E diele, 28.04.2024, 11:35 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Sefaj: Edhe dhembja ka ngjyrat e saj!

E marte, 09.06.2009, 06:27 PM


Edhe dhembja ka ngjyrat e saj!

Shqipe Hasani: “Akuareli i dhembjes”, poezi, botoi “Flomed” Prishtinë, 2008

Nga Ilir SEFAJ

“Akuareli i dhembjes” mban titullin libri më i ri poetes prishtinase, Shqipe Hasani. Është ky një libër poezish brenda kopertinave të së cilës janë të renditura një numër i konsiderueshëm i poezive ku secila në vete jep një ide, krijon një pamje, jep një ngjyrë të dhembjes.  “Akuareli i dhembjes” është metaforë e poetes e cila dhembjes i jep konturat  e diçkaje që vjen, jeton e vdes me njeriun, mirëpo si e tillë ajo ka ngjyrat e saj. Dhembja pra merr përmasat e saja të vërteta tragjike, ajo ka emër e mbiemër, emri i saj herë-herë është vdekje, ndarje, e herë-herë mbase edhe dashuri, ndjenjë emocion e kështu me radhë. Libri ka një strukturë të tillë ndërtimi, pra është e ndarë në cikle poezish si: Akuareli i dhembjes, Ndoshta jam Rozafa, Ike në Pranverë, Motive me atdheun; ku secili cikël në vete përmban sharmin e një krijuese meditante e cila di që në mënyrë vërtet artistike të jep pamje reale të njeriut në kozmos.          Kjo poezi është përpjekje serioze e poetes dhe në masë të shkëlqyeshme e arritur në artin e fjalës së shkruar, pra duhet vënë pikë faktit se kur flasim për sensin krijues të kësaj poeteje flasim për vlera të mirëfillta letrare e artistike. Në njërën apo mënyrën tjetër, autorja bën që me poezinë e saj të ngrit dilema, çka në të vërtet është njeriu, cili është misioni i tij i parë, dhe final në jetë. Poezia e kësaj poeteje është mishëruar me vendin dhe hallet e njeriut të saj. Në vargun e saj ndjehen ditët e mira të diçkaje të re që po lind në truallin e saj: “Zemra ma thotë një këngë/ përsëri festojmë Kosovë”, intonon  poetja.
Mërgimi, kjo barrë e cila e shoqëroi një kohë të gjatë njeriun tonë, sikur zgjon në shpirtin e poetes një ankth, pra mërgimin në penën e Shqipe Hasanit është sinonim i vetmisë, largësisë, kujtimeve, frikës, dhembjes shpirtërore; “Vitet e mërguara i kaplon dhembja/ Sifizi i mbulon me gurë e djersë” .
Dhembja, kujtimet, nata, frika, largësia faktikisht përshkojnë “Akuarelin e dhembjes’ ose ciklin e parë të poezive brenda librit i cili mban të njëjtin titull.
Vargu i kësaj poeteje është i mishëruar me vuajtjet e njeriut të saj, ajo bashkndjen me nënat, motrat, vëllezërit, fëmijët e njerëzve të gjakut të vet.
 Ashtu sikurse edhe për shumë nëna e fëmijë bonjakë të Kosovës, në shpirtin e një poeteje sa të talentuar aq edhe humane, fjala Liri sikur e ka një hije të zezë e cila do të zhduket vetëm atëherë kur do të mbarojë odisejada e dhimbshme e gjetjes së njerëzve të humbur të cilët lanë peng lirinë e Kosovës.
Të një gjuhe të figurshme, të një stili të gdhendur deri në pambarimësi, të një metaforë të goditur, janë edhe vargjet brenda ciklit të dytë të poezive; ‘Ndoshta jam Rozafa’.
Individualitetin krijues të poetes e hasim në secilin varg të saj, në secilën shkronjë të saj, vargu i kësaj poeteje është unik në të gjitha pikëpamjet, kam përshtypjen se këtë unikatësi, këtë jokonvencionalitet e ruan tematika që trajton në poezinë e saj Shqipe Hasani, poezi e cila për mendim tim ka fituar statusin e një poezi të pavdekshme.
Poetja kërkon që njeriun gjithnjë ta përcjellë dashuria, kjo ngrohtësi shpirtërore. Kurrë nuk është vonë të duam, ngase vetëm ndjenja se ne duam dikë përmbysë të gjitha t ligat e kësaj jete, e cila shpeshherë di të jetë e pamëshirshme në rrethana të caktuara.
Vetëm ndjenja se duam dikë, se kemi një mision, rezulton me vargje të tilla: “Askush nuk e di sa e qetë jam/ Rrëfimi dhe realiteti le të bekohen /Lumturia defilon/ Për të dashuruarit/ Kurrë mos u përmbystë kjo botë”.
Në ciklin e poezive “Ike në Pranverë” njëra nga poezitë i kushtohet dëshmorit të kombit Agim Ramadanit. Autorja ngrit një lapidar për dëshmorin, vetëm se kësaj radhe me një varg i cili mbase do të mund të futej në radhën e vargjeve antologjike që krijoi pena e krijuesve me nam; “Atdhe quhet fjala dhe emri yt”, intonon poetja.
Në ciklin e katërt dhe të fundit të këtij libri poezish, autorja i këndon atdheut.
Termi Atdhe në penën e poetes lakohet më shumë kujdes, ngase ky emër është sinonim i dashurisë së pafundmë, dashuri kjo e cila është mishëruar në vargun e saj, mesazhin e së cilës gjeneratat e reja duhet ta ruajnë si thesarin më të çmuar; “Tokës së kuqe i jap shpirtin/ Kosovën kurrë s’mund ta fali”.
Si postskriptum i kësaj që u tha më lartë vijmë në përfundimin se, poetja Shqipe Hasani me sharmin e saj prej një krijuese të vyer, do të mund të renditej në majën e krijuesve të talentuar, individualitetin krijues të së cilës do ta kenë lakmi shumë pena që dha arti i fjalës së shkruar.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora