E enjte, 01.05.2025, 09:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Ramiz Gjini: Belaja e së shtunës

E diele, 07.06.2009, 10:16 AM


Tregim

Ramiz Gjini

Belaja e së shtunës  

Kur shoku Xhabir, erdhi sërish në Biboll si kandidat për deputet e nisi të mbante ato fjalimet në popull, ca e pritën mirë, por ca të tjerë, thartuan turinjtë e thanë: “Prapë na u qep si rrodhe ky kopil-kopili?! “
      Ishte prag zgjedhjesh të reja dhe ç’prej katër ditësh, kisha një dhimbje në ije, që ç’t’iu them! U gardhnova brenda dhe as që do të kisha dalë nga shtëpia sikur të mos ia kish behur tek unë kryetari Brahim Çadërbashi. Erdhi bashkë me të birin e Lal Pogës. U përshëndetëm e u pyetëm, pastaj kryetari Brahim, ndërsa më zgjati qesen e duhanit, tha:
      - Ti, o baca Maliq, e di që nesër fillon fushata elektorale?
      - E di, - thashë unë, ndonëse si ta dija si të mos e dija, për mua njëlloj qe.
      Mbajti frymën një cop herë e si një babaxhan shtoi:
      - Ne, o baca Maliq, kemi menduar të të vëmë në krye të një pune fort me rëndësi.
      - Për hajër na daltë, - thashë unë, - Urdhëroni e flisni zotnia juaj!
      Po vrisja kaplloqen për të gjetur ku donte të dilte.  
      - Do të drejtosh sektorin e pompimit gjatë fushatës, - tha ai. Dhe u krekos një copë herë si t’i kish rënë nishanit. Pastaj, medemek, shpjegoi se dëshironin të drejtoja një grup të rinjsh të paisur me pompa nga ato që përdoren për të fryrë gomat!
      Të them të drejtën, u zura ngushtë. Cigaren e thura për të thurur, por, ngase më dridheshin duart e në mendje shestoja tjetër gjë, e bëra për hagaret të zotit: të shtrembër e të përdredhur mu si ajo gjethja e mollës ku fshihet natën cirgatori.
      Nuk mora vesh asgjë nga ato që tha ai, ndaj pa të keq pyeta:
      - Nuk më thoni, zotnia juaj, ç’do të bëjmë me ato pompa?
      - Do të fryni shokun Xhabir, - tha seriozisht zavalli dhe më nguli sytë e zgurdulluar nga pija. 
      Siç e thashë, unë jam plak i moshuar tashmë. Shumë gjëra në jetë më kalojnë pa i vënë re, e sidomos, nuk marr vesh hiç nga teknologjia e re e mjeteve të propogandës. Ngela si hutaq dhe nuk e kuptoja se si e pse kërkonin ta frynin shokun Xhabir, (zoti e ruajtë!). Por kjo punë u qartësua kur ndërhyri i biri i Lal Pogës e mi shpjegoi qartë të gjitha.
      Mua më pëlqen ai djalë. Si mësues që është, hedh dritë në fjalët që thotë, u jep një lloj qartësie, ka durim të madh dhe t’i fut në kokë gjërat ngadalë e shtruar. Vetëm atëherë e kuptova se si qëndronte puna. Fjala qe, se ata të partisë në qendër, na paskeshin ujdisur tek një mjeshtër një Xhabir prej llastiku. Kishin menduar, medemek, ta vendosnin kandidatin e tyre diku pranë kryqëzimit ku ndahet rruga, që çan mespërmes Luginës së dragojve për të mbërritur, pastaj, në qytezën e largët të Dodonës. T’ia lidhnin këmbët për disa ganxhave të ngulura në tokë dhe ta frynin me pompë, që të ngrihej drejt në këmbë, dhe, duke mbajtur një fletë votimi në dorën e majtë, me të djathtën të bënte me gisht drejt perëndimit të largët, medemek, për t’i treguar miletit tonë udhën nga duhet të shkojë!
      Edhe sot e asaj dite, më vjen për t’u çuditur me ato shejtanët e Partisë së Qendrës së Majtë se si u pat vajtur mendja për një marifet të tillë!
      Kryetari Brahim, se nga nxori një tufë me pesëmijëshe, mi rrasi në dorë e tha:
      - Këto i ke për xhepin e vogël. Kur të ketë sosur kjo punë, o tatëlosh, do të marrësh pjesën e xhepit të madh.
       Nuk bëra dot as cik, as mik, sepse ju e dini se si ta lidh gojën ajo e mallkuar par?. Ama, teksa ndaheshim, u zura ngushtë. Duke pranuar shpërblim pa nisur ende puna, po u bija pak më qafë atyre të Partisë së Qendrës së Majtë. Zoti më faltë, jarabi!
      Kërceva e thashë:
      - Po sikur ta fryjmë njëherë shokun Xhabir, pastaj mendojmë për pagesën?
      - Këto punë i di unë, or baca im - ma pat zavalli. Dhe më rrahu shpatullat, athua se unë isha një djalosh në pik të moshës, kurse ai, - plak në vendin tim.
      Të shtunën në mëngjes, nisi fushata elektorale, me artopolantë shëtitës, parulla, tamtame daullesh e grupe militantësh, që bënin propogandë.U bë një llazurë e madhe, që hajt morè, athua se luanin qentë e kallajxhiut.
      I biri i Lal Pogës, na çoi me kamjon drejt e në vendin e caktuar, ku ndahet rruga që të shpie në Dodonë. Morëm me vete Ernest Misurin si edhe dy pompat (njëra do të qe rezervë) bashkë me atë Xhabirin prej llastiku. E kishin palosur në katërsh, të shkretin. Lëvizte si pelte sa herë djemtë e shkelnin me këmbë. Këto të rinjtë e sotëm janë bërë më shejtanë se ato të Partisë së Qendrës së Majtë: e tërhoqën zhakthi dhe e plandosën mu në mes të sheshit!
      - Ngadalë more djema, - u thashë, - kapeni si njerëz e mos e zhakamysni kësisoj!
      Më dëgjuan do të thoni ju? As që deshën t’ia dinin çfarë thashë unë! E tërhoqën osh harbutçe, në fillim nëpër pluhur, pastaj i ranë mespërmes një pellgu me ujë, e shkërryen në baltë, dhe tek e mbramja, kur e shpalosën që ta shikonte pak kohë dielli,(i vinte një erë e keqe), gjetën aty brenda, - me nder jush, - një mi të ngordhur!          
      Qysh asaj kohe mu fiksua keq një ndijim torturues: sa herë shikoj ndonjë xhabir, më përzihet, më duket se bie erë mi i ngordhur. Madje kjo më ndodh me gjithë deputetët e parlamentit tonë. Zoti më faltë për këtë, sepse, - me ç’më kanë thënë, - janë nga burrat më të mirë, më të zgjedhurit: natë e ditë, veç për kombin mendojnë! Por, ne vegjëlia, nuk i meritojmë ata, sak m? nuk i meritojmë, sepse po t’i meritonim...
      Djemtë e flakën miun në një kanal e nisën të hidhnin romuze. Qeshnin, kukuriseshin dhe talleshin, kopilat. E unë që jamë plak, e nuk kam moshë për t’u hazdisur e hakarizur asisoj, u fola apet me të keq, e i këshillova ta merrnin punën seriozisht, pasi në fund të fundit, pa marrë parasysh të mirat, që do t’i sillte Bibollit zgjedhja deputet e shokut Xhabir, ata për atë punë do të paguheshin.
      - Durim, o baca Maliq, ti veç mos na u mërzit - tha i biri i Lal Pogës, - sepse po ia futëm pipin tek vrima këtij qafiri, e fryjmë për dy minuta.
      Hajde t’i marrësh vesh këta të rinjtë e sotëm! Edhe kandidat për deputet edhe qafir, nuk kisha parë e dëgjuar ndonjëherë!
      Ernest Misuri kërceu e tha:
      - Kështu si është katandisur ky, nuk ka adap që ia gjen vrimën.
      E kishte fjalën, për ventilin.
      Kërko e kërko, dhe kur ia gjetën ventilin, u shkrinë gazit. Ai mjeshtri anonim, paskësh qenë më shejtan se ato të Partisë së Qendrës së Majtë: ia kish pas ujdisur ventilin mu në prapanicë.
      Dhe filluan sërish djemtë të qisnin bishta, hidh e prit romuze, qesh e ngjesh; kurse mua më merrnin me të mirë, përpiqeshin të më largonin kacabujt, ndërsa i kthenin palët shokut Xhabir. E unë atëbotë, nisa të kuptoja se më kish gjetur belaja.
      - T’ia ngulim kunjat, - tha Ernest Misuri dhe vajti të merrte ganxhat.
      I ngulën ganxhat në tokë rreth e rreth me një tokmak dhe e lidhën me konop për këmbësh shokun Xhabir. E bënë këtë punë me shpërfillje e tallje, që fali o zot! E mua, ato çaste, nuk di pse m’u shtua ajo dhimbja në ije. Athua se po lidhnin për këmbësh një hajvan të plakur samari, një kalë bajmak, një gërdallë të zgjebosur, e jo shëmbëllesën e një kandidati për deputet. Pastaj, gjithnjë duke qeshur, morën njërën nga pompat, i filetuan tubin në prapanicë dhe nisën ta frynin shpejt e shpejt duke u ndërruar, njëherë njëri, pastaj tjetri.
      E shikoja syprinën e asaj sendegjaje të madhe llastiku si nisi të ngrihej ngadalë e të merrte formën e një qenie me dy këmbë. Fryma është jetë, - thashë me vete, - është akumulim, forcë e sukses, sidomos në politikë, sepse pashë, që nën pushtetin e saj, dalëngadalë, nisën të merrnin trajtë të gjitha pjesët e trupit. Minutë pas minuti, ajo masë llastiku, që më parë ndodhej fare pranë hiçit, teksa formësohej, rrekej t’i shëmbëllente të gjallit Xhabir, kandidatit tonë të nderuar.(Zoti e ruajtë)
      Duke i dhënë varda pompës papushim një kohë bajagi të gjatë, shoku Xhabir mundi të ngrihej ndenjur, por ende nuk kish brenda aq ajër të ngjeshur sa duhej për t’u ngritur në këmbë.
      Pashë që djemtë po djersinin dhe më erdhi keq për ta. U thashë të bënin një pushim të shkurtër dhe ata e lan pompimin; ndërsa vetë, bëra ca hapa prapa për ta këqyrur në distancë atë shëmbëllesë: nuk ngjante hiç me shokun Xhabir. Kish marrë formën e përçudshme të një picërraku të madh të ngritur në bisht, që ka ngrirë i squllët në një pozicion të çuditshëm. Këmbët i kishte të vëngërta e të çapëluara, memzi e mbante me ta drejtëpeshimin. Hunda i rrinte e varur, me majën e kthyer si sqep hutini. Dora e djathtë, nuk qe tendosur në masën e duhur për të bërë me gisht andej nga perëndimi, (ku thonë se është parajsë për së gjalli), por tregonte andej nga stallat e Nesimit, ku ndodhej një grumbull i madh plehu me një taborr mizash që zhuzhisnin përsipër. „Zoti e shpëtoftë miletin tonë nga ky keqkuptim, për aq kohë sa nuk e kemi fryrë tamam shokun Xhabir,“ thashë me vete, sepse rruga e Dodonës qe gufosur nga trafiku, dhe njerëzia, padyshim, i kish ngulur sytë gapërr nga ne. Me ato luhatjet e lehta që i jepte zefiri, me gishtin drejtuar nga grumbulli i plehut, shoku Xhabir, kishte diçka të ngucakeqëshme në vete, athua se e kish zënë krruti. Dukej si një i sëmurë psiqik, që përpiqet të largojë nga vetja një ndjenjë neverie.
      I biri i Lal Pogës hoqi këmishën, u shtri mbi bar në shpinë, dhe, ndërsa rreshkej në diell, përtypte një fije bari me dhëmbë e hidhte ndonjë fjalë kuturu rreth politikës. Pastaj bëri shumë pyetje ngase deshi të dinte, se si kanë qenë bërë zgjedhjet në motet e shkuara, e sidomos, ai deshi të dinte, nëse fryheshin kandidatët edhe atëherë kështu si sot.
      Mua nuk po më shqitej ajo dhimbja në ije, ndaj i nxirrja përgjigjet si me grep. I thashë, që aso kohe, kandidatët për deputet, me sa mbaj mend unë, o bir, qenë burra zahmani, të merrnin gjak në vetull. Po të përpiqeshe t’u jepje ndonjë pompë për t’i fryrë, s’e kishe mirë me ta. Dalngadalë, ai nisi t’i rrallonte pyetjet, dhe tek e mbramja kuptova, që e kish kapluar gjumi ngase nisi të gërhiste. Kur hodha sytë andej nga shoku Xhabir, për çudinë time, m’u duk më i vogël. Për aq muhabet sa bëra unë me të birin e Lal Pogës, shoku Xhabir qe trusur kërbunjas, i ishte thyer qafa, koka i qe rrëzuar si një kungullac e i pat hapur një golle në kraharor; kurse krahët i vareshin, (ndjezot!), si lavjerrës të fishkur gjer në tokë. Memzi qëndronte në këmbë, qyqari.
      Më gjeti, si i thonë, belaja e së shtunës!
      E zgjova shpejt të birin e Lal Pogës, thirra dhe Ernestin dhe u thashë t’i jepnin pompës, sepse ora po çastiste afër dhjetës, kurse ne, ende nuk e kishim ngritur në këmbë si duhej belaziun. Në fakt, desha të sigurohesha, nëse shoku Xhabir rridhte me të vërtetë. Kurse ata të dy, na paskeshin qenë dembelë të mëdhenj, e unë nuk i paskam njohur për të tillë! Filluan t’i vinin rrotull me lëvizje të plogështa, silleshin qerthull dhe asnjëri, as tjetri, nuk e merrte mundimin ta rrokte pompën i pari.
      Andej nga e vona, i biri i Lal Pogës kërceu e tha:
      - Mos e diskuto: ky karabush, rrjedh diku, o baca Maliq. Nuk ka mundësi….
      Dhe nisën të kontrollonin shokun Xhabir për t’i gjetur ndonjë vrimë.
      U ktheva shpinën i zemruar e gjithë rrebe në kokë. Ç’të bëja me ta?! 
      Por ja që Ernest Misuri, ma zbrazi inatin:
      - Kot zemrohesh me ne, o baca Maliq, sepse ky kandidati ynë rrjedh. Hajde të shikosh, ia gjetëm vrimën allçakut.
      U afrova e pashë që djemtë kishin të drejtë: shoku Xhabir rridhte e cërcërriste mu në tepe të kresë. Pastaj i biri i Lal Pogës i gjeti edhe një vrimë tjetër të vogël në parmë të qafës, i futi në vrimë një fije bari për të mos e humbur, ndërsa nisi të kërkonte andej nga fundi i kurrizit për vrima të tjera.
      Saora, nisa Ernest Misurin në Biboll të bënte me dije kryetarin Brahim Çadërbashi.
      Kur u kthye, ma bëri qejfin: kish sjellë një kompresor ajri me benzinë si dhe nja dy-tre pulla të holla, të gatshme, që ngjisnin kollaj, mjafton t’u hiqje një cipë të hollë plastmasi. Por nuk kishte pasur aq mend sa të merrte edhe një valvë shkarkimi për t’ia montuar shokut Xhabir. Dhe kur nuk ka mend djali, s’ka ç’i bën dhaskali.
      E pullosën Xhabirin prej llastiku, ia mbyllën vrimat mirë, dhe kur ia futën tubin në prapanicë, ndezën kompresorin.
      Atëherë, vetëm ta shikonit se me ç’madhështi u ngrit në këmbë shoku Xhabir. Më vrafshin shtatë teqe në ju gënjej. Kurrë nuk do ta harroj atë pamje, atë monument njeriu gjigant. Ngjante me nje kreshnik mali nga ato të moteve, që tashmë janë harruar.        
      Ajo sajesë llastiku, që më parë të ngjallte neveri me kotësinë e saj, ku edhe minjtë ngordhnin po të hynin aty, nisi të madhohet. Me t’u fryrë, mori në sytë tanë një pamje krejt madhështore! Kishe qejf ta shikoje: dhjetë metra i lartë, me dorën e djathtë të shtrirë nga perëndimi, ballin lart e vështrimin drejt horizontesh të reja…
      Kaq shumë u ngazëlleva dhe kaq shumë mu dhimbs humbja e atij ngazëllimi, sa kur u dëgjua krisma, u përdata e gati vdiqa nga tronditja e thellë.
      Ajo shëmbëllesë e gënjeshtërt, plasi e u shfry sa çel e mbyll sytë. Nga gjithë ajo madhështi, ngelën në tokë vetëm disa lepra të vogla llastiku, gjithçka tjetër u zhbi e u zhb?. Por, besoni bacën Maliq: e keqja për mua ende s’ka mbaruar. Sepse, qysh atëherë, jam bërë si i thonë, njeri me hije. Shoku Xhabir i fitoi zgjedhjet dhe vajti deputet në kuvend. Dhe për këtë kam edhe unë meritën time, apo jo? Pastaj u bë edhe ministër dhe kjo nuk është pak. Të gjithë ne, që u rropatëm të fitonte, natyrisht që u gëzuam.
      Tani e shikoj përnatë në televizor, sepse nuk para vjen më këtej nga Bibolli.    
      Për çdo herë, që e shikoj, më duket më i shëndoshë, më i fryrë e më i rrumbullakosur. Kurse unë, dita ditës cokatem, tretem e hollohem nga një llurbë dyshimi: kam frikë se herëdokurë, - larg qoftë, - mund të plasë edhe e vërteta ashtu si shëmbëllesa e saj e rreme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx