E hene, 29.04.2024, 06:06 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ramadan Asllani: Hasan Remniku - Kaçaku i fundit i Kosovës (VII)

E diele, 12.04.2009, 08:17 PM


HASAN REMNIKU – KAÇAKU I FUNDIT I KOSOVËS (7)

Nga Ramadan ASLLANI

Krismat e pushkës në agim u dëgjuan larg dhe nxitën frikën te njerëzit e përgjumur. U trand fshati, kurse i zoti i shtëpisë, në odën e të cilit u vranë dy oficerët e UDB-ës, Ahmet Neziri, sapo kthehej nga punët e korrierit që ia kishin ngarkuar udbashët. Shkoi me vrap në odë. Të dy udbashët ishin të plagosur për vdekje. Xhaferi u ngrit në bërryla dhe i tha ta njoftojë milicinë - shkruante J. Bullajiqi.
Sipas kujtimit historik të remnikasve, dy oficerët e plagosur rëndë, porsa u takuan me milicët dhe punëtorë të tjerë të sigurimit, që kishin ardhur për t’i marrë të plagosurit për vdekje, u thanë se populli nuk është fajtor për vrasjen tonë. Ne nuk qemë të kujdesshëm sa duhej me Mustafën dhe e paguam me kokë. Ndërkaq, kryepolici i Kosovës, Shaban Kajtazi, do të konstatojë: “Xhaferi dhe Voja kishin pasur prindërit burra. Ata nuk kërkuan asnjë dënim për popullsinë e Remnikut dhe kurrfarë hakmarrjesh për të bijtë e tyre.
Por realiteti qëndronte në faktin se, Hasan Alisë së pamposhtur, tash e tutje iu shtua edhe një luftëtar që shtiu tmerrin në radhët e udbashëve, e ai ishte mësuesi Mustafë Koka.

Torturat e përkrahësve të Hasanit dhe të Mustafës

Pas kësaj ngjarjeje vrastare dhe tmerrit që i shtiu Mustafë Koka UDB-ës dhe pjesëtarëve të tjerë të sigurimit, se si një djalë i ri guxoi të shtijë në eprorët e lartë të institucionit të lartë të sigurimit jugosllav, filluan burgosjet. Së pari burgosja nisi me Arif Sylën, kuririn dhe bashkëpunëtorin më të afërt të Hasan Remnikut, ndaj të cilit bënë hetime intensive dhe të gjata. Organet e sigurimit, Arif Sylës i kishin dhënë shumë fakte dhe të dhëna të tjera, që vërtetonin se UDB-a dinte çdo gjë për takimin e tij me Hasanin. Arifi duke qëndruar i palëkundur, torturohet aq shumë, saqë më me dëshirë do ta vinte vetën para plumbit të Hasan Remnikut, vetëm t’u hakmerrej udbashëve mizorë. Sipas shkrimit të Bullajiqit, Arif Syla u priu dy oficerëve të UDB-ës të shoqëruar prej tre milicëve për në shitoren e fshatit, ku “duhej” të vinte Hasani. Mirëpo, Arifi i la larg udbashët dhe milicët, që të shihet se a ka ardhur Hasani, sepse udbashët nuk kishin guxim të ballafaqoheshin me Hasanin. Arifi shkoi në shitore dhe i tregoi Hasanit, se kësaj radhe “të erdha me UDB-ë..! Ata çdo gjë dinë për lëvizjet tona, ndaj mbushi armët ose dorëzohu!?. Mua mos më kurse. Jam gati ta kryej çdo akt që të ma besoni kundër tyre!”
Hasan Remniku ndiqte një rrugë strategjike kundër ndjekësve të UDB-ës. Ai iu shmang konfrontimit të drejtpërdrejtë, duke i thënë Arfi Sylës: “Shko e silli brenda, kurse unë do të ngjitem në tavan. Në rast të zbulimit, vepro si do ta jep Zoti…!”
Pasi Arfi Syla u kthye tek udbashët dhe u tha se Hasani nuk ka ardhur ende, ata u vendosën brenda në shtëpi, ku bashkë me ta gjendej edhe baca Arif. Arif Syla edhe kësaj here arriti t’i mashtroi organet e sigurimit dhe me mjeshtërinë e vet i shpëtoi prej vdekjes, të cilët gjatë tërë kohës ku ishte vënë prita në në shtëpinë e shitësit, Hasan Remniku dhe grupi i tij gjendeshin në tavanin e po kësaj shtëpie, me armë të gatshme për të shtënë në çdo moment kundër tyre. Meqë UDB-a nuk kishte argumente se Arfi Syla ka marrë pjesë në vrasjen e dy oficerëve të UDB-ës, së bashku me Mustafë Kokën, i dhanë instruksione për mënyrën e bashkimit dhe e liruan.
Mirëpo, Arfi Syla nuk thyhej. Kurrë nuk do të heq dorë nga veprimtaria patriotike, politike, kombëtare e luftarake antijugosllave për çlirimin e Kosovës. Për çdo gjë e informonte Hasan Remnikun dhe vazhdoi me përmbushjen e detyrave të reja, të marra nga Hasani dhe mësuesi Mustafë Hetë Koka, i cili sa vinte e përpiqej për ta bindur Hasan Remnikun  se ishte ngushtuar rrethi, kur ata duhej të largoheshin pa dëshirën e tyre nga Kosova dhe të kalonin në Shqipëri, sepse pushtuesi kishte arritur kulminacionin me marrjen në pyetje e tortura të shumë kryefamiljarëve, te të cilët Hasan Remniku një kohë ishte mbështetur dhe përkrahur. Lidhur me këtë se rrethi është  ngushtuar shumë, Bullajiqi shkruante për Mustafën: “Mustafa përpiqej që ta binte Hasnin “se momentalisht çdo qëndrim i mëtutjeshëm është i kotë. Mendonte se me çdo kusht duhej të kalohej në Shqipëri. Atje do të lidhen me rezistencën shqiptare të organizuar kundër ish-Jugosllavisë, kurse tani sa më parë duhej që të largoheshin nga Kosova”.
Mustafë Koka, madje e dërgoi Arif Sylën në Shkup, me një letër për Gajur beun nga i cili kërkonte të studionte mundësitë për t’i përcjellë në Shqipëri këta njerëz: Mustafën me grua, Agushin me grua dhe Hasanin vetë. Ç’është e vërteta, Hasani refuzonte të shkonte në Shqipëri. Shkaku ishte se donte të rrinte në Kosovë e të flijohej për Kosovë, gjë që edhe një gjë e tillë do të ndodhë, sepse asnjëri prej tyre nuk do të mund të shkojë në Shqipëri, por do të vriten në pabesi në Prizren, ashtu siç është thënë përmes tyre, edhe pse një e vërtetë tjetër duket të jetë me e saktë.

Ikja për Shqipëri

Ikja në Shqipëri, Hasanit i dukej e paarsyeshme për çështjen e pazgjidhur shqiptare në Kosovë, ashtu si një shmangie ideali ndaj bashkëveprimtarëve politikë dhe ndaj flijimtarëve për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve.
Sipas të dhënave nga terreni, aty nga fundi i qershorit të vitit 1951, Hasan Remnikut i bashkohet edhe Agush H. Mehmeti, për të cilin garantuan jatakët e tij besnikë: Smajl Deli Muji dhe Smail e Naman Deli Qorroli të Bresalcit, të cilët më vonë do të dënohen me burg si mbështetës të tyre. Ata e morën Hasan Remnikun dhe e sollën në kullën e Agush H. Mehemtit. Më në fund, në gushtin e vitit 1951, edhe Mustafë Hetë Koka me gruan, në kullën e Agushit në Bresaalc iu bashkuan Hasan Remnikut prej ku nisën për në Shqipëri.

Asht nisë rrugës kryq e tërthuer,
Prangat n’kambë e hallkat n’duer!
N’Koretishtë, kur mbrrini burri –
I ka këput hallkat me guri!...

Nga mesi i vitit 1951,  për mbylljen e dosjes “Hasan Remniku – Alia, Aleksa Vuçiniqi i përgatiti kurthin për zënien e personaliteteve shqiptare që ishin në arrati përmes komandantit të stacionit të milicisë në Bresalc dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ai e përcillte me kujdes lëvizjen e Grupit të Hasan Remnikut - Alisë. Bashkimi i Agush H. Mehemtit dhe i Mustafë H. Kokës me Hasanin, e vështirësoi dhe e ndërlikoi mundësisë për zënien dhe likuidimin e Hasan Remnikut me ndonjë atentat nga ana e ndonjë të besuari të UDB-ës. Në pjesën e dytë të gushtit 1951, me treshin: H. Remniku, A. Mehemti dhe M. Koka u takua mësuesi cernicas, Ramadan M. Hoxha. Këtë takim ai e siguroi përmes Arif Sylës së Remnikut dhe të birit të motrës së Hasanit, Servet Vehbiut të Cernicës.  Meqë flitej se do të shkonin në Shqipëri, qëllimi i takimit ishte: përpilimi i një liste me emra shqiptarësh për burgosjet, për vrasjet dhe për dhunën e pushtuesit jugosllav në viset e Anamoravës, të hartuar prej Ramadan Hoxhës. Takimi u bë në Malet e Livoçit të Epërmë. Hasani do të interesohej për shëndetin e Ramiz Cernicës dhe të të birit të tij Raifit, të cilët atëherë ishin në burg në Mitrovicën e Sremit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora