Shtesë » Historia
Ramadan Asllani: Hasan Remniku - Kaçaku i fundit i Kosovës (II)
E marte, 17.03.2009, 11:04 PM
HASAN REMNIKU – KAÇAKU I FUNDIT I KOSOVËS (2)
Kulmi i torturës dhe i mbytjeve në xhami
Nga Ramadan ASLLANI
Nisin t’i rrahin meshkujt kudo që i takonin: në rrugë, në arë, në mulli, në oborr, në familje etj. Me këtë donin t’i fyenin dhe t’i turpëronin, duke ua ulur dhe përdhosur dinjitetin dhe krenarinë e tyre.
Pasha at’nanë, qi m’ka dhanë gji,
Pasha Nanën tonë – Shqipni,
Trupi i jem n’dhe s’ka me hi-
Pa e marrë gjakun për vllazni t’mi!...
Ishte vjeshtë. Bullgarët erdhën në Remnik të armatosur deri në dhëmb. Përmes tellallit thirren të gjithë meshkujt e moshës 16-80 vjeç të tubohen në oborrin e xhamisë. Hasani ua tërhoqi vërejtjen bashkëfshatarëve që të mos hynin në oborr. U tha se ai nuk e kishte ndërmend të shkonte se e dinte se bullgarët po përgatisnin ndonjë grackë. Fshatarët e frikësuar se mos do të pësonin familjet shkojnë në oborr. Hasani, në ato momente mendonte në ruajtjen e meshkujve që më vonë t’i kishte krah nëpër male. Ushtria bullgare së pari rrethoi anë e kënd fshatin . As zogu nuk mund të dilte gjallë. Me hatër a me zor, oborri i xhamisë ishte përplot.
Shpërthimi i rrethimit
Në anën tjetër, Hasani e shpërtheu rrethimin. Që atë dite bullgarët thoshin se Hasanin as plumbi nuk e rrok. Kaloi lumin Moravë dhe shkoi në Partesh. Atje e njoftoi kryetarin e ish-komunës së Parteshit, bacën Ramiz Cërnica.
Si shkas për t’ia filluar torturës, bullgarët kërkojnë nga shqiptarët dorëzimin e armëve. Ata refuzuan. Kështu filloi veprimi. Të parin nga masa e kishin marrë Selim Sejdiun. E pushkatojnë në kodrën përballë xhamisë. Këtë e bënë me qëllim të frikësimit të masës. Popullin e ngujuan në xhami. Filluan rrahjet e tmerrshme dhe torturat e papara. Si treguan më vonë të rrahurit, këtë e bënin kolonët e fshatit. Ndër ta veçohej Sllobodani i Jovanit, Dragutini, Velini, Nikolla i Todës etj. Ata kur u sillnin shqiptarëve me dru trupi u kërcente lart prej tokës. Nga dajaku shtazarak njerëzve u thyenin gjymtyrët, brinjët, u rjepnin lëkurën për së gjalli. Nga dajaku mbetën të vdekur: Imer Sylejmani, Halil Sylejmani, Daut Ibrahimi, Bajram Ibrahimi dhe Shaban Ibrahimi. Këta tre vëllezër i theri për vdekje me thikë Velin Kosiqi. Secili syresh la nga një djalë. Mandej mbytën Ruzhdi Dilin, Bislim Sefiun dhe Sali Saliun. Popullin e ngujuan tri ditë e tri net brenda në xhami, pa bukë e pa ujë. Thoshin se dyshemeja e xhamisë u mbulua me gjak.
I kanë mbledhë njizet e katër-
Për me ba mbi ta masakër!
Tetë, prej tyne i pushkatuen,
Gjashtumdhetë n’xhami i ngujuan
Burgosja e grave të Remnikut
Muharremi, djali i xha Ahmetit na tregoi një detaj interesant lidhur me të arrestuarit. Ai na tha se pushteti për të bërë presion që ata të dorëzoheshin i kishte burgosur mbi 60 gra të Remnikut. Mirëpo, pasi në burgje nuk kishte pasur vend, ato i kishin sjellë në shtëpinë e xha Ahmetit, ku i kishin mbajtur të mbyllura tri javë. Muharremi na tha se ushqimin ua sjellin nga shtëpitë e tyre, por kjo nuk bëhej rregullisht, sepse në shtëpi nuk kishte ushqim të mjaftueshëm. Në atë kohë edhe buka ishte e paktë. Ky na tregoi edhe një detaj për të cilin e kishte ndjerë vetin tepër ngushtë, kurse i vëllai - Nazimi, kishte ngrënë edhe dajak nga organet e sigurimit. Një mbrëmje, njëri nga udbashët (mendon se ishte nga rajoni i Drenicës) ia kishte vu syrin një nuseje, të cilën përpiqej ta nxirrte jashtë, gjoja për ta marrë në pyetje, mirëpo, ajo duke e kuptuar qëllimin e tij me këmbëngulje refuzoi të ndahet nga shoqet, duke i thënë që ta pyeste në prani të grave. Në këtë konflikt kishte ndërhyrë edhe Muharremi, sepse siç na tha më dukej se po mi torturonte motrat e mia, ndërsa Nazimi kishte shkuar në odë dhe i kishte njoftuar eprorët. Ata kishin ndërhyrë, por më vonë punëtori i sigurimit iu kishte hakmarrë Nazimit.