

(i shkruar sipas "modës" së fundit të letrave publike)

Nga Agon Maliqi

Zoti Kryeministër,

Besoj se ju kujtohet mirë viti 2007, kohë kur ju ndodheshit në krye të opozitës ndërsa vendi qeverisej nga partia e atij burrit që për shtëpi ka atë ”kështjellën” pompoze të Lagjes Arbëria. Në zgjedhjet e atij viti pushteti arrogant i asaj qeverie u dënua me plot meritë nga vota e qytetarëve. Në mesin e shumë streseve të jetës së përditshme njerëzve u kishin ardhur në majë të hundës rrëfimet për babëzite korruptive, keqmenaxhimin e parasë publike dhe mungesën e theksuar të vullnetit politik të asaj qeverie për ta çuar vendin përpara. 

Si rezultat i atyre zgjedhjeve votat e qytetarëve (dhe përfaqësitë ndërkombëtare) sollën në pushtet partinë tuaj. Në mesin e votuesve jopartiak si puna ime kishte njëfarë shprese se ju do të mësonit diçka nga ndëshkimi që mori klika e zotërisë nga Arbëria. Në ditët e para të qeverisjes suaj madje na e dhatë njëfarë shenje se vota ndëshkuese pati vlerë – ndërmorët disa hapa të menjëhershëm për shkurtimin e shpenzimeve të tepruara, filluat ndërtimin e shumë shkollave dhe rrugëve (anipse me çmime dhe cilësi te dyshimta). Ne përkohësisht u kënaqëm, ndërsa ju si duket mbetët përjetësisht i vetëkënaqur, me faktin se ishit ”më të mirë se ata të tjerët”. 

Shumë shpejt u pa se ato ditët e para të qeverisjes suaj nuk ishin gjë tjetër veçse fillimet e krijimit të një miti të madh publik për ”qeverinë e suksesshme”, e një gënjeshtre të gatuar në kuzhinat e specialistëve të PR-it e cila sot e kësaj dite vazhdon të trumbetohet nga ato media që me zell lëpijnë sahanët tuaj të florinjtë ose nga ato që çdo ditë e më shumë po gjunjëzohen para fuqisë tuaj. Mesa duket edhe ju, që në ditët e para të qeverisjes suaj, ratë viktimë e këtij miti dhe vendosët të jetonit brenda iluzioneve të tija. Ju harruat se një pushtetari nuk i mjafton të jetë ”pak më i mirë se tjetri” për të qenë i suksesshëm. 

Prapa fasadës tashmë të zbehur të ”qeverisë së suksesshme” zbulohet një e vërtetë e hidhur: ju gjatë këtyre dy viteve të fundit nuk e keni ndryshuar në mënyrë përmbajtjesore cilësinë e qeverisjes. Ju vetëm e keni çuar atë nga pika -1 në pikën 0. Dhe zeroja zoti Kryeministër, mbetet zero – një numër pa vlerë. 

Një prej lëvdatave kryesore që morët pas ardhjes në pushtet ishte se ju ishit një udhëheqës i fuqishëm i cili, për dallim nga paraardhësit, kishte nën kontroll të plotë qeverinë e tij. Një pozicion i tillë krijon përparësi të mëdha sepse mundëson një qeverisje kohezive dhe të orientuar në mënyrë strategjike nga vizioni i udhëheqësit. Por stili i qeverisjes me dorë të fortë, nëse përparësitë e tija nuk përdoren mirë, mbart edhe një kosto të madhe për udhëheqësin. Si rrjedhojë ju sot mbani përgjegjësi personale për dështimet dhe nuk mund të fshiheni prapa ministrave të dobët. Nëse gjatë kësaj kohe ata ishin zero, atëherë ju ishit kryezeroja.

Përkundër mundësive për të bërë shumëçka, ju gjatë këtyre dy viteve e dëshmuat vetën si një udhëheqës mediokër dhe pa vizion, një arnues dhe jo zgjidhës problemesh, një improvizues i humbur në oborrin e vet. Nëse qeverisja politike do të krahasohej me lojën në një orkestër muzikore ju nuk do t’i ngjanit aspak atij dirigjentit të muzikës klasike që udhëzon orkestrën në bazë të notave të paracaktuara, por do t’i ngjanit atij klarinetistit improvizues dhe impulsiv të muzikës tallava që prodhon tinguj ashtu siç ia ndjen zemra në një moment të caktuar, pa pikë ideje se ku po e çon këngën. Ju, zoti Kryeministër, jeni shembull tipik i një politikani tallava! 

Dy vite në pushtet vërtet nuk mjaftojnë për të prodhuar rezultate në zgjidhjen e problemeve të mëdha që ka Kosova. Ndryshime të prekshme për një periudhë kaq të shkurtër mbase nuk do të sillte as qeveria më e mirë e mundshme. Por gjatë këtyre dy viteve ju të paktën mund t’i kishit nisur disa reforma të rëndësishme që do të materializoheshin me kalimin e kohës dhe do t’ju sillnin pikë të rëndësishme politike në zgjedhjet e ardhshme. Ju nuk nisët pothuajse asgjë të tillë gjatë dy viteve në pushtet, duke i humbur kështu vendit kohë shumë të çmuar. 

Përveçse i latë krejtësisht mënjanë reformat në drejtësi, shëndetësi, arsim, administratë, etj., u treguat jashtëzakonisht i ngathët në nisjen e projekteve jetike për ndezjen e motorëve të ekonomisë. Me shpenzimet e mëdha publike - kryesisht në objekte fizike të infrastrukturës - ju arritët që përkohësisht të rrisni qarkullimin në ekonomi dhe të mburreni me rritjet vjetore të GDP-së. Por çfarë vlere do të kenë shumica e këtyre investimeve në qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe sektorit privat në momentin kur shpenzimet buxhetore të jenë zvogëluar? Investimet kapitale duhet të bëhen brenda kornizave të një vizioni afatgjatë zhvillimor, dhe jo sipas improvizimeve që djegin paratë dhe nuk krijojnë vlerë të shtuar për ekonominë dhe shoqërinë në afat të gjatë.

Besoj se shumica e qytetarëve kanë mirëkuptim për vështirësitë e shumta me të cilat ballafaqoheni në qeverisje dhe se, në rrethana të caktuara, mbase edhe do t’jua falnin shumë prej dështimeve të sipërpërmendura. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin e problemeve me të cilat përballemi si dhe për mungesën e theksuar të përvojës që shoqëria jonë ka në punët e shtetit. 

Por falja e qytetarëve do të ishte e mundur vetëm nëse sjellja e juaj publike gjatë këtyre dy viteve të kishte reflektuar një përpjekje dhe dëshirë tuajën të sinqertë për të punuar në interes të vendit, dhe jo sjellje prej një sharlatani që duket se ndjek kryekëput interesat e veta personale. U pa se si gjatë kësaj kohe ju harxhuat më shumë energji për ta mbajtur dhe zgjeruar pushtetin tuaj sesa për të prodhuar diçka nga pushteti që tashmë e keni në dorë. U pa shumë qartë se jeni ai soj i politikanit që për arsye psikologjike pushtetin e ka kryekëput qëllim në vetvete, por jo edhe një mjet për ti shërbyer publikut. Pikërisht për këtë arsye ju nuk meritoni kurrfarë falje. 

Me një akt tuajin të kohëve të fundit ju po e vulosni më fort se kurrë imazhin tuaj si një udhëheqës krejtësisht i shkëputur nga realiteti i qytetarëve të vet. Sot zoti Kryeministër, para syve të një shoqërie të rraskapitur e cila pret me padurim rezultatet e munguara të punës suaj, ju po ndërtoni për veten tuaj një “kështjellë” me hapësirë 2000 metra katrorë, me oborr tre hektarë në njërën nga lagjet e reja të paurbanizuara te kryeqytetit dhe me çmimet më të shtrenjta te tokës. Shumë gjest me takt, zoti Kryeministër!

E gëzofshi këtë shtëpi, por i kam disa pyetje. Mua dhe shumë qytetarëve të tjerë që jetojmë nga rroga në rrogë na duket pak e çuditshme se si keni arritur t’i mblidhni paratë për ndërtimin e saj. Mos ndoshta edhe juve, sikurse atij zotërisë nga Arbëria, ”shtëpinë ua kanë ndërtuar falas dhe në mënyrë vullnetare bashkëluftëtarët”? Shumë njerëz janë kurioz të dinë se si arritët t’i grumbulloni këto miliona euro zoti Kryeministër sepse matematika e kursimeve nga rrogat s’po u jep përgjigje.

Ju mbase edhe nuk çani kokën se çfarë mendojnë qytetarët për këtë punë sepse jeni i vetëdijshëm për faktin se udhëhiqni një popull shumë të durueshëm dhe apatik i cili e mbyll gojën edhe kur përballet me padrejtësitë më të mëdha, siç kishte bërë gjatë viteve 90’ karshi represionit të ashpër të Serbisë. Por si njëri nga udhëheqësit e luftës e cila i dha fund këtij durimi, ju duhet ta dini një gjë shumë mirë – kur ky popull i durueshëm shpërthen, ai shpërthen keq! Kujtoni me këtë rast edhe trazirat e Marsit 2004 dhe mënyrën se si dhuna e atyre ditëve nxori në sipërfaqe frustrimin e shtypur dhe të pashprehur të kësaj shoqërie. 

Burimet kryesore të këtij frustrimi shoqëror janë të natyrës ekonomike dhe sot mbase kanë potencial shpërthyes edhe më të madh se në vitin 2004. Dhe pikërisht në këtë moment ju keni vendosur të luani në mënyrë të ndyrë me durimin e kësaj shoqërie si fëmija i llastuar që i afron gjilpërën tullumbaces së fryrë. Me këtë mungesë të taktit, me këtë arrogancë skandaloze, ju po tregoni se jeni nisur rrugës së atyre despotëve afrikanë që, pasi kishin udhëhequr luftërat anti-koloniale, në kushtet e lirisë menduan se qëndrojnë mbi çdo ligj dhe moral. Sot zoti Kryeministër, me sjelljet juaja ju i ngjani më shumë Robert Mugabes sesa ndonjë udhëheqësi perëndimor. 

Në përfundim të kësaj letre e kam për ju një pyetje të drejtpërdrejtë: A keni ju marre, zoti Kryeminister? Unë për vete dyshoj se ju vjen marre ndonjëherë. Po të kishit marre as qe do t’ju shkonte ndërmend që, në një kohë kur një numër i madh i qytetarëve tuaj të dëshpëruar marrin rrugë të rrezikshme në kërkim të një jete më të mirë jashtë vendit, të ndërtonit me burime shumë të dyshimta financiare një shtëpi sulltani. Besoj se për këtë nivel pafytyrësie do t’ju kenë zili edhe ata bankierët e urryer të Wall-Street-it që sot mbledhin miliona dollarë bonuse teksa bota vazhdon të vuajë nga pasojat e krizës së shkaktuar prej papërgjegjësisë së tyre. 

Shpresoj se njërën nga këto ditë do të zbrisni në tokë nga realiteti imagjinar i mitit tuaj dhe do të reflektoni me kthjelltësi për gjendjen në të cilën jeni katandisur. Atëherë ndoshta do të kuptoni se nuk është e largët dita kur qytetarët e këtij vendi, njësoj siç kishin bërë me rastin e zotërisë nga Arbëria, do t’ju largojnë nga pushteti juve dhe bashkë me gjithë kopenë tuaj të gangsterëve dhe pashallarëve që çdo ditë e më shumë po e ktheni Kosovën në një Republikë Bananesh dhe po ia shkelni qytetarëve me të dyja këmbët shpresën për të jetuar në një vend të dinjitetshëm. 

Kur kjo ditë të vijë ju mbase edhe do të tërhiqeni nga politika aktive dhe, duke e marrë parasysh vdekjen klinike të ndjesive tuaja morale, do të bëni gjumë të qetë në shtëpinë tuaj luksoze. Por mbajeni në mend një gjë – asgjë, as edhe kontributi i juaj në luftë, s’do të mund ta fshijnë turpin dhe njollën e karakterit tuaj nga kujtesa e kësaj shoqërie. Nëse në qeverisje do të mbaheni në mend si një Kryeministër Zero, për nga karakteri personal dhe moral do të kujtoheni si një matrapaz i katandisur thellë në zgafellën e numrave negativ. 

"Sinqerisht i juaji"
Agon Maliqi

(Autori ka diplomuar per shkenca politike ne Universitetin Amerikan ne Bullgari dhe per nje kohe)


(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora