Shtesë » Historia
Masakra në Çamëri, Dalin në dritë dëshmi e dokumente të reja
E marte, 31.03.2009, 06:57 PM
Nga Gazeta Shqiptare
Një libër dëshmi mbi masakrën e fundit që ndodhi në krahinën shqiptare të Çamërisë në vitin 1944. Një gjenocid i pashembullt, i ndodhur në mes të Europës ndaj një popullsie civile të pambrojtur si ajo çame, e mbuluar nga zhvillimet e fundit të luftës së atëhershme të përbotshme. Nëpërmjet dokumenteve zyrtare apo dëshmive të të mbijetuarve, arrihet të shihen vuajtjet e mundimet, dëmet ekonomike, viktimat e shumta dhe gjithë ajo gjëmë e madhe që i ndodhi jugut të Shqipërisë (Çamërisë). “Masakra mbi Çamërinë” është një libër që përmbledh një pjesë të dokumenteve të arkivave shqiptare në të cilat dëshmohen ngjarjet e dhimbshme që ndodhën gjatë viteve 1944 – 1945 në krahinën shqiptare të Çamërisë. Këto dokumente në pjesën më të madhe vijnë nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme (i paraqiten publikut për herë të parë) dhe një pjesë e vogël nga dy arkiva të tjera të rëndësishme të vendit. Botimi në vetvete synon më tepër të paraqesë atë që ndodhi në Çamëri dhe jo se çfarë ndodhi më pas dhe si u trajtua kjo çështje në vitet në vazhdim. Libri përmban gjithashtu edhe disa informacione enciklopedike rreth Çamërisë. Më poshtë do të japim disa prej dëshmive të dokumentuara botuar në këtë libër.
Dëshmi të të mbijetuarve
***
Më 18 shtator 1944 ikëm nga Filati dhe vajtëm në katundin Spatar, atje erdhën ushtarë zervista dhe më morën burrin pas tre ditë bashkë me gra të tjera shkuam në Filat për të parë burrat të cilët ndodheshin në burg . Në këtë kohë na vënë edhe neve burg ku na lanë një natë. Tjetrën ditë na morën dhe na shpunë në ikotrofie dhe burrat na i vranë në fushë të Filatit. Midis të tjerëve ishte edhe burri i jem Barjam Azemi vjet 48 edhe kunati tim Lahe Halil Azem. Në burgun tonë të grave zervistat zgjidhnin gratë që u pëlqenin dhe i ç’nderonin. Për këtë vrasje dhe ç’nderime kaq ç’njerëzore kërkojmë nga ai komision që të shkojë në vend dhe të hetojë përsa sipër.
Delvinë më 26 shkurt 1947
Shabane Azemi
***
Ushtarët zervista hynë në Paramithi më 28 qershor 1944 të Martën dhe të mërkurën, ushtari zervist Kiço Koma nga Paramithia mori burrin tim Velinë, vjeç 68 dhe ma theri me thikë. Të enjten ushtarët zervista erdhën të merrnin vajzën time Shuquranën por e shpëtova se ju dhashë të gjitha paratë që kisha afro tridhjetë miliona dhrahmi një unazë floriri dy gjysma lirash dhe një palë vathë floriri si edhe sende të tjera të çmuara. Zervisti Dhimo Pasko me djalin e tij Sotir Pasko nga Paramithija më morën djalin tim Abedinin vjeç 19 dhe ma vranë brenda në shtëpi. Një tufë lesh bashkë me lëkurën e kokës së tij e mbaj akoma në xhep për kujtim. Ushtarët zervista rrahën për vdekje djalin tim të vogël Prenjën para syve të mi dhe mbasi unë doja ta mbroja më rrahën barbarisht dhe mua. Kërkoj që komisioni të shkojë në vend për të hetuar rreth këtyre ngjarjeve të tmerrshme.
Delvinë më 26 shkurt 1947
Fatime Prenjo
***
Ne çamët e vendosur në Nënprefekturën e Sarandës të persekutuar nga repartet ushtarake të Napolon Zervës në qershor e shtator të vitit 1944 e shkurt mars të vitit 1945 mbasi lamë në Çamërinë tonë eshtrat e 100 vëllezërve motrave, baballarëve, nanave dhe çilimiqëve tanë, mbasi na u grabit e tërë pasuria tonë mbasi motrat dhe vajzat tona pësuan ç’nderimet më ç’njerëzore, emigruam në Shqipëri ku gjetëm përkrahjen më vëllazërore nga populli shqiptar. Vuajtjet tona nuk përshkruhen. Ne nuk e meritonim këtë trajtim, sepse edhe ne u radhitëm krahas popujve përparimtarë antifashist për zhdukjen e murtajës naziste. Ne i dhamë kauzës së përbashkët të kombeve të bashkuara repartet tona partizane dhe dëshmorët tanë. Kërkojmë që komisioni për shqyrtimin e kaq pësimeve tona të shkojë në Çamërinë tonë për të konstatuar së afërmi tragjedinë e popullatës çame. Atje do të diktohen vendet ekzakte të masakrave barbare, atje do të vihet ekzaktësisht gishti ujkut fashist atje do të dalin në dritë kockat e viktimave, atje do të duket begatia e Çamërisë sonë larë me djersën tonë dhe shkatërrimet përfundimtare të vatrave tona nga njerëzit e autorizuar të barbarëve zervista.
Delvinë më 27 shkurt 1947
Komisioni: Ismail Halili, Dine Mani, Ferik Meço, Idriz Bajram, Mehlika Meti
***
Unë Melika Met Sali nga Filati i Çamërisë njoftoj se në shtator të 1944 kur hynë ushtarët e Zervës në Filat, na mblodhën të gjithë neve shqiptarët duke na ndarë gra e çiliminj veç ku përbëheshin prej 500 vetash dhe burrat veç, na burgosën në ikotrofio të Filatit ku nga uria vdiëq mëse 70 gra e çiliminj sepse racioni bukës që na jepesh ishte vetëm 50 gram në ditë. Këtu pashë me sytë e mi të torturoheshin pa mëshirë shumë gra nga zervistat dhe midis të tjerave gruan e Sherfi Sulejmanit 50 vjeçare e cila vdiq nga druri si dhe nanën e Hate Hallunit nga Filati. Mua më rrahën personalisht me kamxhik. E shoqja e Xhelo Rexhos nga Dovani u burgos me 7 fëmijë nën 12 vjeç dhe këtu i vdiqën 6 fëmijë një e quajtur Merushe nga Dovani u burgos me 3 çiliminj dhe doli vetëm. 50 ditë na mbajtën në ikotrofio dhe pastaj na përcollën për në Koske pasi na morën të gjitha plaçkat që kishim me vete. Në Koskë, ushtarë të Zerves ç’nderuan 10 gra, nuse dhe vajza nga konaku ku isha vetë. Nga këto e shoqja e Xhelo Galbaqit së bashku me mbesën dhe të reja të tjera nga Varfanji e Lopësi. Kërkoj që komisioni të shkojë në krahinat e Çamërisë dhe të hetojë rreth sa thash më sipër
Sarandë më 27 shkurt 1947
Melika Met Sali
***
Unë Idriz Bajrami nga Karbunari Çamërisë vërtetoj se në shtator të 1944 trupat e Zervës të komanduara nga kolonel Kamara dhe nënkolonel Kranja hynë në fshatin tonë dhe vranë nanën time Luftie Bajrami vjeç 60 me 5 gra të tjera Mehani Isufi së bashku me nusen e djalit Saja (Gjylsim Vehipin) Kadrije Hamdinë dhe nanën e Simo Dodit nga Paramithia. Me këtë rast ushtarët zervista vranë 39 persona në fshatin tonë gra pleq dhe fëmijë, ndër të cilët Osman Pasha, Neime Rexhepi, Kadrie Metushi me 3 vajzat dhe të vjehrrën Mine Jahja, Zeqir Duli, Hajrije Xhemo dhe të bijën Mate, Fatime Xhaferin me dy të bijat, Dul Mellija, Shaqire Abedini, Sherif Feimi, Ramadan Jasini, Haxhi Aliago, Isa Omer, Hamide Husnija, Hajredin Mane, Haneme Tahire, Hasije Alush, Zubo Shpata e të tjerë të ndjekur nga trupat e Zervës dhe që strehoheshin në Karbunarë. Janë vrarë 6 veta në Kardhiq: Xhafer Lushi së bashku me gruan dhe me djalin Tafil Isai, Hadër Bazi dhe Lako Kasemi. Për këto krime të shëmtuara të kryera ndër fshatare të pafajshëm kërkoj që komisioni të shkojë në vende të Çamërisë për të hetuar të vërtetën mbi barbarizmat e pa mëshirshme të kësaj ushtrie.
Sarandë më 27 shkurt 1947
Idriz Bajrami