Shtesë » Shoqëria
Vlora Banushaj: Sa e gjatë një ditë!!!
E diele, 22.02.2009, 02:41 PM
SA E GJATË NJË DITË!!!
Shkruan Vlora BANUSHAJ
Sa e gjatë një ditë, duke kaluar nga mëngjesi, mesdita, mbrëmja e në mesnatë. Zgjohem vonë, zgjohem atëherë kur të tjerët i kanë mbushur tre orë pune, e madje e kanë kryer edhe kafen e mëngjesit, e besa edhe mëngjesin e kanë ngrënë dhe kanë filluar ditën e re shumë më herët se sa unë e shumë të tjerë kështu si unë "të vonuar". Edhe pse për të gjithë dielli lind në të njëjtën kohë, edhe pse ora shënon kohën e njëjtë për të gjithë, por ja që disa e përshëndesin lindjen e diellit më herët e disa më vonë!
Të zgjohem apo të rri ende në shtrat?! Të zgjohem çfarë kam të bëjë sot? Cilat janë detyrat që më presin sot? A e kam ndonjë termin të caktuar? Jo, dua të rri edhe pak, edhe pse rrezet e diellit ka moti që kanë hyrë në dhomën time dhe më duket sikur ma adresojnë kërkesën e tyre: "zgjohu, se sot është ditë e re!” Më mirë është të punosh kot se sa të rrish kot?!.
U hedhë një sy librave të shkapërderdhura mbi tavolinë, të lëna ashtu nga mbrëmë, dhe më duket sikur edhe ato më ftojnë t'i shfletojë - të paktën ndonjë fletë të tyre pasi kohë kam me bollëk! Dhe prapë vazhdojë t'i mbyllë sytë për të kaluar nga ky realitet në një tjetër, ndoshta me të mirë?! Të paktën për disa çaste! Cingërima e telefonit më tremb dhe më kthen prapë në këtë realitet ...
Dhe ashtu e zgjuar e shikoj gazetën e përditshme dhe, si zakonisht, e shfletoj nga fundi. Aty mundohem ta hapë faqen e "shpresës", por kjo do të ndodhte vetëm atëherë sikur të mos e dija realitetin, sikur të mos i shikoja ato që po ndodhin rreth nesh dhe me ne...ato që vet po krijojnë një mjegullnajë, një hije, një re të zymtë mbi shpresat tona se një ditë do të zgjohem më herët, një ditë do të shpejtoj, një ditë do ta kem kohën me të ngarkuar... Dhe ashtu i shfletoj dhe i lexoj këto faqet e fundit të gazetave pa ndonjë interesim të veçantë, me një indiferencë, pa ndonjë shkëndijë shprese në sy. E mbyll ashtu si edhe e kam hapur, ngase kanë kaluar ato ditë kur e merrja gazetën e shfletoja nga kureshtja!!!
Dhe prapë rri e shtrirë në shtrat edhe pse ora ka vajtur më shumë se 9. Është ditë pune, po po ditë pune! Po çfarë të bëjmë ne “armata e të papunëve”? Ta kalojmë kohën kështu me kotësira, ta mbushim ditën me gjumë, t'i ndërrojmë ditët me net apo?...
Tingujt e këngëve të njëjta na përcjellin çdo mëngjes, i kemi mësuar besa edhe përmendsh, deshëm apo nuk deshëm, na e imponon përsëritja e gjërave të njëjta. Të gjitha emisionet në radio dhe televizion i dëgjoj , i kam mësuar terminët e të gjitha emisioneve, të gjitha ngase diçka duhet të dëgjoj atëherë kur nuk lexoj! Diçka duhet të shikoj atëherë kur shpirti kafshohet nga kotësia.
Mbi tavolinë i shikoj plot letra, një dy, tre, katër janë shumë këto. Të gjitha janë në tavolinën e dhomës sime. Të gjitha këto kanë karakteristika të përbashkëta: të njëjtat të dhëna, i njëjti kualifikim, e njëjta biografi... Këto që, tani pas luftës, po i quajnë aplikacione, por të destinuara për në vende të ndryshme, në institucione të ndryshme: njëra në Pejë, tjetra në Prishtinë, tjetra në..., e kështu vazhdojnë këto rrugëtimin e tyre, por të mbetura të gjitha në të njëjtën adresë në të cilën shkruan në të. Një konkurs, një shpresë më shumë, një intervistë edhe një shpresë më shumë, një cingërimë e telefonit...një dridhje e zemrës "se mos ndoshta?!" - ngase në intervistë e kam vlerësuar se unë kam qenë e suksesshme...një refuzim për punësim edhe një zhgënjim më shumë. Dhe duke menduar ashtu më dukët sikur kjo shpresë është vyshkur dhe ka mbetur brenda këtyre faqeve pa e pasur fatin ta ndërroj formën në realizimin e saj. E kujt t'ia hedhë fajin për këto shpresa të vyshkura, kujt?...
Tani kam filluar t'i arkivoj në shtëpinë time të gjitha këto kërkesa për punë bashkë me diplomën dhe dëshmitë për kualifikimet tjera. Aty e kam arkivuar edhe shpresën e vyshkur - brenda për brenda këtyre letrave. E kur shpresa mbetet e izoluar, pa dritë... merrni me mend - pa frymë! Sa ngulshim më vije vetëm kur e mendoj këtë!
Dhe pasi që jam një që "kam problem me kohën - kam kohë me bollëk", e nuk e di se çfarë të bëjë me këtë kohë, në mesditë vendos të bëjë një shëtitje në qytezën time të vogël, por me plot halle. Shkoj deri në periferi, i shoh fabrikat e shumta, i shikoj. Ato rrinë! Rrimë edhe ne!!! Ato na presin neve e ne i presim ato, dhe duke pritur po na shkojnë ditët, javët, muajt besa edhe vitet. Duke pritur po e kalojmë kohën pa bërë asgjë. A ka më vështirë të rrish, të mos bësh asgjë? Shumë e vështirë është kjo, këtë mund ta thonë vetëm ata që janë duke e përjetuar këtë rrjedhë të kohës pa e shfrytëzuar për asgjë. E këta janë plot e përplot, të gjithë të rinj, shumica të kualifikuar. Ata i gjen, i sheh rrugëve, kafeneve në të cilat buçet muzika dhe në shikim të parë të lënë përshtypjen se u kënaqem - tëra punët i kemi të koordinuara. Por ajo është vetëm një shikim nga jashtë sepse ata kanë filluar të jetojnë me shpresën e cila çdo ditë po vyshket në sytë e tyre...duke kërkuar të punojnë diçka, të angazhohen diku, t'i manifestojnë ato shkathtësi për të cilat janë të kualifikuar. Kjo gjendje provokon tek ata një dëshirë të imponuar, ta lëshojnë vendin e tyre, t'i marrin udhët e botës, të humbin diku në botë, e të fillojnë një jetë të re me plot e përplot peripeci. Ta fillojnë jetën prej zeros - merreni me mend?!
Eh, si kjo ditë janë të gjitha ditët, si unë janë shumë të tillë. Një ditë nuk ndryshon shumë nga dita tjetër, është si sot, si dje, por, edhe si nesër... të duket se ndonjëherë është duke u përsëritur e njëjta ditë dhe një ditë e tillë nuk ka fund. Shpesh i pyes ata që i kam afër: po cila ditë është sot? - sepse të gjitha po më duken të njëjta!
Dhe më duket se të gjitha ditët janë shkrirë në një ditë: e hëna i ngjan të dielës, e diela i ngjan të hënës... Ato çka i bën ditën e hënë i bën edhe ditën e diel... të gjitha rrjedhin me të njëjtin ritëm, pa ndonjë shpejtim apo ngadalësim ritmi.
Ne kemi pushim çdo ditë, kemi pauzë në çdo kohë, kemi kohë mjaft - për gjithçka! Dikush do të dëshironte vetëm edhe pak kohë të kishte. Eh, sa punë neve na pret e ne rrimë kështu duarkryq! Ne jemi ata që jemi; ata që me këtë jetë të paorganizuar e të paplanifikuar në këto ditë uniforme; ata që po e humbin çdo ditë e më shumë shpresën se një ditë do të jetë pak më ndryshe se të tjerat, nga ato që po i jetojmë, se një ditë do të zgjohem më herët!!!
Vazhdimisht në mendje e kam thënien: "Koha është ar. Çdo çast i pashfrytëzuar humbet përgjithmonë". Merrni me mend kohën tonë -si na rrjedhë! Merrni me mend se si e kalojmë ne kohën!