E shtune, 27.04.2024, 06:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Martin Camaj dhe gramatika e gjuhës shqipe

E hene, 08.06.2009, 06:25 PM


40 vjet më parë Martin Camaj botoi në gjermanisht "Libri i mësimit të gjuhës shqipe"(Lehrbuch der albanischen Sprache, Otto Wiesbaden, 1969, 136 f.) (ribotuar, më 1991 dhe1997). Ky botim do t‘u shërbente të huajve për të mësuar gjuhën shqipe, krahas edhe të librave të tjerë të botuar në atë kohë me të njëjtin qëllim. 15 vjet nga botimi i parë, më 1984 Martin Camaj doli me një botim tjetër me titull "Gramatika shqipe" (Albanian Grammar with eksercises, chrestomathy and glossaries, Wiesbaden, 337 f.) Botimi në anglisht është më i plotë, më i hollësishëm e më i gjerë si vëllim se "Libri i mësimit të gjuhës shqipe". Me të drejtë mund ta konsiderojmë vepër të re të autorit. Botimi i vitit 1984 njohu edhe një ribotim të saj, të përkthyer në italisht nga studiuesi Ardian Vehbiu dhe të botuar në Kozencë, më 1995. Këtë vepër përkthyesi e shoqëron me një parathënie të shkurtër, ku vlerëson punën e veçantë të autorit në rrafshin gjuhësor, por njëkohësisht Martin Camaj vlerësohet si një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare të pasluftës.

Personaliteti dhe veprimtaria gjuhësore e Martin Camajt

Në memorien e shqiptarëve, Martin Camaj njihet më shumë si shkrimtar sesa si gjuhëtar, por në këtë shkrim ne do të ndalemi te personaliteti dhe veprimtaria gjuhësore e tij. Autori ynë lindi më 21 korrik 1925 në një zonë malore, në Temal të Shllakut. Ky mjedis i egër malor do të lërë mbresa dhe do të ndikojë te shkrimtari dhe gjuhëtari i ardhshëm. Që në fëmijëri u dallua për një zgjuarsi të veçantë, gjë që u ra në sy prindërve të Camajt. Kështu atyre u lindi dëshira që Martini të mos ndiqte rrugën e disa bashkëmoshatarëve për t‘u bërë çoban në ato zona, por të arsimohej më tej. La Temalin e largët dhe erdhi në Shkodër për të ndjekur mësimet në kolegjin Saverian, një kolegj me emër në të cilin kishin studiuar patriotë, shkrimtarë, gjuhëtarë dhe mësues të afi rmuar në profesionin e tyre. Pasi mbaroi studimet në këtë kolegj, filloi të ushtrojë detyrën e mësuesit në fshatin Prekal të zonës ku lindi, 25 km larg Shkodrës. Bindjet e tij nuk pajtoheshin me regjimin e kohës, prandaj në vitin 1948, në moshën 23-vjeçare arratiset për në Jugosllavi. Pas disa peripecish, ai fi lloi studimet e larta në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine, pranë profesorit të dëgjuar kroat, Henrik Bariç. Menjëherë prirjet e tij letrare i konkretizoi me botimin e dy vëllimeve poetike "Nji fyell ndër male" (Prishtinë, 1953) dhe "Kanga e vërrinit" (Prishtinë, 1954). Nuk i dimë rrethanat se si u krijuan, por Martin Camaj, 8 vjet pasi ishte arratisur dhe pasi kishte mbaruar Universitetin e Beogradit, në vitin 1956, posa i kishte mbushur 31 vjetët, shkoi për studime pasuniversitare në Romë, duke lënë përfundimisht Beogradin dhe duke u bashkuar me shokët e një ideali E. Koliqin, K. Gurakuqin, M. Krujën etj. Në Universitetin e Romës u specializua për gjuhësi, duke konsoliduar gjithnjë e më shumë formimin e tij fi lologjik. Ai zgjodhi si temë disertacioni veprën e parë të gjuhës shqipe "Mesharin" e Gjon Buzukut, një studim mjaft interesant dhe i rëndësishëm për kohën kur u shkrua. Fillimisht Martin Camaj do të jetë lektor në Universitetin e Romës pranë katedrës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe që drejtohej nga shkrimtari E. Koliqi, por njëkohësisht që për disa vjet qe edhe kryeredaktor i revistës prestigjioze "Shêjzat"(Le Pleiadi) (1957-1978) që dilte në Romë. Por jeta e këtij intelektuali ishte në lëvizje. Pas një qëndrimi prej afro 10 vjetësh në Romë, do të lerë kryeqytetin italian dhe do të vendoset në Mynih të Gjermanisë, ku do të merret kryesisht me studime gjuhësore. Në Universitetin e atij qyteti do të mbrojë me sukses një temë nga fusha e formimit të fjalëve të shqipes, të titulluar "Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër." Në Mynih jo vetëm do të mbajë leksione për studimet albanologjike, por pas disa vjetësh do të themelojë katedrën e gjuhës shqipe në atë universitet që do ta drejtojë gjatë 20 vjetëve, prej vitit 1971-1990, vit në të cilin doli në pension. Autori ynë do të jetë një personalitet i cili do të vlerësohet nga instancat shkencore të kohës dhe redaksitë e disa revistave që dilnin në Evropë. Vdiq në moshën 67-vjeçare, larg vendlindjes së tij, në Bavarinë e Epërme, në fshatin malor Lenggries, më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme pranë së shoqes dr. Erika Camaj. Me gjithë ndryshimet e ndodhura në vendin tonë, me përmbysjen e regjimit monist, për arsye shëndetësore, ai nuk arriti të shohë vendlindjen e tij Temalin e largët malor, por edhe Shkodrën, me të cilën e lidhnin shumë kujtime, kryesisht, nga qëndrimi i tij në kolegjin Saverian.

* * *

Martin Camaj ka një veprimtari të pasur shkencore dhe botuese. Janë me dhjetëra studimet dhe veprat me karakter gjuhësor nga fusha të ndryshme të gjuhës shqipe që përgjithësisht i përkasin historisë së gjuhës shqipe, veçanërisht studimit të autorëve të vjetër, dialektologjisë, përqendruar te të folmet arbëreshe të Italisë, hartimit të teksteve etj., të cilat autori ynë i botoi, përveç Romës dhe Mynihut, edhe në Firencë, Palermo, Sofie, Wiesbaden, Dysendolf, Gutemberg, Nju York etj. Ata u botuan në disa gjuhë, si në italisht, gjermanisht, anglisht, serbo-kroatisht etj. Duke qenë se krijimtaria e tij gjuhësore është në gjuhë të huaj, lind nevoja e përkthimit në gjuhën amtare të veprës gjuhësore të Camajt, gjë që do të ishte një shërbim i mirë për studiuesit e lexuesit.

Studimet gjuhësore për autorët e vjetër dhe për fjalëformimin

Një ndër shkrimet e para me karakter gjuhësor është artikulli prej 9 faqesh, shkruar në serbokroatisht me titull "Kontribut për njohjen e grafi së së Gjon Buzukut". Është një punim i shkurtër, por me interes për shpjegimet që ka dhënë Martin Camaj për disa shkronja të veprës së Gjon Buzukut. Por monografi a e parë gjuhësore, që ka qenë tezë e doktoraturës, ka si titull "Meshari" i Gjon Buzukut. Kontribute linguistike me një studim për origjinën e tyre", shkruar në italisht. Ky studim i M.Camajt do të botohej në revistën "Shejzat" në vitin 1960. Nuk është një botim i gjatë, ka rreth 89 faqe. Ka vlerë për historinë e gjuhës shqipe dhe veçanti për disa probleme të diskutueshme për veprën dhe autorin e "Mesharit" në atë vit dhe më vonë. Në veçanti kontributet për studimet buzukjane të M.Camajt i ka analizuar akademiku kosovar, Rexhep Ismajli. Që në fi llim të veprimtarisë së tij shkencore M.Camajn e kanë tërhequr autorët e vjetër. Kështu, duke punuar edhe me studiuesin gjerman, Rudolf Trofenikun, i cili në vitin 1977 botoi veprën e Pjetër Bogdanit "Cuneus prophetarum" të shoqëruar me një parathënie nga vetë Trofeniku dhe me një paraqitje të shkurtër nga Zef Valentini në italisht, Martin Camaj në pesë faqe në shqip jep një pasqyrë të hollësishme të alfabetit të P.Bogdanit që e titullon "Çelës për leximin e veprës". Interesi për veprën e Pjetër Bogdanit vazhdoi edhe më pas, kur në vitin 1990, në prag të daljes në pension botoi një artikull për këtë autor në revistën "Albania", nr.1 që dilte në ShBA. Të gjitha planet e tij nuk u realizuan, pasi vdekja e rrëmbeu shumë shpejt. Ai së bashku me studiuesin Valter Braun dhe dr. Elvira Graser kishin piketuar platformën e një botimi të plotë për veprën "Çeta e profetëve", në tri vëllime, që do t‘u kushtoheshin veçorive gjuhësore të veprës, si: grafi a, fonologjia, morfologjia, sintaksa dhe fjalori. Në vitin 1966, Martin Camaj botoi monografi në në gjermanisht "Fjalëformimi i shqipes. Mënyrat e formimit të emrave të vjetër." 1966, 175 f.) Është një vepër që paraqet interes edhe sot në disa çështje të fonetikës historike dhe të studimeve etimologjike, ndonëse disa probleme të trajtuara këtu janë kapërcyer nga gjuhësia jonë gjatë 40 vjetëve nga koha e botimit. Sidoqoftë, në disa anë ruan edhe sot vlerat e saj.

Studimet dialektore të Martin Camajt

Autori ynë, duke jetuar larg atdheut-mëmë, në disa raste, duke mos u njohur edhe me të gjitha botimet dialektore, të kryera në Shqipëri, edhe nga vetë mundësitë që kishte, u mor me studimet dialektore arbëreshe të provincës së Avelinos, të Falkonares, të Bariles, të Vila Badesës etj. Camaj nuk kishte si qëllim më vete që të paraqiste vetëm veçoritë gjuhësore të këtyre të folmeve. Në mënyrë të veçantë, duke ndjekur metodat bashkëkohore, donte të paraqiste edhe historinë e tyre, por edhe aftësinë që kanë pasur këto të folme për të ruajtur traditën, duke pasqyruar përmes gjuhës, zakoneve, riteve identitetin, ndonëse kishte disa shekuj që kishin lënë atdheun e të parëve. Dy dialektologë të afi rmuar, J.Gjinari e Gj.Shkurtaj kanë vërejtur se Martin Camaj që nga fi llimi i viteve ‘60 të shekullit të kaluar deri në fund të viteve ‘80 kreu një hetim sistematik rreth të folmeve të ndryshme arbëreshe dhe arriti të përshkruante tipin më përfaqësimtar të zonave të ndryshme dialektore, sidomos të atyre më anësore (periferike) dhe më të ekspozuara ndaj ndikimit asimilues të italishtes. Me interes janë tri monografi të e hartuara nga Martin Camaj me karakter dialektologjik, si: "E folmja shqipe e Grecit në krahinën e Avelinos", Firenze, 1971, 120 f. italisht. Është një ndër monografi të e para të shkruara për një të folme arbëreshe. Gjashtë vjet më vonë botoi në gjermanisht monografi në e dytë me karakter dialektologjik të titulluar" "E folmja shqipe e Falkonares në krahinën e Kozencës", në gjermanisht 1977, 148 f. dhe më 1991 botoi monografinë e tretë "E folmja arbëreshe e Shën Kostandinit në krahinën e Potenzës", në italisht. Gjithashtu, Camaj ka shkruar edhe artikuj të tjerë me karakter dialektologjik. Gjithashtu, nga kjo fushë janë me interes shkrimet për probleme të bilinguizmit dhe të plurilinguizmit gjuhësor.

Gramatika e gjuhës shqipe

Një ndër veprat më të rëndësishme në rrafshin gjuhësor është botimi në anglisht "Gramatika shqipe" (1984), duke u përshirë kështu Martin Camaj në hartuesit e gramatikës së gjuhës shqipe, por në gjuhë të huaj. Ky botim është me vlerë, ndonëse destinacioni është i përcaktuar për studentët e gjuhës shqipe të Universitetit të Mynihut, si dhe për shqiptarët e diasporës në SHBA, Australi, për arbëreshët dhe për shqiptarët kudo që do të ndodhen. Ky botim i kalon caqet e një manuali gjuhësor, pasi autori refl ekton në këtë gramatikë edhe erudicionin e tij gjuhësor, ndonëse larg shqipfolësve. Për mendimin tim, vepra është me vlerë në disa aspekte: së pari, një gramatikë që e paraqet gjuhën shqipe me gjithë potencialin, funksionet dhe aftësitë shprehëse, duke e dhënë atë në tri variantet të shqipes (gegërisht, toskërisht dhe arbërisht). Ideja e autorit ishte e tillë, se gramatika do t‘u shërbente shqiptarëve me prejardhje nga troje të ndryshme, së dyti, është një model për gegërishten letrare, por me prirje afruese me toskërishten. Është me interes të vihet në dukje se Martin Camaj, ndonëse larg atdheut për shumë vite, por, duke ndjekur botimet shqiptare dhe duke parë ndryshimet që po ndodhnin në evoluimin e gjuhës në këtë periudhë, na dha një gramatikë që duhet të na shërbejë për të marrë disa elemente të gegërishtes dhe për t‘i përfshirë në standardin gjuhësor. Nëse themi se gegërishtja duhet të zërë vendin që i takon në standardin e sotëm gjuhësor, vepra e Martin Camajt peshon mjaft rëndë në këtë fushë, sigurisht duke u studiuar dhe evidentuar ato trajta që janë më të prekshme dhe me një valencë më të madhe që të përfshijë një areal sa më të gjerë shqipfolësish. Pse ndodh një dukuri e tillë? Ai kishte botuar deri në atë kohë disa studime me vlerë gjuhësore dhe tashti po hartonte një gramatikë të gjuhës shqipe, faktor me shumë rëndësi për çështjen që po diskutojmë. Ai erdhi gjithnjë e më shumë ta përsosë gjuhën e tij në studimet dhe botimet e tij, larg trajtave të ngushta dialektore. Kjo solli që në botimet e dekadave të fundit, kryesisht, në publicistikë të ecë edhe më tej, duke mos e përdorur pothuajse fare theksin hundor, gjë që ishte një tregues i një hapi përpara që po bënte drejt standardit gjuhësor, ndryshe nga autorët e tjerë gegë. E treta, ndonëse është një gramatikë, por autori në parathënien prej 6 faqesh jep disa të dhëna të shkurtra për prejardhjen e gjuhës shqipe si gjuhë indoevropiane dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët ballkanike në kontakt. Gjithashtu, jep edhe historinë e formimit dhe të zhvillimit të gjuhës letrare shqipe prej 500 vjetësh. Pastaj vepra ka këtë strukturë: fonologji, morfologji dhe sintaksë. E veçanta e kësaj gramatike, siç e theksuam, është se disa forma gramatikore Camaj i paraqet në dy variantet: në gegërisht dhe toskërisht. Por ajo që duhet të theksohet është se gjuha e kësaj vepre i përket gegërishtes veriperëndimore, kryesisht të folmes së Shkodrës. Por Camaj nuk ka qenë konservator, ai është përpjekur që të gjejë një të mesme të pranueshme, duke zgjedhur pikërisht ato forma dhe trajta që janë të gjithëmbarshme me prirjen për t‘iu larguar formave të ngushta dialektore. Prof. K. Topalli ka vërejtur se për nga drejtshkrimi dhe trajtat gramatikore, gjuha e Camajt është një gegërishte letrare e kodifikuar me prirje afrimi ndërdialektor. Dhe autori sjell shembuj se ku vërehet ky afrim ndërdialektor në aspektin fonetik, gramatikor dhe leksikor. "Me këto përpjekje për afrim ndërdialektor, shkruan K.Topalli, sigurisht pa përzier strukturat, Martin Camaj tregoi qartë pikëpamjen e tij se kjo ishte rruga e vetme, që çon në krijimin e njësisë gjuhësore kombëtare." Ndërsa për prof. B.Beci, gegërishtja në gramatikën e Camajt është një gegërishte e standardizuar. Gjithashtu, në këtë gramatikë autori ka sjellë fjalë të reja dhe fjalë të rralla të shqipes, të cilat përbëjnë një ndihmesë të autorit në fushën leksikore. Ai ka parasysh këshillën e shkrimtarit Ernest Koliqit që në romanin "Shija e bukës së mbrume" shkruan: "Me dyqind fjalë të mësueme në rreth shtëpiak nuk krijohet një letërsi". Në shkrime të ndryshme Camaj ka përdorur fjalë të tilla të krijuara nga ai ose me origjinë popullore, si: heshtoj, qellimoj, kunuroj, gjegjësisht, komtarisht, mbresje, i ngjyrëshëm ose ka përdorur fjalë të vjetra e krahinore, si: gjalloj, plang, vrumulis, terratis, periqên, mujshí etj. Autori ynë në fund të këtij botimi ka përfshirë edhe një fjalorth shqip-anglisht prej më shumë se 2000 fjalësh të përdorura në vepër dhe anglisht - shqipe mbi 1000 fjalë. Mbyllet vepra me një krestomaci, me tekste të autorëve shqiptarë dhe arbëreshë, si: De Rada, Skiroi, Fishta, Mjeda, Asdreni, Konica, Noli, Koliqi, Migjeni, Xoxe dhe A. Gajtani.

Cilat janë pikëpamjet e Martin Camajt për gjuhën letrare shqipe?

Autori ka ndjekur nga larg zhvillimet dhe vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) për standardin gjuhësor. Duke qenë se botimi i gramatikës së vitit 1984 ishte më i plotë dhe i drejtohej një mase më të gjerë, në këtë libër autori gjen vend për të shprehur pikëpamjet e tij për gjuhën letrare shqipe, duke mos u pajtuar me atë zgjidhje që dha Kongresi i Drejtshkrimit i Gjuhës Shqipe në vitin 1972. Martin Camaj mbron tezën e tij që konsiston në atë që gjuha e mirëfi lltë letrare shqipe fi llon me veprën e Pjetër Bogdanit "Çeta e profetëve", me poezitë popullore dhe fetare të veprës së Pjetër Budit, me "Gjellën e Shën Mërisë Virgjër të Jul Varibobës" (1762). Për autorin duhet të shfrytëzohen të gjitha potencialet gjuhësore që ekzistojnë, traditën gojore etj. Kështu, sipas Camajt, gegërishtja e këngëve epike në rajonin e Shkodrës më pas ndikoi në mënyrë të dukshme në gjuhën e shkruar dhe se fillimet për normalizimin e gjuhës letrare shqipe duhet t‘i kërkojmë në shekullin XVI. Autori për problemin e gjuhës letrare shqipe i referohet edhe përvojës dhe traditës të gjuhëve të tjera evropiane se pasuria gjuhësore e një kombi duhet të përfshihet në standardin gjuhësor, se një dialekt i vetëm nuk mund të përmbushë nevojat e një gjuhe kulture. Duke qenë se autorët e vjetër Camaj i ka studiuar, edhe në këtë rrafsh i drejtohet përvojës së tyre, veçanërisht Pjetër Bogdanit, i cili, ndonëse ishte prej Hasit, por, duke parë se e folmja e tij nuk po i përmbushte të gjitha nevojat për të paraqitur një vepër sa më dinjitoze që t‘i shërbente një mase sa më të gjerë, iu drejtua "dheut të Shkodrës", duke huazuar jo vetëm fjalë dhe fraza, por edhe ndërtime sintaksore dhe stilistike. Gjithashtu, ai ka mendimin se "njohja e plotë e teksteve të vjetra, veçanërisht atyre gegërisht, që janë afër me strukturën e toskërishtes, do të kishin ndikuar për të zgjidhur shumë probleme për standardizimin e gjuhës letrare lehtë e pa dhimbje". E shqetëson Martin Camaj fakti se gegërishtja nuk u shfrytëzua me atë potencial që kishte. Megjithatë, Martin Camaj nuk shkroi një shqipe larg standardit gjuhësor, por përdori një gjuhë tepër plastike dhe të zhdërvjelltë, duke parapëlqyer, kur ka qenë e mundur, të përdorë më shumë trajtat e përbashkëta se ato dialektore dhe nëndialektore, si në fonetikë, por edhe në nënsistemet e tjera të gjuhës. Fillimisht, Martin Camaj u udhëhoq nga ato zgjidhje që kishte bërë Komisia Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918) që për gjuhën e shkruar kishte pranuar të folmen e Shqipërisë së mesme, të Elbasanit, pasi ajo shërbente "si urë në mes të dy dialekteve". Por Martin Camaj nuk veproi si disa autorë gegë, që zbatuan thuajse me rigorozitet zgjidhjet e Komisisë Letrare të Shkodrës, por duke jetuar edhe më vonë, si dhe duke pasur një sens dhe përgatitje gjuhësore, arritjet e kësaj komisie i çoi edhe më tej, gjë që na bën ta vlerësojmë pa lëkundje se Martin Camaj është nga shkrimtarët gegë ose një nga ato që gjuha e veprës së tij i afrohet mjaft standardit gjuhësor të sotëm që, siç e përmendëm, ai ka shumë për të marrë nga gegërishtja e autorit tonë. Këto ndërhyrje të Martin Camajt në këtë gramatikë vinin se ai dhe kolegët e tij nuk pranonin rrugën e zgjidhjes së gjuhës standarde, duke mos i dhënë vendin që i takonte gegërishtes dhe duke theksuar se në përcaktimin e normës letrare kanë ndikuar faktorët jashtëgjuhësorë, si ato ideologjikë dhe politikë.

* * *

Veprimtaria gjuhësore e Martin Camajt është mjaft e pasur dhe më shumë interes, por jo shumë e njohur, pasi është në gjuhë të huaj. Sot në Shqipëri po bëhen përpjekje më tepër që vepra e M.Camajt të njihet nga lexuesi shqiptar më shumë në fushën e krijimtarisë së tij letrare sesa gjuhësore. Megjithatë, vepra e tij edhe në aspektin gjuhësor paraqet vlera të veçanta. Ajo duhet të studiohet me përparësi të veçantë dhe të popullarizohet që të njihet më mirë nga lexuesit dhe studiuesit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora