E hene, 29.04.2024, 08:35 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Dënimi i Vllamasit, njeriut që mbajti Enverin me bukë

E merkure, 15.04.2009, 06:22 PM


Dëshmia e nipit Faslli Vllamasi: "Kur Enver Hoxhës ju pre bursa dhe ngeli pa asnjë të ardhur në Paris, Bari Omari i telefonoi xhaxhait tim që ishte në Francë dhe i tha: Sejfi, ma mbaj ca kohë atë rebelin tim Enverin në apartamentin tënd sa ta rregulloj me ndonjë punë gjëkundi"

Nga Dashnor Kaloçi

Kush ishte Sejfi Vllamasi

Sejfiu u lind në fshatin Novoselë të Kolonjës në 24 shtator të vitit 1879. Arsimin fillor ai e kreu në fshatin e lindjes në gjuhën turke dhe më pas me ndihmën e xhaxhait të tij Ademit, ai vazhdoi gjimnazin në Edrene që asokohe ishte kryeqendra e Turqisë. Pas vdekjes së xhaxhait të tij, për Sejfiun u kujdesën duke e ndihmuar edhe financiarisht bashkëpatriotët e tij Neim Demisha (Topollaj), Shahin Kolonja dhe Veliko Mesika. Gjatë viteve të gjimnazit turk, Sejfiu u njoh dhe me bashkatdhetarin e tij Fan Nolin, që studjonte në gjimnazin grek të Edrenesë me të cilin lidhi një miqësi të ngushtë. Pas mbarimit të gjimnazit me rezultate të larta, Sejfiu i bëri një letër Portës së Lartë duke i kërkuar një të drejtë studimi, gjë e cila ju plotësua nga qeveria turke e cila e dërgoi për të vazhduar studimet e larta në Universitetin Bujqsor të Vjenës në Austri në degën e Veterinarisë. Sejfiu i mbaroi studimet e larta me rezultate të shkëlqyera dhe në përfundim ju akordua titulli Bej Diplom. Edhe gjatë periudhës së studimeve në Vjenë, Sejfiun e ndimuan finaciarisht Nasuf Bej Novosela dhe Shahin Kolonja. Mbas diplomimit, Sejfiu u muar me kërkime shkencore në fushën e veterinararisë dhe arriti të shpik një ilaç për sëmundjen e deles, për të cilën iu akordua titulli Doktor në Shkencat Zooveterinare dhe 2000 napolona ari, të cilat nuk i pranoi dhe i këmbeu me një muaj pushime duke shkuar në një kamp me të fejuarën e tij. Në vitin 1905 Sejfiu e la Vjenën dhe u kthye në Shqipëri ku u emërua kryeveteriner i Bashkisë së Tiranës. Në vitin 1905 ai mori pjesë në Komitetin e Manastirit dhe mbështeti Gjergj Fishtën në debatin për caktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Për aktivitetin e tij atdhetar në ato vite, ai u arrestua nga Porta e Lartë së bashku me Halit Bërzeshtën dhe u internuan në Anadoll ku qëndroi tre vjet deri në 1908-ën, nga ku mundi të lirohet me trazirat e hyrjetit. Gjatë viteve 1908-1912 Sejfiu zhvilloi një aktivitet të dendur patriotik në dobi të çështjes shqiptare duke bashkpunuar ngushtë me Ismail Qemalin, Seit Najdenin, Fuat Bej Dibrën, Spiro Dinen etj, të cilët përpunuan platformën e politikës e cila çoi në shpalljen e pavarsisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në Luftën e Parë Botërore, me ndërhyrjen e Sejfiut pranë konsullit anglez u bë e mundur të ndaloheshin masakrat e dy batalioneve greke tek popullsia myslymane e Kolonjës, për të cilën Fan Noli kritikoi Kishën Ortodokse greke si të implikuar në ato ngjarje. Në vitin 1914-të, Sejfi Vllamasi u emërua Prefekt i Shkodrës dhe gjatë asaj kohe mori pjesë në luftën e Koplikut dhe më pas u zgjodh në Komitetin që u formua në Shkodër për Mbrojtjen e Kufirit Kombëtarë. Po kështu në vitin 1918-të, ai u zgjodh edhe në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës. Në vitin 1920-të, Sejfiu mori pjesë në Kongresin e Lushnjes si një ndër figurat kryesore nga ku u zgjodh tre herë Senator. Më pas gjatë viteve 1920-1924 ai u zgjodh si deputet i Kolonjës në Parlamentin shqiptar duke qenë dhe kryetar i grupit parlamentar të Partisë Popullore. Mbas vitit 1924 me dështimin e qeverisë së Fan Nolit, Sejfiu emigroi jashtë Shqipërisë me grupin e politikanëve të njohur si fanolistë e antizogistë si Bahri Omari, Sheh Karbunara, Qazim Koculi, Qazim Mulleti, Hasan Prishtina etj. Nga viti 1924 deri në vitin 1942 ai u vendos në disa shtete të Europës si Francë, Austri, Zvicër, Itali etj. Në vitin 1942 ai u rikthye në Shqipëri dhe u mbyll në jetën e tij private duke u shmangur plotësisht nga politika.

Njeriu që flet është Faslli Vllamasi, nipi i Sejfiut (djali i vëllait Aliut të cilin Sejfiu e adoptoi si djalin e tij pasi ai nuk kishte fëmijë) i cili dëshmon për herë të parë për "Gazetën" mbi jetën e xhaxhait të tij gjatë viteve të regjimit komunist që nga takimi me Enver Hoxhën në Hotel "Dajti", arrestimin e burgun e gjatë në Burrel pasi u akuzua si agjent i anglo-amerikanëve dhe peripecitë e tij në internime e deri sa vdiq në gjendje të mjeruar në qytetin e Fierit në janarin e vitit 1975.

Kthimi në Shqipëri në 1942

Pas një kohe të gjatë prej 15 vjetësh në emigracionin politik si fanolist, pasi i kishte refuzuar disa poste Mbretit Zog, në vitin 1942 Sejfi Vllamasi u kthye në Shqipëri. Lidhur me këtë, nipi i tij Faslli Vllamasi (ish inxhinier mekanik sot 74 vjeç) kujton: "Sapo erdhi në Shqipëri, Sejfiu së bashku me gruan e tij Naxhije Angoni u vendosën në shtëpinë e mikut të tij Prof. Aleksandër Xhuvanit i cili kishte një vilë tek rruga e Elbasanit. Gjatë periudhës së luftës Sejfiu nuk u përzie fare me asnjë forcë politike por qëndroi krejtësisht indiferent, duke jetuar me një pension jetik të cilin ja kishte lidhur kryeministri Mustafa Kruja për veprimtarinë e tij patriotike në vitet 1920-të. Ai pothuaj nuk dilte fare nga shtëpia e merrej vetëm me studime pasi kishte një bibliotekë shumë të pasur. Pasi qëndroi disa kohë në shtëpinë e Xhuvanit, Sejfiu mori një apartament me qera tek pallatet e Lanës ku qëndroi deri në fillimin e vitit 1945 kur regjimi komunist që erdhi në fuqi e përzuri që andej duke i konfiskuar dhe një pjesë të paisjeve të shtëpisë. Gjatë viteve të luftës në Tiranë banonte dhe xhaxhai tjetër Muharremi (si qeraxhi tek Halil Mëniku) që ishte më i vogli nga katër vëllezërit Vllamasi. Enver Hoxha ishte mik i ngushtë i familjes sonë Vllamasi dhe më kujtohet se aty nga viti 1942 xhaxhai Muharremi e kishte thërritur atë për drekë në shtëpi së bashku me Dr. Ymer Dishnicën. Gjatë asaj dreke Enveri i kërkoi babait tim Aliut një nagant të bukur që ai e mbante me vete, por babai nuk ja dha duke i thënë se e kishte kujtim nga vallai Muharremi. Pas kësaj, Enveri i tha: "Ali mbaje nagantin, por ta përdorësh duke luftuar për ne". Dhe kështu ndodhi, babai Aliu u bë Kryetar i Këshillit Nac-Çlirim. të fshatit Novoselë të Kolonjës dhe së bashku me Hajrulla Taren, e Ceno e Muharrem Malukën etj, organizuan lëvizjen antifashiste në fshatrate krahinës sonë. Po kështu edhe ne djemtë e nipat e tij u lidhëm me lëvizjen e dolëm të gjithë partizanë. Atë drekë në shtëpinë e xhaxhait Muharremit në Tiranë e prishi Halil Mëniku, pasi kur pa Enver Hoxhën aty iu drejtua xhaxhait duke i thënë: "Muharrem, ç'i ke këta që i ke mbledhur këtu", rrëfen Faslliu mbi miqësinë që kishte Enver Hoxha me familjen Vllamasi

10 vjet në burgun e Burrelit

Po si rrodhën ngjarjet pas mbarimit të luftës për emigrantin antizogist Sejfi Vllamasi i cili dikur në Paris kishte ndihmuar duke e mbajtur me bukë Enver Hoxhën që ishte bërë numri Një i Shqipërisë? Lidhur me këtë Faslliu kujton: "Aty nga prilli i vitit 1945 Sejfiu së bashku me xhaxhënë tjetër Muharremin (dikur kishte qenë nënkryetar i Shoqatës "Bashkimi" me Avni Rustemin) shkuan në Hotel Dajti dhe takuan Enver Hoxhën. Gjatë bisedës ata i thanë atij se kishin shkuar vetëm për t'i thënë që të mos e pushkatonte Bahri Omarin, pasi ai kishte qenë një dipllomat dhe patriot i shquar. Enveri pasi i dëgjoi deri në fund iu përgjigj: "Sejfi, thuaj shyqyr që nuk të gjetëm dhe ty dokumenta kompromentuese se nuk do ta kishim kursyer një plumb". Më pas biseda nuk vazhdoi më dhe ata u ndanë. Nuk kaloi më shumë se dy vjet dhe në majin e 1947-ës, organet e Sigurimit e arrestuan edhe Sejfiun duke e akuzuar se kishte bërë agjitacion e propagandë dhe se kishte pasur lidhje me misionet anglo-amerikane. Pasi e mbajtën për pak kohë në hetuesi në Tiranë, atë e nxorrën në gjyq me dyer të mbyllura dhe në përfundim e dënuan me dhjetë vjet burg politik duke i shtuar dhe akuzën se përse ai nuk i kishte denoncuar dy baxhanakët e tij, deputetin Riza Dani dhe ish ministrin Xhevat Korça të cilët ishin arrestuar disa kohë para tij. Akuzat ndaj Sejfiut ishin të gjitha të sajuara sepse ai nuk fliste kurrë me asnjeri, por arrestimi i tij erdhi si pasojë e dënimit të dy baxhanakëve Riza Danit e Xhevat Korçës. Të gjithë dënimin prej dhjetë vjetësh, Sejfiu e vuajti në burgun e Burrelit ku në qelinë e tij kishte pranë Sefedin Dumen (ish komandant i milicisë në Kolonjë, xhaxhai i Petrit Dumes dhe babai i Bakiut dëshmor i luftës, i cili vdiq në burg) si edhe baxhanakun e tij Xhevat Korçën. Nga burgu i Burrelit Sejfiu u lirua në vitin 1957, duke e bërë atë të plotë pa iu falur asnjë ditë.. Gjatë atyre dhjetë vjetëve që Sejfiu qëndroi në qelitë e burgut të Burrelit, ai përpiloi dhe shkroi librin "Ballafaqime Politike në Shqipëri 1897-1942" (që tashmë është bërë i njohur dhe i famëshëm duke u ribotuar dy herë në 1994 dhe 2000) në të cilën ai përshkruan me objektivitet ngjarjet kryesore dhe personazhet e politikës shqiptare të asaj kohe", kujton Faslli Vllamasi.

Takimi me Enverin në stallën e derrave

Mbas mbarimit të dënimit sapo u lirua nga burgu i Burrelit në vitin 1957 Sejfiu erdhi dhe u vendos në një dhomë te Tirana e Re ku e priste e shoqja e tij Naxhija e cila e kishte ndjekur atë gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit në Burrel. Lidhur me këtë periudhë Faslli Vllamasi kujton: "Edhe pas daljes nga burgu organet e Sigurimit nuk e lanë Sejfiun që të prehej i qetë në hallet e pleqërisë. Në atë apartament në Tiranën e Re, atë nuk e lanë më shumë se një vit, sepse mbasi ishte acaruar shumë lufta e klasave (pas Konferencës së Tiranës) organet kopetente i "sugjeruan" atij që për t'i shpëtuar ndonjë burgu të dytë, të largohej dhe të shkonte në Gosë të Kavajës për të punaur në stallat e derrate në zanatin për të cilin ishte diplomuar në Vjenë. Sejfiu iu bind sugjerimit që iu bë dhe së bashku me gruan u vendos në Gosë të Kavajës duke punuar si veteriner në stallën e derrave të asaj ndërrmarje bujqësore. Gjatë atyre viteve që ai punonte aty si veteriner, në ato stalla vajti për një vizitë Enver Hoxha të cilit Sejfiu i doli përpara dhe i kërkoi që atij t'i jepnin pensionin që ja kishin ndërprerë padrejtësisht kur e kishin futur në burg, pasi ai ishte në moshën 80 vjeçare dhe nuk kishte mundësi të punonte dot. Enveri iu përgjigj Sejfiut duke i thënë: "Puno Sejfi, se nuk të takon pension". Mbas asaj vizite që bëri Enveri aty në Fermën e Gosës, Sejfiun e hoqën që andej dhe e internuan për shumë vjet fshatrave të Elbasanit në Cërrik e Belsh si dhe në Ballsh të Fierit. Gjatë viteve të fundit të jetës së tij të gjatë të cilën Sejfiu e kaloi në qytetin e Fierit, ai shoqërohej dhe pinte kafenë e mëgjezit me babain e Pirro Gushos, Sekretarit të Parë të Fierit i cili sapo ishte riatdhesuar nga mërgimi i gjatë i SHBA-së. Kjo periudhë kohe korespondon dhe me një udhëtim të Enver Hoxhës për në Gjirokastër, për të cilin në kujtimet e tij të botuara në vitin 1984 në librin "Kur Hidheshin Themelet e Shqipërisë së Re", midis të tjerash ai shkruan: "Teksa isha duke udhëtuar për në Gjirokastër, aty në të hyrë të Fierit pashë në rrugë Sejfi Vllamasin i cili ishte përkulur nga një pleqëri e thellë dhe i thashë: Vuaj se ke shëtitur të gjithë Botën". Po kështu në atë libër Enver Hoxha shkruan afro 15 faqe për Sejfiun dhe vëllanë e tij Myharrem Vllamasin duke i sharë ata dhe i etiketuar si borgjezë e bixhozçij etj, dhe më pas i lavdëron ata", kujton Faslliu nipi i Sejfi Vllamasit në lidhje me qëndrimin që Enver Hoxha mbante ndaj ish mikut të tij të dikurshëm që e kishte mbajtur me bukë gjatë viteve kur ai mbeti pa asnjë të ardhur në Paris të cilin herë e shante dhe herë e lavdëronte në kujtimet e tija.

Vdes në Fier, Aleks Buda në varrim

Sejfiu ndonëse kaloi shumë peripecia në jetën e tij me vitet e gjata të burgut e internimeve të herëpasherëshme, ai mundi të jetoi shumë gjatë dhe vdiq kur ishte në moshën 97 vjeçare në banesën e tij në qytetin e Fierit ku kaloi vitet e fundit të jetës. Lidhur me këtë nipi Faslliu kujton: "Pas shumë internimeve nëpër fshatrate Elbasanit dhe të Fierit, më në fund në një moshë të thellë Sejfiun e lanë të banonte në qytetin e Fierit. Në ato vite ai u muar dhe me librin e tij "Ballafaqime Politike në Shqipëri 1897-1942" të cilin e kishte shkruar në burgun e Burrelit dhe nga dorëshkrim e shtypi vetë atë në tre kopje. Një kopje ai e dorzoi në Institutin e Historisë, një kopje tjetër ja dha vëllait tim të madh Novruzit dhe kopjen e tretë e mbajti për vete. Megjithse Sejfiu ishte një kundërshtarë i vendosur i komunizmit, ai nuk fliste dhe nuk shante kurrë regjimin në fuqi. Me miqtë e tij të ngushtë ai bisedonte dhe ju thoshte shpesh: "Djema, mbajuni fort e qëndroni, se komunizmi dogmatik në Shqipëri ka rënë në një humnerë të thellë". Kundërshtia e tij ndaj komunizmit, nuk kishte ardhur për shkak të trajtimit që iu bë atij personalisht, ajo e kishte zanafillën që në mesin e viteve 20-të kur ai debatoi gjatë me Fan Nolin se përse ai ishte vënë në krye të KONAR-së dhe pse kishte shkuar në krime me delegacionin e saj. Në qytetin e Fierit ku Faslliu kaloi vitet e fundit të jetës në një mjerim të tejskajshëm, atë e donin dhe e respektonin të gjithë. Kjo gjë u vërtetua kur ai vdiq në janarin e vitit 1975, ku në varrimin e tij megjithse nga ne pjestarët e familjes nuk mundi që të shkonte asnjeri, (pasi na kishte njoftuar më përpara me telegrame që të mos i shkoninm, pasi e dinte se pushteti na përndiqte prej tij), morën pjesë me qindra vetë në shenjë respekti që kishin pasur për të. Po ashtu në varrimin e tij mori pjesë dhe ish Kryetari i Akademisë së Shkencave Prof. Alekas Buda duke e nderuar si një nga miqtë e tij më të afërt. Kur nuk kishin kaluar më shumë se dy vjet nga vdekja e tij, organet e policisë me urdhër nga lart tentuan të nxirrin nga shtëpia gruan e tij Naxhijen që kishte mbetur krejt e vetme (pasi ata nuk patën fëmijë). Nga mërzitsia e madhe se mos ajo do të përfundonte përsëri internimeve, në një gjendje shpirtërore të turbullt, i dha fund jetës duke u varuar veten në shtëpi me kollaren e të shoqit të cilin e kishte dashur aq shumë dhe nuk e kishte braktisur kurrë edhe në çastet më të vështira të jetës", kujton Faslliu fundin tragjik të familjes së xhaxhait të tij Sejfi Vllamasi, njerit prej personazheve dhe aktorëve kryesorë të politikës shqiptare së gjysmës së parë të shekullit të XX-të, i emigruar për 15 vjet jashtë Shqipërisë si kundërshtarë i Zogut, ti cili u persekutua edhe nga Enver Hoxha, njeriu me të cilin kishte ndarë kafshatën e gojës në Paris.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora