E enjte, 01.05.2025, 09:58 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Fatos Daci: Dibranin që e nderoi Mirdita

E diele, 31.05.2009, 01:12 PM


Dibranin që e nderoi Mirdita

Nga Fatos Daci

Një mbrëmje e bukur festive dhe argëtuese, organizuar me rastin e 60 vjetorit të ditëlindjes së gazetarit të njohur të RTSH-së: Xhelal Marku, ka mbledhur këtu në Tiranë shokë, miq e të afërm të tij nga Mirdita, Dibra e Tirana, që bashkë me urimet sollën dhe vlerësimet e surprizat e tyre interesante. Mes kolegësh e drejtuesish të shquar të Radiotelevizionit Shqiptar, ishin dhe pushtetarë vendorë të Bashkisë Rrëshen dhe të komunës së Reçit Dibër, këngëtarë të njohur e të preferuar të këtyre krahinave si: Liri Rasha - Artiste e Merituar, Mark Gjoka, Esat Ruka, Qerim Sula, Sherif Dervishi, Ingrit Jushi e Shaban Mziu, që nën orkestrimin mjeshtëror të grupit të instrumentistëve të Qendrës kulturore “Dea-Art” nën drejtimin e Gojard Kodrës, i dhanë një atmosferë të shkëlqyer kësaj veprimtarie të bukur, që për nga niveli artistik ishte për tu mbajtur mënd”. Kjo, falë dhe drejtimit me kompetencë e profesionalizëm të spektaklit nga regjisori i njohur Llesh Nikolla - drejtor aktual i prodhimit në Televizionin Shqiptar.

Dy  spektakle  që  flasin  shumë

Është fjala për dy veprimtari të suksesëshme e të vlerësuara nga shikuesit, për dy spektakle disi të veçantë në llojin e tyre, njeri më i bukur se tjetri, të organizuar nga Bashkia e Rrëshenit dhe Radiotelevizioni Shqiptar, në një afat kohor të shkurtër, brënda dhjetë muajsh (Qershor 2008-Mars 2009), ku protagonist i tyre ka qënë gazetari i suksesshëm i RTSH-së: Xhelal Marku, një emër tashmë i njohur në media për kontributin e tij 35 vjeçar.

Ishte vetëm 23 vjeç Xhelali atëhere, kur mbaroi studimet në fakultetin Histori-Filologji dhe nisi me plot pasion punën e mësuesit të letërsisë në gjimnazin “Bardhok Biba” të qytetit të Rrëshenit, të cilën pas një viti do ta linte për t’iu përkushtuar një tjetër profesioni- atij të gazetarisë televizive. Një çerek shekulli me kamerën e TVSH-së në krah, Xhelal Marku rendi cep me cep fushave e maleve përmes vështirësive të shumta: në shi e në dëborë, përmes vapës përvëluese drejt njerëzve të punës, galerive të minierave, në shkolla e fabrika, pranë bluzave të bardha tek shpëtonin jetë njerëzish, aty ku festohej ose punohej për të kapërcyer vështirësitë natyrore dhe vit pas viti ngriti veprën e tij, atë për të cilën sot nderohet e vlerësohet – arkivin 30 vjeçar të TVSH-së për Mirditën. Një vepër e plotë, dinjitoze dhe me shumë vlera profesionale e historike që ka për autor birin e Reçit të Dibrës - gazetarin Xhelal Marku. Ishin plot emocione imazhet që përcolli ai në këto spektakle nga krijimtaria e tij në vite, duke evidentuar hap pas hapi vlerat historike, traditën dhe kulturën ne gjashtë rrethet që ka zhvilluar veprimtarinë e tij, si në Mirditë, Lezhë, Pukë, Mat, Kurbin e Krujë. Madje, Xhelal Marku, siç u vlerësua dhe në takimet e organizuara për të, njihet si themelues i arkivit të TVSH-së për Mirditën gjatë punës së tij në media. Për këto merita, ai ka marrë dhe vlerësimet maksimale nga RTSH-ja, si gazetar dhe kameraman i kategorisë së parë, por dhe është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” për pasqyrim dinjitoz e me profesionalizëm të jetës e të veprimtarive të zhvilluara në rrethin e Mirditës.

Është kënaqësi për mua - thotë Xhelali , që pasioni dhe përkushtimi im ishin dhe mbeten ekrani i vogël i TVSH-së, dhe Mirdita, që e konsideroj si vëndlindjen time të dytë. Janë këto raporte e realitete që punës sime i dhanë shansin dhe frymëzimin për të ecur në rrugën e veshtirë e të bukur të gazetarisë. Ndaj gjej rastin t’i falënderoj për mbështetjen që me kanë dhënë të dy krahët e këtij binomi: TVSH-ja dhe Mirdita, të cilëve do t’ju shërbej me zell sa të jem gjallë.

Një  jetë në media

Pasioni për gazetarinë do të shtynte shumë shpejt drejt të vetmes media vizive që kishte vendi ynë në atë kohë, drejt  Radio televizionit shqiptar mësuesin e letërsisë të gjimnazit, Xhelal Marku. Ishte fundviti 1974, kur ai filloi punën si korrespondent i këtij institucioni për Mirditën, të cilës i shërbeu për rreth tri dekada me përkushtim e profesionalizëm. Tashmë për punën e tij në vite flet mirë e bukur arkivi i TVSH-së, që ai ka krijuar me shumë mund e sakrifica.

Dhe ja: festa e mbrëmjes spektakolare e 26 Marsit vjen me shumë surpriza nga krijimtaria e gazetarit Xhelal Marku. Në një kënd të dekorit të shfaqjes së asaj nate, videoprojektori ofron pamje surprize. Edhe vetë ai djaloshi 24 vjeçar me kamera në krah që lëviz shpesh në pamjet e videoprojektorit, ishte njëra nga surprizat e shumta për pjesëmarrësit, për të ardhur deri tek 60 vjeçari me plot energji e projekte – Xhelal Marku, të cilit shokët janë mbledhur për t’i uruar ditëlindjen.

Janë 35 vite pa e hequr kameran nga supi, por dhe lapsin nga dora, duke shkruar projektet e tij të çastit e të perspektivës. Dhe pikërisht gazetaria e bëri Xhelal Markun një mik e bashkëpunëtor të përhershëm e korrekt të shtypit të përditëshëm e periodik të kohës. Ai me lapsin e tij ka thurur me mjeshtëri mjaft reportazhe, emisione dhe dokumentarë; por po kaq të sukseseshme kanë qënë dhe botimet e tij në faqet e shtypit. Kështu, vitin e kaluar Xhelal Marku është shpallur fitues i çmimit të parë për reportazhin në konkursin: “Krijimtaria dibrane 2007”. Ndaj dhe ne botuesit e shtypit, gjejmë rastin ta falënderojmë për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë si gazetar profesionist dhe mik i shtypit.

Për të gjitha këto, një grup pushtetarësh vendorë nga Mirdita kishin ardhur në Tiranë, për të nderuar gazetarin Xhelal Marku me çertifikatën: ”Mirënjohje”. Një vlerësim simbolik por dhe domethënës ky, të cilin në atmosferën entuziaste të ditëlindjes, ia dorëzon Kryetari i Bashkisë Rrëshen, z Gjon Dedaj, i njohur si mik i medias. Dhe më pas, vjen një tjetër çast emocionant: një grup autorësh si: Gjokë Beci e Mevlud Buci për tekstin dhe Gojard Kodra e Sherif Dervishi për muzikën, sollën surprizën e rradhës – një këngë enkas për këtë mbrëmje. Këngëtari Sherif Dervishi në emër të grupit krijues, diskutimin e tij e shprehu me një këngë kushtuar gazetarit të TVSH-së Xhelal Marku. Duartrokitje në sallë. Emocione e mbresa të veçanta. Dhe ja vargjet e para të këngës:

….Në Reç të Dibrës po pvet pragu,
Ku e kam djalin Xhelal Marku?
-Në TVSH ku të mençmit rendin...
-Në Kraj Reç e zën vendin…

Pas këtij interpretimi dinjitoz e merr fjalën dhe kryetari i Komunës së largët të Reçit të Dibrës – vëndlindja e gazetarit Xhelal Marku, zoti Rufat Shoti.

- Ndjehem i lumtur e i respektuar për vlerësimet që i bëhen gazetarit nga Reçi,- tha ai. Shpreh falënderimet e mia e të zonës  që përfaqësoj për rrethin e Mirditës, që nderoi e respektoi reçjanin tonë, pinjollin e kullës legjendare të Sul Markut, gazetarin Xhelal Marku. Ndaj i bashkohem vargut mbyllës të këngës: ...“Të qofshim falë o moj Mirditë”...

Emocione e mbresa

Zëri kumbues e melodioz i Qerim Sulës i jep sallës tonë të reja entuziazmi. Ai vërshon si lumenjtë e alpeve në pranverë. Duartrokitje, por dhe zëra korale nga salla, që këndojnë bashkërisht. Dhe sa vjen e rritet entuziazmi në këtë mbrëmje. Një tjetër çast emocionant kur në sallë hyn grupi simpatik e mjaft i sukseseshëm nga Mirdita, grupi i këngëtarit të preferuar Mark Gjoka, ose më saktë tre artistët e mrekullueshëm të familjes Gjoka: Marku, Bashkëshortja Tone dhe djali i tij i talentuar Saimiri. Dalja në skenë e këtij grupi, i dha spektaklit një atmosferë të re me repertorin karakteristik të këngëve lirike të Mirditës, tashmë të njohura në të gjithë vendin, por dhe në diasporë. Shpërthen fuqishëm kënga e vallja, ku printe plot shkathtësi si 20 vite më parë koreografja e Mirditës Dava Gjini. Kjo mbrëmje ishte pa dyshim një shou yjesh të muzikës popullore. Pas Mark Gjokës, në sallë përsëri duartrokitje të gjata për interpretimet e mrekullueshme të këngëve popullore të Dibrës nga artistja e merituar - Liri Rasha, por dhe nga e bija e saj - Ingrid Jushi, një talente e rrallë e muzikës për brezin që përfaqëson.

Në këto momente, atmosfera e krijuar  thërret në skenë këngëtarin e njohur Esat Ruka – Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Veprimtarive Folklorike të Shqipërisë. Ai interpretoi me mjeshtëri potpuri këngësh popullore të Matit, që u duartrokitën gjatë.

Në programin shou, një vënd të rëndësishëm zinin dhe intervistat me të ftuarit. Flasin me radhë shumë shokë e miq të gazetarit Xhelal Marku, kolegë të punës, drejtues të TVSH-së, por dhe pushtetarë vendorë nga Mirdita. I pari e merr fjalën Drejtori i emisioneve ritmike në TVSH, Bajram Hoxha, pastaj gazetarja e shquar e TVSH, Tefta Radi, regjisori dhe folësi i talentuar Xhelil Aliu, diplomati dhe gazetari Kamber Ferruku, gazetari i njohur sportiv Dëfrim Met’hasani, si dhe të afërm e miq të Xhelal Markut të pranishëm në këte mbrëmje. Janë fjalë zemre e vlerësime, që vijnë natyrshëm, duke ndjekur veprën dhe kontributin e tij 35 vjeçar në media.

Ishte një atmosferë e bukur ajo e datës 26 Mars, që u ndez natyrshëm dhe u mbyll atëhere kur në sallë doli tavolina me tortën e posaçme të ditëlindjes. Fishekzjarre, shampanjë dhe një gote e shoqëruar me urimin: “Gëzuar!”, drejtuar të gjithë pjesëmarrësve, ka mbyllur festën e kësaj mbrëmje, që për nga organizimi e drejtimi do të mbahet mend si një veprimtari shou model. Ndaj vjen natyrshëm urimi ynë: ”Edhe 100 vjet të tjera Xhelal Marku, kështu i fortë, krijues dhe energjik!”.



(Vota: 91 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx