E shtune, 27.04.2024, 11:03 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Ditari i amerikanes Agnes Mangerich: Përkthyesi që na shpëtoi jetën në dimrin e ‘44

E shtune, 18.04.2009, 02:22 PM


Kostaq Stefa në Firence 1933-34, ku kryente studimet e larta
Kostaq Stefa në Firence 1933-34, ku kryente studimet e larta
Nga Afrim IMAJ

Ka qenë korriku i vitit 1995 kur në portën e Kostaq Stefës, në Mangalem të Beratit ka trokitur një mysafire e veçantë. Veterania amerikane Agnes J. Mangerich, me këmbënguljen për ta filluar vizitën e parë në Shqipëri nga shtëpia e përkthyesit që i shoqëroi në dimrin e ‘44 gjatë marshimit në shpinë të gjermanëve, është përballur pas 50 vitesh me Elenin, gruan e tij. Pastaj me lot në sy, kanë qëndruar gjatë në krahë të njëra-tjetrës dhe kanë kujtuar historinë e atyre ditëve dramatike.Vitore Stefa, e bija e përkthyesit të pushkatuar si agjent i amerikanëve pas luftës, thotë se atë ditë kanë mundur të zbulojnë për herë të parë të vërtetën për rolin e Kostaqit në inkursionin e trupës ushtarake amerikane në territorin shqiptar në dimrin e ’44-ës. Mysafirja e rrallë e mbërritur nga matanë Atlantikut, ka zbardhur më në fund misterin disavjeçar të ngjarjes, që i kushtoi jetën njeriut të tyre të dashur. Si u ka treguar rrugëkalimin e mbijetesës në malet e Skraparit e të Labërisë, ku i ndiqnin këmba-këmbës forcat gjermane, u ka falur ditarin që ka mbajtur në pushimet e atij operacioni të rrezikshëm. Vitorja mendon se botimi i tij, është me interes jo thjesht për të dëshmuar të vërtetën për babanë e tyre, po shumë më tepër se kaq. “Leximi i vëmendshëm i këtij dokumenti, -shton ajo, -hedh dritë në një aspekt pak të njohur të marrëzive të komunizmit në Shqipëri, siç ishte antiamerikanizmi i demonstruar me tërbim e barbari fill pas   luftës”. Po çfarë ka shkruar në ditarin e saj amerikania Mangerich, e cila ishte pjesë e një misioni në vendin tonë gjatë operacionit të dimrit...

8 nëntor 1943, e papritura e një misioni

Infermierja e ushtrisë amerikane Agnes Jensen linte pas krahëve një shi të ftohtë në Katania, Sicili dhe hynte në një C-53 aeroplan për transport. Por ajo me 12 infermieret e tjera nuk arritën kurrë në Bari, Itali, ku duhej të transportonte ushtarët e plagosur në spitale larg linjave të frontit. Një stuhi e fuqishme dhe ndjekja nga Messerschmitt-ët gjermanë, ishin shkaqet e uljes së detyruar të avionit në një vend të humbur të Shqipërisë, duke lënë infermierët, skuadrën e mjekëve dhe ekuipazhin e fluturimit të bllokuar dhe të humbur në një territor të pushtuar nga nazistët. Ajo që vjen pas kësaj ishte e rrezikshme “kukafshehthi’ me armiqtë, një situatë kjo që presidenti Ruzvelt kërkonte të vihej në dijeni çdo ditë. Partizanët shqiptarë i ndihmuan amerikanët e humbur për të gjetur një mision të Inteligjencës Angleze dhe grupi filloi një udhëtim të gjatë dhe të rrezikshëm drejt bregut të Adriatikut, gjatë javëve që ndoqën, ata kaluan malin e dytë të Shqipërisë për nga lartësia, nëpër stuhi të forta dëbore, u goditën nga aeroplanët gjermanë dhe arritën të mbijetojnë. Natën e parë ishim mysafirë tek shtëpia e përkthyesit në Berat. 

11 nëntor 1943, Berat

Kostaq Stefa duke dhënë mësim në shkollën amerikane ''Harry Fultz''
Kostaq Stefa duke dhënë mësim në shkollën amerikane ''Harry Fultz''
“Jens ishte shumë e lumtur kur ajo dhe Vilma u caktuan të strehoheshin tek shtëpia e një përkthyesi anglisht. Burri prezantoi veten me emrin Kostaq Stefa. Ishte gati duke rënë dielli kur ato arritën në shtëpinë e rehatshme dykatëshe të Stefës. U futën në njërën nga dhomat. Dhoma ishte e ngrohtë nga një sobë që shpërndante në mënyrë uniforme ngrohtësinë. Stefa prezantoi gruan dhe prindërit e tij dhe pastaj na ftoi të rrinim si në shtëpitë tona. Zonja Stefa, një grua e dobët me flokë të zeza, e cila fliste një anglishte minimale, ishte mësuese në një shkollë elementare të Beratit. Çifti kishte 4 fëmijë, më i vogli i të cilëve ishte tre muajsh. “Anglishtja juaj është e përkryer!, i tha Jens të zotit të shtëpisë, nuk mund të rri pa pyetur nëse ke ndjekur ndonjë shkollë jashtë Shqipërisë?!  Stefa buzëqeshi: “Po kam bërë shkollë në Itali disa vite, por nuk kam studiuar në ndonjë vend ku flitet anglisht”. Ai e kishte mësuar anglishten në shkollën shqiptaro-amerikane (“Harry Fulz”) ku kishte ndjekur studimet për katër vite me radhë. Stefa na tha se zoti Fullc kishte qenë drejtor shkolle dhe u kishte mësuar atyre shumë gjëra nga historia e vendit të tij. Jensi më tej pyeti: Pse njerëzit këtu kujtuan se ne jemi forcë pushtuese? “Njerëzit këtu kanë pritur një kohë të gjatë, që amerikanët të na dërgonin ndihma, në mënyrë që ne të luftojmë gjermanin. Kur u hap fjala e ardhjes tuaj njerëzit kujtuan se ju ishit pushtues?!”. “Populli ynë e ka parë gjithmonë vendin tuaj si një shembull demokracie, tha Stefa, ne madje kemi një qytezë të quajtur Port Willson në nder të një nga presidentëve tuaj!”. “E keni zgjedhur për ndonjë arsye të veçantë presidentin Willson? pyeti Wilma. “Ai ishte personi i vetëm që foli për Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, atëherë kur dukej sikur vendi ynë do të ndahej midis Greqisë dhe Jugosllavisë pas Luftës së Parë Botërore. Bashkëbisedimi politik i Stefës u rrallua gjatë darkës...

13 Nëntor 1943, e shtunë ora 09.00

Pas  ngrënies së mëngjesit me bukë misri të thekur dhe djathë të bardhë, përkthyesi Stefa na tregoi se plani ishte të shkonin për një vizitë në një vend të shenjtë dhe të takonin njerëz të tjerë në qytet. Ndërkaq, ato prisnin me ankth pilotin ta pyesnin nëse kish gjetur rrugët e komunikimit ose ndonjë mesazh...

14 nëntor, në katundin Dobrushë

Mbërritëm në fshatin e vogël dhe gjetëm të shtruar mirësinë e mikpritjen. A nuk është krejtësisht mahnitëse se si këta njerëz ndajnë edhe atë pak që kanë me ne! - tha Jensi. A mund të imagjinosh 30 veta që vijnë për vizitë në shtëpinë e amerikanëve e kanë nevojë për ushqimin e caktuar për familjet e tyre? Shtoi kësaj dhe mundësinë e një ekzekutimi për faktin, që ke ndihmuar këta njerëz dhe u ke dhënë një çati mbi kokë. Është e habitshme se si këta shqiptarë që kanë kaq pak po rrezikojnë kaq shumë për 30 veta, të cilët nuk do t’i takojnë më kurrë në jetën e tyre”.  Përkthyesi Stefa u shpjegoi se në Shqipëri ndodhej një mision ushtarak britanik, i cili ka bazat e tij në Itali dhe në Afrikën e Veriut dhe se mendonte për të siguruar lidhjet me të, në mënyrë që të siguronte ndihmën e tyre për evakuimin e amerikanëve që ndiqeshin nga gjermanët. Pasi mori miratimin e tyre gjeti një korrier dhe e nisi në drejtim të vendndodhjes së misionit anglez për ta njohur me gjendjen e tyre. Aty për aty përkthyesi i nxitoi të ngriheshin për të shkuar në një fshat në lartësi. Ofensiva gjermane sa vinte dhe bëhej më e ashpër dhe duhej me çdo kusht që ata t’i shmangeshin kontaktit me të...

20 nëntor 1943, e shtunë

Gjatë rrugës Stefa mbante biseda me njerëzit që takonim dhe i pyeste nëse dinin gjë për gjermanët. Ne nuk dinim shqip, por e kuptonim nga mënyra si komunikonin. Fshatarët që herë pas here e pyesin Stefën për ne shqiptonin shkujdesur fjalën “Amerikano”. Ne ishim të bindur se Stefa ishte një partizan i vërtetë, por ende nuk e kuptonim se si ai kishte lënë gruan e tij dhe katër fëmijët në mëshirën e gjermanëve. Gjatë një pushimi, Stefa sugjeroi për të shkuar drejt një fshati në lartësi për të cilin i kishin folur gjatë rrugës. Mbase mund të çlodheshim atje për një ose dy ditë, gjë që varej natyrisht nga strehimi dhe ushqimi në dispozicion. Sidoqoftë ramë dakord me përkthyesin dhe filluam marshimin pas 15 minutash. Ishte gati errësirë kur arritën në fshatin Vërzhezhë. Për të mbërritur deri aty kishin ngjitur një majë mali dhe e kishin zbritur nga ana tjetër në një dishezë të thepisur. Stefa foli me banorët vendas dhe u bë sistemimi i tyre nëpër shtëpitë e fshatarëve të ndarë në grupe...

21 nëntor 1943, në rrugën drejt Leshnjes

Shpejt në mëngjesin tjetër një shqiptar që me sa dukej ishte kryeplaku i fshatit, erdhi dhe u ul në tokë pranë Kostaq Stefës. Si foli 15 minuta me të Stefa u kthye nga amerikanët. “Fshatarëve ju vjen keq që ata nuk mund tu ofrojnë një vend, ku të rrini për disa ditë, tha Stefa, por ata nuk e kanë ushqimin e mjaftueshëm as për veten e tyre për të kaluar dimrin”. “Të lutem thuaju atyre, se ne e kuptojmë këtë dhe falënderoi për zemërgjerësinë e treguar gjatë natës që kaluam në shtëpitë e tyre”, tha Jensi...
Filloi përsëri marshimi nëpër male e boriga. Gjendja sa vinte dhe bëhej më e rënduar. Kur mbërritëm në fshatin që duhej të pushonim për një natë, përkthyesi u interesua te fshatarët për gjendjen dhe aty për aty mësoi se gjermanët ishin duke u afruar përditë e më shumë në zonën përreth. Nga sa mësoi atje vetëm pak ditë më parë forcat gjermane kishin sulmuar e bastisur fshatrat fqinjë. Fshati kishte dërguar një grup zbulimi në terren për të marrë vesh se ku po ndodheshin armiqtë dhe se ku ishin drejtuar ata, por zbuluesit nuk ishin kthyer ende. Kështu që gjendja mbetej e paqartë. “Kaq keq mendon se është situata, iu kthye një çast njëri nga pilotët Stefës”. Përkthyesi diçka pohoi me kohë dhe ndenji një çast në heshtje. “Besoj se asnjë nuk është i sigurt deri sa të kthehet grupi i zbuluesve”, tha Jensi.

27 nëntor 1943, gjatë rrugës për në Zhulat

Në Zhulat arritëm rreth orës 14 e 30. Takuam në fillim një burrë që dukej i tronditur. Çfarë thotë ky fshatari? -tha Jensi. Stefa iu përgjigj që këtu kanë ardhur gjermanët, kanë marrë gjithçka që kanë gjetur. Ata dëbuan njerëzit nga shtëpitë, sqaroi përkthyesi me pretekstin e një kërkimi dhe i vunë flakën atyre nga brenda. Fshatarët vrapuan dhe u fshehën, tha ai, sepse kishin frikë mos i kapnin rob. Gary pyeste fshatarët e tjerë nëpërmjet përkthyesit. “Gjermanët kishin ndonjë arsye që filluan t’ju sulmojnë? Kini parë gjermanë të tjerë para këtij rasti?”. Pas shpjegimeve një fshatar i hutuar tregoi se gjermanët kishin shkretuar çdo gjë në fshat dhe tani në prag të dimrit i kishin lënë si mos më keq...

17 dhjetor 1943, në rrugën për në Progonat....

Gjatë rrugëtimit për në Progonat, shkuam në një kishë dhe kënduam gjithë natën këngë për Krishtlindje. Stefa u mundua t’u shpjegonte një pjesë të meshës. Një pjesë e predikimeve dikur bëhej në latinisht, por që kur kisha greke ishte ndarë nga ajo e Romës, tani predikimi mbahej në greqisht dhe shqip. Në mbrëmje rreth zjarrit ia nisëm sërish duke kënduar. Stefa na u lut të këndojmë “Hark the Harald Angels Sing”. Kam shumë vite, tha ai, që nuk dëgjoj një këngë të kënduar nga një grup që me të vërtetë e njeh atë. Kur filluam ta këndojnë, ata u befasuan që Stefa njihte më shumë strofa se ata vetë. “Na i ka mësuar zoti Fullc në shkollë, shtoi ai dhe unë nuk i harroj kurrë. Madje ua kam mësuar edhe gruas e fëmijëve. Kur rreth orës 23:00 infermieret u çuan të flenë, Gary u ngrit në këmbë, buzëqeshi dhe tha: “Duhet të këndojmë edhe “God save the king”, apo jo?!”. Njëri prej rreshterëve shtoi se duhej të këndonin edhe “Star Spangled Banner”...

30 dhjetor 1943. E enjte...

Njerëzit psherëtinë kur panë amerikanët në prag të dyerve të tyre, por pasi Stefa foli me ta, ata u bënë më të përzemërt. Në Dhoksat njerëzit vazhdonin të vinin dhe të sillnin të reja nga qyteti që nga pushtimi i Gjirokastrës nga gjermanët. Disa përshkruanin aeroplanët amerikanë që kishin parë një ditë më parë, po nuk ia kishin idenë për misionin e tyre. Stefa shpjegonte se sipas rrëfimeve të tyre gjermanët ishin frikësuar dhe ishin kapur në befasi nga goditjet e avionëve amerikanë. Njëri nga fshatarët qeshte kur tregonte se si tre oficerë gjermanë, të ulur duke pirë puro në një klub të vogël ishin shpartalluar të llahtarisur kur kishin dëgjuar zhurmën e aeroplanëve mbi qytet.

07 janar 1944, në rrugën Tërbac dhe Dukat...

“Unë po kthehem se nuk mund të vazhdoj më tej”, tha Stefa dhe mbushi sytë me lot. Grupi ishte mbledhur në mes të fshatit në mëngjes herët. Tanimë përcjelljen e tyre deri në Dukat prej nga do të niseshin për në Itali do ta siguronin dy shqiptarë të tjerë. “Mirupafshim!” tha përsëri përkthyesi duke i kujtuar se ai deri aty mund të shkonte dhe u afrua duke u dhënë dorën njëri pas tjetrit. “Mirupafshim dhe faleminderit për gjithçka!” e përgëzuan ata më ndjenjën e kënaqësisë se më në fund ishin shumë afër riatdhesimit. Teksa po përshëndeteshin me përzemërsi Stefa ndaloi pak çaste e bisedoi me Jensin. I tha asaj se kishte dy vëllezër që jetonin prej kohësh në Amerikë dhe kishte humbur komunikimin me ta qysh me pushtimin e Shqipërisë. Pikërisht për këtë iu lut që kur të kthehej të interesohej për ta ndihmuar për të rivendosur kontaktin me ta. Jensi pranoi me shumë kënaqësi se do ta realizonte patjetër. Sakaq, Stefa shkroi në një letër emrat e tyre dhe ia zgjati asaj duke u përshëndetur. Pas pak ata ishin përsëri në rreshtin e gjatë, pas shoqëruesve dhe mushkave. Shumë prej tyre kthyen kokën për të parë Stefën që kishte filluar të largohej. Ai ua bëri me dorë dhe amerikanët kthyen përshëndetjen. E ndoqën me sy deri sa humbi prapa disa kodrave të murrme. Jensi mori nga xhepi copën e letrës që Stefa i kishte dhënë. Në të shkruante: “Telemak Stefa, George Stefa, 29th Street, Cleveland.O.” Ajo shkroi emrin Telemak dhe George në ditar në një kolonë dhe rrugën në një fletore tjetër. Ajo e dinte me siguri që nuk do ta harronte kurrë mbiemrin Stefa. Sakaq grisi letrën në copa të vogla dhe filli të ecte me ritmin e shokëve në një shteg të ngushtë... Nga fundi i korrikut 1945, Jensi shkoi në Cleveland dhe mori në telefon vëllain e Kostaq Stefës...

“Në Amerikë na thanë se përkthyesin e vranë gjermanët”

“Në Amerikë na thanë se e vranë gjermanët, por na mashtruan” E kthyer pas 50 vjetësh në shtëpinë e Kostaq Stefës në Berat, veterania amerikanë Agnes Mangerich, mbeti e befasuar kur mësoi se përkthyesi që u kishte shërbyer gjatë viteve të luftës ishte pushkatuar nga komunistët. “E tmerrshme!”, do shqiptonte me dhimbje teksa do rrinte përballë Elenit, bashkëshortes së njeriut, që u kishte shpëtuar jetën në Operacionin e Dimrit, ku gjermanët i ndiqnin këmba këmbës. Gjatë bisedës me të do risillte me detaje çastet e ndarjes me Kostaqin në një fshat të Vlorës pas përfundimit të misionit. “I thamë të vinte me ne për t’u bashkuar me vëllezërit që kishte në SHBA, do kujtonte Agnes Mangerich, po ai refuzoi prerë. I vetmi nder që na kërkoi ishte identifikimi i adresës së tyre dhe si ja premtuam u ndamë. Mbaj mënd që i falëm një palë dylbi në shenjë kujtimi dhe një emblemë me krahë avioni. Si mbaroi lufta deshëm të lidheshim me Kostaqin, po ishte e pamundur. Lajmi i parë që erdhi nga Tirana bënte të ditur se  e kishin vrarë gjermanët kur kthehej nga Vlora...”


Lista

Infermierët e skuadronit nr.807 ajror
Togere    Gertude Dawson,     29 vjeçe,
    Ann Maness         32 vjeçe,
    Jean Rudkowsvki     26 vjeçe,
    Ela Schwant         25 vjeçe,
    Lois Watson         25 vjeçe,
    Lillian Tacina         23 vjeçe,
          Pauleen Kanable     26 vjeçe,
            Helen Porter         30 vjeçe
            Ann Marcowitz         25 vjeçe
    Vilma Lytle         31 vjeçe
            Frances Nelson         25 vjeçe,   
       Ann Kopsco         25 vjeçe,  
        Agnes Jenson         29 vjeçe.

Mjekët e Skuadronit 807 Ajror
    Laurence D. Abbot Newajgo, Michigan,
    John P. Wolf Milwaukee, Wisconsin,
    Charles J. Adams Niles, Michigan,
    Robert A. Cranson Sandy Creek, New York,
    Raymod E. Eberg Steeleville, Illinois,
    Harold L. HAYES Indianola, Ioëa,
    Robert E. Owen Weldon, New York,
    Paul G. Allen Greenville, Kentucky,
    Jems P. Cruise Brokton, Massachusetts,
    William J. Eldridge Eldrige, Kentucky,
    Gordon M. Mackinnon Los Angeles, California,
    Charles F. ZEIBER, Reading, Pennsilvanya,
    Hornsby (802 d Maes) Manchester, Kentucky,

Ekuipazhi i avionit
    Pilot i parë Charles B. Thrasher 24 vjeç,    
    Daytona, Florida,
    Piloti i Dytë,  James A. Baggas, 28 vjeç,
    Savannan, Gergia,
    Shefi i Ekuipazhit Wills L. Shumaway,
    23 vjeç, Tempe, Arizona,
    Radist, Richard Lebo 24 vjeç, Halifax,
    Pennsilvania.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora