Kulturë
Arsim Halili: Intervistë me Prof. mr. sc. Jetulla Haliti – piktor
E hene, 17.08.2009, 08:30 PM

Jetulla Haliti
Intervistë me
Prof. mr. sc. Jetulla Haliti – piktor
Jetulla
Haliti është i lindur në fshatin Haxhaj
të komunës së Gjilanit, më 20 nëntor 1945.
Ka përfunduar studimet për art figurativ
në Fakultetin e arteve figurative në
Prishtinë, pastaj studimet Pasuniversitare në Beograd. Nga viti 1985
mban edhe statusin piktori i pavarur. Deri më tani ka realizuar më se 77
ekspozita personale, ka marrë pjesë në 200 ekspozita kolektive në Evropë dhe në
kontinente tjera, ka trajtuar më se 100 cikle në dhjetë teknikat ndryshme; të
pikturës, skulpturës, grafikës dhe të
vizatimit. Ka të botuar më se 500 artikuj në mediat kombëtare dhe
ndërkombëtare. Ka të regjistruar në Luksemburg “INSTITUTIN E ARTEVE
PROFUNDIST –ETI”
Është themeluesi stilit
profundist, stili i ri që përfaqëson post modernen, përmes një metode krejt
tjetër në artet figurative botërore. Është autor i projektit të madh
Pedagogjik- Didaktik “Emancipimi i të
rinjve nëpërmjet edukatës së arteve
figurative”. Në vitin 1997 dhe 1998 shpërblehet me “Medaljen e Artë” në Sallonin e 27 dhe 28- të Ndërkombëtar të Akademisë
Evropiane të Arteve në Belgjikë. Kurse në vitin 1999 shpërblehet me tri “Medalje
të Argjendta”, në Francë, në Zvicër
dhe në Belgjikë. Ka edhe disa medalje tjera të arta dhe të argjendta, i cili
është shpërblyer nga viti 2000 deri në
vitin 2008. Gjatë këtij viti po ashtu u
nderua me çmimin “Grand Prix Medalja Vermej” në Belgjikë me bustin e Skënderbeut në bronz
në Sallonin e 38 të A. E .A në Belgjikë
Për ciklin e tij
famoz “Pëllumbat e paqes” është
propozuar nga institucionet e mediave
dhe të kritikëve të ndryshëm evropian të artit si kandidat për “ÇMIMIN
NOBEL PËR PAQE”,
është i pari prej kandidatëve nga artet figurative që propozohet për këtë
çmim. Merret me kritikë dhe vlerësime figurative
në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Është profesor në universitetin e Prishtinës, ku ligjëron lëndën
Metodika e Artit Figurativ
Profesor
Haliti përgjigjet me kënaqësi pyetjeve
tona për revistën “Perspektiva”
z Haliti. Sa
i kushtohet rëndësi artit figurativ në Kosovë?
Me siguri, ju e dini se në Kosovë, artistët ankohen
gjithmonë se nuk kemi kushte
për punë, se nuk ka galeri, nuk ka vend ku mund të ekspozohen punimet e tyre.
Kosova është një vend ku artist kanë dëshirë ta prezantojnë artin e vet, ta
prezantojnë mesazhin e tyre, i
cili mesazh duhet të komunikoj drejtpërdrejtë me qytetarin e lirë. Kjo mungon sepse e tërë Kosova, ka vetëm
një galeri, e cila nuk i plotëson kushtet as minimale, kjo është ankesë, por në
të ardhmen mendoj se do të bëhet diçka
më mirë. Tani kanë filluar të bëhen disa galeri të reja private.
z, Haliti.
Çka trajtoni ju më së shumti në punimet tuaja artistike?
Ne kemi marrë një
iniciativë qysh herët, me ciklin “Pëllumbat e Paqes”, ku unë nga Kosova,
edhe kam dal në Evropë po me të njëjtin motiv, me të njëjtin apel, se pëllumbi
është simbol i paqes, i shpirtit të lirë, i fluturimit pakufi dhe papengesa. Në
një nga prezantimet e mija në Zvicër, artisti dhe kritiku i artit zviceran z,
Sharll Kollubara, tha kështu: “Dëshiroj
që një ditë, të zhduken kufijtë dhe njerëzit të jetojnë të lirë, sikurse edhe pëllumbat e paqes të artistit
Haliti”. Shumë çka ndryshoi në vitet e që i kemi lënë
mbrapa, mendoj në aspektin pozitivë. Mirëpo ishte edhe mesazhi im që përmes ciklit “Pëllumbat
e paqes”, t’i tregojmë Evropës, se ne shqiptarët e meritojmë lirinë. Dha
zoti që viti 99 të thyhet kufiri shqiptaro- shqiptar në Koshare, ku guri i
kufirit u thye nga Agim Ramadani, së bashku me shokët e tij të idealit, dhe sot
ai guri, gjendet te përmendorja e Agim Ramadanit në Gjilan.
z, Haliti.
Mendimi i juaj për Agim Ramadanin, si piktor?
Agimi jo vetëm që
ishte luftëtar, por edhe poet e piktor. Dhe të gjitha këto, ai diti ti
sinkronizoj shumë mirë, ai për pikturë u shpërblye edhe me çmimin “Grand
Prix” në vitin 1998 në Belgjikë. Me një fjalë ka qenë luftëtar, poet dhe
piktor i shkëlqyeshëm. Ai vra, por puna e tij dhe shokëve të tij, sot ne po e
gëzojmë lirinë e shumëpritur. Por dua të shtoj me që Agimin e kisha edhe djalë
të motrës, mund të them se ai ka trashëguar nga unë edhe punën e tij artistike.
Ai ka organizuar ekspozita personale gjatë viteve të shkollimit të mesëm dhe
atij universitar në Zagreb në Akademinë Ushtarake.
z, Haliti.
Jeni anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve, mund të na thoni rolin dhe
rëndësinë e këtij
institucioni?
Për dhjetë vite të
punës sime aktive në Zvicër
dhe në shtete tjera Evropian, Akademia Evropiane e Arteve, e ka parë punën time
dhe si rezultat i saj jam kurorëzuar me pranim anëtarë aktiv i kësaj Akademie.
Mirëpo unë nuk isha me kaq i kënaqur, sepse brenda kësaj Akademie funksionin
nëntë seksione, prandaj unë insistoja që edhe ne të kemi “Seksionin e
Artistëve Shqiptar”, gjë që edhe u kurorëzua me sukses, ajo u aprovua në vitin
2002. Tani Akademia Evropiane, ka dhjetë seksione. Vitin e kaluar Seksioni ynë
u nderua me çmimin e parë në cilësi të veprave artistike, ku ne brenda për
brenda Akademisë bëjmë gara ndërmjet veti. Këtë vit kemi prezantuar, 33 artist,
prej tyre 30 artist nga artet pamore dhe tre poet si; Ali Podrimja, Visar Zhiti
dhe Dritëro Agolli, unë jam nderuar me çmimin “Grand Prix, Medalja Vermej” me
bustin e Skënderbeut në bronz. Pas regjistrimit të Seksionit tonë, ne jemi
prezantuar në shtatë ekspozita në vende të Evropës, ku organizatorit, ju ka
dashur të bëjë një rrugëtim prej 65000km.
z, Haliti. A
kushte në Gjilan, për artistët figurativ?
Artisti
kur i ka kushtet luks, ai më nuk merret me art, por përmes artit mundohet të
krijoj sado pak kushte dhe për këtë duhet të sfidoj. Pengesat janë të ndryshme,
ne më parë kemi qenë në kërkim të një lokali për veprimtarin tonë, tani na kanë
dhënë një lokal te Teatri i Gjilani, gjë
që nuk i plotëson kushtet as minimale. Për veprimtarinë tonë mendoj se në
Gjilan, nuk mund të flitet për kushte normale, por e tërë veprimtaria jonë
organizohet qoftë përmes atelieve tona, ose edhe diku jashtë vendit.
z, Haliti.
Cila është mbështetja institucionale,
për veprimtarinë artistike?
Ne jemi fillestar
në çdo aspekt, sidomos pas pavarësisë. Dashtë, zoti që gjërat
stabilizohen. Mendoj se Ministria
e kulturës duke filluar nga Ministri,Valton Beqiri dhe stafi i tij do ta
mbështesin materialisht kulturën.
Unë, ja kam prezantuar ministrit një
projekt kolosal, i cili ka të bëjë me
organizimin e Sallonit të parë të
Akademisë Evropiane të Arteve
këtu në Kosovë, i organizuar nga Komiteti Kombëtar Shqiptar, i cili do ti kushtohet një vjetorit të
pavarësisë së Kosovës, do të ftohen artist nga Evropa dhe vendi ynë, ku
përmes gjuhës artistike. do t’i jemi falënderues vendeve që e kanë njohur
shtetin tonë. Projekti është miratuar nga ana e ministrit, priten vetëm edhe
disa detaje, në takimet e ardhshme dhe si tillë do të finalizohet.
z, Haliti. Sa
është e zhvilluar kritika e arteve figurative në Kosovë?
Ne kemi biseduar
për një gjë të tillë edhe në Akademinë Evropiane të Arteve, ne kritikë kemi, por institucion zyrtar të
kritikës nuk kemi. Dhe vlerësimi një punimi artistikë bëhet në mënyrën kush kë e njeh, veç kësaj mungojnë edhe mjete
financiare për të angazhuar kritikë në vlerësimin e veprave artistike dhe arti
nuk mund të zhvillohet pa buxhet.
z, Haliti.
Cili është mesazhi i librit, që ju ka dedikuar juve?
Libri është tip
monografie, ku autori Dr. Veip Proda, e ka përmbledhur veprimtarinë time artistike,
pjesëmarrjen time në ekspozita të ndryshme, pastaj e trajton edhe stilin tim
“Profundist” i cili është stil post- modern, filozofik, i cili ka një jehonë në
arenën ndërkombëtare. Por fatkeqësisht thuhet: Deri sa artisti të jetë gjallë
stili i tij nuk vjen shumë në shprehje.
Nga ky stil në Evropë kanë ardhur dhe kanë mësuar diku 30 deri 40
artist. Brenda këtij stili fshihen
shumë mistere të botës ende të pazbuluara.
z, Haliti. Me
që jeni pedagog i lëndës Metodikë e artit figurativ, sa i kushtohet
rëndësi kësaj lënde në shkolla tona?
Gjeneratat e reja
kanë një vullnet për punë dhe besoj se ky vullnet i tyre edhe do të ketë edhe
efektin e vet. Unë në Fakultetin e Edukimit, mbaj lëndën e Metodikës së artit
figurativ dhe gjatë ligjëratave me studentët
e mi, mundohem jo vetëm të ligjëroj në aspektin teorik lidhur me teknikat e
ndryshme artistike, por edhe të zhvilloj aftësitë e tyre në aspektin praktik, sepse po të mos
zhvilloj në këtë mënyrë atëherë plani mësimore do të realizohet vetëm 50%.
z, Haliti. Si
qëndron puna te shitja e pikturave këtu në Kosovë?
Shitja e pikturave
nganjëherë nuk i mbulon as shpenzimet që investohen për atë pikturë, kjo nuk
vlen për të gjithë sepse disa i kanë kushtet më të mira. Fatkeqësisht te ne po
dominon në tregun tonë “Kiçi”, ku nga
vendet aziatike, Kinë e gjetiu vijnë piktura të fotokopjuara, seriografi etj
dhe shiten për 5- 6 euro. Ndërsa pikturat origjinale të artistëve shqiptar, nuk blihen, as nuk shiten
thjesht nuk ka interesim për to, kjo edhe i dekurajon artistët tanë.
z, Haliti.
Mendimi juaj për artistin Ismet Jonuzi?
Unë e kam koleg
Ismetin, por para se gjithash Ismeti, është skulptor i mirë, kam mendim pozitivë për të.
z, Haliti.
Mesazhi juaj drejtuar artistëve të rinj?
Ata duhet të kenë
vullnet për punë, duhet të merren në mënyrë aktive me art, sepse arti duhet
shpirtërisht, por edhe kërkon punë. Kemi shumë njerëz që merren me art, por nuk
janë artist të mirëfilltë.
z, Haliti.
Faleminderit për këtë intervistë.
Kënaqësia ishte
e imja, uroj që redaksia juaj të ketë suksese në punë të mëtejshme.
Intervistoi: Arsim Halili