E hene, 26.07.2021, 01:48 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

“Vdekshmëria foshnjore, më e larta në Evropë”

E marte, 09.09.2008, 10:35 PM


Vdekshmëria foshnjorë në Shqipëri mbetet më e larta në Evropë.

Për 1 000 lindje humbin jetën 18 fëmijë ose 3 herë më shumë se në këto vende. Të dhënat vijnë nga raporti i organizatës “World Vision”. Infeksionet akute të rrugëve të frymëmarrje veçanërisht pneumonia janë shkaqet kryesore të vdekshmërisë foshnjore. Por nuk mbeten prapa edhe sëmundje të tjera në 28 ditët e para të jetës, si ato të aparatit tretës dhe keqformimet. “Fenomeni është më i përhapur në zonat rurale ku mungon informacioni dhe edukimi tek nënat. Kequshqyerja për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike mbetet një tjetër faktor”, thuhet në raport. Përfaqësuesit në terren të organizatës kanë vërejtur se, në zonat rurale mbizotëron kultura e trajtimit në shtëpi të sëmundjeve me mjekime tradicionale. Por në shumicën e rasteve ato çojnë vetëm në përkeqësimin e gjendjes së fëmijës. Në jo pak raste ata paraqiten tek mjeku atëherë kur është shumë vonë. Përkundër këtij raporti nga deklaratat e mëparshme të drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë është bërë me dije se, vdekshmëria foshnjore në vend ka pësuar ulje. Madje, zyrtarisht ky dikaster ka raportuar se kemi 14.6 vdekje për 1 000 lindje, çka bie në kontradiktë me të dhënat e organizatës “World Vision”. Sipas kësaj organizate, ndonëse është një nga fenomenet më të mprehta, nuk është më emergjenti që kërkon zgjidhje. “Gjithsesi vdekshmëria foshnjore është një prej treguesve të shumë problemeve të tjera në shëndetësi, me të cilat po përballet Shqipëria sot”, citohet në raport. Po nga të dhënat e ndërkombëtarëve rezulton se në vendin tonë më shumë se 7% e fëmijëve janë të kequshqyer. Fëmijët meshkuj që humbin jetën, krahasuar me femrat, janë më të shumtë në numër. Pneumonia mbetet më kërcënuesja prej këtyre sëmundjeve. Rreth 11% e vdekjeve të fëmijëve shkaktohen prej saj. Mjekët tanë specialistë bëjnë apel se për të kapur në kohë këtë sëmundje fëmijët duhet të çohen te pediatri menjëherë sapo të shfaqen shenjat e para, si vështirësi në frymëmarrje, kollë e fortë, apo dhimbje në gjoks.

Vdekjet në fshat

Më shumë fëmijë deri në moshën 1 vjeç vdesin në fshat sesa në qytet. Sipas të dhënave, 63% e të vegjëlve u përkasin zonave rurale, ndërsa 37% e tyre qyteteve. Mjekët sqarojnë se numri i vdekjeve është më i lartë në fshatra, mbasi në pjesën më të madhe të këtyre zonave mungon kujdesi shëndetësor. Një tjetër faktor që shkakton vdekjen e fëmijëve të kësaj moshe është edhe kequshqyerja e tyre, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike.

Foshnjat 28-ditëshe

Rreth 40 për qind e vdekjeve foshnjore në vendin tonë ndodhin në 28-ditëshin e parë të jetës. Sipas specialistëve, në rast se një i porsalindur nuk asistohet mirë, ai rrezikon të mbetet një fëmijë me paaftësi dhe kjo është një vuajtje me kosto të lartë për familjen dhe shoqërinë. Për këtë është e nevojshme që të trajtohet më mirë stafi mjekësor, pasi mangësitë janë të mëdha.

Godo: Mësues fizkulture ishin drejtorë spitalesh

Ministrja e re e Shëndetësisë, Anila Godo, shprehet e vendosur në dërgimin në Prokurori të të gjithë abuzuesve në sistemin shëndetësor. Godo prezantoi dje para deputetëve të Komisionit parlamentar të Shëndetësisë strategjinë e reformës së thellë në sektorin më problematik. Në raportimin e saj, deputetja, si e para ministre që e realizon për këtë sesion parlamentar, Godo bëri të ditur se ka gjetur menaxhimin më te keq të spitaleve në vend. Ajo ka kritikuar drejtuesit e mëparshëm në këto qendra, të cilët kanë sjellë këtë krizë të shëndetësisë, e cila është vënë re për çështjet e ilaçeve. Ajo ka sulmuar më pas paraardhësin e saj, Nard Ndoka në lidhje me emërimet e kryera nëpër spitale. “U vunë të menaxhojnë shëndetësinë persona që s’kishin aspak të bënin dhe aspak të përgatitur për menaxhimin shëndetësor, deri në atë pikë sa kemi vajtur në spitale rajonale dhe kemi gjetur një mësues matematike, një profesor fizkulture, një mësues fizike që menaxhojnë një spital”, deklaroi ministrja Godo. Përsa i përket çështjes së ilaçeve, Godo ka bërë publike se ka gjetur stoqe të ilaçeve dhe se është habitur për mungesën e tyre nëpër spitale. “Janë bërë shumë gabime në lidhje me shpërndarjen e ilaçeve. Trishtimi në shëndetësi ka qenë mungesa e 90 për qind të ilaçeve nëpër spitale. Kjo ka ardhur nga ajo mungesë truri në menaxhimin e spitaleve. Shpresojmë që në fund të muajit shtator dhe në fillim të muajit tetor të zgjidhet kjo çështje, pasi po blejmë ilaçe me hapa të shpejtë”, deklaroi Godo. Ministrja e Shëndetësisë është shprehur e vendosur në ndëshkimin e atyre zyrtarëve që kanë sjellë probleme me shpërndarjen e ilaçeve nëpër spitale të vendit si dhe në kryeqytet. Ajo me vendosmëri ka premtuar dhe ndjekje penale për gjithë ata persona që kanë qenë të përfshirë në afera korruptive me tenderat e barnave. “Ne jemi të vendosur, është pak e hidhur ta thuash me kënaqësi, të çojmë personat e duhur për ndjekje penale dhe në prokurori. Por do të kemi kënaqësinë më të madhe për të ndëshkuar abuzuesit”, u shpreh ministrja Godo. Ministrja e Shëndetësisë ka paralajmëruar mbyllje të spitaleve që nuk kanë rezultate. Ndërkohë që nuk do të lejojë prishjen e kontratave shëndetësore me rrethet, pasi kjo ka sjellë dhe prapambetjen e spitaleve të ndryshme në vend. “Askush të mos më afrohet për të prishur kontratat shëndetësore me rrethet”, deklaroi Godo. Nga fundi i vitit pritet që të përfundojnë dhe kartat e shëndetit, por sipas ministres, pritet dhe konsulenca e huaj. Deputetët e Komisionit të Shëndetësisë shprehën vlerësime pozitive për platformën e paraqitur nga ana e ministres, duke u shprehur se për herë të parë jepen më në mënyrë të detajuar reformat që pritet të realizohen në sistemin e shëndetësisë. Deputetët e opozitës kërkuan që në disa qytete të mos mbyllen spitalet, edhe pse janë kryer disa investime gjatë këtyre viteve.   b.h

Shëndetësia shqiptare në “shock”

Zirina Llambro

“Spitale me higjienë përtokë dhe qendra shëndetësore që u mungon, madje dhe uji. Edhe pse kanë kaluar 18 vjet që nga rënia e komunizmit kur shëndetësia shqiptare pësoi një situatë “shoku”, efektet ndihen edhe sot.

 Supozohet që shërbimi të jetë falas, por nuk ndodh gjithmonë kështu”, nënvizohet në raportin e organizatës “World Vision”. Sipas tij, decentralizimi i sistemit shëndetësor ka rezultuar i paefektshëm, sidomos në zonat rurale. “Papërgjegjshmëria në trajtimin e pacientëve dhe mungesa e kualifikimit të stafit të mjekeve kanë ndikuar në përkeqësimin e problemit. Shumica e qendrave shëndetësore kanë mangësi jo vetëm në personel e higjienë, por në shumë prej tyre mungon dhe uji”, raportojnë përfaqësuesit në terren të organizatës. Ata pohojnë gjithashtu se, në fshatra mjekët apo infermierët nuk kanë motivimin e duhur për të këshilluar e për t’i dhënë informacion komunitetit. Për fushata sensibilizuese as që bëhet fjalë. “Infermieret e fshatrave bëjnë minimumin, madje më pak se minimumin. Në qendrat shëndetësore duhet të ofrohet shërbimi i plotë tetë orë në ditë për pacientët që kanë nevojë. Por infermieret nuk punojnë më shumë se 2 orë në ditë”, saktëson “World Vison”. Referuar intervistave edhe me banorët në fshatra vërehet se kjo popullatë është e harruar. “Trajnimet e ndryshme për të informuar nënat në njohjen e simptomave për sëmundje të ndryshme janë mëse të domosdoshme”, cilësojnë përfaqësuesit. Alarmi për zona të tëra të pambuluara me shërbim mjekësor është ngritur disa herë edhe nga Ministria e Shëndetësisë. Por konkretisht për të ndryshuar situatën nuk është bërë asgjë. Reformat e nisura për shpërndarjen e mjekëve në rrethe kanë rezultuar të dështuara. Në 12 komuna në gjithë territorin e vendit s’ka mjekë e infermierë. Sipas të dhënave nga vetë ministria, zona e Dibrës, Kukësit dhe Shkodrës vuajnë prej vitesh mungesën e shërbimit shëndetësor. Problematike është gjendja edhe  në jug, ku fshatra në Vlorë e Gjirokastër kanë të njëjtin problem. Ministrja aktuale, Anila Godo është shprehur se, për të zgjidhur këtë problem do të nënshkruhen kontrata disamujore me mjekët. Ndërkaq ajo ka paralajmëruar se bluzat e bardha që bëjnë specializime në Tiranë dhe nuk kthehen më në vendet e tyre të origjinës do të penalizohen. Në rast se kundërshtojnë urdhrin rrezikojnë heqjen e licencës. Nuk dihet nëse praktikisht do të veprohet kështu. Kjo plagë në shëndetësi rrezikon direkt jetën e pacientëve. Vonesa në trajtim mund t’u kushtojë shtrenjtë.

“Shqipëria s’ka standarde për kontrollin e ilaçeve”

Në Shqipëri mungon kontrolli i barnave sipas standardeve  ndërkombëtare. Ato nuk fabrikohen, as shpërndahen dhe as ruhen siç duhet në farmaci. Sakaq, mungon edhe praktika e prodhimit të mirë të tyre. Ky është konstatimi i Bankës Botërore për barnat, pas studimit të kryer në institucionet spitalore e politikëbërëse në vendin tonë. Të dhënat bëhen me dije për publikun nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Mangësitë e mësipërme i përkasin procesit të inspektimit të ilaçeve, i cili është një prej 5 indikatorëve që i përkasin sektorit farmaceutik publik. Regjistrimi i barnave, promovimi, inspektimi, selektimi dhe prokurimi janë vlerësuar me një sistem pikësh që ka përcaktuar se ku çalon gjithsecili. Procesi i inspektimit është vlerësuar me 4.84 pikë nga 10, që i përkojnë togfjalëshit “pak i cenuar”. Sipas BB-së, ky sistem konsiderohet mesatarisht i cenuar dhe ka nevojë për masa të menjëhershme. Eshtë vënë re se, ka mangësi edhe në përgatitjen profesionale të inspektorëve dhe  fuqisë së tyre për të inspektuar vendet ku prodhohen, mbahen, testohen dhe shpërndahen barnat. Për të ndryshuar këtë gjendje ekspertët kanë sugjeruar si zgjidhje të mundshme bërjen transparente të rregullave për ilaçet, plotësimin e kërkesave sipas standardeve ndërkombëtare sa i përket fabrikimit, ruajtjes dhe kontrollit. Veç kësaj, këshillohet që të përcaktohen qartë detyrat, përgjegjësitë dhe fuqia për të ndëshkuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora