E merkure, 24.04.2024, 07:33 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Sporti, ja si mund të kurojë sëmundjet

E diele, 08.02.2009, 10:08 AM


Nuk bëhet fjalë vetëm për patologji fizike, por edhe për depresionin e neurozat

Kanoet, ngjitjet sportive apo noti, shpesh më të mira se medikamentet

Marko është 60 vjeç. Ai vuan nga diabeti dhe është mbipeshë. Për këtë arsye, mjeku i ka këshilluar të ecë çdo ditë sa më shumë të mundet dhe të shkojë në palestër të paktën tri herë në javë. Sara, 68 vjeçe, vuan nga tensioni i lartë i gjakut dhe bën jetë sendentare: nëse dëshiron të reduktojë rrezikun e një infarkti, duhet të mbajë nën kontroll tensionin me ushtrime fizike, që ka të njëjtin efekt si ilaçet. Në Suedi, mjekët e përshkruajnë aktivitetin fizik në vend, ose bashkë me ilaçet në recetë, që prej vitit 2003. Aty është e detyruar që, bashkë me ilaçet për sëmundjen e caktuar, të shkruash edhe aktivitetet sportive që të bëjnë mirë. Në Amerikë, "American College of sports medicine", ka prezantuar në vitin 2007 "Exercise in medicine", një program i detajuar për mjekët dhe pacientët që i bashkëngjisin patologjive të ndryshme ushtrimet fizike më të përshtatshme. Në vende si Italia, Franca dhe Spanja, si pjesë e politikave shëndetësore është menduar që ushtrimet fizike të përshkruhen në recetat që japin mjekët e familjes. Në bazë të sëmundjes nga e cila pacienti vuan, duhet dhënë edhe ushtrimi fizik më i përshtatshëm. Megjithatë, ashtu si ilaçet, edhe lëvizjet mund të kenë efekte anësore, që duhen vlerësuar nga njerëzit kompetentë për këtë.

Sëmundjet kardiovaskulare

"Në fakt, duhet zgjedhur me kujdes lloji i ushtrimit fizik që duhet të bëjmë, në varësi të patologjive. Kush ka kaluar një infarkt, çdo ditë, duke bërë ushtrime të rregullta aerobike, redukton me 50 për qind mundësinë për të pasur një tjetër. Për këtë arsye, këshilla për ushtrime fizike është një tregues i detyrueshëm për parandalimin dhe trajtimin e infarktit të miokardit, arteriopatinë dhe probleme të tjera kardiake. Ai është i domosdoshëm edhe për faktorë të tjerë që rrisin rrezikun kardiovaskular si hipertensioni, diabeti, obeziteti, kolesteroli i lartë në gjak etj.", shpjegon shefi i departamentit të kardiologjisë në një nga spitalet më të mëdhenj shtetërorë në Paris. Për të favorizuar përshtatjen me një stil aktiv jetese nga pikëpamja fizike te të gjithë dhe në veçanti te të sëmurët me zemër, dhe për t‘i shtyrë mjekët të përdorin klinikisht efektet pozitive të aktiviteteve fizike, shoqëritë më të mëdha shkencore kombëtare të mjekësisë sportive dhe kardiologjisë publikuan një studim të përbashkët në "Journal of Cardiovascular Medicin". Sipas tij, mjekët janë të detyruar t‘u këshillojnë pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kardiologjike, ushtrime të domosdoshme fizike. Aktiviteti fizik ka një efekt të drejtpërdrejtë mbi faktorë të tjerë të rrezikshëm si trigliceridet, sheqeri dhe kolesteroli. "Ai që vuan nga tensioni dhe kolesteroli i lartë në gjak e ka të detyrueshëm të merret me aktivitet motor. Më shumë se sa kaloritë e harxhuara, më të rëndësishme janë veprimet që një ushtrim fizik ndikon mbi sistemin endokrino-metabolik", tregon një profesor në departamentin e endokrinologjisë në universitetin "Roma 3". Një program i moderuar me aktivitet motor, që parashikon të paktën 30-40 minuta ecje në ditë dhe tri herë në javë ushtrime aerobike, është i barasvlefshëm me një ilaç të mirë. Këtë e tregon më së miri fakti që, në këtë mënyrë, mund të reduktohen nivelet në gjak të disa molekulave kryesore për sëmundjen.

Artriti

Mund të duket e pabesueshme që të mendosh të lëvizësh kur vuan nga dhembjet e kyçeve, por ushtrimet fizike mund të jenë një qetësues më i efektshëm se ilaçet për ata që vuajnë nga artriti. Këtë e tregon një studim i publikuar në "Arthrits Care and research": të ndjekësh një program të rregullt për tetë javë ka lehtësuar dhembjen te pacientët, ndjenjën e lodhjes dhe cilësinë e jetës. Përmirësimet ishin të dukshme edhe disa muaj pas përfundimit të eksperimentit. "Përjashtohen aktivitetet e dëmshme për kyçet, në veçanti ato që rrisin ngarkesën. Më i këshillueshëm është noti, pasi shtyrja e ujit lejon reduktimin e ngarkesës që kanë kyçet".

Osteoporoza

Aktiviteti i rregullt fizik është në gjendje të ruajë densitetin kockor dhe të zvogëlojë rrezikun e frakturave. Është e rëndësishme të mbash një ngarkesë mekanike në kocka, domethënë jo vetëm duke bërë ushtrime me ngritje peshash në palestër, por edhe duke ecur, kërcyer, ngjitur shkallët. "Duhen bërë ushtrime aerobike, gjatë të cilave pacienti duhet të përqendrojë forcën te muskujt dhe kocat. Në këtë mënyrë, rritet edhe masa muskulore, që na mban në gjendje të mirë shëndetësore", shpjegojnë mjekët. Të ecësh me ritëm të qëndrueshëm rreth një orë në javë redukton rrezikun frakturave në brinjë me 6 për qind, ndërsa tetë orë në javë e reduktojnë me 50 për qind. Po ashtu, studimet shkencore tregojnë se nuk është kurrë vonë për të filluar: edhe te gratë e moshuara, ushtrimet fizike japin rezultate të mira.

Depresioni

Që sporti përmirëson simptomat e depresionit, kjo është provuar nga shumë teste të bëra te kafshët. Është parë se lëvizja rregullon nivelet e një substance që prodhohet nga truri, e cila në nivele të larta lidhet me depresionin. Studimet kanë treguar se ecjet ose vrapimet, tri herë në javë, për rreth 20 minuta, përmirësojnë humorin njëlloj sa psikoterapia individuale apo ajo në grup. Ushtrimet fizike mund të zvogëlojnë rrezikun e prekjes nga diabeti, Alzhimeri dhe Parkinsoni.

 

 

 

 


Dhjetë sportet magjike

Revista "Forbes" ka hartuar listën ku bëjnë pjesë dhjetë sportet më të suksesshme, duke konsultuar ekspertët e fituesit, trajnerët, instruktorët personalë, fizioterapistët dhe atletët. Ja klasifikimi


Skuashi

Mjafton vetëm gjysmë ore në fushë, për të zhvilluar performanca të shkëlqyera kardio-respiratore dhe për të harxhuar më shumë kalori se në një ndeshje futbolli. Aktivitete fizikë shtesë të këshillueshëm janë vrapi dhe joga.

Kanoe

Rrit rezistencën kardio-respitarore e muskulore dhe nuk ënjt muskujt. Fillon që në moshën tetëvjeçare duke bërë një pushim rreth të 16-ave. Rifillohet pas moshës 18 vjeç dhe vazhdon deri në 60 vjeç.

Ngjitje sportive

U këshillohet atyre që janë të aftë ta praktikojnë. Ngjitja zgjat muskujt, i bën më të fortë dhe elastikë. Është një aktivitet jo-aerobik dhe i ngadaltë, por për gjysmë ore digjen 500 kalori.

Noti

Është një sport i jashtëzakonshëm, nga i cili zemra dhe mushkëritë janë ato që përfitojnë më shumë. Përveçse rrit aftësinë respiratore, ndihmon në fuqizimin e gjithë masës muskulore.

Ski

Vë çdo muskul në lëvizje dhe është një ushtrim i mirë për elasticitetin e këmbëve, shpinës dhe shpatullave, ndërsa nevoja për ta ruajtur temperaturën e trupit, nxit metabolizmin dhe rrit konsumin e kalorive.

Basketbolli

Lëvizja e vazhdueshme aerobike stërvit frymëmarrjen, ndërsa ndryshimet e shpejta të drejtimeve rrisin forcën dhe elasticitetin.

Çiklizmi

Është i mirë për sistemin kardiak dhe respirator. Ndihmon në djegien e shpejtë të kalorive.

Vrapi

Këmbë të tonifikuara në formë të përkryer, frymëmarrje e mirë dhe formë fizike e jashtëzakonshme.

Pentathaloni

Ndoshta nuk është shumë trendi dhe jo shumë i thjeshtë për t‘u praktikuar, por, me siguri, është i shëndetshëm. Noton 200 metra, pastaj vrapon për 3 mijë të tjera, duke stërvitur mushkëritë dhe zemrën. Skerma rrit elasticitetin, hipizmi rezistencën muskulore, ndërsa goditja me pistoletë rrit përqendrimin.

Boksi

Janë të shëndetshme për zemër dhe frymëmarrjen ushtrimet përgatitore si vrapi, hedhjet në litar dhe goditjet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora