E premte, 26.04.2024, 04:35 AM (GMT+1)

Kulturë

“I Kudo Ndodhuri” filmi që çoi kulturën shqiptare në Greqi

E premte, 12.10.2007, 07:44 PM


Diku në faqet e një gazete shkruhej teksti i një kënge… Në të njëjtin shtet një film dokumentar dhe një vizatimor pritet mes ovacionesh e duartrokitjesh. Sukses i vërtetë i filmit shqiptar me metrazh të shkurtër. Gjuha shqipe, natyra shqiptare, realizimi shqiptar dhe gjuha e artit, pa kufij, përtej politikës e realitetit, pranë njerëzores e së vërtetës emocionon publikun në Patras të Greqisë, në Edicionin e 9-të Ndërkombëtar të filmit me metrazh të shkurtër (21-29 shtator 2007). Më shumë se gjinitë e tjera të artit , më shumë se vetë kënga për natyrën e saj popullore, filmi dokumentar për specifikën e tij tërësisht reale duket se është ambasadori më i mirë, realizimi autentik shqiptar. I kudondodhuri i Zhani Tërpinit, ishte dokumentari shqiptar që ngjashmërish me titullin u duartrokit kudo, si në shfaqjen e tij të parë në Tiff 2006 në sallën e Kinema Mileniumit, e më pas në atë të qytetit të Patras, mes dokumentarësh që mbanin emra gjeografikisht të largët e të afërt nga gjithë bota. Paksa e rrallë, e këndshme, e rrallë sidomos për një dokumentar, po duartrokitjet u ndjenë diku në mes të filmit e më shumë në mbarim të tij… Arti nuk njeh kufij, ndërsa publiku në sallë është njohësi dhe gjykuesi më i mirë, kritiku më i drejtë vlerësimi të cilit është sa i ndjerë aq dhe real. Cila ishte e veçanta e një realizimi të tillë, ajo që emocionoi në shtetin fqinjë ? Filozofia e jetës , e personifikuar në një personazh të thjeshtë , në rolin e të cilit mund të vendosej gjithsecili, paqja , mirësia dhe dashuria për jetën, apo galeria e tërë e kuadrove të mrekullueshme të natyrës shqiptare mes të cilave në vështirësitë e jetës ishte vendosur personazhi ? Ndoshta një ndjenjë humori e optimizmi, një njeri i thjeshtë, që në mënyrë të çuditshme e befasuese ndodhet kudo, në jetën e zakonshme të një fshati verilindor të Shqipërisë. Personazhi i gjetur, që shndërrohet në një aktor të dashur për publikun në një kohë të shkurtër, sinqeriteti e optimizmi që përshkruajnë gjithë skenarin, gjuha e thjeshtë e me humor, shpalosin dashurinë e njeriut për jetën, për punën, për të mbijetuar në një kohë të sotme, ku të kudondodhur mund të jenë të gjithë ata që kërkojnë të ngjiten diku, ndërsa 21 minutat e13 sekondat kalojnë pa u ndier, duke krijuar një figurë të dashur, personifikim të paqes e mirësisë. Diku në një moment në kishën e atij fshati të vogël personazhi përpiqet të ndreqë kryqin, ndërsa frazat se midis tri besimeve fetare ka paqe, duket se japin një tjetër mesazh shqiptar me vlerë. Natyra shqiptare, tablo që ndjekin njëra-tjetrën , xhirime të mrekullueshme , duket se shoqërojnë personazhin. Një personazh real i vendosur mes tablove të një filmi artistik. Është kjo tendenca që e bën të veçantë dokumentarin, ndërsa spektatori duket se humbet midis minutave që kalojnë pa u ndier. Zgjidhje të gjetura regjisoriale, që krijojnë efekt, e papritura që emocion. Përtej tablove të pakursyera me bukuritë e natyrës , nga ato të thjeshta e deri në xhirime të vështira në shpella gati mistike e të mahnitshme, gjithçka është e llogaritur saktë, nga skenari gjithçka harmonizohet në një të vetme .Skenari, regjia,kamera, fotografia të sinkronizuara, për vetë veçantinë se mbajnë të njëjtin autor, Zhani Tërpinin. I kudondodhuri duket se nuk njeh grupim spektatorësh , ai i përshtatet çdo grupmoshe. Filozofia e optimizmi, mirësia që përçon dhe situatat me humor zhveshin personazhin nga lodhja, duke i dhënë publikut të çdo vendi mesazhin e vërtetë të dashurisë për punën optimizmin për bukurinë e jetës dhe bashkëjetesën në paqe, përtej atij fshatit të vogël shqiptar, që bashkë me personazhin shndërrohen në një oaz të mirësisë. Ajo ndjenjë keqardhjeje për personazhin e munduar nga jeta e puna , që mjeshtërisht e zhduku realizimi i dokumentarit, humori dhe optimizmi i personazhit, përjetohet si për ironi të fatit, tek gjithsecili që mëson pas dokumentarit se prej pak muajsh personazhi simpatik, me të cilin miqësohet spektatori nuk jeton më. Një fat tragjik, një njeri që humbet në një aksident automobilistik , kur në jetën e tij kish me dhjetëra raste të rrezikut në punët e vështira që realizonte kudo, pa u lodhur në jetën e thjeshtë të një fshati. Personazhi që nuk jeton më dhe realizimi i suksesshëm i dokumentarit, mesazhi i rëndësishëm i punës e paqes u duartrokit gjatë, emocione që do ti dëshironte çdo artist, ajo që artistët shqiptarë përjetojnë sidomos jashtë Shqipërisë, pasaporta universale e gjuhës së artit, ajo që i jep dinjitet e dëshirë për të krijuar artistit. Në kategorinë tjetër të festivalit, pak ditë më pas mes filmave vizatimorë Mbreti dhe bilbili, përralla e njohur e Andërsenit vjen sërish suksesshëm. Një tjetër realizim shqiptar që mban emrin e Bertrand Shijakut. Një vizatimor i këndshëm i 2006-ës, 7 minuta e 23 sekonda, sërish shqip dhe sërish duartrokitje. Një tjetër botë, një fabul e njohur, dhe bota e madhe e artit me aktivitete të pafundme, për të bashkuar krijuesit nga larg e afër, për ti bërë të ndjehen të vlerësuar, ambasadorë të kulturave të vendeve të tyre. Përtej politikës e realitetit, arti është gjuha universale e komunikimit mes njerëzve pa njohur kufij, gjuha e vlerësimit për ta që punojnë e krijojnë me talent e pasion. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora