Shtesë » Historia
Bejdo Malo: 2 prill ‘91, misteret që mori me vete Nafiz Bezhani
E hene, 30.03.2009, 11:21 PM
2 prill ‘91, misteret që mori me vete Nafiz Bezhani
Nga e majta: Kolec Ndoja, "Pishtar i Demokracisë", Arben Broci, "Martir i Demokracisë", Alfons Grishaj, "Pishtar i Demokracisë" (Foto: R. Kuvendi)
Nga Bejdo Malo
Kur u ngarkova me detyrën e avokatit mbrojtës të katër familjeve të dëshmorëve të demokracisë, të vrarë më 2 prill 1991, shumë shokë dhe miq e quajtën të nxituar vendimin tim dhe më qortuan. Në fakt, unë e kisha të qartë se në këtë proces nuk ndeshej drejtësia me krimin, por opozita me pushtetin, pra unë do të isha para një lufte të egër politike". Këto janë fjalët e fundit të juristit të mirënjohur, Nafiz Bezhani. Avokati i nderuar vdiq në vetmi të plotë, në një ditë prilli para tre vjetësh, në shtëpinë e tij në hyrje të bllokut të ambasadave. Por ai iku duke marrë me vete tërë misteret e 2 prillit të vitit 1991. Vdekja e tij ishte e shpejtë dhe me pak mister, si vdekja e zotit Hajri Mezini, që kishte kryesuar po të njëjtin komision si Bezhani.
Avokati shkroi njërin nga librat më të plotë për 2 prillin, por misterin e vërtetë ai nuk mundi ta thoshte dot. Mjegullnaja e 2 prillit vazhdon të troshitet ende në politikën shqiptare. Politika e mori peng procesin për zbardhjen e së vërtetës së 2 prillit 1991. Edhe pse në grupet hetimore ishin përfshirë shumë hetues me eksperiencë, ata nuk ishin lejuar të vepronin lirshëm në zbatim të ligjit, për të arritur në zbulimin e së vërtetës mbi këtë ngjarje, por u ishin dhënë drejtime të caktuara që, në fakt, u bënë pengesë për zbulimin e së vërtetës. Duke shfletuar dosjen "top sekret" të procesit të "2 prillit", sidomos procesverbalet hetimore, aktet e ekspertizës, të quajtura "shkencore", nuk mund të gjesh të provuar asgjë tjetër veç kërkesat e politikës, që këmbëngulte me çdo kusht të provohej se vrasjet e Arben Brocit dhe Nazmi Kryeziut ishin bërë me automatik "Kallashnikov" të qëlluar nga dezhurni i Komitetit të Partisë. Fajësia e autorëve të kësaj masakre vërtetohet edhe në qoftë se dy të vrarët nuk janë qëlluar nga dera e Komitetit të Partisë, njëlloj siç mundet të mos rezultonte e vërtetë në qoftë se provohet se është qëlluar nga dera e saj. Avokati i nderuar arriti që nëpërmjet librit të shërbimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për datën 2 prill 1991, të zbardhte bisedat telefonike që ishin kryer midis kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër me udhëheqjen e ministrisë, si dhe me njoftimet që kishte bërë nëpërmjet telefonit kjo ministri për kryetarin e Këshillit të Ministrave. Ai mundi të marrë protokollin e mbledhjes së Byrosë Politike të PPSH-së për analizën që i kishte bërë ngjarjes. Por në tërë këtë dokumentacion mungonte një nga veprimet ligjore të rëndësishme dhe të domosdoshme që, pa dyshim, do të ndihmonte shumë në orientimin e saktë të hetimit: mungonte ekspertiza hetimore që duhej të bëhej të paktën për vrasjen e Arben Brocit dhe Nazmi Kryeziut. Zoti Nafiz Bezhani ka shkruar: "U habita për këtë mungesë. Si mundet vallë të mos bëjnë asnjë ekspertizë hetimore për një tragjedi kaq të madhe?!
Praktika jonë hetimore ka treguar se edhe kur përplasen dy makina, ekspertët do të shkojnë për të kontrolluar vendin e ngjarjes dhe në të shumtën e rasteve bëjnë edhe ekspertizën hetimore për të përcak- tuar fajësinë. Po në Shkodër, që u bë "kasaphanë" tronditëse, përse të mos bëhej asnjë ekspertizë hetimore? Duke e konsideruar të rëndësishme dhe të qëllimshme këtë mungesë, i kërkova hetuesisë që të bënte menjëherë, të paktën një ekspertizë hetimore, atë të vrasjes së Arben Brocit. Për këtë qëllim, bisedova me të ëmën e Arbenit, për t‘i marrë përkohësisht pantallonat që mbajnë shenjat e plumbit vdekjeprurës, sigurova edhe një listë me disa nga ishdemonstruesit e vijës së parë, që kishin parë qartësisht vrasjen e Arbenit dhe mund të përshkruanin vendin dhe pozicionin e vrasjes së tij, me qëllim që të vendosej manekini në pozicionin ekzakt të vendit të vrasjes së Arbenit. Një organizim i tillë i ekspertizës hetimore do të tregonte saktësisht rrugën nga kishte ardhur plumbi vdekjeprurës, duke përcaktuar kështu edhe pistën e saktë të vazhdimit të hetimit. Por, hetuesia nuk e përfilli kërkesën time". Mjafton kaq për të kuptuar se sa e mistershme mbetet zbardhja e së vërtetës. Pjesa më qesharake në dosje është ekspertiza balistike e kryer nga një i ashtuquajtur "shkencëtar", ku tregohet flurudha e plumbave që kanë vrarë dy dëshmorët, në një rrugë të jashtëzakonshme. Sipas tij, plumbi i dalë nga automatiku "Kallashnikov", pikërisht nga dritarja e dezhurnit të Komitetit të Partisë së Rrethit, është përplasur në rrugë dhe ka bërë rikoshetë, duke u ngritur përpjetë e duke e goditur Arbenin në bel, pastaj është ulur disa centimetra poshtë barkut. E njëjta gjë paska ndodhur edhe me vrasjen e Nazmi Kryeziut. Arben Broci ishte një nga firmëtarët dhe themeluesit e PD-së dhe protagonist i lëvizjeve studentore. "2 Prilli" ndodhi sepse ishte përhapur fjala që Partia e Punës kishte fituar dhe se këtë fitore e kishte arritur me manipulimin e votave. Në këto kushte, shkodranët, dhe sidomos të rinjtë e gjimnazeve, kishin dalë të protestonin përpara Komitetit të Partisë. Por një variant se kush i vrau protestuesit më 2 prill e ka shkruar kriminalisti Estref Myftari, dhe sipas provave që ai ka gjetur, autore ka qenë policia. Por tërë e vërteta u ngatërrua, sepse shefi i hetuesisë së asaj kohe, Qemal Lame, u arratis nga Shqipëria në Gjermani dhe Ferit Sula, që drejtoi hetimin e dosjes "2 Prilli", është strehuar në Belgjikë. Këta dy personazhe kanë kyçur gojën, duke mbjellë një tjetër tymnajë për 2 prillin. Pas këtyre dy personazheve "protagoniste" të 2 prillit janë dhe dy personazhe të tjerë, të cilët deri tani janë kontestuar nga familjet e viktimave për të vërtetën e 2 prillit. Ata janë juristët Ilir Panda dhe Besnik Ymeri, ky i fundit protagonist i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë. Ajo që mbetet absolute nga tërë dosja dhe nga procesi verbal i firmosur nga eksperti i kriminalistikës ligjore, Estref Myftari, është se katër dëshmorët e 2 prillit 1991 në qytetin e Shkodrës ishin qëlluar nga policia. Sipas Myftarit, pas zhvarrosjes së tre prej të vrarëve, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, rezultoi se ata ishin qëlluar me armë që përdoreshin nga forcat e policisë. Por politika mbetet ende në borxh për masakrën e 2 prillit.
Arben Broci, " Martir i Demokracisë"
Shkodra në vaj. Përcjellja për në varreza të "Martirëve të Demokracisë". 03 Prill 1991. (Foto: R. Kuvendi)