E shtune, 27.04.2024, 11:44 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Gjyqi i Ramiz Alisë dhe byroistëve: Ja pse u dënuan liderët komunistë

E shtune, 18.04.2009, 12:47 PM


Nga Afrim Imaj

I kryqëzuar në fillim politikisht, Ramiz Alia, presidenti i fundit komunist, do të ulej në fillimin e viteve '90 në bankën e të akuzuarve për të dhënë llogari penalisht për pasojat e diktaturës 40-vjeçare në Shqipëri. Më herët ishte ballafaquar me togat e zeza Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit, procesi i së cilës ishte finalizuar me akuzën e shpërdorimit të fondeve publike dhe dënimin me pak vite burg. I pakënaqur ndaj këtij produkti, opinioni qytetar që e stigmatizoi "procesi i kafeve", u bë më i vëmendshëm e kritik për mënyrën si po procedohej Ramiz Alia, njëri nga bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enver Hoxhës dhe njeriu që garantoi vazhdimësinë e vijës komuniste pas vdekjes së tij. Pavarësisht sensibilitetit të çështjes, trupi gjykues që mori të pandehur ish-presidentin e fundit komunist dhe një pjesë të funksionarëve të lartë të partisë e të shtetit, nuk mund të depërtonte përtej akuzës për shpërdorim detyre dhe shkelje të të drejtave themelore të shtetasve. Për rrjedhojë, edhe dënimi i tyre nuk do të shkonte në nivele maksimale. Po si rrodhi procedura gjyqësore dhe cili ishte reagimi i liderëve të lartë komunistë ndaj akuzës. Gazeta "Panorama" duke filluar nga dita e sotme do të zbardhë pjesët më të rëndësishme të dosjes gjyqësore në ngarkim të Ramiz Alisë dhe byroistëve të tjerë. Dokumenti i zbuluar pasqyron ballafaqimin e të pandehurve me akuzat e artikuluara nga një retrospektivë e zgjeruar e pasojave të dhunës sistematike të ushtruar nga regjimi komunist në vendin tonë në harkun e katër dekadave. Çuditërisht, procesi ndaj byroistëve dhe krerëve të lartë të shtetit diktatorial është ndarë në dy pjesë, madje për të njëjtin pozicion ndaj akuzës, të pandehurit u janë nënshtruar dy proceseve të ndryshme. Për ironi të fatit, pjesa e funksionarëve me përgjegjësi më të lartë partiake e shtetërore, ku bën pjesë Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu etj., kanë marrë dënime më të lehta, ndërkohë që pjesa tjetër me përgjegjësi më të ulët në hierarkinë politike e shtetërore kanë marrë dënimin kapital, duke u ndëshkuar për krime kundër njerëzimit...

Dokumenti: "Në emër të ligjit"

Gjykata e rrethit Tiranë e përbërë prej: Andi Çeliku, kryetar i trupit gjykues; Barije Bitincka, anëtare; Arben Kostandini, anëtar, asistuar nga sekretaret gjyqësore Entela Haxhiaj e Gentjana Skëndo me pjesëmarrjen e prokurorit Neshat Fana në muajt maj dhe qershor të vitit '94, mori në shqyrtim në seancë gjyqësore çështjen penale që i përket të pandehurve;
Adil Çarçani, i biri i Hakiut dhe Sabries, lindur në vitin 1922... i mbyllur në banesë me roje
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve e me dëm ekonomik në vlerën 484.778 lekë të parashikuar nga nenet e Kodit Penal si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim.
Manush Myftiu: I biri i Hydaiut dhe Haties, i datëlindjes 1919, me arsim të lartë të pambaruar, i arrestuar më 31.08.1991
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet e Kodit Penal.
Ramiz Alia: I biri i Taipit dhe i Sebies, i datëlindjes 1925, lindur në Shkodër e banues në Tiranë... i mbyllur në banesë me roje më datë 12.03.1992...
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të shtetasve e me dëm ekonomik 484.778 lekë, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal, si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet e Kodit Penal.
Rita Marko: I biri i Sterjos dhe i Parashqevisë, lindur në Korçë e banues në Tiranë, me arsim të lartë të pambaruar, i arrestuar më datë 04.12.1991
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet e Kodit Penal.
Simon Stefani: I biri i Muçit dhe i Varvarës, i datëlindjes 1929, i arrestuar më 08.07.1992...
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut e në dëm të jetës së disa personave të vrarë në kufij, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet e Kodit Penal.
Hekuran Isai: I bri i Selmanit dhe Zogjinës, i datëlindjes 1933, i arrestuar më 28.09.1991...
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal si dhe për veprën penale të shkeljes së barazisë së shtetasve në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet e Kodit Penal.
Aranit Çela: I biri i Hysniut dhe i Eminesë, i datëlindjes 1923 në Vlorë, me arsim të lartë, arrestuar më 08.11.93
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal.
Rrapi Mino: I biri i Jovanit dhe i Sofies, i datëlindjes 1934, lindur në Bubullimë të Lushnjës dhe banues në Tiranë, i arrestuar më 18.10.93...
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal.
Zylyftar Ramizi: I biri i Qazimit dhe Xhevos, i datëlindjes 1934, lindur në Aranitas të Mallakastrës dhe banues në Tiranë, i arrestuar më 18.10.1993... 
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë shkeljen e paligjshme të lirive e të drejtave themelore të njeriut dhe në dëm të jetës së personit, të parashikuara nga nenet e Kodit Penal.
Veiz Hadëri: I biri i Shemos dhe i Fekos, datëlindja 1949, lindur në Rexhinë të Tepelenës dhe banues në Sarandë, i arrestuar më 31.12.1993 në repartin 313 Tiranë
Akuzuar: Për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim me pasojë veprime poshtëruese ndaj shtetasve të vrarë në kufij të parashikuar nga nenet e Kodit Penal...
Nga hetimi gjyqësor i kësaj çështje penale rezultoi e provuar si më poshtë:
Të shtatë të pandehurit e gjykuar kanë patur funksione të ndryshme, kryesisht funksione e detyra të larta partiake e shtetërore. I pandehuri Manush Myftiu nga viti 1948 ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor, nga viti 1949-1951 ka kryer detyrën e kryetarit të kontrollit të shtetit dhe ministrit të Drejtësisë si dhe të zëvendëskryeministrit. Në vitet 1958-1966 ka qenë me detyrën e zëvendëskryeministrit të parë të Këshillit të Ministrave dhe ministër i arsimit, e më pas në vitet 1976-1990 me detyrën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave. Për rreth 30 vjet ka qenë kandidat e anëtar i Byrosë Politike.
I pandehuri Adil Çarçani, në vitet 1949-1951 ka kryer detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave e më pas atë të ministrit të Industrisë. Në vitet 1961 ka kryer detyrën e zëvendëskryeministrit dhe në periudhën 1982-19991 atë të kryeministrit. Na viti 1956-1990 ka qenë anëtar i Byrosë Politike. I pandehuri Ramiz Alia, nga viti 1956-1989 ka qenë kandidat e anëtar i Byrosë Politike. Në periudhën 1961-1985 ka qenë sekretar i KQ. Nga viti 1982 deri në 29.04.1991 ka qenë me detyrën e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor.
I pandehuri Rita Marko, ka qenë kandidat e anëtar i Byrosë Politike, deputet në shumë legjislatura, nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, anëtar i Qeverisë e Sekretar i KQ.
I pandehuri Simon Stefani, në vitet 1979-1989 ka qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit Popullor, njëherazi anëtar i Byrosë Politike dhe për një periudhë të caktuar sekretar i KQ. Nga marsi i vitit 1989 deri në korrik 1990 ka kryer detyrën e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme.
I pandehuri Hekuran Isai, nga viti 1976-1990 ka qenë i zgjedhur deputet dhe njëherazi anëtar i Byrosë Politike. Nga janari i vitit 1982 deri në shkurt të vitit 1989 si dhe nga korriku i vitit 1900 deri në shkurt 1991 ka kryer detyrën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave dhe atë të ministrit të Punëve të Brendshme.
I pandehuri Aranit Çela për vitet 1954-1958 dhe 1966-1990 ka kryer detyrën e kryetarit të Gjykatës së Lartë, ndërsa në vitet  1958-1966 ka qenë me detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.
I pandehuri Rrapi Mino nga vitet 1977-1992 ka kryer detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.
I pandehuri Zylyftar Ramizi nga viti 1982-1990 ka kryer detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme.
I pandehur Veiz Hadëri në vitet 1984-1990 ka qenë kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, Sarandë.

Bomba në ambasadën sovjetike

U provua se me vendim nr.524, datë 09.10.1951 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, janë deklaruar fajtorë 13 persona në lidhje me incidentin e ndodhur në ambasadën sovjetike më datë 19.02.1951, interpretuar si akt terrorist e krim i rëndë kundër popullit e shtetit. Në bazë të provave të administruara nga gjykata, rezultoi se ngjarja e datës 19.02.1951 në ambasadën sovjetike ka shërbyer si pretekst edhe për eliminimin e 22 intelektualëve të pushkatuar me këtë rast më 20.02.1951. Ndaj këtyre personave nuk është zbatuar asnjë procedurë ligjore dhe u janë mohuar të gjitha të drejtat e njohura me ligj dhe kushtetutë. Ata janë hetuar pa filluar çështja penale, pa procesverbal të pyetjes së tyre nga persona inkopetent, nuk janë marrë të pandehur, nuk u është komunikuar akuza, pasi siç rezultoi ajo është përpiluar më pas, nuk janë gjykuar pasi siç rezultoi gjyqi është zhvilluar më datë 27.02.1951, pas pushkatimit të tyre...
Për të gjitha këto janë vënë në dijeni edhe të pandehurit Adil Çarçani e Manush Myftiu, të cilët në mbledhjen e qeverisë të datës 02.03.1951 janë informuar nga Mehmet Shehu për pushkatimin e tyre dhe masat e marra nga Ministria e Brendshme.
Gjithashtu duke qenë prezent në mbledhjen e qeverisë më datë 08.03.1951 me cilësinë e anëtarëve të qeverisë, këta të pandehur kanë shqyrtuar dhe kanë marrë vendim për miratimin e projekt-dekretit "Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë së organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore. Ky dekret në fakt është firmosur më datë 26.02.1951 nga kryeministri Enver Hoxha për të justifikuar gjyqin, ndonëse formal, të zhvilluar më datë 27.02.1951, pa praninë e të pandehurve dhe të avokatëve, në të vërtetë edhe pa praninë e të gjykuarve.
Ndërkohë Kushtetuta e vitit 1950 sanksionon se "Asnjëri nuk mund të dënohet për një faj pa vendim të gjykatës përkatëse e pa e dëgjuar e thirrur që të mbrohet sipas përshkrimeve të ligjit".
Me veprime që bien ndesh me përmbushjen e rregullit të detyrës, i pandehuri Adil Çarçani me detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, me urdhër gojor të Enver Hoxhës, ka lëshuar shkresat përkatëse për dëbimin nga Tirana të 18 familjeve të të pushkatuarve pa gjyq, të quajtura nga ky i pandehur si familje "reaksionarësh" dhe t'u gjendet një punë "sa për të siguruar bukën e gojës". Këto shkresa nuk rezultojnë të jenë nxjerrë mbi bazën e ndonjë vendimi të Komisionit të Posaçëm të dëbimeve dhe në kundërshtim me kërkesat e dekret-ligjit të vitit 49 "Mbi zbatimin e dënimeve të dëbimit dhe të konfiskimit si masë administrative".
Gjithashtu i pandehuri Manush Myftiu duke qenë i emëruar në detyrën e ministrit të Drejtësisë, duke qenë në dijeni të plotë të situatës, nuk ka reaguar me mjetet ligjore, ndonëse ligja ia njihte një detyrim të tillë për të kontrolluar zbatimin e drejtë të ligjeve.
Si pandehuri Adil Çarçani dhe Manush Myftiu, me veprimet dhe mosveprimet e tyre të kryera këto me dashje në kundërshtim me rregullin e detyrës, kanë sjellë pasoja që dhjetëra vjet familjarët e të pushkatuarve pa gjyq, të jetojnë në kushte të vështira jetese dhe me të drejta të kufizuara si dhe mbulimin e një krimi të tillë për vite me radhë.
Me të drejtë nga ana e prokurorit të seancës u përjashtua nga akuza për këtë episod i pandehuri Rita Marko, i cili në këtë periudhë ka qenë për kurime në Bashkimin Sovjetik.

Platforma e Sigurimit të Shtetit

Nga hetimi gjyqësor rezultoi se veprimtaria e Sigurimit të Shtetit është rregulluar me "Platformat e punës operative të organeve të punëve të brendshme" të miratuara nga Byroja Politike së bashku me anekset shtesë të tyre, për të cilat të pandehurit Ramiz Alia, Adil Çarçani, Manush Myftiu, Rita Marko kanë dhënë aprovimin e tyre që në vitin 1958, i pandehuri Hekuran Isai nga viti 1977 dhe i pandehuri Simon Stefani që nga viti 1985.
Nga procesi rezultoi se veprimtaria e organeve të punëve të brendshme mbi bazën e platformës operative nuk është bazuar në normat juridike kushtetuese. Të këtij karakteri janë dhe udhëzimet e byrosë politike të 12.02.1985 "Për thellimin e mëtejshëm të udhëheqjes dhe kontrollit të Partisë në veprimtarinë e organeve të punëve të brendshme", e nënshkruar nga i pandehuri Ramiz Alia, projekti shtesë "Për disa ndryshime të kapitullit shtatë të platformës së vitit 1985" të miratuara gjithashtu nga i pandehuri Ramiz Alia.
Ish-organet e Sigurimit, ndonëse bënin pjesë në strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe në varësi të Këshillit të Ministrave, nuk e ushtruan veprimtarinë e tyre si hallkat e tjera të administratës shtetërore, por nën kontrollin e organeve partiake dhe nën të ashtuquajturën "vetëkontroll".
Këto forma të paligjshme të ushtrimit të kësaj veprimtarie shtetërore, kanë lënë shteg për arbitraritet, duke sjellë si pasojë mohimin e një sërë lirish dhe të drejtash themelore të shtetasve, të sanksionuar këto në Kushtetutën e vendit.
Në kundërshtim me ligjet kushtetuese në platformën e vitit 1985, përcaktohet se organet e punëve të brendshme kanë të drejtë të bëjnë kontroll sekret të korrespodencës, postë telefon, telegrafike të të dënuarve dhe korrespodencën e të internuarve e të dëbuarve... kontrolli postar i korrespodencës së jashtme bëhet i përgjithshëm". Është e qartë se kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën që ishte në fuqi gjatë kësaj periudhe, e cila saktësonte se fshehtësia e korrespodencës dhe e mjeteve të tjera të komunikimit nuk mund të cenohet veçse në rastet e hetimit të një krimi, të gjendjes së jashtëzakonshme ose të luftës... Gjithashtu në nenin 87 të Kodit të Procedurës Penale përcaktohet detyrimi ligjor se "Sekuestrimi i korrespodencës post-telegrafike bëhet nga hetuesi, me miratimin e prokurorit, ose nga gjykata dhe gjithmonë në prani të përfaqësuesit të zyrës përkatëse të PT-së.
Si pasojë e këtyre shkeljeve është kontrolluar e censuruar mendimi i lirë i mijëra njerëzve, konkretisht nga materialet e administruara në seancë gjyqësore rezultoi se në rrethin e Sarandës vetëm në vitin 1984 është kontrolluar e sekuestruar korrespodenca e shtetasve të ndryshëm në 308 raste...
Gjithashtu liria e mendimit dhe fjalës së shtetasve është cenuar edhe nëpërmjet këshillimeve e demaskimeve ndaj tyre, si forma të punës të parashikuara në udhëzimin "Për thellimin e mëtejshëm të udhëheqjes dhe kontrollit të partisë në veprimtarinë e organeve të punëve të brendshme". Në këtë udhëzim u diktohej komiteteve të partisë dhe organeve të punëve të brendshme që të vepronin me të drejtën e subjektit ligjor për aplikimin e politikës penale, nën pretekstin e ruajtjes së njerëzve. Ndërkohë që në nenin 56 të Kushtetutës së vitit 1976 dhe në nenin 5 të Kodit të Procedurës Penale përcaktohet se, "Askush nuk mund të deklarohet fajtor pa vendim të gjykatës". Konkretisht nga informacionet zyrtare të administruara në seancë gjyqësore, rezulton se në periudhën 1977-1990 nga Komitetet e Partisë së rretheve janë demaskuar ose këshilluar mbi 3700 persona kryesisht për krimin e agjitacionit e propagandës, kurse nga organet e punëve të brendshme mbi 2170 persona. Nga veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve duken qartë elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Nga ana objektive të pandehurit veprën penale e kanë kryer me veprime e mosveprime të kundërligjshme me Kushtetutën dhe përmbushjen e rregullit të detyrës, duke miratuar të gjithë së bashku akte me përmbajtje antikushtetuese, të cilat kanë sjellë si pasojë shkeljen e të drejtave themelore të shtetasve. Të pandehurit kanë vepruar me dashje për kryerjen e kësaj vepre penale, pasi me detyrat e larta që kishin, me njohuritë për legjislacionin (meqë ishin të veshur edhe me pushtet legjislativ) kanë qenë të detyruar për të parashikuar pasojën, por pasojën ata e kanë dëshiruar dhe me dashje e kanë lejuar ardhjen e saj, pasi efekti i saj do t'i mbante ata siç i mbajti për vite të tëra në pushtet.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora