E shtune, 27.04.2024, 02:12 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ramadan Asllani: Hasan Remniku - Kaçaku i fundit i Kosovës (X)

E diele, 19.04.2009, 06:29 PM


HASAN REMNIKU – KAÇAKU I FUNDIT I KOSOVËS (10)

Sekreti i plotë mbi “fitoret” e UDB-së

Nga Ramadan ASLLANI

Dihet se UDB-ja e Gjilanit ishte vetë qendra e saj, e cila ishte përgjegjëse për përcjelljen e lëvizjeve dhe të aksioneve të Hasan Remnikut me shokë. Duket se J. Bullajiqi duke e “transferuar qendrën” në Prizren dhe duke përdor pseudonime për udbashët e angazhuar në kurthin për Hasan Remnikun, kishte për qëllim t’i ruante nga ndonjë hakmarrje e ardhshme, jo vetëm udbashët, por edhe bashkëpunëtorët e tyre. Kështu grupi i udbashëve, arkitektëve realizues të kurthit për Hasan Remnikut me shokë ishin shefi nga Prishtina, Ismeti, Shabani (Mazllum Nimani), Mirko dhe Musa – Sylë Mehmeti, në natën e 4-5 tetorit 1951, e përpunuan strategjinë e kurthit, që ka mbetur sekret i plotë edhe pas disa shkrimeve mbi fitoret e UDB-së me kurthin për likuidimin e Hasan Remnikut.
Sipas Bullajiqit, Sylë Mehmeti, më 5 tetor 1951, shkoi “këmbë” deri në Ferizaj. Aty hipi në autobus dhe në mbrëmje arriti në Livoç. Kur ra terri, tinëz shkoi në shtëpinë e Daut Kepës “pa e diktuar njeri!”.
Shkuarja e Sylës këmbë nga Prizreni deri në Ferizaj e mandej “me autobus!” është mashtrim për opinionin, sepse Syla ishte personi më i rëndësishëm i këtij aksioni për likuidimin e Hasan Remnikut dhe grupit, andaj UDB-ja nuk e linte të udhëtonte më këmbë dhe të pambrojtur, sidomos afër shtëpisë së Daut Kepës.

“Kontakti” me grupin e Hasanit

Pas darkës së 5 tetorit 1951, sipas Bulajiqit, Daut Kepa shkoi për të marrë kontakt me grupin e Hasn Remnikut. Aty, sipas të gjitha të dhënave më relevante, ishte edhe Ismail R. Zenuni, Hasan Alia për ditë të nisjes e caktoi të dielën, më 7 tetor 1951, kurse për vend të takimit “me Sylë Mehmetin” e caktoi një vend në male të fshatit Gumnishtë. Ndërkaq, për orë të takimit: “koha rreth orës 21..!” Sipas J. Bullajiqit, grupi i Hasnit nga Gumnishta u nis të shtunën, që do të thotë më 6 tetor 1951. Kjo fare nuk është e saktë. Dihet sigurt, se grupi i Hasan Remnikut, dhe pikërisht: Hasani, Agush Mehmeti, Qibrije Mehmeti, Mustafë Koka dhe Rabije Koka u përcollën nga kulla e Agush Mehmetit, në Bresalc, të dielën, më 7 tetor 1951, rreth orës 20.  Agush Mehmeti mori katër lira dhe dy palë vathë të arit, që kishin vlerën e një lire. Ishin këto stolitë e nusërisë së gruas së tij dhe të kunatës, gruas të Ibushit, i burgosur në kazamatin e Mitrovicës së Sremit. Motra e Hasan Remnikut, Arifja, ngul këmbë se Hasani me dy shokët dhe gratë e tyre, u përcollën për Shqipëri, edhe nga shtëpia e Hasan Remnikut.
Me atë rast ishin ë pranishëm bijat dhe disa kushërinj, të cilët i dhuruan Hasanit, rreth 20 lira për shërbime të prijësit dhe për nevojat më parësore, derisa të fillonin jetën në Shqipëri. Po kështu, edhe Mustafa kishte marrë 5 lira për kallauzët  dhe para të tjera për nevojat e rëndësishme.

Ecja drejt të panjohurës

Bullajiqi shkroi se Dauti dhe Syla u nisën për në Gumnishtë, ku ishte Hasani me shokë. Dautit dhe Sylës u kishte dalë disa km larg nga vendi ku i kishte lënë Agushin dhe Mustafën me gra. Me këta të fundit ishin edhe dy të rinj, të cilët Sylë Mehmeti nuk i njohu. Njëri ishte Sylë Q. Arifi i Remnikut, që kishte qenë edhe në Bresalc, kur ishin përcjellë nga shtëpia e Agush Mehmetit, kurse tjetri ishte një i afërm i Rabijes.
Sipas autorit të fejtonit, grupi i Hasanit nga Gumnishta deri në Bistricë udhëtoi natën, kurse ditën pushoi, nuk lëvizi. Natën e parë kaloi vetëm “disa km” deri në një “vend” në male të Sllakocit!  Para se të niseshin nga Gumnishta, Hasan Remniku ia hoqi fishekët pushkës dhe ia dha Sylës, që ai ta bartte. Nuk kishte hënë dhe ecën nëpër mal pa rrugë. Renditjen në rrugëtim e caktoi Hasani: Syla, Ai, Agushi, Mustafa, gratë. Hasani nuk ia hiqte pushkën Sylës nga shpina. Bullajiqi nuk e përmendi fare anëtarin tjetër të grupit të Hasan Remnikut, Ismail Zenunin.  “Hasani pati ndryshuar shumë. Dyshonte, bërtiste, ishte i pasigurt! – shkroi Bullajiqi.
Sipas variantit të UDB-së, grupi i Hasan Remnikut gjatë natës së dytë kaloi shumë kilometra, deri mbi Vraniq të Suharekës.

Dyshimi për tradhti

Para se të arrinin atje, një pushim e bënë mbi kazermat e Ferizajt. Gruaja e Mustafës, Rabia (shtatzënë) ecte me vështirësi, saqë edhe Mustafa me të mbetnin shumë larg prej shokëve. Nga këto vështirësi, Hasani disa herë u detyrua të ndalet për t’i pritur. Gjatë tërë rrugës, Hasan Remniku ia mbante Sylës tytën e automatikut në shpinë dhe në mëngjes arritën mbi Vraniq, në Gradinë, ku shtëpia e Sylës nuk ishte larg. Aty u ndalën dhe kaluan ditën.
Më 9 tetor 1951,  në mbrëmje, sipas Bullajiqit arritën në malet e Kabashit. Aty, Sylë Mehmeti i tha Hasanit: “Nesër është e mërkurë, ditë pazari, prandaj jemi marrë vesh me prijësit të gjendemi në treg!” Hasani fillimisht, nuk i besoi. I tha: “Me ty ka për të ardhur edhe njëri prej nesh”. Syla nuk reagoi. Kjo bëri që Hasani ta linte Sylën që të shkonte vetëm në Prizren, kështu thotë Bullajiqi.
Megjithatë, një e vërtetë e pamohueshme është se të nesërmen (e mërkurë ditën e pazarit), pra, më 10 tetor 1951, herët në mëngjes, Hasani me shokë kanë qenë të ekspozuar në Bazhdarhanen e Prizrenit. Pra, del se Syla, si njeri i vendit, në mos edhe Ismaili, kanë shkuar ditën e martë nga “Kabashi” në Prizren.

Mobilizimi i “mbrojtjes popullore” dhe i policisë

Të dhënat e tjera sipas UDB-së tregojnë se ditën që u nis grupi i Hasanit prej Bresalci, përkatësisht Gumnishtës, shefi i UDB-së së Kosovës, Dimitrije Kolkoviqi – Disha, arriti në Prizren dhe i vuri në lëvizje njësitë e korpusit të mbrojtjes popullore dhe të milicisë së këtij territori. Tani, rrethina ishte e bllokuar. Prijësit ishin përgatitur. Njëri prej tyre ishte Ragipi, e tjetri oficer i UDB-së, që erdhën me shefin prej Prishtinës. Sipas variantit të UDB-së të përhapur në opinion përmes J. Bullajiqit, “Musa” alias Sylë Mehmeti, të mërkurën, më 10 tetor 1951, tërë ditën e kaloi në grupin e udbashëve të angazhuar në kurthin për Hasan Remnikun. Meqë e mërkura i çeli të vrarë, nëse ka diçka të vërtetë në atë që thotë Bullajiqi, del se Syla ditën e martë e kaloi në UDB të Prizrenit. Fillimisht  udbashi “Ismeti” e njoftoi Sylën me dy prijësit- “Ragipin” (Ismail Zenuni) dhe “Shabanin” (Mazllum Nimanin), se në mbrëmje në grupin e Hasan Remnikut, do të kthehesh vetëm me “Ragipin”, kurse “Shabani” do të presë afër centralit elektrik! Nëse nuk do të tregohet e nevojshme fare nuk do të paraqitet në skenë! Sylë Mehmeti mori pjesë edhe në studimin e planit strategjik me udbashët: “Shefin”, “Ismetin”,  “Mirkon”, “Ragipin”, “Shabanin”: “Shikoni (në hartë, ku ishte skica e terrenit) - tha “Ismeti”, – kjo është Bistrica.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora