Udhëpërshkrim
Luan Çipi: Në Greqinë e lashtë
E diele, 31.05.2009, 03:40 PM
NË GREQINË E LASHTË
Reportazh i vonuar
Nga Luan Çipi
Me tregtarët simpatik grekë, që ishin nga qyteti Trikallai Thesalisë, zotrinjtë Kosta Dhimos dhe Dimitri Dinapojas dhe dropullitin babaxhan Dhimokrat Makri, ne formuam, qysh në vitin 1992, një ndërmarrje të përbashkët tregtare Greko-Shqiptare, ku unë u punësova si administrator. Kryesisht, me nismën e Kostës, pasi u muarr pëlqimi i Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Trikallës, që ishte mik i tij, nëpërmjet meje, iu propozua Kryetarit të Bashkisë së Qytetit të Vlorës, zotit Elham Sharra, për të dërguar një delegacion të nivelit të lart, për të vizituar qytetin grek të Trikallës dhe për të bërë hapa konkrete në vëllazërimin e dy qyteteve. Pasi u shkëmbyen protokollet bashkiake, u pranua ftesa dhe u përcaktua që në delegacionin e Bashkisë së Vlorës të përfshihej Kryetari dhe zëvendës kryetari i Bashkisë, si dhe unë, në pozicionin e ndërmjetësit, si Këshilltar Ekonomik i Bashkisë së qytetit të Vlorës, shoqëruar nga Dhimokrat Makri, në detyrën e përkthyesit.
Morrëm me lehtësi vizat, nga Ambasada Greke në Tiranë dhe u nisëm nga Vlora me një autoveturë Ford: Z. Elam Sharra, Hajri Xhemali, unë dhe Dhimokrat Makri, duke pasur shofer vlonjatin Bernard Xhindi. Ishte data 26 Maj e vitit 1993.
Në kufi, agjenti, veç vizës kufitare greke, më vendosi një stampë me njolla të zeza, mbi vizën Maqedonase në formë pulle, që unë e kisha të ngjitur në një faqe të Pasaportës. Siç e përktheu Dhimokrati stampa lexohej: “E pa përshtatshme me Greqinë.” Në kontrollin e dytë që na bëri Posta Ushtarake Greke, pak metro larg Doganës, e mbajti pasaportën time, diskutoi gjatë rreth sajë dhe ma dha, pasi u konsultuan me një civil. Grekët e kishin të pa pranueshme emërtimin Maqedoni, për fqinjët jugor, me pretendimin që Maqedonia i takon Greqisë. Kjo i shqetësonte deri doganierët dhe ushtarët grekë. Dhe ne, vemi e mërzitemi për qëndrimin e tyre ndaj nesh. Ata, me të gjitha problemet dogmatike nacionale, kështu sillen. Duket janë të sëmurë me diagnozën “manjako-helenizëm” Harrojnë që perënditë e lashta greke, janë me origjinë të përbashkët pellazgjike dhe se madhështia e lashtësisë, s’është vetëm e tyrja. E kapërceva shqetësimin, duke më ardhur keq për këta të sëmurë, fatkeqësisht, me diagnozë të pa shërueshme.
Vetëm një orë rrugë, midis terrenit të gjelbëruar dhe para na del Janina, kryeqendra e Epirit, bashkuar me Greqinë në vitin 1913, me liqenin e sajë të famshëm, arenë ndeshjesh, peripecish dhe aventurash, që na kujton Ali Pash Tepelenën dhe bijtë e tij, Frosinën dhe legjendat për të, bilbilejtë, të shtatë puset dhe deri gjyshin tim, Bektashin, të plagosur këtu, në luftë me grekët dhe të dekoruar, për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Kaluam nëpërmjet qytetit në drejtimin veri lindor. Në të dy anët e rrugës, tepër malore, po të asfaltuar cilësisht, të bije në sy gjelbërimi natyror me shkurre e pyje, me qendra të shpeshta të banuara, me ndërtesa dykatëshe, dyqane të mbushura plot dhe pika pushimi e distributorë karburanti. Në lartësinë 1700 metro na tërheq vëmendjen Meçova, që popullohej nga çobanë të pasur. Siç mësuam pakicat vllahe, këtu në Greqi, jo vetëm që nuk përbuzen, por preferohen. Po kjo, si të shpjegohet? Dihet se vllehtë në Ballkan, historikisht, kanë ardhur nëpërmjet Italisë nga Rumania, ndërsa shqiptarët janë autoktonë dhe pellazgë, ashtu si grekët. Shpjegimi gjendet me fanatizmin ortodoks grek. Ata i pranuan vllehtë, nëpërmjet përqafimit të fesë së përbashkët.
Duke zbritur lartësitë shohim Kallabakën, qendër e rëndësishme peshkopate. Në lartësitë e maleve të Atosit, në veri, shihen katër Manastiret e Famshme të murgjve ortodoks, si të varur në shkëmbejë e thepisur, me Kryemanastirin Megalo Meteora... Më poshtë shohim qytezën e Pilit (URA), vendkalim prehistorik për Epirin, Artën dhe gjithë Thesalinë. Kishim hyrë, kështu, në Prefekturën e Trikallës, me kryeqendër qytetin që mban, po këtë emër, qytet i vogël dhe i bukur, me rreth 70 mijë banorë dhe që ndahet në mes nga një lum i vogël.
Në mbasditen e datës 26 Maj 2003, ora 17.00 ne u paraqitëm te Zyra e z. Kosta Dhimas, që na priste, me personelin e vet. Ai, pasi na qerasi me pasta dhe pije freskuese, që i nxorri nga frigoriferi i vendosur në një nga zyrat e tij, na paraqiti programin dhe na shoqëroi në Hotelin turistik me 93 vende, me emrin “Dina”, në qendër të qytetit. U lamë, pushuam pak për t’u shlodhur, për të përballuar, qysh atë dite nje program te ngjeshur.
Takimi i parë me përfaqësuesit e Bashkisë së Trikallës u bë në Restaurantin pronë e Bashkisë, në pjesën antike të qytetit, në një zonë kodrinore. Nga pala greke morrën pjesë Kryetari i Bashkisë dhe tre zëvendës kryetarë, njeri prej të cilëve, siç na u prezantua, ishte me origjinë prindërore korçare. Takimi dukej mjaft i ngrohtë, qysh në fillim, dhe ne u befasuam, kur disa herë, jo vetëm nënkryetari me rrënjë Korçe, por edhe Kosta Dhimos, që skish qenë veçse disa herë në Vlorë, gjatë bisedës, përsëritnin shpesh se ishin allvanos.
Siç morrëm vesh më von, njëfarë dashamirësie ndaj shqiptare ishte karakteristikë dhe veçori e kësaj treve. Ata, jo vetëm që nuk përçmoheshin dhe urreheshin, por edhe pranoheshin si të barabartë në shoqëri e në tavolinë, bile edhe zgjidheshin në forumet udhëheqëse vendore. Biseda kishte karakter njohës. Grekët u kënaqën kur mësuan se kishin të bënin me këshilltarë shqiptarë të zgjedhur direkt nga populli dhe jo me nëpunsa të thjeshtë, të emëruar nga shteti.
Kryetari i Bashkisë së Trikallës, dhimarkua, siç quhej, ishte Kostandin Papastergjiu, rreth 60 vjeç, i rizgjedhur, me votë të lirë nga populli, në 6 legjislatura. Ai, me profesion ishte inxhinier ndërtimi dhe, në të njëjtën kohë, drejtonte vetë një biznes privat, që merrej me ndërtim banesash, shitje dhe dhënie me qira. Kostandini u çudit kur mësoi se në Shqipi posti i Kryetarit të Bashkisë e përjashtonte të drejtën e angazhimit, njëkohësisht me drejtim biznesi privat. Ai tha se në legjislaturat e ardhme asnjë biznesmen nuk do pranojë të vendos kandidaturën për t’u zgjedhur dhimarko. Po qe se unë do ta lija biznesin do ngelesha fukara dhe do meritoja mallkimin e fëmijëve të mi.
Dhimarkua i Trikallës, siç dëgjuam nga të gjithë, por dhe siç konstatuam vet, ishte një grek i vërtetë, i zgjuar dhe shumë energjik: I pranishëm kudo dhe në çdo gjë që kishte lidhje me disiplinën urbane, me pastrim gjelbërimin e rrugëve dhe mjediseve publike, të furnizimit me ujë, për ndriçim dhe ngrohje, të mirëmbajtjes së rrugëve dhe kanalizimeve, të varrimit, transportit dhe higjienizimit e deri të artit, kulturës dhe edukimit, të shkencës dhe rinisë. Të gjithë e njihnin dhimarkon e tyre dhe e përshëndesnin me përzemërsi, dashuri e mirënjohje. Ai gjithnjë kërkues, skurpuloz, që qortonte e tërhiqte vërejtje, kritikonte e këshillonte edhe për gjëra të vogla e të rëndomta, si për ndonjë fletë pemë në rrugë, për një degë të varur e të pa krasitur para një dyqani, apo një karike të vënë në trotuar, atje ku s’duhej, e që shkelte kufirin e lejuar e të paguar, apo për një detyrë të lënë më parë, po të pa zbatuar. Megjithëse ne shikonim kudo pastërti e përsosmëri ai mendonte se diçka duhej bërë akoma se “të tjerët, në Evropë, po na lënë pas”. Në këtë takim foli dhe Kryetari i Bashkisë së Vlorës, z. Elham Sharra, që te ata la përshtypje, veçanërisht kur u shpjegoi origjinën e tij, si tregtar i deklasuar dhe i shpronësuar me dhunë si dhe i persekutuar familjarisht, me pesë viktima të burgosur e pushkatuar nga regjimi komunist. Takimi zgjati, pa u kuptuar, mbi 5 orë. Darka ishte shumë e pasur me pije dhe ushqim të bollshëm e cilësor, ku dominonin prodhimet e mishit shumllojësh, sallatat dhe vera. Grekët, burra e gra, hanin e pinin si të babëzitur.
Të nesërmen, datë 27 Maj, shkuam të katërt, si delegacion, shoqëruar nga greku Kosta Dhimos, në Bashkinë e qytetit të Trikallës. Na priti te porta e Bashkisë një nga nënkryetarët, shoqëruar me dy policë bashkiak, të veshur me uniformë, na përcollën për te zyra e Dhimarkos, në katin e dytë, ku, personalisht, na priti, na takoi me përzemërsi dhe na tregoi vendet për t’u ulur z. Kostandin Papasergjiu. U ndodhëm në një zyrë tejet të madhe, të mobiluar me shije: Në krye tavolina e punës e Kryetarit, anash, në dy faqe muri- etazherë të mbushur me libra e dosje dhe më poshtë, një kënd i posaçëm pritjeje me tavolinë të stërmadhe, për pritje e punë në grup. Pikërisht këtu u ulëm ne dhe përkundrejt zunë vendet katër nënkryetarët me dhimarkon grek në krye. U këmbyen përshëndetje dhe falënderime. Kryetari grek ishte enthusiast. Pasi foli për buxhetin bashkiak shumë të pasur, me të ardhura që gjithnjë tepronin, se ishin më të mëdha nga shpenzimet, ai , premtoi me bujari për ndihma të mëdha, për lidhje afariste e këmbime tregtare, në kuadër të një binjakëzime eventual, midis dy qyteteve tona. Pas kësaj dhimarkua i Trikallës, që ishte, njëkohësisht, anëtari i këshillit të pushtetit lokal në komisionin përkatës ndërevropian në Strasburg, si dhe nënkryetar i Këshillit Bashkiak Panelenik në Athinë, autor librash të posaçme për funksionimin e pushtetit vendor, pra, ky burrë i mençur dhe dashamirës, që për aq pak kohë, na kishte bërë për vete, nisi të japi shpjegime për funksionimin e Bashkisë dhe për detyrat e tij, në formë përvoje:
- Ai që lyp një shesh ndërtimi nga Bashkia, bën më parë një studim të plotë pjesor, për zonën e ndërtimit, në përshtatje me kushtet urbanistike të studiuara nga ne dhe të paracaktuara. Kërkuesi paraqet treguesit e studiuar nga ana konstruktive, arkitektonike, ekonomike dhe tekniko-teknologjike. Këto shqyrtohen dhe miratohen nga Zyra Urbanistike e Bashkisë.
-Sektori Ekonomik i Bashkisë administron pronën dhe buxhetin e Bashkisë, të miratuar nga Këshilli Bashkiak. Ndryshimet e mundshme, në kufijtë financiar të aprovuar, i nënshtrohen gjykimit dhe mund të ndryshohen në proces, vetëm nga Këshilli Bashkiak.
-Taksat lokale për ndriçim e pastrim caktohen për çdo metërkatrore sipërfaqe disponibile të secilit subjekt. Arkëtimet e tyre bëhen nga Ndërmarrja Komunale Elektrike, që na i derdh, në llogarinë tonë, çdo muaj.
-Të ardhurat e Buxhetit lokal vijnë: 20% nga pjesa e të ardhurave të centralizuara, 50% nga të ardhurat e transportit si dhe nga taksat lokale, që lidhen kryesisht me taksen e pasurisë së truallit dhe të vleftës së mjeteve kryesore.
Pas takimit, shoqëruar personalisht nga Dhimarkua, vizituam personelin, që punonte në zyra të përbashkëta Në shenjë respekti të gjithë ngriheshin, njëherazi, më këmbë.
Zyrat e përbashkëta të personelit ishin me specialistë, sipas profileve: Gjendja civile (të gjithë ofiqarët bashkë, secili me kompjuterin e vetë} ;urbanistika, arshiva, financa, policia bashkiake etj. Kudo me kompiutera të lidhur në rrjetë. Zyrat e nënkryetarëve ishin me madhësi normale, por të pajisura më së miri.
Salla e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak ishte shumë komode, me vende të veçanta për presidiumin, sekretarinë, gazetarët, për këshilltarët dhe për popullin. Në presidium, për çdo çështje, veç anëtarëve të zgjedhur, zinte vend dhe specialisti përkatës, që referonte për çështjen. Të gjitha mbledhjet e Këshillit Popullor bëheshin të hapura.
Këtu, në Bashki ne dhamë intervista në radion dhe në televizionin lokal. Operator televizioni ishte një emigrant shqiptar.
Po atë ditë, shoqëruar nga Dhimarkua bëmë një vizitë në Këshillin e Rrethit të Trikallës dhe morëm takim me Kryetarin, z. Papavasiliu, që kishte qenë funksionar i Ministrisë Greke të Bujqësisë. Ai e njihte mirë gjendjen në Shqipi dhe dukej dashamirës dhe i përzemërt, duke shprehur besimin e ndryshimeve të shpejta pozitive. Kishte qenë edhe vetë në Shqipi me një delegacion të Komunitetit Evropian dhe kjo e kish bindur edhe më shumë dhe i kishte shtuar simpatinë për vendin tonë mik Edhe në ambientet e Këshillit të Rrethit u bënë fotografi dhe projektim televiziv..
Dhimarkua i Trikallës nuk mund ta bënte të plot ceremoninë e prezantimit me autoritet e Prefekturës pa kryer ritin më të rëndësishëm për Grekët: Ai na shoqëroi me një eskortë automjetesh në drejtim të Mitropolisë, ku jashtë portës së madhe, na bëri nder Peshkopi At-Aleksej. Ati i nderuar ishte një prelat i rëndësishëm i Kishës Greke, por i moshuar dhe i ngadalshëm, në të folur. Ai tha se gëzohej që takonte përfaqësues të një qyteti bregdetar shqiptar. “Unë, tha Ai, si e tërë Kisha Greke, i kam përkrahur shqiptarët , si të gjithë njerëzit në nevojë, dhe i kam ndihmuar me të gjitha mundësitë e mia. Edhe ju duhet ta kuptoni mirë këtë dhe të përkrahni gjallërimin e fesë dhe vendosjen e paqes e të tolerancës midis njerëzve”. Edhe këtu shkreptinë blicet e fotografive dhe kamerat televizive. Unë vura re, që pikërisht këto blice e kamera, e shqetësuan më shumë, anëtarin e delegacionit tonë bashkiak, z. Hajri Xhemali, i cili iu shmang me shpejtësi dhe iu fsheh atyre. Hajriu takoi të ishte çam, ashti si dhe, për fat të mire, besnikët e tij demokratë të Vlorës që kishin votuar për të. Si mund të dilte ai në fotografi me priftërinj, duke menduar se ata, apo shokë të tyre ishin shkaktarë të vuajtjeve dhe të kalvarit të mijëra çamëve te masakruar dhe përzënë me dhunë nga pronat e tyre në Greqi? Te autoritetet rajonale greke ra në sy për keq. Po, si do që të bënte Hajriu, këtu, në Greqi, Janullatusin nuk e hiqte dot nga Shqipëria. Ai ishte emëruar Kryepeshkop i Kishës Shqiptare, i autorizuar nga Presidenti Berisha, idhulli i pa diskutueshëm i Hajri Xhemalit..
Një vizitë tjetër u bë në Pallatin e Rinisë, që ishte në proces ndërtimi nga Bashkia e Trikallës. Shumica e punëtore të ndërtimit ishin emigrantë shqiptar. Pallati dukej se ndërtohej sipas një projekti të bukur e funksional. Përfshinte një kompleks mjedisesh për edukimin e brezit te ri me artin, kulturën dhe shkencën: Bibliotekë e madhe, salla edukimi për fëmijë e të rinj, salla sportive për shah e pikpong, për muzike, pikturë, sallë kompiuterash e interneti, informacion bashkëkohor televiziv e shkencor, etj.
Ne vizituam, aty afër edhe Qendrën Sportive të Bashkisë me fusha volejbolli, basketbolli, tenisi e deri pishinë.
Një tjetër përqendrim i këndshëm ishin Serat e Bashkisë ku përgatiteshin, në dy blloqe, të gjitha fidanët e luleve dhe të pemëve dekorative për lulishtet dhe sheshet e gjelbërta të qytetit. Serat ishin me ngrohje dhe përdornin si lëndë djegëse gazoil.
Një qendër e madhe dhe e organizuar mirë ishte Parku i Strehimit dhe i Mirëmbajtjes së automjeteve dhe makinerive të Bashkisë. Veç këtij funksioni, kjo qendër e rëndësishme, kishte të grumbulluara aty një numër servisesh dhe punishtesh ndihmëse për metalin dhe drurin, servise të remontit kapital dhe shërbimet, gomisteri, bojaxhi, piktorë e dekoratorë. Qendra kishte financën dhe buxhetin e vetë
Qendra e Grumbullimit dhe Përpunimit të Ujërave të Zeza ishte një vepër moderne, ndofta, nga ç’kishim parë, më gjurmëlënësja për ne. Ajo, të jepte përshtypjen e një laboratori të vërtetë, të pastër dhe Ermirë, ku ata të personelit edhe servirnin kafe e pije freskuese. Ishte ndërtuar me fonde të Komunitetit Evropian. Ujërat e zeza të të gjithë qytetit ktheheshin në pleh të thatë, duke e çliruar lumin e Trikallës për ta lënë atë të qetë ta përshkojë mes për mes qytetin me, ujin e tij të kthjellët, si burim freskie dhe vend qetësie.
Nën administrimin e Bashkisë ishte dhe Hidrovori i Qytetit, një investim i madh me pompa të fuqishme dhe rrjet të gjerë tubacionesh, si dhe Parku Zoologjik, i vendosur në një kodër dominuese dhe që kishte shumëllojshmëri kafshësh dhe shpendësh të egra.
Bashkia e Trikallës, si dhe bashkitë e tjera që vizituam në Greqi, kishin në pronësi të tyre pasuri të pa tundshme si bare, restorante, hotele, godina banimi, salla mbledhjesh, të cilat i administronin me drejtues privatë me kontratë disa vjeçare, ose që i jepnin me qira. Ato ishin burime suplementare të ardhurash për buxhetin e tyre.
Po atë mbas dite ne shkuam, të shoqëruar nga Dhimarkua i Trikallës dhe z. Kosta Dhima, në Bashkinë e Pilit, qytezë e vogël me 15 mijë banorë, 12 kilometra në veri të Trikallës. Na priti kryetari i Bashkisë së Pilit, z. Mihal Çuçija dhe, pothuaj, i gjithë Këshilli i Komunal, i mbledhur posaçërisht, me këtë rast. Në Pili gjetëm edhe Dimitri Dinapojasin, tregtarin Athinas, bashkëpronar i firmës tonë “Aulona Impex”, që ishte me origjinë nga këto anë, por që kishte ardhur këtu, me rastin e vizitës sonë.
Mirëseardhjen na i uroj Kryetar Mihaili, rreth 50 vjeç, i zgjedhur për tre legjislatura rresht. Ai, bashkë me një grup pensionistësh, sa ishte kthyer nga Stambolli, ku kishin qenë për vizitë dhe kishin takuar atje, deri kryetarin e Bashkisë së Stambollit. Na bëri përshtypja gjerësia e mendimeve të tij dhe të këshilltarëve të tjerë, me të cilët biseduam, që ishin pa asnjë kompleks fetar, si dhe kujdesi për pleqtë. Ata, këtu ndihmoheshin nga pushteti lokal dhe favorizoheshin për të bërë një jetë sa më të gjallë kolektive, në mjedise të veçanta argëtuese e shlodhëse.
Edhe në Pili Bashkia kishte pasuri të vetat, midis tyre barlulishten, që e jepte me qira, me tender, çdo 5 vjet. Kryetar Mihaili foli mirë për emigrantët e shumtë nga Shqipëria dhe premtoi për t’i punësuar dhe për t’i përkrahur, akoma më shumë ata, si dhe për të organizuar kontakte të ndërsjellët, ndihmë dhe vendosje lidhjesh ndërbashkiake.
Për nderin e delegacionit tonë edhe aty u shtrua një darkë e pasur, që kaloi si jo më mirë. Darka u organizua në një nga lokalet, pasuri e Bashkisë, me pjesëmarrjen tonë dhe të shoqëruesve nga Trikalla, por ku morën pjesë Kryesia dhe Këshilltarë të zgjedhur të qytezës së Pilit. Në darkë u ngritën dolli dhe u bënë përshëndetje falënderimi dhe urimi për të shtuar lidhjet dhe miqësinë midis popujve tanë fqinjë e paqedashës dhe midis njësive administrativo-ekonomike përkatëse. Edhe këtu më ra në sy sa hamës dhe të gëzueshëm ishin grekët, kur shtroheshin në të ngrënë e në të pirë. Ata, njëkohësisht, bëheshin më të thjeshtë, më njerëzorë e më dashamirës.
Natën, vonë, u kthyem në hotelin “Dina”, në Trikalla, për t’u larë dhe për t’u qetësuar e shlodhur, se të nesërmen, ditën e kishim më të ngarkuar dhe do bënim udhëtim të gjatë…
Në datën 28 Maj 1993 nisemi për në Larisa, kryeqendrën e Thesalisë. Larisa, me mbi 200 mijë banorë, është një nga të pesë qytetet më të mëdha e më të rëndësishme të Greqisë. Qyteti është i shtrirë në një fushë të pafundme me ndërtesa shumë të bukura dhe me një pasuri të pa krahasuar, një qendër tregtare e financiare e madhe, me përqendrim bankash dhe institucione shkencore dhe sidomos me shumë kisha.
Ne erdhëm këtu, në LARISA, sipas programit, dhe vizituam një qendër të rëndësishme studimore, shkencore e biznesi “EDMMEX” Në fakt çka pamë, ishte një degë e kësaj shoqate mbarëkombëtare, se qendra është në Athinë. Shoqata aktivizonte mbi 600 veprimtarë të shquar nga ajka e shkencëtarëve, inxhinjero-teknikëve dhe ekonomistëve të Greqisë, duke pasur në Këshillin e vetë Drejtues, figurat më të shquara të vendit. Kjo Degë e Thesalisë, këtu në Larisa ka 14 shkencëtarë dhe seksione të sajë veprojnë dhe në qytetin e Volosit dhe të Lamias. Ajo drejton , me nivelet më të arritura përgjithësuese të shkencës bashkëkohore veprimtarinë e 25 mijë bizneseve. Drejtuesi i Degës së shoqërisë në Larisa ishte z. Mihana Pakapanis. Ne u çuditëm kur e dëgjuam. Ai e njihte shumë më mirë se ne gjendjen e ekonomisë shqiptare dhe kërkonte, me insistim, bashkëpunim cilësor, në dobi të zhvillimit të shpejtë ekonomik në mashtabin evropian. Një inxhinier i EOMMEX.-it, me të cilin morëm kontakt na shpjegoj se biznesmenët e huaj, të shteteve të Komunitetit Evropian, përfshirë dhe ata grek, sipas legjislacionit në fuqi, kanë shumë përfitime, poqese do investojnë dhe do ngrënë ndërmarrje të përbashkëta, në formën e xhonvexherit, me biznesmenët shqiptarë . Ja disa nga përfitimet:
-Nga shteti Grek marrin kredi, pa interes, me kohë të gjatë shlyerje, deri në 35% të vleftës së investuar;
-Nga Tregu i Përbashkët Evropian, me anën e programit “ZOP” përfitojnë, nëpërmjet bankës greke Edvos dhe bankës agrare fonde për studime, si dhe ndihma falas për bizneset e përbashkëta, në disa drejtime si për studime, trasfertë teknologjie, përgatitje profesionale.
Dega studimore e Larisës e këtij Institucioni Shkencor, më befasoi dhe më habiti për përsosmërinë e organizimit, komfortin, pajisjet kompjuterike dhe elektronike, për bagazhin shkencore, shkallën e njohjes dhe vizionin që dispononte për gjendjen dhe perspektivën e zhvillimit, në përgjithësi edhe për ekonominë dhe biznesin shqiptar, në veçanti.
.Në kthim, afër Trikallës, pasi përshkruam rreth 2 orë rrugë, ne u kthyem për të vizituar një Fabrikë Tullash. Fabrika ishte e teknologjisë bashkëkohore gjermane me kapacitet prodhues ditor 120 ton dhe që konsumonte 5 ton solar në ditë. Argjila sillej me dekovil nga larg, prej dy burimeve, që harmonizoheshin në destinacion, duke u përzier, në raportet e nevojshme, për të siguruar përbërjen optimale mineralogjike. Procesi kalonte në këtë rrugë teknologjike: Përpunimi mekanik i argjilës dhe nxjerrja e fitilave, presim dhe prerje; tharja e parafabrikateve në tunele me ventilim ajri; pjekje në furra ofman me proces të pa ndërprerë, duke përdorur si lëndë djegëse solar të injektuar nga lart me buciatorë italian; seleksionim dhe ambalazhim në platforma plastike. Çdo gjë këtu ishte e mekanizuar dhe e automatizuar dhe kryhej me pak punëtorë, në kushte komode pune. Cilësia e prodhimeve të shumëllojta ishte e lart dhe skarciteti minimal.
Në krahun tjetër të rrugës kryesore automobilistike Larisa- Trikalla, rrethuar nga të gjitha anët me mure, ishte një Fabrikë e Madhe për prodhim pijesh freskuese, ku pronari grek Kosta Klafa e kishte pagëzuar me mbiemrin e familjes “Klafa”. Ne i thamë, nga emri duhet të jeni me origjinë shqiptare: Qafa- Klafa. Nuk e dinin po dhe nuk e kundërshtuan. Ata kishin dy linja automatike për ambalazhin një litroshe, në shishe qelqi dhe një e gjysmë, në shishe plastike, me shumëllojshmëri prodhimesh, shumë cilësore, që i shpërndanin në gjithë Thesalinë. Na bëri përshtypje një ekspozitë retrospektive, e përgatitur me kujdes në një sallë të madhe, ku veç prodhimeve dhe ambalazheve të shumëllojta, të përdorura ndër vite, ishin paraqitur dhe fotografi të historikut të lindjes, rritjes dhe zhvillimit të biznesit, i cili kishte nisur nga hiçi, me karo dore ambulante, me gomarë e me karroca me kuaj. “Unë, na shpjegoj Kosta, e mbaj mënd veten me rroba të arnuara dhe me libra të mara hua. Kjo më kujtohet sa herë që ndodhem para ndonjë vështirësie dhe me jep forcë dhe guxim, për të ecur më shpejt përpara. Ju, që jini të shkolluar, do ecni akoma më shpejtë drejt ndryshimeve dhe pasurimit. Unë kam shumë besim për këtë, se i shoh këtu shqiptarët, që bëjnë, pa qibër, çfarëdo lloj pune”
Për karshi kësaj Fabrike ne pamë një tjetër ku prodhohej filli i pambukut dhe peshqirë të llojeve dhe madhësive të ndryshme të markës “Klluciotira”. Në këtë Fabrikë punonin 80 punëtorë dhe përpunonin 3 ton pambuk në 24 orë, duke punua me tre ndresa, pa ndërprerje. Pronarët Vasili dhe Dimitri Kllucotiras ishin enthusiastë për rezultatet e arritura. Në shenjë respekti, ata, kishin përgatitur për secilin dhe na dhuruan nga një pako, me disa lloj peshqirësh.
Vizitën në vazhdim e bëmë te Fabrika e Sallamit “Diro Afoi Ntirokaltis”, e krijuar 50 vjet më parë. Atë e drejtonin vëllezërit simpatikë: Stelio, një babaxhan, rreth të pesëdhjetave dhe Vani, më i ri. Fabrika prodhonte 70-80 lloj sallamesh, që dalloheshin nga përbërësit kryesisht, nga teknologjitë e posaçme të prodhimit dhe nga mënyra e ambalazhimit, deri në paketa plastike pa ajër dhe në kuti alumini. Aty shihje makineri e fura bashkëkohore, frigoriferë të fuqishëm, si dhe një linjë tradicionale për pjekje me tymosje me lëndë djegëse druri. Nga kjo fabrikë furnizohej me sallam e gjithë Thesalia.
Steloja, që sa e kishte blerë autoveturën e tij shumë luksoze “Benz 3000”, të porositur posaçërisht në Gjermani, për shumën maramendse 120 mijë dhrahmi, krenohej se në gjithë Greqinë, të tilla makina, numëroheshin me gishtat e dorës Kjo ishte një mani e grekëve, që përcaktonte dhe vendin që zinin ata në shoqëri. Vëllezërit, që shprehnin keqardhjen, se kishin qenë të varfër dhe në të ri, nuk kishin pasur mundësi të arsimoheshin plotësisht, tani ishin më të kujdesshëm për arsimimin e fëmijëve. Dëshira e tyre superiore, tani që ishin pasuruar, ishte modernizimi i mëtejshëm i teknologjisë. Për këtë, aktualisht, kishin krijuar mundësi për të investuar rreth 500 milion dhrahmi në drejtim të mbarështimit të të gjitha llojeve dhe kategorive të bagëtive, për të ndërtuar thertore moderne dhe për të bërë ndarje anatomike të mishrave më të përshtatshëm për prodhim sallami. Për investimet ata shfrytëzonin politikat favorizuese shtetërore, sipas së cilave, nërastëse fitimi i kompanisë destinohej për investime prodhuese, përjashtoheshin derdhjet si tatim fitimi në favor të shtetit.
Në mbasditën e 28 Majit në Dhomën Tregtisë së Trikallës u organizua një takim pune me biznesmenë të qytetit, përfaqësues të Bashkisë dhe të Institutit EOMMEX, të ardhur nga Larisa. Takimin e çeli Kryetari i Këshillit të Dhomës së Tregtisë z. Simios. Ai tha se qëllimi i këtij takimi është shkëmbimi i mendimeve për lidhjet ekonomike dhe investimet e biznesmenëve trikallas në qytetit shqiptar bregdetar të Vlorës dhe anasjelltas. Përshëndeti, fill pas tij, Kryetari i Bashkisë i Trikallës, i cili edhe prezantoi delegacionin e Këshillit Bashkiak të Vlorës. Ai, midis të tjerave tha: ”Sot, këtu, na nderon me pjesëmarrjen e tij Kryetari i Bashkisë së qytetit të Vlorës, z Elam Sharra, Këshilltari Ekonomik, z. Luan Çipi dhe Përgjegjësi i Zyrës së Shërbimeve, pranë Bashkisë, z. Hajri Xhemali ( Siç kuptohet, Hajriun, që ishte, njëkohësisht nënkryetar Bashkie, Dhimarkua e s’postoj në radhë. Kjo, se ata, duke përfituar nga gjesti i tij në Kishë, kishin hetuar dhe mësuar se ai ishte një çam që ruante rezerva protokollare, ndaj u kundërvunë grekçe). Me këta zotrinjë, vazhdoji Dhimarkua, jemi bashkë e të pa shkëputur që nga e mërkura deri të shtunën. Objektivat e tyre janë njohja me qeverisjen tonë lokale, këmbim përvoje dhe bërja e traktativave për marrëveshje tregtare dhe investime të ndërsjella. Ne, morëm përsipër të ndërhyjmë në Athinë për intervenime serioze dhe për ndihmë në zgjidhjen e problemeve shqiptare. Ne, gjithashtu bëmë përgatitjen e nevojshme për binjakëzimin e qytetit tonë me qytetin e rëndësishëm bregdetar të Vlorës. Këta Shqiptarë të mirë, siç formova mendimin unë, i paraqesin problemet e tyre me pathos dhe dëshirojnë të kapërcejnë sa më shpejtë vështirësitë e shumta e serioze të tranzicionit. Ata, fare hapur, vëllazërisht kërkojnë ndihmë nga Bashkia Jonë. Dhe ne kemi vendosur t’ia japim me dashamirësi. Duke përfunduar tha z. Papastergjiu, dua të falënderoj kolegun tim dhe bashkëpunëtorët e tij dhe ta garantoj atë, për frymën tonë të ngrohtë dhe për gatishmërinë tuaj, të pa diskutueshme, o afaristë të Trikallës.”
Pas kësaj u bënë pyetje, që morën përgjigje nga z. Elham Sharra.
Mu desh edhe mua, në pozicionin e “Këshilltarit Ekonomik” të jepja shpjegime, që kishin lidhje me pozicionin gjeografik, popullatën, pasuritë dhe bukuritë e qytetit tim.
Diskutoj me mirëdashje edhe prefekti i Trikallës z. Papavasiliu, përfaqësuesi i EOMMEX-it nga Larisa, z. Bakaria, i cili u duk se edhe ai e njihte më mire nga ne Shqipërinë, vendin më të varfër të Evropës, duke e konsideruar si të domosdoshme lidhjen me Greqinë, fqinjin më të afërt. Në diskutimin, që pasoi, Kryetari Dhomës se Tregtisë së Trikallës, z.Perikli, shpjegoi, së pari kontributin e kësaj dhome në pritjen dhe ndihmën e organizuar ndaj emigrantëve shqiptar, duke krijuar një komision permanent prej 5 afaristësh, që u morën me strehimin dhe punësimin e tyre dhe me pas parashtroi disa drejtime të punës dhe detyrave të përbashkëta për të ardhmen. Biznesmen të tjerë shtruan problemin e domosdoshmërisë së forcimit të rendit publik dhe të masave shtrënguese në Shqipi, për disiplinimin dhe organizimin e lëvizjes emigratore, për të mos pasur shqetësime nga refugjatët.
Kishte në sallë edhe disa shqiptarë. Poeti vlonjat, mësuesi Dhionis Qirixidhi, refugjat i hershëm, erdhi këtu nga Kallabaka dhe deklamoj në greqisht një poezi malli me kujtime e vlerësime për Vlorën dhe Shqipërinë.
Ceremoninë e mbylli përgjegjësi i Dhomës së Tregtisë, i cili takimin e konsideroj shumë të frytshëm.
Në mbrëmje, në një tjetër lokal të Bashkisë u shtrua një darkë më se e pasur, me pjesmarjen e shumë afaristëve dhe bashkiakëve, shoqëruar nga gratë e tyre, të veshura me elegancë, që ishin edhe ato boll të shëndetshme dhe me oreks të mirë.
Në datën 29 Maj 1993 vizituam qytetin e vogël me 10 mijë banorë të Kallabakës, qendër turistike dhe episkopate e hershme. Kjo zonë, si dhe e gjithë Thesalia, Epiri dhe Maqedonia, kishte qenë 500 vjet nën sundimin otoman dhe kish provuar, si dhe pjesa tjetër e Ilirisë dhe Maqedonisë sundimet e huaja dhe invazionet romake, sllave, bullgare, e barbare, për të qenë, së fundi e administruar nga Vilajeti i Janinës, me sundimtar Ali Pash Tepelenën. Edhe pse ortodoksë, nën ndikimin e Kishës Bizantine, sundimi turk nuk i preku tempujt fetar të Krishterë dhe, megjithëse ishte e detyruar të paguante taksa suplementare, popullsia e këtyre trevave, nuk u konvertua në myslimane, siç bëri me lehtësi, në trevat e tjera veriore dhe verilindore. Sidoqoftë shkëputja nga Turqia, u bë më vonë, rreth 60 vjet, pas pjesës unike greke.
Pasi morrëm takim me kryetarin e Bashkisë së qytetit të Kallabakës, bëmë një vizitë në Kompleksin Hotelier Turistik, “DIVAN”, aty pranë. Ky Filial Turistik e kish qendrën e vet administrative në Athine dhe rrjetin e shpërndarjes në të gjithë Greqinë, përfshirë ishujt. Ishte një makinacion i mençur grek, që kishte bashkuar kapitale dhe pasuri në një rrjet hotelesh turistike cilësore, të cilat, me program dhe me mjetet e veta ia përcillnin turistet njëra tjetrës, bile me çmime konkurruese të liberalizuar, në formën e një minimumi, për të shtuar numrin dhe për të zgjatur kohëqëndrimin e tyre. Filiali i Kallabakës e kishte kapacitetin, jo pak, por 360 vende fjetje, me restorante dhe salla ndenje e pishina, ku shërbente një personel prej 100 vetash të shkolluar e të zgjedhur. Vetëm në Prefekturën e Trikallës Kompleksi Turistik “DIVAN” dispononte 1500 shtretër.
Të shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Trikallës dhe ai i Bashkisë së Pilit, siç ishte rregulli zyrtar, i bëmë një vizitë kortezije Mitropolitit të Kallabakës. Aty na priti vetë hirësia e tij Peshkopi z. Serafin, një prelat madhështor në shtat, pamje e moshë, njeri me kulturë të gjerë. Hirësia ishte i nderuar dhe i njohur në të gjithë Greqinë dhe në Kishën Bizantine, për njohuritë e tij theollogjike e shkencore. Siç morëm vesh ai kishte qenë shok, bashkënxënës dhe pedagog e teoricien me mikun e tij Janullatos, ekzarkun aktual të kishës shqiptare në Tiranë. Prelati i Kishës Greke, në këtë qytezë të rëndësishëm peshkopal, predikoi për ne, lidhur me rolin historik të fesë në lartësimin shpirtëror dhe dinjitetin njerëzor, për paqen dhe dashurinë me njeri tjetrin, për forcimin e miqësisë midis popujve. “Mos u dëshpëroni asnjëherë dhe mos e humbisni besimin për asnjë. Në thellësinë e shpirtit edhe te krimineli më i egër nuk shuhet drita e Krishtit. Te jastëku i kriminelit më të madh të të gjitha kohërave, Beria, në Rusinë Sovjetike, u gjend një ungjill”.
Pas kësaj bisede Peshkopi na përqafoi dhe u përlot. Më falni tha, po s’më harrohet një ngjarje e trishtë, makabre, që them se u bëra unë shkak. Dhe kjo ka lidhje me dy shqiptarë dhe dy pleq grek, të afërtit e mi. Ata banonin te një fshat, këtu, prapa malit, të vetmuar, se djemtë i kishin në Gjermani, si emigrant. Kishin nevojë për krahë pune dhe unë zgjodha dy djem shqiptarë, nga Fieri. që mu dukën të përshtatshëm dhe hallexhi… Dhe ata brenda 6 muajsh, siç merrja vesh, e transformuan gjithë ambientin, baçen dhe shtëpinë e kushërinjve të mi… Por një mëngjes herët zgjohem i alarmuar nga Policia dhe shkoj te shtëpia në fshat. Të dy pleqtë: xhaxhai im dhe gruaja e tij, ishin coptuar me nga dhjetë të rëna sëpate. Të gjitha arturinat dhe paratë e kursyera ndër vite ishin grabitur… “Kriminelë ka dhe do ketë në çdo kohë, ata janë pjellë e satanait, neve na takon ta ndezim dritën e Krishtit dhe të ndriçojmë e të përhapim mirësinë dhe vëllazërinë, midis njerëzve”. Kështu e mbylli fjalën e tij, me lotët, që ende i rridhnin, Serafini i Kallabakës.
U përqafuam, të përlotur dhe të dëshpëruar dhe sikur e ndjenim veten me faj, që ishim bashkatdhetarët e këtyre mostrave njerëzore- kriminelë dhe të pa besë.
Peshkopi i Kallabakës na përcolli deri jashtë Mitropolisë, na dhuroi nga një ikonë dhe ne i dhamë një vazo qeramike artistike, prodhim i artizanëve vlonjatë.
U nisëm me autoveturat, duke gjarpëruar në një rrugë tepër malore. Nga larg duken shtëpi të vetmuara të vendosura majë malesh. Ishin Manastiret e Meteorës, që kishim dëgjuar e parë, si arena ngjarjesh e filmash të mistershme. Kishim zgjedhur rrugën për të shkuar te Manastiri më i famshëm “Megalo Meteora” Shkuam me makinë deri në njëfarë vendi. Më tutje nuk kaloje dot me mjet. Do duhej të kacavirreshim me këmbë e duar. Së pari u futëm në radhë njeri pas tjetrit. Vargu i këmbësorëve nuk kish të sosur, edhe pse ishte një ditë e zakonshme fund maji, pra jo sezon turistik. Një pjesë rruge u detyruam ta kalonim në një shkallare, tip marinari të varur midis shkëmbejsh.Te një shesh, para portës se madhe të Manastirit na pritën murgjit. Në krye të tyre ishte Igumeni, At Athanasi, i njohur nga ne qysh në Vlorë. Ky murg, shumë simpatik dhe interesant, i shkolluar dhe i ri në moshë, është dalluar për ndihmat e shumta që i dha Spitalit Shtetëror, disa shkollave të qytetit dhe të varfërve, si dhe për pjesmarjen direkt me fonde dhe materiale për rindërtimin dhe rikonstruksionin e Kishës së Shën Todrit në qytetin e Vlorës. Ne e takuam me përzemërsi atë dhe i dhuruam një qeramikë artistike vlonjate. Pastaj, sipas programit, vazhduam vizitën me mjaft interes dhe kuriozitet, duke parë dhe duke u çuditur me antikitetet fetare dhe duke dëgjuar nga murgu ciceron për historikun e themelimit të Manastireve të Meteorës, që lidhej me përndjekjet dhe persekutimet e dyndjeve turke.(E pse jo, do të thosha unë edhe të Gotëve, Ostrogotëve, Saraçenve dhe fiseve të tjera barbare) Ishte aty një murg plak, rreth të tetëdhjetave, që dinte e deklamonte, me këtë rast, një togë fjalësh shqip. Ai përgjigjej për çangën dhe hapte e mbyllte pelegrinazhin. Asistuam në momentin e mbylljes, kur vizitorët duhet të largoheshin. (Se, po vinte errësira e natës dhe shkallët marinarë e rruga shkëmbore ishte pa ndriçim) Ai, Murgu Plak, me një çekan metalik formuloi njëfarë muzike, duke goditur ritmikisht, mbi disa lastra metalike dhe deklamoi me gojë mbylljen, duke folur, në fillim greqisht dhe më pas latinisht: “Quizo. Adesso va tutti. Quizo, quizo!” Formova mendimin se fjalët tregonin lashtësi më të hershme se krishterimi grek, ndofta nga koha e Shën Palit, që thuhet se ka vizituar Ilirinë.
Në shërbim e lëvizje ishin edhe murgjë të tjerë. Disa, fare të rinj, të veshur me uniformë priftërore, të pastër, të bukur dhe shumë të sjellshëm. Na solli, fillimisht ujë, një grua buzagaze. Një shpirt i shenjtë dhe një besim i madh ju dikton bujarinë këtyre murgjve heroikë, që e shkojnë jetën në shenjtëri, në këtë majë mali, jashtë çdo gëzimi njerëzor.
U freskuam, fillimisht, në dhomat e miqve. Ato ishin mjaft komode, me krevate dhe të gjitha pajisjet hoteliere të kohës me vaskë dhe WC porcelani, me dush e bolier elektrik për ngrohje uji dhe me pajisje për ngrohje ambienti me radiatorë dhe ujë të ngrohtë qarkullues. Na dhuruan nga një libër të ilustruar dhe nga një kasetë video, me pamje nga Manastiri.
Edhe aty, për nder të delegacionit nga Vlora, mike e Igumenit, u shtrua një drekë, me pjesmarjen e dhimarkos së Trikalles dhe atë të Pilit. U këmbyen përshëndetje ku u nënvizua roli i fesë për lidhjen e miqësisë dhe tolerancës midis popujve...At Athanasi e vlerësoi shumë Shqipërinë dhe shqiptarët dhe veçanërisht Vlorën dhe vlonjatët, duke e kthyer veten si të ishte nga Vlora.
Folën të gjithë, përshëndetën dhe ngritën dolli, falënderuan dhe uruan, secili me pasion dhe oratori. Kur më erdhi radha mua për të ngritur dolli, sipas zakonit ballkanas, unë, pa pirë, isha si i dehur, ndikuar nga mjedisi, pompoziteti i lidërve pjesmarës dhe, ndofta nga ndonjëfarë përfshirje e ndikimi mistik. Sapo ndërthura e fola pak fjalë, përkthyesi, shoku im i dashur Dhimokrat Makri, pa pritur u ngashërye dhe qau me dënesë dhe, natyrisht, e ndërpreu përkthimin, për gati pesë minuta, sa e mblodhi veten dhe kapërceu gjendjen e rëndë emocionale dhe pastaj, vazhdoi. Ndërkohë u ndikuan dhe të tjerët dhe si të sëmurë, të pa vullnetshëm, u përlotën dhe ata dhe kaluan si në gjendje habie. Unë nuk po kuptoja se ç’ndodhte. Mendoja dhe flisja lirshëm, po, duket flisja, me ngjyrën, pathosin dhe magjinë që na kishte pështjellur:
“Mendoj për popullin tim, thoshja, po kaq të lashtë e me tradita fisnikërie aq sa dhe fqinji ynë grek, por tani, kaq të varfër dhe kaq shumë të mjerë e me disnivel të madh mirëqenie, thelluar sidomos në vitet e fundit, kur emigroi masivisht e u kthye në shërbëtor. E di që 5 dekada më parë ishim, thuajse njësoj. Këto ditë e pash me sytë e mi se ku kanë arritur grekët, fal politikës perëndimore të zhvillimit dhe të ndihmës së Komunitetit Evropian, Amerikës dhe fal mençurisë dhe vendosmërisë së politikanëve të shquar grek. E di se ku kemi ngelur ne, si rezultat i mbylljes, egërsisë, megalomanisë dhe dogmatizmit. Ne, që jemi sot mbi 50 vjeç, kot që kemi rrojtur… Të kishim vdekur ne, thash, në kërkim të ndryshimeve më të thella e më të shpejta perëndimore, që të gëzonin pasardhësit tanë, të cilët nuk kanë borxh të heqin e të vuajnë, për fajin tonë. Për gjendjen e trashëguar, mizerabile, në drejtime të caktuara edhe institucionet fetare kanë kusuret e veta, se, po të kishim një kler, siç e shohim këtu, të aftë, të shkolluar e të vendosur për rrezistencë në bllok, ndryshe do të ishte. Kjo përvojë po na vlen edhe për t’u korrigjuar, ndërsa ndihma juaj bujare materiale, përvoja juaj e pasur, përfshirë dhe edukimin fetar, do ta mbushi, sadopak, boshllëkun dhe hendekun e madh të krijuar.”
Dreka mbaroi me takime, përqafime e dhembshuri. Po zbrisnim nga maja e malit Athos me një mal mbresash dhe kujtimesh, të pa harruara.
Kryetari i Bashkisë së Pilit, Mihail Çuçija, që na shoqëronte në Meteora dhe na tregohej shumë i dashur, e paraqiti më madhështor veten me një surprizë të pa pritur. Sa zbritëm në qytezën e Pilit, ai na drejtoj në një lokal, pronë bashkiake, që administrohej me qira privatisht, gjoja për të na servirur një kafe. Në sallën e madhe na prisnin, të shtruar në tavolinë, gati për të nisur “vuajtjet” tona, në një tjetër darkë përrallore. Atje, një grup i madh burra e gra, ishin rreshtuar për të na takuar dhe për “t’u lodhur” së bashku. Ishin të ftuar, këtë radhe, në rang prefekture, intelektualë nga më të shquarit e zonës, deri një shkencëtar vendas, profesor në Universitetin Shtetëror të Athinës.
Në datën 30 maj 1993, në Bashkinë e Trikallës u organizua takimi i lamtumirës. Dhimarkua kishte përgatitur një projekt- protokoll ku paraqiste detyrimet dhe detyrat për forcimin e lidhjeve bashkiake, vizitat e ardhme, këmbimet kulturore, artistike, sportive e shkencore, ndihmat emergjente dhe lidhjet tregtare e afariste, investimet e mundshme, pushimet e organizuara të fëmijëve shqiptarë në Greqi, etj. Nga ana jonë u paraqit një tjetër material, thuajse i njëjtë. Materialet u fotokopjuan dhe u lanë për unifikim dhe miratim nga Këshillat Popullor Bashkiak përkatës. Ato do nënshkruhen me rastin e kthimit të vizitës, në Vlorë, brenda muajit Qershor 1993.
Në kthim, drekën e hëngrëm buzë liqenit të Janinës.