E marte, 12.11.2024, 03:32 AM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Po sikur koha të kthehej pas?

E hene, 06.04.2009, 11:49 PM


Ligjet e fizikës nuk mund ta ndalojnë, madje në një farë kuptimi kjo gjë ka ndodhur në laborator, në univers dhe te një kandil

Imagjinoni sikur po e lexoni këtë artikull nga fundi dhe më pas fjalë pas fjale të arrini në fillim, duke e rindërtuar kuptimin me një proces të anasjelltë. Fillimisht do të nisni me kërkimet mbi eliksirin e jetëgjatësisë, më pas do të lexoni për kandilin "Turritopsis dohrnii", që ripërtërihet si miza e bardhë, më tej do të vazhdoni me eksperimentet e fizikës subatomike dhe "në fund" do të arrini në fillim, aty ku imagjinohet një botë, në të cilën koha lëviz në kahun e kundërt. Jo në atë botë ku tregohet historia e Benjamin Button, në të cilën protagonisti rinohet, ndërkohë që të gjithë të tjerët plaken, por një botë ku çdo krijesë lëviz si të ishte shtypur tasti "rewind" (kthim pas) i një video-regjistruesi, ku njerëzit "ngrihen nga varri", thonë mirupafshim pasi përshëndeten me njëri-tjetrin dhe kur shndërrohen në foshnjë kërkojnë barkun e një gruaje që t‘i mbajë brenda deri sa të lindin. Një botë kjo, që sipas shkencës, edhe mund të ketë ekzistuar. Por kur? Para fillimit, ose më saktë para Big Bang.

A do ta vëmë re?

Gjëja e parë që duhet të bëjmë, nëse mendojmë të kthejmë pas rrjedhën e kohës, është të pyesim nëse kjo gjë mund të ndodh

vërtetë. "Mesa duket jo, sepse ligjet e fizikës nuk ndikohen nga rrjedha e kohës", thekson një fizikan, i cili është edhe një prej themeluesve të "Loop quantum gravity", një teori moderne që përmbys konceptet e hapësirës dhe të kohës.

Me fjalë të tjera do të ishte njësoj sikur të jetonim para një pasqyre: nuk ndodh asgjë po të zëvendësojmë të djathtën me të majtën. Madje edhe proceset biologjike do të ktheheshin në anën e kundërt. Nuk do ta jetonim jetën tonë në të njëjtën mënyrë, duke kaluar të njëjtat situata... dhe nuk do të vinim re asgjë, sepse truri ynë do të vazhdonte të kujtonte vetëm atë që e konsideron të shkuar.

Universi i pamundur

Mesa duket, në ligjet e fizikës simetria mes së shkuarës dhe së ardhmes nuk është perfekte, që do të thotë se, nëse rikthehemi në të shkuarën, gjërat nuk do t‘i gjejmë identike ashtu siç i kemi jetuar, të paktën për sa i përket veprimit të disa grimcave të quajtura mezone.

Ky është përfundimi që kanë arritur disa eksperimente si "BaBar", i përshpejtuesit linear të kuanteve të Stendfordit, që ka lejuar kthimin pas të rrjedhës së kohës për mezonet. Eksperimentet bazohen mbi supozimin se ekziston një karakteristikë më e rëndësishme, që mbetet e pandryshuar, simetria CPT: nëse kthehet prapa koha, ngarkesa e grimcave (ato pozitive, bëhen negative dhe e kundërta) dhe barazia (pra kthimi i anasjelltë nga lart poshtë, nga e djathta në të majtë, nga para, mbara) atëherë në fund do të kemi një simetri perfekte.

Mezonet janë shumë të rëndësishme për shkencëtarët, por nuk kanë ndonjë vlerë të madhe për jetën tonë të përditshme. Por në fund mbetet një dyshim: pse të gjitha proceset në natyrë zhvillohen gjithmonë në një drejtim, pra që gjërat e vjetra nuk bëhen të reja? Përgjigjja duhet kërkuar në origjinë: "Universi ka lindur në një gjendje shumë të veçantë, energjia e të cilit është përhapur në mënyrë uniforme", shpjegon fizikani.

Ligjet e fizikës mbeten të pandryshueshme nëse zëvendësohet e shkuara me të ardhmen, por evolucioni i kozmosit ndodh në një mënyrë precize, që koincidon me rritjen e kaosit. Motivi? "Nuk e dimë ende", pohon fizikani. "Sekreti mund të fshihet te formulat e relativitetit. Në këtë teori, hapësira dhe koha ndërthuren me njëra-tjetrën dhe problemi i shigjetës së kohës ndryshon krejtësisht kundrejt vizionit tradicional, në të cilin koha ecën në një drejtim të vetëm".

Universi në pasqyrë

Në fund, sfida e vërtetë për shkencëtarët është një e vetme: të kuptojnë përse universi ka lindur në një stad kaq të veçantë. Fizikani indian Abhay Ashtekar ka një mendim: ishte e nevojshme që kjo të ndodhte, sepse, sipas llogaritjeve të tij të bazuara te "Loop quantum gravity", Big Bang nuk ishte vërtet bota e parë: para universit tonë ka ekzistuar një tjetër. "Ishte ekzaktësisht i njëjtë, kishte të njëjtën masë dhe energji, por në vend që të zgjerohej, u mblodh derisa u bë shumë i vogël. Më pas u zgjerua sërish". Fizikani nuk përjashton edhe faktin që në këtë univers edhe shigjeta e entropisë lëvizte në kahun e kundërt, duke i dhënë në të vërtetë origjinë një bote të ngjashme me këtë të sotmen.

Polip-kandil-polip

Çuditërisht në natyrë ekziston vërtet një gjallesë që të kujton Benjamin Button dhe akoma më shumë mizën e bardhë, zogun mitik që lind nga hiri. Quhet "Turritopsis dohrnii" dhe është një polip (si ata që jetojnë nëpër korale), që në fazë madhore të jetës së tyre shndërrohen në kandila. Më pas, në disa raste shndërrohen sërish në polip. Një biologe nga Pensilvania ka publikuar së fundmi në një revistë shkencore një studim gjenetik mbi përhapjen e kësaj specieje: "Polipet riprodhohen në mënyrë aseksuale, formojnë koloni individuale, të gjitha të ngjashme mes tyre. Kandilat ushqehen me plankton dhe riprodhohen në mënyrë aseksuale: lëshojnë në ujë spermë dhe vezë, nga të cilat formohet një zigotë, më pas një larvë, që depozitohet dhe shndërrohet në polip", tregon ajo. Kështu vazhdon cikli. Në fund kandili ngordh, por vetëm nga ngjarje traumatike, si për shembull mungesë ushqimi ose ndryshimi i temperaturës. "Në këtë rast, gjallesa fundoset në fund të ujit dhe formon një top që quhet cist. Në harkun kohor të 24 orëve, qelizat e saj riorganizohen krejtësisht, prej ku lind edhe një polip i ri".

Ka nga ata persona që fantazojnë se këto studime mund të na çojnë në një të ardhme të largët, te kurat për kancerin, ose metodat për të zgjatur jetën. Gjithsesi, biologia thotë se është shumë shpejt për të arritur në të tilla përfundime, sepse nuk përfshihen mekanizmat molekulare dhe mbi të gjitha njeriu është një gjallesë më e komplikuar se kandili.

Si eliksiri i jetëgjatësisë

Ndërkohë, nga një grup shkencëtarësh është zbuluar një mekanizëm molekular shumë i përshtatshëm për të zgjatur jetën, mjafton të çaktivizohet gjeni për receptorin e angiotensinës (një hormon), sepse në këtë mënyrë aktivizohen dy gjenet e jetëgjatësisë, Nampt dhe Sirtuina 3.

Te minjtë gjenetikisht të ndryshueshëm kjo metodë funksionon, ato me gjen të çaktivizuar jetojnë 30 për qind më shumë. "Këto studime, kur zhvillohen te minjtë nuk kanë shumë ndërlikime. Kemi në dispozicion ilaçe që lidhen me receptorët e angiotensinës, të cilat ndalojnë funksionimin". Gjithsesi, në të ardhmen, ndoshta do të kemi ilaçe për të zgjatur jetën tonë deri në një shekull. Pas universit, rastit të Benjamin Button dhe kandilit miza e bardhë, shkenca premton të na dhurojë edhe eliksirin e jetëgjatësisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora