E marte, 08.10.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Marsi, nis eksperimenti për udhëtimin e parë

E premte, 03.04.2009, 12:25 AM


Janë sypatrembur dhe do të donin të shkonin aty ku asnjë qenie njerëzore nuk e ka vënë këmbën më parë. Të paktën kjo është një ëndërr që e kanë marrë shumë seriozisht. Bëhet fjalë për një eksperiment për përgatitjen e një misioni hapësinor me njerëz drejt planetit Mars. Eksperimenti ka nisur dje me 6 vullnetarë, që kanë hyrë në një dhomë të izoluar, të ndërtuar sipas kushteve reale në hapësirë. Ata do të qëndrojnë aty 105 ditë dhe "të guximshmit" janë 4 rusë, një gjerman dhe një francez. Ambienti është krejtësisht i mbyllur, pa dritare, në formën e një kapsule dhe ndodhet në Institutin për Çështjet Biomjekësore në Moskë. Ka një sipërfaqe 550 m3, ose thuajse sa një e katërta e hapësirës së një pishine me përmasa olimpike. Ata kanë ndërprerë çdo lidhje me botën e jashtme dhe monitorohen 24 në 24 nga qendra e kontrollit të misionit. Edhe komunikimet mes qendrës dhe pjesëtarëve të eksperimentit do të bëhen me një vonesë 20 minutëshe, për të stimuluar edhe kohën që një mesazhi i duhet të vijë nga Toka në një pikë të caktuar të hapësirës dhe anasjelltas. Sipas shkencëtarëve, eksperimenti 3-mujor pritet të japë shumë informacione në lidhje me efektet psikologjike dhe fizike që ushtron hapësira ndaj astronautëve që ndërmarrin udhëtime të distancave të largëta hapësinore. Ky është preludi i një eksperimenti 520 ditësh, që do të simulojë edhe kohën që mendohet se zgjat kthimi i një anijeje kozmike nga Marsi në Tokë, përfshi edhe 30 ditë qëndrim në sipërfaqen e planetit. Instituti po ndërton një ambient shumë të përafërt, me kushtet që mendohet se ekzistojnë në Mars. Anëtarëve të grupit do t‘u mundësohet largimi vetëm nëse do të vendosnin që ta linin përgjithmonë eksperimentin, ose në rast të ndonjë sëmundjeje të papritur e të rëndë. Secili prej vullnetarëve ka një kabinë, një shtrat, një tryezë dhe një karrige. Ata kanë mundësi që të kontaktojnë me shokët dhe familjet vetëm përmes qendrës së kontrollit. "Ne kemi punuar për një projekt të tillë për një kohë të gjatë dhe më në fund ndodhemi në fillim të tij", ka bërë të ditur Ciril Fournier, 40 vjeç, pilot i "Air France". Ndërsa Oliver Knocker, 28 vjeç, një inxhinier në ushtrinë gjermane, thotë: "Sfida është të jetosh me të njëjtët njerëz për një periudhë të gjatë kohe, por gjithsesi është një sfidë pozitive". Ekuipazhi do të ketë të njëjtat racione ushqimore, si edhe astronautët që ndodhen në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. Ata do të kryejnë edhe 72 eksperimente shkencore, do të mbajnë në punë gjatë gjithë kohës sistemin operacional të "anijes" dhe do të veshin shumë shpesh skafandrin e pajisur me 128 elektroda për të monitoruar trurin dhe aktivitetin e organizmit të tyre në kushtet tepër specifike të mungesës së gravitetit. Situata e tyre shëndetësore do të monitorohet edhe gjatë kohës që ata janë në gjumë. Për të marrë pjesë në këtë eksperiment aplikuan 5600 persona dhe vetë projekti është një bashkëpunim mes Agjencisë Hapësinore Evropiane dhe asaj ruse. Oleg Atromov, kozmonaut, Aleksei Baranov, psikoterapist sporti, dhe anëtarë të tjerë të ekuipazhit do të marrin në fund të eksperimentit 30 mijë dollarë. Pak a shumë bëhet fjalë për një lloj "Big Brother", por këtë herë në kushte shumë më specifike se ato në të cilat zhvillohen spektakle të tilla e mbi të gjitha me pjesëmarrjen e një personeli shumë të specializuar dhe të instruktuar. Kamera të posaçme filmojnë 24 në 24 jetën brenda kapsulës, por sigurisht që bëhet fjalë për një eksperiment shumë të rëndësishëm shkencor, përmes të cilit shkencëtarët do të përpiqen që t‘u japin përgjigje shumë pyetjeve në lidhje me përshtatjen e njeriut në kushtet e hapësirës dhe mbi të gjitha në fluturimet afatgjata. Për sa u përket anëtarëve të vërtetë të ekspeditës, që do të shkojnë në Mars, ata do të përballen me një izolim shumë të madh, ndaj një nga gjërat kryesore që do të mësohet nga ky eksperiment do të jetë edhe reagimi psikologjik dhe fizik i njerëzve ndaj kushteve shumë specifike të një izolimi të gjatë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora