E shtune, 27.04.2024, 10:00 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Gjeneralët, Beqir Balluku, Petrit Dume dhe Hito Çako, të cilët u ekzekutuan më 5 nëntor të vitit 1975

E enjte, 16.04.2009, 06:56 PM


Procesverbali, çfarë thanë Petrit Dume dhe Beqir Balluku para pushkatimit

Nga Afrim Imaj

“Fjalën e fundit!” Zëri kumbues i kryehetuesit shkreptiu si rrufeja, duke thyer heshtjen që pllakosi momentet e para kur tre të dënuarit u vendosën në vendin e ekzekutimit. Sakaq, ata filluan njeri pas tjetrit t’i përgjigjen urdhrit të tij, duke shqiptuar secili në mënyrën e vet atë që u vinte në mënd. Pastaj, tre breshëri shtrinë përdhe tre gjeneralët e shpallur tradhtarë.E ndodhur pasditen e 5 nëntorit 1975, diku përskaj kodrave të Linzës, në gjunjët e Dajtit, ngjarja mbeti e burgosur për shumë vite në kujtesën e një grushti njerëzish, të cilëve regjimi u besoi aktin e fundit të tragjedisë monstruoze. Më në fund, njëri ndër ta pas një mëdyshje tunduese mundi të thyejë heshtjen, duke kapërcyer përbetimin e dikurshëm se për gjëra të tilla do të rrëfehej vetëm në varr. U desh një odise e tërë me telefonata e ndërhyrje të shumta, për t’u ulur një ditë vjeshte te kafja e tij e preferuar në rrugën e Durrësit. Na tregoi në fillim se kishte qenë sëmurë dhe ishte kuruar disa ditë në spital. “Pleqëri”, shtoi pastaj shpërfillshëm me një zë autoritar. Sakaq fjalët iu rralluan dhe dukej sikur dëgjonte një mendim brenda vetes. Në fytyrë hera-herës i avitej një hije e kuqërremtë duke konturuar pamjen e një mase të veshur me një maskë prej hekuri.  “Fol, përse je munduar”, u hodh pa fshehur kërshërinë, duke më kapur për dore. Diku e ndjeu që e kishte tepruar me zymtësinë e tij dhe u mundua të shfaqej i sjellshëm. Një çast desha të dilja direkt në temë, por aty për aty hezitova. Sidoqoftë, diçka përmenda shkarazi dhe ai u gjallërua menjëherë. Fjala “mister” që përdora disi pa takt, i dogji dhe reagoi si ta kishte pickuar diçka. “Mister... për mua! Pa hë çfarë misteri na qenka ky?” Sytë e plakut u bënë njëherazi dinakë, gazmorë e çapkënë. Nuk kishte kohë për ta zgjatur më tej. Prandaj i fola hapur për historinë e gjeneralëve fatkeq, duke i kujtuar faktin se ai kishte qenë një nga dëshmitarët e paktë të çasteve të tyre të fundit. Sidoqoftë, as kjo nuk mundi të ndryshonte qoftë edhe një grim në pamjen e tij. “Kush të ka thënë?”. Fytyra iu mbërrol. Maska e fytyrës lëvriu. Për një moment u ndjeva keq dhe dyshova se mos kisha trokitur në derën e gabuar. Lëndimi i këtij burri të moçëm pastaj do më rëndonte shumë. Gjithsesi, tanimë loja ishte zbuluar e nuk mund të tërhiqesha. “Në qoftë se jam gabuar, mund të largohem”. “Jo, jo”, shtoi ai dhe më kapi sërish nga dora. “Atëherë mund të bisedojmë më shtruar”, ia ktheva. “Kush ju adresoi tek unë?”, u fut përsëri në bisedë dhe nisi të buzëqeshte lehtë duke më parë në sy. Aty për aty futa dorën në xhep dhe nxora dokumentin, që bënte fjalë për ngjarjen. Ia vura përpara dhe prisja me padurim si do reagonte. Ishte radha ime të vëreja si do t’i lëvrinin nervat e fytyrës. “Paske ardhur me dosje…. Mirë, po kadalë një herë… Duhet me qenë i saktë në të tilla sende…”
Teksa i hodhi një sy procesverbalit të firmosur para shumë vitesh, nisi të rrëfejë telegrafisht. Nuk bëhej fjalë për t’i bërë fotografi e për t’i vënë përpara diktofonin …

U kujtohet çasti kur morët për të ekzekutuar gjeneralët…

Si me ua thënë. Kanë kaluar vite qysh atëherë. Pastaj mosha, sëmundja, kanë bërë punën e vet…

E mbani mënd kush ua komunikoi urdhrin?

Urdhri, detyra speciale, siç i thoshim atëherë, për të tilla raste jepej drejtpërdrejt nga ministri i Brendshëm. Vet Kadri Hazbiu na i precizoi detyrat deri në detaje…

Ju thirri në zyrë…

Na dha detyrën, me atë mënyrën e tij. Kuptohet, ishim të zgjedhurit, të besuarit e tij. Kadri Hazbiu nuk e vinte lapsin kot. Prandaj…

Sa veta ishit që morët këtë detyrë?

Një rreth i ngushtë, tepër i ngushtë zyrtarësh dhe shoferi. Në fund të fundit çfarë duheshin të tjerët. Pastaj, veçoria e detyrës, shkalla e sekretit e kërkonte, që ngjarja të mbetej vetëm te pak njerëz…

E mbani mënd kohën, ishte dimër apo verë…

Vjeshtë besoj ishte. Më kujtohet që kur u kthyem, këpucët i kishim bërë tërë baltë. Një natë më parë kishte rënë shi i rrëmbyeshëm…

Në procesverbal thuhet se ekzekutimi u bë në vendin e caktuar…

Po, aty u bë. Në orën dhe zonën e caktuar…

Kush e kishte caktuar…

Organi kompetent. Në urdhrin e Kadri Hazbiut saktësohej ora 16:00 dhe fjala “vendi i caktuar”. Sa për këtë të fundit, ishim njohur më parë, bile e kishim shkelur me këmbë pëllëmbë për pëllëmbë…

E mbani mënd makinën me të cilën transportuat tre të dënuarit me vdekje…

Një gaz tip BC, në mos gaboj. Nga ato shtatë vendëshet. Me xhama të errët…

Si reaguan gjeneralët kur u nisët për te vendi i ekzekutimit?

Atë ditë e kishin humbur fare. Vetëm në pak orë ishin bombarduar me tre lajme të tmerrshme. Në mëngjes gjykata u komunikoi dënimin me vdekje (me pushkatim). Në drekë prokurori i njohu me përgjigjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që refuzonte kërkesën e tyre për t’u falur jetën. Pasdite doli urdhri për t’i çuar te vendi i ekzekutimit…

Pra, brenda një dite u mor vendimi i gjykatës, u bë apeli për falje, u kthye përgjigjja negative dhe u bë ekzekutimi i gjeneralëve…

Të paktën, unë kështu e kam fiksuar. Sidoqoftë, ka shkresa për këtë. Aty janë ruajtur të gjitha me korrektësi.

Nejse, ju ishit i pranishëm kur gjeneralët i hipën në makinën e ekzekutimit…

Kam qenë i detyruar ligjërisht, që këtë procedurë ta ndiqja nga fillimi deri në fund. Atëherë nuk bëhej shaka, ca më tepër me detyra të kësaj natyre që ishin shumë delikate…

U kujtohet reagimi i gjeneralëve kur i njohët me urdhrin për ekzekutim?

Këtë moment, me thënë të drejtën, nuk e kam parasysh. Më kujtohen vetëm disa psherëtima të tyre në çastet kur i nxorëm në korridor e u hoqëm skafandrat…

Pra, një lloj proteste…

Nuk ishte protestë. Më shumë një reagim nga befasia që shkaktoi tek ta rrëmbimi i papritur. Njëri ndër ta, Beqiri, në mos gabofsha, psherëtiu nën zë në vesh të Hito Çakos “Ku na çojnë”. Pastaj ky i fundit ia ktheu me një lloj ironie “Në dasmë, nuk e sheh ku na çojnë”. Vetëm kaq, fjalën “dasmë”, “dhëndër” dhe një lloj skërmitje të dhëmbëve të Hito Çakos mbaj mënd nga ai çast. Sidoqoftë, kjo vetëm në një moment, se veprimet duheshin bërë shpejt dhe ata i hipën në makinë për t’i çuar për te vendi i ekzekutimit…

Ku i çuat për t’i ekzekutuar…

Te vendi i caktuar thoshte urdhri, aty duhej t’i çonim patjetër…

Ku ishte ky vendi i caktuar…

Një copë vend, diku në një pyll të maskuar, i ruajtur nga afër e në distancë me masa të rrepta sigurie dhe…

Ju mendoni se ende mbetet sekret vendi i ekzekutimit të gjeneralëve…

Sekret ishte për atë kohë. Për tani, unë si me dëftye. Nejse, gjeneralët u pushkatuan diku në Linzë, në një kodër sipër zonës së “Rrapit të Treshit”. Ndanë një përroi e në krah të një borige të veshur me koçimare…

Mbërritët aty, cili ishte komunikimi i fundit me të dënuarit?

Komunikimi i fundit thotë ky. Nuk shkuam për Kuvend aty. Do zbatonim një vendim gjykate dhe vetëm kaq. Në rastin konkret ata ishin viktima dhe dihej se çfarë i priste. Të gjitha veprimet tona deri tek imtësia më e madhe, ishin përcaktuar në urdhrin dhe udhëzimet e Kadri Hazbiut…

I mbani mënd porositë e Kadri Hazbiut që zbatuat atë ditë?

Gjëra teknike më tepër që kanë të bëjnë me mënyrën e ekzekutimit, me llojin e armës dhe distancën nga viktimat…

Vetëm kaq. Nuk kishte ndonjë porosi të veçantë…

Janë në letra ato, me hollësi nuk më kujtohen të gjitha. Nga porositë e Kadri Hazbiut, mbaj mënd këmbënguljen për të regjistruar me korrektësi fjalët e gjeneralëve para pushkatimit. E kishte veçuar këtë edhe në urdhrin që kishte bërë me shkrim…  

Me një fjalë, para se t’i ekzekutonit u kërkuat që të shpreheshin…

Të dënuarve ua komunikoi këtë Nevzat Hazdenari. Ishim porositur t’i linim për t’u shprehur vetëm pesë minuta. Sa u urdhëruan për fjalën e fundit ta filluan njëri pas tjetrit të shqiptonin çfarë u vinte në mënd aty për aty. Pastaj, tre breshëri shtrinë përdhe tre gjeneralët e shpallur. I pari ra Petriti, pas tij Hitua e në fund Beqiri Balluku, që dukej sikur fjalët e fundit i kishin mbetur në grykë…

I mbani mënd fjalët e fundit të gjeneralëve?

Aty nuk kishte kohë për shumë gjëra. Ideja ishte për të marrë ndonjë mesazh, që nuk e kishin shprehur gjatë procesit. Më kujtohet që Beqir Balluku nuk foli fare. Petrit Dumja u shpreh “të rrojë partia e Shqipëria”. Ndërkaq, Hito Çakua me një pamje të egërsuar tha vetëm dy fjalë “mirë, bini, ç’prisni”…

Pastaj u kthyet e raportuat…

Kadri Hazbiu, me sa më kujtohet, kërkoi raport me shkrim për fjalët, që kishin thënë gjeneralët para pushkatimit. Na thanë të ishim të kujdesshëm, se këtë e kërkonte i madhi lart. Kam vrarë mendjen gjatë në atë kohë për këtë kërkesë të pazakontë, po… 

Pati ndonjë reagim pas këtij raporti për ngjarjen?

Ne bëmë punën tonë, raportuam për sa na kërkohej dhe u kthyem në detyrë. Ato ditë Partia kishte ndezur një fushatë të madhe për luftën kundër puçistëve, siç quheshin atëherë gjeneralët e pushkatuar dhe me detajet e çasteve të ekzekutimit të tyre, nuk u mor njeri. Me sa duket letrat tona u sekretuan në arkiva dhe mbetën aty. Këto histori kanë filluar të hapen vitet e fundit…

Vitet e fundit është konfirmuar se vëndvarrimi i tre gjeneralëve të ekzekutuar në nëntor ‘75 ka qenë në Vranisht të Vlorës, ndërkohë që ju thoni se i keni pushkatuar në Linzë…

Unë dëshmoj për atë që kam parë me sy. Bile e them me plot gojë që ekzekutimi i tyre është bërë në Linzë. Çka ndodhur më tej atë natë apo të nesërmen, unë nuk di gjë. 
Në raportin e ngjarjes që keni bërë nga vendi i ekzekutimit, thuhet se jeni vonuar 20 minuta nga koha e caktuar në urdhrin e ministrit…
Ka ndodhur vërtetë kështu. Teksa po merrnim gjeneralët për t’i çuar te vendi i ekzekutimit, njërin nga shoferët e caktuar për transportin e tyre e lajmëruan për një fatkeqësi në familje dhe u desh pak kohë sa për ta zëvendësuar…

Precedenti: Partizania që qëlloi Ramize Gjebrenë

“Në fillim qëlluam në ajër, pastaj shtimë drejt saj, për ta goditur nga këmbët. Ç’bëni, u marrosët!, klithi Ramize Gjebrea duke vështruar nga ne. Hito Çakua që e pa hezitimin tonë, u shkëput nga grupi ku qëndronte dhe me pistoletë në dorë u afrua tek partizania e dënuar. Ia vuri atë te koka dhe e shkrepi me rrëmbim disa herë. Ramizja u mbulua me gjak dhe ra në tokë pandjenja. Një heshtje varri pastaj pushtoi grumbullin e partizanëve që rrinin si të mpirë...” Rrëfimi i rrallë i S.L., ish-luftëtares së Brigadës së Pestë, u botua para disa kohësh te “Panorama”, duke zbuluar misterin e një ngjarje të shumëpërfolur. Për herë të parë, me dëshminë e saj u zbulua me detaje skena e çasteve fatale, e burgosur qysh atëherë në dosjen “Gjyqi partizan. Ekzekutim vendimi për cenim morali”. Padyshim që nuk e pati të lehtë, por sidoqoftë ish-pushkatarja ndjehej mirë, që më në fund i jepej mundësia ta kapërcente brengën e vjetër. Madje jo vetëm kaq, por në fund të rrëfimit S.L., na befasoi me një mesazh interesant. “Bëhet zhurmë, u shpreh ajo për të hapur dosjet, po më parë duhen hapur gojët e njerëzve. Të flasin dosjet e gjalla...”.

Urdhri i Kadri Hazbiut: Raportoni ç’thonë gjeneralët para pushkatimit

Në harkun e tetë orëve të një dite vjeshte janë nënshkruar tri dokumente zyrtare që kanë mbyllur procedurën e dënimit të tre gjeneralëve të shpallur puçistë e tradhtarë. Së paku në dosjen sekrete ku është hedhur e zeza mbi të bardhë, kjo shquhet pa shumë vështirësi, qoftë edhe me një vështrim të përciptë. Çuditërisht, ka ndodhur vërtet kështu: Vendimi për dënimin me vdekje të Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, përgjigjja negative e Presidiumit të Kuvendit Popullor për t’u falur jetën dhe dokumenti i ekzekutimit të tyre, mbajnë të njëjtën datë: 5 nëntor 1975! Pra, gjyqi ndaj gjeneralëve komplotistë, mbledhja e organit zyrtar për shqyrtimin dhe kërkesën për falje dhe pushkatimi i tyre është bërë në këtë ditë. Të tria aktet zyrtare, veç datës, mbajnë edhe orën e nënshkrimit. Firma e parë është hedhur në orën 10:00 të paradites dhe ajo e fundit, e cila i përket raportit për ekzekutimin e të dënuarve, i përket orës 16:00. Gazeta “Panorama” ka mundur të sigurojë urdhrin sekret të Kadri Hazbiut, ish-ministrit të Brendshëm për ekzekutimin e të dënuarve Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako, në të cilin pasi bëhet i ditur refuzimi i kërkesës së tyre për t’u falur jetën nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, porositen ekzekutorët për zbatimin e vendimit të gjyqit në “vendin e caktuar”. Në të njëjtin dokument zyrtar, tërheq vëmendjen udhëzimi special i kreut të Sigurimit për të regjistruar fjalët e fundit të gjeneralëve para pushkatimit. Të përpiktë ndaj shefit, të besuarit e kryesigurimsit, pasi do të bënin ekzekutimin e gjeneralëve, do të raportonin me shkrim për aq sa dëgjuan nga goja e tyre. Në procesverbalin përkatës kanë mbetur të dokumentuara klithmat e fundit të gjeneralëve të martirizuar si puçistë e tradhtarë...

Urdhri: Pushkatoni në vendin e caktuar
URDHËR
Lënda: Mbi ekzekutimin me vdekje (pushkatim) të tre të dënuarve
        Ministrisë së Punëve të Brendshme
        Drejtorisë së Hetuesisë 
                    TIRANË
    Për njoftim Prokurorisë së Përgjithshme
                    TIRANË
Në bazë të Vendimit Nr.10 datë 5 nëntor 1975 të Gjykatës së Posaçme Ushtarake janë dënuar me vdekje (pushkatim) personat Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.
Meqenëse Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën numër 850, datë 5 nëntor 1975 njofton refuzimin e kërkesës për faljen e jetës së tyre
                    URDHËROJ
Që të dënuarit Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako të ekzekutohen me vdekje (pushkatim) në vendin e caktuar më datë 5 nëntor 1975 ora 16:00
Për ekzekutimin e tyre, ngarkoj grupin e caktuar të Drejtorisë së Hetuesisë. Para se të ekzekutohen të njoftohen të dënuarit e sipërpërmendur se kërkesa për faljen e jetës, u refuzua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Pas ekzekutimit, i ngarkuari me punë duhet të bëjë procesverbalin e ekzekutimit të vendimit që mban edhe fjalët e fundit të të ekzekutuarve.   
            Ministri i Punëve të Brendshme
                Kadri Hazbiu


Raporti: Fjalët e fundit të gjeneralëve

PROCESVERBAL

Në Tiranë, më 5/XI/1975
Në bazë të urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme Nr.850 datë 5/XI/1975, ora 16:00, në vendin e caktuar në prani të prokurorit Murat Kanani dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Nevzat Haznedari, i ngarkuari i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje për armiqtë komplotistë Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.
Para ekzekutimit secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e tyre për faljen e jetës. Mbas kësaj ata thanë:
   
1. Beqir Ali Balluku – Nuk foli fare
2. Petrit Taulla Dume – “Të rrojë populli, të rrojë partia”
3. Hito Shaqo Çako – “Mirë”

Në përfundim u krye ekzekutimi i tyre nga unë Nevzat Haznedari dhe pasi u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani, u konfirmua vdekja e tyre

Nevzat Haznedari    Murat Kanani     Nevzat Vigani
Tiranë, më 5. XI. 1975



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora