E hene, 22.07.2024, 03:01 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Dosjet e sigurimit: Thenia e 1977: Grate nuk vijne era femer! Si u be spiunimi

E marte, 21.04.2009, 06:53 PM


Në kohën e regjimit e Enver Hoxhës mund të dënohej edhe për kaq: “Shikoji këta (gratë) se si janë bërë, nuk u vjen era fare gra”. Ishte një nen i caktuar në Kodin Penal, që parashikonte që ky konstatim i Hasan Blloshmit në drejtim të grave të familjes së tij, konsiderohej “krim”. Dëshmitë e Aqif Lekës, Hasan Blloshmi nuk i pranoi. Ai ishte një shqiptar i thjeshtë, por me një biografi “të keqe” për regjimin, ishte familje kulake, e pasur, kooperativiste, pa parti, pa mandat, pjesë e shkëputur nga biografia e tij. Në vitet ‘70, Hasani (xhaxhai i poetit Vilson Blloshmit) kishte guxuar dhe të fliste kundër muzeumeve të fshatit, ku ishin shpalosur “trimëria” e atyre që nuk e bënë luftën. Ashtu siç është shprehur dhe për dy nipërit e tij, Vilson dhe Bedri Blloshmit, që regjimi komunist i kishte kapur “kot”.
Në procesverbalin e mëposhtëm përballë janë dëshmitari Aqif Leka, mbi thëniet e të cilit është ngritur akuza dhe qëndrimin i Hasan Blloshmit.

Proces Verbal
(Ballafaqimi)

Sot me dt.22 tetor 1977 në Librazhd, unë Selim Caka – Hetues në D.P. Brendshme Librazhd, mbasi studiova materialet e dosjes që bëjnë fjalë lidhur me të pandehurin Hasan Blloshmi, vendosa të kryej ballafaqimin ndërmjet të pandehurit Hasan Blloshmi dhe dëshmitari Aqif Leka, me qëllim për të sheshuar kontradiktat ndërmjet thënieve të tyre.

THËNIET E DËSHMITARIT AQIF LEKA:
PYETJE: E njihni personin që keni përpara dhe çfarë keni për të thënë rreth tij ? - - - - - - - - - - - - - - - - -
PERGJIGJE : Personin që kam përpara e njoh, është Hasan Blloshmi me të cilin për sa kohë që njihem marrëdhëniet i kemi pasur të mira. Lidhur me të, ashtu sikundër kam shpjeguar dhe kur jam pyetur më parë në hetuesi si dëshmitar, kam për të thënë se në vitin 1973 ose 1972, duke punuar në afërsi të shtëpisë së Istref Celikut. Ka qenë muaji Prill, ka rënë fjala për muzeun e fshatit dhe mbaj mend se Hasan më është shprehur për të në këtë mënyrë: “Në muze, këta kanë vënë cilin ju ka dashur qejfi dhe jo ata që e kanë merituar, se kështu është tani. Kush ka luftuar dhe kush e fitoj të drejtën që të vihet në muze. Ka mjaft të tjerë që kanë të drejtë për t’u vendos në muze, por nuk i ka vënë”. Në vitin 1975, ka qenë muaji tetor 1975, më kujtohet se në një rast kam shkuar në shtëpinë e Hasanit së bashku me një vajzë që kishte ardhur tek unë për të ndenjur disa kohë. Ndërsa ajo shkoi të marr një libër në dhomën matanë, unë kam ndenjur dike biseduar me Hasanin, të cilin e kam gjetur aty. Në këtë kohë erdhën gratë e shtëpisë nga puna dhe Hasani kur i pa ato më është drejtuar mua duke më thënë: “Shikoji këta se si janë bërë, nuk u vjen era fare gra. Punojnë gjithë ditën nga 16 orë në ditë dhe kur vjen fundi mezi marrin nga 8 lek në ditë. Dreqi ta marrë dhe këtë punën e tyre, por nuk kanë faj, sepse si ato dhe burrat janë bërë si ushtarë, do të shkojnë dhe do të bëjnë si u thonë. Sot kjo kohë ka ardhur, dhe është koha e Dilo Kukës e Bardho Gjymengës”. Unë i kam thënë se nuk ke se çfarë të bësh dhe me kaq e kemi mbyllur muhabetin. Gjithashtu, kam për të thënë se në muajin qershor 1977, kur kam qenë i dënuar jam ndodhur disa kohë në një dhomë me Shefqet Gjymengën nga Bërzheta, i cili ishte dënuar për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Kur e kam pyetur unë se çfarë ke bërë, ai më tha se kishte hedhur një letër me përmbajtje armiqësore, për të cilën e kishte mësuar Hasan Blloshmi ta shkruante dhe ta hidhte. Hasani e kishte thirrur për t’i dhënë një duhan dhe pastaj i kishte thënë të shkruante një letër me përmbajtje armiqësore, duke vënë emrin e Sul Gjymengës. Ai, Hasani i kishte thënë se çunat tanë, Vilsonin me Bedriun i arrestuan kot së koti dhe këtë punë e bëri Sul Gjymenga, prandaj ti Shefqet shkruaj emrin e tij në atë letër, por nuk duhet të tregosh për këtë asnjëriu.- - - -
Unë këto di për Hasanin dhe ashtu si më kujtohen i thashë.- - -
Thëniet e të pandehurit Hasan Blloshmi:
PYETJE : Ju i pandehur, e njihni personin që keni përpara dhe çfarë keni për të thënë rreth tij ? - - PËRGJIGJE : Personin që kam përpara e njoh, është Aqif Leka, të cilin është e vërtetë se e kam bashkëfshatar, por me të nuk kam pasur marrëdhënie kushedi se çfarë. Ai është gënjeshtar dhe kështu që për mua ai nuk ka se çfarë të thotë. Kjo, sepse me të nuk kam zhvilluar agjitacion e propaganda armiqësore, siç thotë, prandaj nuk e pranoj si dëshmitar këtë njeri. - - - - - - - Procesverbali, mbasi lexohet firmoset rregullisht pa vërejtje. - - - - -

I Pandehuri Hasan Blloshmi
Dëshmitari Aqif Leka
Hetuesi Selim Caka

***

Blloshmi: U pa për mua, ç’keni për të bërë bëjeni

Sot, më dt.20 shtator 1977, në Librazhd, unë Selim Caka – hetues në D.P. Brendshme Librazhd rimarr në pyetje të pandehurin Hasan Blloshmi, i cili shpjegon sa vijon:
Pyetje: Flisni i pandehur, rreth akuzës që keni në ngarkimin tuaj, për agjitacionin e propagandë kundër pushtetit popullor?
Përgjigje: Unë ju kam thënë që nuk kam përse të flas, prandaj çfarë keni për të bërë, bëjeni, sepse nuk kam gjë për të thënë. Nuk e kuptoj përse e zgjatni me mua; unë jam i arrestuar, prandaj qeveria të bëjë me mua çfarë të dojë. Kështu që kot e zgjatni me mua, tani u pa çdo gjë për mua, kështu që nuk kam se çfarë them më tepër.
Ato që kam pas bërë i kam thënë atëherë kur jam pyetur dhe që atëherë kur kam dalur nga burgu, nuk kam bërë gjë tjetër të keqe që të them tani.
Procesverbali, mbasi lexohet, firmoset rregullisht pa vërejtje.

I Pandehuri 
Hasan Blloshmi

Hetuesi
Selim Caka

***

Bedri Blloshmi: E vërteta e dënimit të xhaxhait tim

Bedri Blloshmi, vëllai i poet it të pushkatuar, Vilson Blloshmit sqaroi pak ditë më parë në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” faktin se, “dëshmitar i rremë në gjyqin kundër xhaxhin tonë ka qenë Aqif Leka, babai i Aranitit, që sot është kryetar i PD-së së Librazhdit”.
Familja Blloshmi e ka kundërshtuar fort zgjedhjen e Aranit Lekës në krye të PD-së së Librazhdit. Cilat janë arsyet?
Kundërshtimi jonë ka ardhur, sepse familja Blloshmi me Aranit Lekën ka një konflikt të papajtueshëm. Babai i tij, Aqif Leka është pjesë e atyre personave që shkatërruan familjen tonë. Në vitin ’77, fill pas arrestimit tim, të Vilsonit, vëllait tim dhe të Genc Lekës, u burgos njëherësh edhe xhaxhi ynë, Hasan Blloshmi. Hasani Blloshmi kishte bërë 15 vjet burg me akuzën, “takim me diversantët” dhe në këtë vit e dënojnë edhe me 10 vjet të tjera. Dëshmitar në gjyqin kundër tij ka qenë Aqif Leka, babai i Aranitit, që sot është kryetar i PD-së së Librazhdit. Sigurimi i Shtetit e futi Aqif Lekën në një birucë me xhaxhain tonë dhe kur ai doli në gjyq, Aqifi dëshmoi se, “Hasan Blloshmi është shprehur se të tre nipërit e mi i dënoi kot Partia e Punës”. Shpifja e tij mjaftoi që xhaxhi ynë të dënohej me 10 vjet të tjera, derisa vdiq në vitin ’82.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora