E shtune, 27.04.2024, 12:57 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Omer Nishani, si u mbajt sekret vrasja e presidentit shqiptar

E hene, 20.04.2009, 05:43 PM


Nga Kastriot Dervishi

Në majin e vitit 1954, gazetat kryesore të Tiranës lajmëronin se pas një sëmundje të rëndë, kishte vdekur Presidenti i parë i Shqipërisë komuniste, Omer Nishani. Ato ditë bëheshin zgjedhjet kuvendore në vend, në përfundim të të cilave Omer Nishani nuk do të ishte as deputet. Për një kohë të gjatë, ose më saktë përgjithmonë, shqiptarët nuk do të dinin më shumë se kaq. E vërteta është se vetë shteti i asaj kohe e kishte mbajtur “top secret” mënyrën e vdekjes së Nishanit, që në fakt ishte një vetëvrasje e kopsitur në dokumente si e mirëfilltë. Për shumë vite dosja e hetimit për këtë ngjarje do të mbahej në mënyrë të habitshme në kasafortën e Ministrit të Brendshëm dhe më pas me anë të një tjetër vendimi do të dërgohej aty ku ruheshin të gjitha të tjerat. Përse? Mos për faktin se e vërteta e madhe tejkalonte edhe të dhënat e dosjes së mirëkopsitur që thoshte se ai ishte vetëvrarë? Le të shohim faktet.

Goditja e Omer Nishanit

Goditja e Omer Nishanit erdhi pasi më parë u arrestua vëllai i tij Besim (Beso) Nishani, më 1 tetor 1952 me akuzën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor dhe mosdenoncim të arratisjes së shokut të tij. 62 vjeçari Besim Nishani ishte marrë i pandehur së bashku me Bektash Halitin, duke u akuzuar madje se kishin dashur të arratiseshin në Jugosllavi. Më 19 shkurt 1953 Gjykata Ushtarake Territoriale e Tiranës e kryesuar nga Vasil Prifti me anëtarë Niko Barkën dhe Kurtali Tahon, duke pasur prokuror ushtarak Rako Cacon, e dënoi me 4 muaj burg ose 11 muaj punë korrektonjëse. Më 3 prill 1953 Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë i kryesuar nga Mustafa Qilimi mbi bazë të rekursit të të pandehurit Bektash Alite (i dënuar me 5 vjet burg) deklarimin e prerë të këtij vendimi. Më 29 maj 1953 Gjykata Ushtarake e Tiranës e kryesuar nga Theofan Naçi me anëtarë Nesti Zoton dhe Elham Zahajn, me prokuror Thoma Nakon, ka marrë në shqyrtim çështjen duke e deklaruar të pafajshëm Beso Nishanin duke urdhëruar lirimin e tij nga salla e gjyqit. Prokuroria kishte kërkuar 2 vjet burg për B. Nishanin. Në arsyetim vetë trupi gjykues shprehej se B. Nishani nuk kishte dijeni për bisedat armiqësore të shokut të tij. Në këtë mënyrë vëllai i Presidentit të Shqipërisë qëndroi 8 muaj në burg (AMB, F.H-GJ, D.4893).
Deri më 1 mars 1951 B. Nishani kishte punuar si ekonomist në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme. Ishte e qartë se arrestimi që i ndodhi Besos, ishte kërcënim për Omer Nishanin. Tek e fundit, edhe ai mund të arrestohej. Prandaj kërkoheshin forma paraprake. Hoxha e kishte larguar në vitin 1952 Nishanin nga tribuna kryesore e podiumit të Kuvendit Popullor, duke e degdisur në një cep të tavolinës së ministrave. Pas vdekjes së Stalinit, Enver Hoxha ndjeu frikë dhe filloi një reformim të madh të aparatit qeveritar. Në kuandër të riorganizimit të përgjithshëm shtetëror ai e detyroi Nishanin të jepte dorëheqjen. Për të thjeshtuar më shumë organikën e qeverisjes në vend, u mbajt një mbledhje e përbashkët e Byrosë Politike, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave më 23 korrik 1953, në të cilën u miratua struktura e re e këtij të fundit. Po në këtë mbledhje u rekomandua dorëheqja e presidentit Omer Nishani dhe zëvendësimi i tij me Haxhi Lleshin.
Më 1 gusht 1953, Omer Nishani i paraqiti Kuvendit Popullor dorëheqjen me shkrim, në të cilën theksonte ndër të tjera, se në jetë të jetëve do të mbetej besnik i Bashkimit Sovjetik dhe i idealeve komuniste. Por largimi i Nishanit nuk mund të kalonte në heshtje. Shokët e tij filluan të flasin. Skënder Luarasi duke kaluar në rrugë, i drejtohet Sami Bahollit me fjalët: “E pastruat atë tonin?”, ndërsa Baholli i përgjigjet se ai ishte i tyre dhe se kishte dhënë dorëheqjen (AMB, F.Drejtoria e Parë/D.3, V.1953, D.10, fleta 28).
Omer Nishani ishte martuar me shtetasen austriake Rozvita von Ëoler (1896 – 1971), me të cilën u nda qysh gjatë kohës që ishte President i Shqipërisë. Austriakja për të ruajtur dinjitetin e vet, pranoi të jetonte e vetmuar, por duke mësuar edhe sesi e la këtë botë ish-bashkëshorti i saj, të cilin e takonte në ndonjë ditë të muajit. Po si u vra Omer Nishani dhe cilat ishin shkaqet e kësaj vrasjeje.

Vrasje në maj

Ishte 26 majit i vitit 1954. Dy ditë më vonë zhvilloheshin zgjedhjet për Kuvendin Popullor. Omer Nishani që nuk ishte kandidat në këto zgjedhje, gjendet i vrarë në vilën përballë INIMA-s. Më 27 maj 1954, gazetat e përditshme, “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” njoftonin shumë shkurt, vdekjen e Omer Nishanit në moshën 67-vjeçare, “pas një sëmundjeje të rëndë”. Edhe ceremonia e varrimit u njoftua thjeshtë. Në të mori pjesë zëvendëskryeministri Hysni Kapo, ministri i Tregtisë dhe Komunikacioneve Gogo Nushi, nënkryetarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor - Myslim Peza dhe Aleksandër Xhuvani, ministri i Punëve të Jashtme - Behar Shtylla, nënkryetari i Frontit Demokratik - Medar Shtylla, etj. Sami Baholli mbajti fjalën e rastit (“Zëri i Popullit”, 28 maj 1954).
Tashmë nuk ishte më e nevojshme roli i presidentit të parë të Shqipërisë komuniste. Gjërat mund të thuheshin sheshit dhe pa asnjë nevojë për lustër. Për vite të tëra, emri i Nishanit do të ishte në nivelin e mesëm, afër heshtjes. Vetëm më 13 tetor 1989, spitalit të Gjirokastrës do t’i vihej emri i tij.

Dosja hetimore
 
Në tetorin e vitit 2007, në cilësinë e titullarit të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, po shfletoja inventarin e Fondit të Dosjeve Operative që përmban dosje të personave të ndjekur dhe bashkëpunëtorë të Sigurimit. Në mesin e emrave, syri më kap atë të Omer Nishanit. Dyshimit tim se mos ndoshta Nishani kishte qenë i ndjekur apo “bashkëpunëtor” (gjë që nuk e besoja), i dha përgjigje leximi i xhaketinës së vetme me emrin Omer Nishani. Aty ndodhej e gjithë e fshehta në lidhje me këtë vrasje.
Ky material i ishte fshehur leximit të zakonshëm për arkivistët apo funksionarët e Sigurimit, duke gjetur strehë pikërisht në kasafortën e ministrit të Punëve të Brendshme.
Pasi janë mbajtur për shumë vjet në kasafortë, më 18 shkurt 1980 Feçor Shehu urdhëron mbajtjen e tyre nga Xhule Çiraku. Më 3 shtator 1982, Raqi Iftica ia dërgon këtë material Hekuran Isait, i cili pasi e ka lexuar, ka vënë shënimin se nuk ishte e nevojshme ruajtja, por të mbaheshin si dokumentet e tjera. Në këtë mënyrë, vetëm në këtë kohë materiali ka kaluar në mikrofilmim duke kaluar edhe në xhaketina.
Sipas kësaj dosjeje, më 27 maj 1954 Dega e Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit me kryetar nënkolonel Nevzat Haznedarin (i ngarkuar për këtë çështje), harton relacionin mbi vdekjen e Omer Nishanit. Qysh në fillim dallojnë fjalët: “Dr.Omer Nishani në orën 23.00 të datës 25 maj 1954 me dy të shtëna me armë zjarri kish vrarë veten”.
Pavarësisht nga kjo, qysh në fillim hetuesit kishin shënuar se ishte “vetëvrasje” dhe për këtë ishte hartuar edhe raporti përkatës. Plagët që kishin shkaktuar vdekjen e Nishanit, ishin afër zemrës. Arma e gjetur ishte e tipit gjerman nr.194523, me kalibër 7.65, ishte vetjake e Omer Nishanit. Trupi ishte qëlluar në largësi 1 cm. I vrari vuante nga sëmundja e cirrhosis atrofia hepatit. Në arsyetimin prej 6 pikash, dilej në përfundim se Nishani kishte vrarë veten. Së pari, ishte këqyrur vendi i ngjarjes, së dyti ishte bërë ekspertiza mjeko-ligjore, së treti arma ishte e personit të vrarë, së katërti ishte bërë ekspertiza balistike e armës që rezultonte në gjendje të mirë, së pesti ishin marrë në pyetje dëshmitarët, ku më kryesori ishte Dhimitër Evangjeli dhe së gjashti në banesën e të vrarit ishte gjetur një epigram, sipas së cilës vërtetohej se ai kishte vrarë veten.
Prokurori i përgjithshëm Siri Çarçani më 26 maj 1954 ka hartuar raportin mbi ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në orën 11.30. Infermierja e të vrarit Ariste Bratja me shërbyesen S. Pilku pasi kanë dëgjuar dy krisma. Në katin e sipërm kanë gjetur Omer Nishanin të kthyer në brinjë të mbytur në një pellg me gjak duke pasur pranë armën e tij. Ishte lajmëruar mjeku Petro Cani, i cili kishte mbërritur duke gjetur gjallë të lënduarin. Ngjarja kishte ndodhur në dhomën nr.4 të katin të tretë, duke filluar nga e djathta. Në faqen tjetër të murit gjendet një letër me zarf. I vrari ishte shtrirë në kurriz. Pozicioni i kufomës ishte lëvizur nga mjekët pas vdekjes. Ishin gjetur dy gëzhojat, njëra nga të cilat ishte mbi krevat. Po ashtu, ishte konstatuar brima në mur nga një plumb, që kishte shkuar aty. Procesverbali është nënshkruar nga Siri Çarçani, eksperti kriminalistik Shefik Boxhi, dëshmitarët Muamer Spahiu dhe Athina Trashi.

Raporti për mbikëqyrjen mjeko-ligjore

Më 25 maj 1954 ora 24.00 mjekët Petro Cani dhe Aleks Bozo kanë hartuar raportin mbi këqyrjen mjeko-ligjore. Ata e kanë gjetur trupin i shtrirë në shpinë me gojë të hapur. Rrobat të mbytura në gjak. Po ashtu, edhe dysheku. Pulsi mungonte. Largësia e plagëve ishte 2 cm. Njëra poshtë gjoksit e tjera më larg. Kullonin gjak pa pushim. Në shpatullën e majtë kanë dalë dy plagët me largësi 1.5 cm. Edhe këtej rrjedh gjak. Renditet 3 arsye për vdekjen: 2 plagët, arma ishte zbrazur në kontakt me trupin, i vdekuri kishte vuajtur nga ascite cronica.

Autopsia

Më 26 maj ora 10.45 në katedrën e anatomisë normale të Institutit të Lartë Mjekësor, u krye autopsia e kufomës së O. Nishanit nga mjekët Jofim Fodopojev Nikulceko, Petro Cani, Ferdinad Paparisto dhe mbajtësi i protokollit Spase Trimçev. Të dy plagët kishin një largësi prej 1.1 centimetrash nga njëra – tjetra. Stomaku ishte i mbushur maksimalisht me lëndë ushqimore. Plagët kishin drejtimin para – prapa. Vdekja ishte shkaktuar nga hemorragjia e madhe dhe shoku pleuropulmar.

Dëshmitarët
 
Nga kapiten Maqo Pecani pyetet Mehmet Grori, i datëlindjes 1880, bahçevan i shtëpisë prej 2 vjetësh. Në orën 21.00 kanë ardhur infermierja Asime dhe kuzhinierja Fera Lotja, të cilat i kanë kërkuar të shkojnë në katin e tretë, pasi dëgjuan një zhurmë atje. Dera ishte dy gisht e hapur me drita ndezur. E kishin gjetur të shtrirë. Dy gratë kanë shkuar në klinikë, ndërsa bahçevani ka ngelur për një çast vetëm me të. Nishani rënkonte duke thënë “dil o qen shpirt, ku je futur”. Bahçevani ka vendosur armën në kokën e komodinës. Nishani i kërkoi bahçevanit vetëm ta kapte prej duarsh dhe jo në vend tjetër. Ka mbërritur doktori (së bashku me infermieren) që i ka kërkuar të largohej nga dhoma poshtë. Doktori i ka bërë një gjilpërë. Pas pak çastesh Nishani ka vdekur...

Dyshimet për vrasje

Fakti që krismat kanë qenë me një interval kohe, tregon se kemi të bëjmë me një vrasje. Mundësia e të lënduarit për të kryer krismë të dytë është pothuaj zero. Pikërisht kur dy gratë kanë qenë në katin e dytë, kanë dëgjuar krismën e dytë. Pas kësaj janë trembur dhe kanë shkuar te bahçevani Meti për të kërkuar ndihmën e tij. Ndezur ishte drita e tavolinës pranë krevatit. Kishte ndezur dritën dhe kishte vërejtur. Doktori rënkonte, por ishte shprehur se e kishte bërë nga dhimbjet. Pasi kishin shkuar në klinikë, atje infermierja e rojës Athina Tashi i telefonon toger Hilmi Dumes dhe të gjithë së bashku erdhën më makinë në vilë. Pas 10 minutash Nishani kishte vdekur. Ndër miqtë që e vizitonin Nishanin përmendte Sami Bahollin, Medar Shtyllën, Dr. Osmani Jonuzaj me të bijën, Dr. Theodhori, Dr. Zyma, vëllai, gruaja, etj. Gjithnjë ankohej për dhimbjet që i jepte sëmundja.
Po më 26 maj pyetet dr. Osman Jonuzaj. Ai kishte qenë shok shkolle me Nishanin. Midis të tjerash ai kallëzon: “Kur shkova përsëri tek doktor Nishani, pas 2 javësh, ai më kallëzoi se kishte thirrur dr. Hoxhën dhe doktorin sovjetik, të cilët kishin vërtetuar sëmundjen e mëlçisë së zezë.
Më 26 maj 1954 pyetet nga hetuesi Stavro Xhara, merr në pyetje dr. Fejzi Hoxhën. Ky kishte qysh në fillim të vitit 1954 që merrej me Nishanin. Sipas doktorit, Nishani kishte dy sëmundje që ishin të pashërueshme. Me mjekimin ishte marrë profesori sovjetik, Petro Cami dhe ai. Barku i ishte enjtur dhe i dhembte.
Pas tij është pyetur Janko Theodhosi. Kur kishte shkuar për ta takuar, kishte takuar Remzi Baçen dhe një nga Leskoviku. Përmendte TBC-në e doktorit Nishani.
Po atë natë, në orën 03.00 i njëjti hetues merr në pyetje dëshmitaren Lote Pilku. Kjo kishte pasur një dramë të vërtetë. Ishte gjermane e martuar me Njazi Pilkun. 48-vjeçarja tashmë ishte e ve, pasi burrin e saj e kishin pushkatuar komunistët si sabotator. Lota kishte 2 djem, Edipi 23 vjeç dhe Luani 15 vjeçar. Ajo nuk kishte punuar kurrë, me përjashtim të kohës që punonte te Nishani. Me bashkëshortin e ardhshëm ishte njohur në vitin 1922, kur ai kishte qenë student në Gjermani. Kjo dashuri zgjati 4 – 5 vjet e më pas dhe Njaziu u kthye në Shqipëri. Pas një viti, Njaziu vjen në Gjermani, kërkon dorën e vajzës, fejohen, ndërsa martesën e bëjnë në Bari. Jazou punonte në Ministrinë e Punëve Botore. Në tetor 1947 Lota ishte njohur me Trëndafilen (Rozvita) Nishanin, së cilës i kishte kërkuar faljen e burrit të saj nga presidenti Omer Nishani. Pastaj kishte vendosur të fillonte pastruese aty. Në vitin 1949 dy kuzhinierët e Nishanit, hungareze dhe italiane u larguan në vendet e tyre dhe për këtë shkak, Lota kishte kryer edhe punën e kuzhinieres.
Sipas saj, kur ka rënë në shtrat, ka qenë mjaft i lodhur. Ajo ka dëgjuar zhurmën e parë dhe ka kujtuar se mos u rrëzua Nishani. Pas pak dëgjuar edhe krismën e dytë. Pasi kanë shkuar së bashku me bahçevanin, kanë vijuar ngjarjet siç tregohet edhe më lart nga dëshmitarja tjetër. Në kohën që kishin ndenjur me të, Nishani nuk kishte folur asnjë fjalë. Kapiten Hilmiu i bëri një gjilpërë, por kur ata i kishin hequr rrobat dhe i vinin pambuk në plagë, Nishani vdiq. Duke iu përgjigjur pyetjeve të tjera, dëshmitarja tha se të dielën në mëngjes kishte ardhur dr. Osmani. Më vonë kishin ardhur kushëriri i tij Nexhet Nishani, Hasan Pula, Ishan Leskoviku, etj. Më 24 maj 1954 kishte ardhur gruaja e Nishanit. Kishte qëndruar pak me të. Më 25 maj nuk kishte ardhur njeri. Pastaj hetuesi e pyet se çfarë bisedash kishte bërë Nishani kohët e fundit. Përgjigja ishte se kohët e fundit ai ishte shumë i mërzitur, duke thënë se nuk rrohej ashtu. Ishte i dobët dhe barku i fryhej. Para 7 – 8 muajsh kishte ardhur në shtëpi për vizitë Kostë Boshnjaku. Kishte bërë vizita edhe Ymer Dishnica, Shemsi Totozani, Koço Tashko, etj.
Dhimitër Evangjeli, ishte bërë mik i Nishanit, qysh në konferencën e Labinotit në shtator 1943. Nishani ishte në gjendje të keqe, sëmundja e kishte vënë poshtë. Nga barku mjekët i nxirrnin ujë vazhdimisht. Sipas tij Enveri, Mehmeti dhe shokët e Byrosë tregonin vazhdimisht kujdes për të.
Ish-gruaja e Omer Nishanit, Rozvita, e mërzitur me shqiptarët për shkak të ish-bashkëshortit të saj, qëndronte larg tij në një shtëpi në rrugën e Pishës. Shoqja e saj ishte austriakja tjetër, gruaja e Kostë Boshnjakut. Një ditë vjen në shtëpi bahçevani dhe kërkon t’i tregojë diçka veçmas Rozvitas. Kjo refuzon dhe e nxit të flasë në prani të shoqes së saj, pasi ato nuk ishin “si raca juaj”. Duke besuar në mbajtjen e fjalës, bahçevani ka treguar atë që ka parë, Omer Nishani u vra nga djali i madh i njërit prej zëvendëspresidentëve të Presidiumit të Kuvendit Popullor (atij të paarsimuarit), sigurisht jo për motive personale, por për zbatimin e detyrës së partisë. Rozvita u largua nga Shqipëria, ndërsa gruaja e Kostë Boshnjakut pasi e ka ruajtur sekretin për shumë vite dhe kur u sigurua që bahçevani kishte vite që kishte vdekur, e tregoi ngjarjen për të mos ngelur e pasqaruar kjo ngjarje.  Cili ishte motivi i kësaj vrasjeje? Sigurisht që Nishani nuk rrezikonte në asnjë plan pushtetin e Enver Hoxhës. Por duke qenë një dëshmitar që dinte shumë gjëra, ishte më mirë të heshtte përgjithmonë, para se t’i vinte natyralisht vdekja.

Si u mënjanua kur diktatori nisi të zëvendësojë njerëzit e luftës

Omer Nishani, Presidenti që Enveri e përdori si fasadë

Para se të bashkohej me komunistët, Omer Nishani ishte kthyer në Shqipëri pas një emigracioni të gjatë, i kondicionuar prej faktit se ishte në opozitë me Mbretin Zog, pra njihej si antizogist. Me të mbërritur në Tiranë, ai emërohet anëtar i Këshillit të Shtetit, nën regjimin fashist. Por në verën e vitit 1943 Nishani e shikon veten në radhët e Frontit Nacionalçlirimtar që kuptohet se drejtohej nga Partia Komuniste. Duke vazhduar nga kjo kohë, Nishani zëvendëson kryetarin e Frontit Kamber Qafmolla, i cili në fakt nuk e ushtroi kurrë këtë detyrë. Nishani në përfaqësime të ndryshme u kthye në figurën më të rëndësishme pas Enver Hoxhës.
Në kongresin komunist të Përmetit të majit 1944, Omer Nishani u zgjodh kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar, në funksion të një kryetari të pashpallur shteti. Njëkohësisht në Komitetin Antifashist Nacional Çlirimtar që kryesohej nga Enver Hoxha dhe që u quajt “qeveri demokratike” në tetor 1944, Omer Nishani mori postin e ministrit të Punëve të Jashtme, detyrë që e ushtroi deri më 9 shkurt 1946. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, u zgjodh deputet i Gjirokastrës.
Më 12 janar 1946, pasi Shqipëria ishte shpallur republikë, Nishani u zgjodh President i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ai u zgjodh sërish deputet i Gjirokastrës në Kuvendin Popullor, të dalë nga zgjedhjet e datës 28 maj 1950. Në funksionin që ishte, Nishanit iu desh të nënshkruante dënimet me vdekje për shumë nga shokët e tij të emigracionit, mbi të cilët Hoxha kishte paracaktuar dënimet. Por Hoxha nuk mund të qeveriste më me njerëzit që kishte dalë nga lufta dhe që, në fund të fundit, dinin shumë nga sekretet e tij. Hap pas hapi ai filloi zëvendësimin e tyre. Njëri prej këtyre zëvendësimeve ishte edhe Omer Nishani, për të cilin nuk vlente më paraqitja si fasadë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora