E diele, 28.04.2024, 02:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Anton Mazreku ashtu siç ka qenë

E hene, 08.06.2009, 06:01 PM


Anton Mazreku
Anton Mazreku
Nga Elsa Demo/Anton Mazreku

Për profesionistët e sotëm, ai jep modelin e gazetarit të angazhuar, për kritikët mund të jetë poeti lirik dhe për përkthyesit, një skrupuloz i panjohur i gjuhëve. Ja portreti i plotë i Anton Mazrekut, tek vepra e sapobotuar nga e bija, Adelina: "Ishte një letrar dhe përkthyes i mirëfilltë dhe përfundoi thjesht një komentator".

"Nga do qi të veteshe n'atdheun tonë, nuk ke me pa gja tjetër veç vorfnim, veç vaj, nuk ke me ndi gja tjetër veç vrasje..." Shkakun e varfërisë materiale e shpirtërore dhe të egërsisë ndaj tjetrit, Anton Mazreku (6 maj 1908-3 gusht 1969) e shikon tek mungesa e arsimit, e dijes, e kulturës.

Për nga cilësia, është jo pak publicistika e tij, e cila nuk ka gjë të përbashkët me radiokronistin e parë shqiptar, apo me njeriun e dashur për lëvizjen fizkulturore e sportive, me themeluesin e gazetës "Sporti shqiptar" (1935). Vepra, "Anton Mazreku fjala dhe heshtja" ("Neraida") e botuar së fundi nën kujdesin e së bijës, Adelina Mazreku, jep me shkrimet e vitet 1925-1955, një portret pothuajse të plotë të intelektualit

Shkrimet hyrëse, ato publicistike, një pjesë e të cilave shtrihen në harkun kohor nga 1927-a, kur Mazreku akoma s'ishte 17 vjeç dhe arrin deri në vitin 1941, për nga stili janë sintetike dhe të pasura gjuhësisht, për nga temat që rrok flasin për një vetëdije qytetare, të shprehur në mënyrë racionale, po të kemi parasysh se edhe lexuesi më i kultivuar jetonte në mesin e një popullate dërrmuese analfabete.

Arsim, arsim, dije, dije, shkollë, shkollë, qytetërim, qytetërim. Janë mesazhe të përsëritura në shkrimet e Mazrekut. Mungesën e arsimit e sheh si shkak të vuajtjes dhe të mjerimit të shqiptarëve dhe njëkohësisht nuk ngurron të pranojë: "...duhet ta kuptojmë e ta shtijmë në krye se popullin e kemi primitiv, e kemi të pakultueruem, e kemi të pashkollë".

Intelektuali i rrethit të Shkodrës jepet tek kjo vepër me publicistikën që përbën pjesën e parë, të quajtur "Rrugat". I përket viteve kur ai shkruante me pseudonimet Aku ose "Krahi i rrmaktë".

Pjesa e dytë, "Kshtu desin burrat" me prozë dhe poezi, krijimtari origjinale, me kronika, madje dhe përralla, me poezi lirike dhe një elegji të mrekullueshme "Dy lott e dy lule" me 220 vargje. Pjesa e tretë, "E drejta dhe liria", me prozë dhe poezi të përkthyer. Janë përfshirë disa përkthime të botuara ose jo, ndërkaq ai pati përkthyer krijime të autorëve Ugo Foscolo ("Vorret"), Trilussa, Pierre Corneille ("Sidi"), Georges Sim ("Nikoleta") etj.

Anton Mazreku me bashkëshorten, Vasilikën, dhe vajzën, Adelinën
Anton Mazreku me bashkëshorten, Vasilikën, dhe vajzën, Adelinën
Tek ky botim gjejmë përkthime nga italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, nga autorë si Leopardi, Fransua Majnar, Viktor Hygo, Andre Chenier, Heinrich Heine, Ronsard, Wilhelm Muller, që tregojnë pretendimet për pak përkthim dhe cilësisht lart. Jup Kastrati ka bërë edhe një vështrim krahasues të përkthimit të "Lorelei" të Heine-s, bërë nga Mazreku, Poradeci dhe Arshi Pipa, dhe Kastratit i rezulton më muzikal dhe më i saktë versioni i Mazrekut. Vështrimet mbi veprën dhe aktivitetin e kësaj figure përbëjnë pjesën e katërt, "Magjistari i mikrofonit, të tjerët për Anton Mazrekun".

Për profesionistët e sotëm ai jep modelin e gazetarit të angazhuar, për kritikët mund të jetë poeti lirik dhe për përkthyesit, skrupuloz i panjohur i gjuhëve.
Një shembull? Dy nga cilësitë e mësipërme duken tek artikulli që po botojmë, "E mjera shqipe...", shkruar me pseudonimin Aku dhe botuar te "Gazeta e Korçës", Korçë, më 25 gusht 1929.

Intervista

Zonja Adelina, me këtë libër ju po jepni veprën e plotë të Anton Mazrekut?

Vepra, po ta shohësh me sy kritik, ka mangësi, por ky libër nuk është bërë për konsum të gjerë. Anton Mazrekun, brezi im e njohu si komentator dhe publicist sportiv. Ishte nëpunës dhe komentimi ishte një hobi që u kthye, nga pasion, në profesion.

Kishte mjeshtërinë e të folurit dhe merrni me mend që TV nuk kishte në ato vite dhe gjithçka përcillej nga forca e përshkrimit të komentatorit. Kjo i dha atë popullaritet që e meritoi, por edhe iu çmua. Pasuesit e tij gjejnë diçka pak më të veçantë tek ai, që duhet ta kishte burimin tek formimi ndryshe se i një gazetari amator apo gazetar vetëm i sportit.

Doni të thoni që këtu jepet sidomos Mazreku intelektual...

Aktiviteti i tij daton 1927-'42. Është një kapitull ku unë as fizikisht nuk kam ekzistuar dhe mamaja ime që e pat njohur pikërisht në atë kohë, njohu atë Anton Mazrek të atyre viteve. Ai 19 vjeç, ajo 15. Pas kësaj kohe, mamaja shikonte me dhimbje këtë tkurrje, këtë reduktim, këtë minimizim të aftësive të babait.

Pse ai nuk shkroi më, nuk di ta them. Ndoshta ai i takonte asaj rryme që quhej dekadente, romantike, iluministe, ndoshta ngaqë letërsia nuk mund të jetë krejt neutrale në asnjë regjim diktatorial. Dhe babai nuk e gjeti dot veten. Këtë periudhë të jetës së tij e krahasoj me njerëz të tjerë që kam njohur:

Çabjen, sepse ishte mik i ngushtë i dajës së tij, Luigj Gurakuqi. Kam dëgjuar në fëmjëri dhe biseda të këtij karakteri që diskutohej diku si duhej të shkruheshin librat, dikush u ngrit, e kritikoi dhe i tha "ti je borgjez".

Dhe vinte në shtëpi i tkurrur, por Çabej në fushën e linguistikës pati ku të vazhdonte... Njoha Lasgushin, i cili përfundoi një njeri që s'qe më Lasgushi i parë, merrej me ndonjë përkthim dhe atë përkthim nuk e zgjidhte dot ai, por ia diktonin. Njoha Mitrush Kutelin, Sterjo Spasen...

Brezi i intelektualëve që i përkisnin "Botës së moçme" të Cvajgut, thoni ju në hyrje.
Është ky brez iluministësh, njerëz që kanë pasur një dell të fortë atdhedashurie, që kanë menduar se botën do ta ndërtojnë vetëm në sajë të dijes, vetëm në sajë të kulturës, pra ka qenë jashtë ideja se bota mund të krijohet edhe me dhunë, ose mund të ndërrohet një mënyrë jetese me një mënyrë jetese.

Ky brez, për atë formim që kishin, nuk e gjeti veten në këto ujëra. Pati intelektualë që morën pozicionin e disidentit ose u internuan, e pësuan akoma më keq. Ata njerëz u munduan t'i adaptohen me dinjitet botës së re, mënyrës së re të jetesës.

Si u përshtat Anton Mazreku?

Në shtëpi ishte shumë i heshtur. Dy herë qenka pushuar nga puna nga një muaj dhe ai shkonte çdo mëngjes në punë dhe vinte në drekë, kur kishte mbaruar orarin dhe s'e dinim asnjëherë.

Këto i thotë Irfan Tërshana dhe miqtë e tij. Në këtë kontekst tani e kuptoj se ç'do të ketë ndjerë ai baba, me formimin e një iluministi, e një idealisti, që ndoshta u zhgënjye në ca ëndrra të veta. Po në të njëjtën kohë ishte njeri me këmbë në tokë.

Cilat ëndrra?

Ëndrra që të vazhdonte të ishte një letrar. Ai ishte një letrar dhe përkthyes i mirëfilltë dhe përfundoi thjesht një komentator. Komentatori ka vlerat e veta, s'e vë në dyshim, por shumë më pak nga ajo ç'mundi të ishte.

Por u pajtua që unë jam i zoti ta bëj këtë punë, kjo punë nuk dëmton askënd dhe më lejon të bëj një jetë të thjeshtë familjare, pa telashe.

Shënimet janë nga periodikët e kohës, po të tjera ka?

Shumë nga shkrimet që më parë nuk i kam njohur, ekzistojnë në Bibliotekën Kombëtare, në periodikët e kohës, dhe këto mbërritën në dorën time pas vdekjes së babait, për ta njohur ç'ka shkruar, ç'ka menduar. Këtu është përfshirë publicistika, po edhe letërsia e tij, sepse ai vazhdoi të mbetej një dashnor besnik, por ilegal i pasionit të vetë të letërsisë.

Nuk janë përfshirë përkthimet e "Sidit" të Kornejit, Trilussa, etj. Janë dorëshkrime, ndoshta nuk kanë për të parë dritën e botimit. Mbeten dëshmi e pasionit të tij, unë i ruaj.
Në libër është edhe një artikull i Jup Kastratit.

Them se vlejnë ato që Kastrati ka thënë për aktivitetin e Anton Mazrekut jashtë aktivitetit të publicistikës sportive, për të cilat ai tashmë është i njohur dhe i vlerësuar. Kjo më dha nxitje që, në fund të fundit, ta njohin këtë Anton ashtu siç ka qenë, sepse për aq sa e njohën, po e harrojnë pak e nga pak.

--------------

E mjera shqipe...

Duke parë se në Gazetat Shqipe dhe më tepër në gjuhën e intelektualëve t'anë, fjalët e huaja po korrin çdo ditë e më tepër fitime të mëdha, nuk është një gjë e vështirë për ne të themi se në kohën e ardhshme - e jo shumë vonë artikulli i një të dijturi shqipëtar të mbaruar, do të ketë një faqe t'atillë, që do të mund të pajtohet fare lehtë me këtë mënyrë shkrimi, që vazhdon më poshtë:

Kontamplojmë se xhurnallet enashi patrias po e studijojnë me serjozitetin, që imponon necesiteja, gjuhëzën t'ënë shumë paura o puâ de yy të fjalëve. Neve intelektualët e kompletuar... shqipëtarë, që kemi sakrifikuar krejt zhenesin t'ënë në Shtetet e civilizuar të oksidentit duke studjuar shefdevrat e skritorëve dhe poetëve famozë, e kemi si për devuar patriotik të japim dhe neve opinjione t'ona rreth kestjonit, që ka valer ekstraordinere.

Gjuhëza t'ënë napollnena me ekspresje turke dhe turnyra t'asjatëshme t'asajë imperatorije ferose, që na ka salvuar dhe opresuar për "viele Jahrhumderte" siç thotë allamani, ësht një gjuhëzë e atillë, që me atë së munt t'eksprimojsh asnjë ide filozofike, s'munt të demontrojsh asnjë theoremë gjeometrike, s'mundesh me dhënur asnjë zhyzhma mbi principet e theoritë e peirave të kullturuara, asnjë uçenje mbi fizikën, botanikën, faunën dhe flloren, asgjë mbi bezuenet lokale dhe socjale. Ergo man mus truve tute masat e duhura, që t'a europaizojmë shqipën e mbetur pusta.

Nakanume propagandë sistematike, me sistemá drakonjane, që t'a kultivojmë gjardinon e gjuhëzës s'enë me fjalëra belisime oksideute duke evituar me energji ekstreme tërë ekspresjet dhe bataljonet e fjalërave turke dhe shqipe barbare, das hajst o ble do kastraveca, bostan, speca, patixhana et cetera et ceterorum, që duhen çrrënjësuar, të semojmë kurge, uatermeleone, piperjes und folgt,

Duhet të posedojmë simpathin e worldës së kullturuar dhe këto simpathi simpathitike tha lavëmë angazhe monon tote kur të shuasirim dhe t'i albanizojmë pse kozi tha mas katalavun edhe një waiter amerikan...

Do të batojmë rekordin. Esparanto njente. Shqipja wird Esparanto. E épita do të mangjojmë pane yberal noj albanjanët. Sa dobru. Dobrisime bilé. Do t'anestemi. Do të reysojmë një sykse splendit, manjifik, luksuos, mazhestik, par ekselâse. Worldi do të na estimojë kom il fo.

Ma akoma tropo lontano felicités. Janë ca homá sui generis, që na i mas hallnun dhulia. E kauza kauzorum është Shtampërija e Shqipërijes, që nuk i kondamnon integrantet dhe nuk e kondyezon llaos arvanos në sferën e glorjës e të vitorjës fantastike.
Shtampërija hriasete t'a koadjuvojë idén patriotike dhe humanitare për cirivilizimin dhe europaizimin e shqipes banale.

Kanalja, vullgu do të kenë mjaftë difikultera in kominçjo; por epita do t'u adaptohet... veshi dhe do të komansojnë e ata të bavardojnë në gjuhën moderne par ekselâsë, inaugurimi i së cilës inaugurohet dhe celebrohet sot me ceremonira inaugurale dhe celebrante.

Sa para bëjnë - si thotë vullgu - tërë gjuhëzat e stillet e sistomat eksemplere të shqipes që po bombardojnë kollonat e nashi xhurnalleve?

Gjuha elegante, kalorëse, moderne, e soleve tio Parisi, gjuha fidele në prencipet e sferave luminoye ësht kjo që ekspozojmë dhe imponoimë neve për honorin dhe prestixhin e partis, një gjuhë kjo, që e estimon tërë worldi, një gjuhë, që sonon ekstra n'organet sentimentale... t'akustikës, një gjuhë, që servis çdo shqipëtar edhe në devuarat më të sakrueshme dhe më superbe.

Altro ké! Gjuha dhe stili dhe tërë turnyrat, rjegullatë dhe ijat e z. Kolea.
Epitellus u rekomandojmë gjithë konpatriotëve gjuhën rekorde duke i konsiluar, si fratela që i kemi t'a aprandojnë sa më parë dhe t'a antrajnë kudo në centrumet dhe rajonet e Shqipërisë Patris s'ënë. Amin.

***

KOMENTE

Kam njohur nje Adeline jo si mjeke ne rrethin tim familjar rreth 35vjet me pare dhe pyesja veten time se ku i buronte e gjithe ajo miresi ne shpirt dhe gjithe ajo kulture qe reflektonte tek njerzit qe e rrethonin, gjithe sharm dhe etikete ne maredheniet me miq. Dija se ishte bija e nje komentatori sporti shume te degjuar dhe respektuar ne kohen e vet, dija se ishte bija e nje nene qe vinte nga nje familje mesuesish , te paret mesues ne Voskopoje, te rrethit te Korces , dija qe z. Adelina ishte nje mjeke shume e mire, por tani e kuptova se ku e kane burimin te gjithe keto qe e kompletojne me se miri figuren e nje njeriu te vleresuar.Duke nxjerre ne pah vlerat e verteta te Andon Mazrekut , babait te saj , jo vetem Adelina duhet te krenohet por gjithe kombi , te cilit ai i sherbeu deri ne fund te jetes se tij me gjithe kontributin e tij ne shkrime , ne perkthime, ne kritike dhe se fundi ne ajo e cila eshte identifikuar deri me sot Andon Mazreku, ne sport.Kjo mendoj vlen per njohjen e vlerave te verteta TE KOMBIT TONE .Zoti e prefte ne paqe dhe mendoj qe ti jepet nje fare vleresimi maksimal punes dhe jetes te te madhit Andon Mazreku, ndonse shume vone, dhe Adelines i uroj qe libri te shohe driten e botimit qe beri, duke kryer detyrimin moral ndaj babait te saj te nderuar. Edhe nje here Adelina te uroj shendet te plote dhe qofsh e nderuar dhe e respektuar ashtu si ke qene po tani pak me teper edhe per vlerat e verteta te babait tend.

Me shume respekt dhe dashuri nga larg Miranda

Andon Mazreku ka qënë një njeri fisnik, i dashur, me kulturë, por tepër modest, siç më thoshte im atë i ndjerë Tuni Papuçiu. Së bashku me të, ata organizuan Ballkaniadën e Vitit 1946, e cila doli me tepër sukses për Shqipërinë. Ruaj si relike të ralla fotografitë ku im atë ka dalë me Andon Mazrekun duke transmetuar drejtpërdrejt jashtë dhe jo në studio. Gjithashtu, shumë shprehëse është fotografia kur ekipi i futbollit doli kampion i Ballkanit dhe të gjithë, im atë, Andoni, Loro Boriçi dhe ekipi kanë dalë tepër të entiziazmuar për atë fitore të merituar. Im atë më thoshte gjithashtu se kur transmetonte Andon Mazreku ndeshjet e futbollit dhe unë shumë i vogël, qëndroja në dhomën ku ai transmetonte. Tuni ishte në atë kohë Kryeredaktor i "Sportit" dhe duhej të mbulonte pasqyrën e gazetës për ndeshjet. Shpesh në transmetim dëgjoheshin dhe të qarat e mija. Andon Mazreku ishte një njeri tepër i formuar dhe e ndihmonte shumë tim atë me përvojën dhe dijenitë e tij për sportin. KIshte një pasion të veçantë për letërsinë dhe shkrimet e tij dalloheshin për kulturën e tij të gjërë gazetareske dhe për argumentat dhe dijet e tij që e pasuronin artikullin apo shkrimin e Andon Mazrekut. Ruaj si gjë të rallë numrat e "Sportit" të asaj kohe ku krahas shkrimeve të tim eti dallohen ato të të paharruarit, veteran të sportit dhe gazetarisë sportive shqiptare, të mirit dhe të dashurit, Andon Mazreku. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.

Alfred Papuçiu, Gjenevë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora