E premte, 25.06.2021, 08:18 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Dobia e filozofisë në jetën tonë

E shtune, 21.02.2009, 10:09 AM


Janë shumë gjëra që na nevojiten në këto momente. Me të vërtetë, jemi të varfër brenda këtij bollëku dhe rehatllëku që na ofron një teknologji që ndodhet nën shërbimin e nevojave të vërteta dhe të supozuara të njeriut. Por, vërtetojmë se sa më shumë kemi, aq më shumë nevojitemi dhe kjo përbën një rreth vicioz që është e vështirë të ndalojë, vetëm nëse arrijmë atë që me të vërtetë na nevojitet. Për këtë arsye themi: Na nevojitet më tepër filozofi.

Kur shpjegojmë qëllimet e filozofisë, theksojmë sidomos seminaret bashkëkohore të filozofisë që kryhen me mënyrën klasike. Dhe vëmë theksin aty, domethënë në mënyrën klasike, ku filozofia me kuptimin e gjerë të saj, përmban të gjithë fazmën e jetës dhe mundohet t'u përgjigjet pyetjeve të saj, pa u kufizuar në kuadra të kristalizuara që sot përdoren.

Dikush mund të pyesë veten: Pse, nuk ekziston filozofia në kohët e sotme, që t'i drejtohemi stilit klasik? Po ekziston, por… Nuk do të hymë në detaje të programeve universitare dhe as tek ato që në disa vende përdoren në gjimnaze. Ekzistojnë mësime filozofie, por ajo lëndë mbush jetën e atyre që e japin si mësim, apo jo, ose të atyre që ndjekin mësimet e filozofisë? Jo sipas programeve, por sipas mësuesve që e japin si mësim. Vetëm ata që dedikohen me dashuri të vërtetë në punën e tyre arrijnë të bëhen të kuptueshëm nga nxënësit e tyre dhe arrijnë të zgjojnë një ndjenjë kërkimi dhe takimi.

Të tjerët krijojnë një kaos të kotë mendor që përfundon në mënyrat e njohura, që përdoren sot për të karakterizuar filozofinë: budallëqe fjalësh të çuditshme dhe kuptime të pavlera dhe të padurueshme. Ky është mallkimi i padrejtë që vuan filozofia: të qënit e padobishme.

Nuk nevojitet për asgjë praktike dhe as nuk ofron para. Domethënë, për të nxjerrë dikush para në këtë sektor duhet të merret vetem me departamentin e arsimit (dhe jo gjithmonë me qejf) ose të ketë fatin e pabesueshëm të nxjerrë ndonjë libër që të mund të lexohet dhe të bëhet i pranueshëm. Akoma jehojnë tingujt e polemikave që u bënë në Spanjë kur u vendos të dilte kjo lëndë nga programet e shkollave të mesme. Pa u thënë qartë, lihej të kuptohej ideja e "padobishmërisë". Për këtë arsye u ankuan pedagogë dhe nxënës dhe fakti që disa njerëz guxuan të vërtetojnë se rinia pa filozofi nuk do të mësonte të mendonte, ishte me të vërtetë diçka e gëzueshme. Por ndoshta nuk është aty tema e bisedës? Ndoshta ajo që në të vërtetë u intereson - nuk mund të them se kujt, por duhet të ekzistojnë mbi një person - është të mos mendojë rinia dhe të lihet të zvarritet nga rrymat e budallepsura të modave. Mos ndoshta nuk do të ishte shumë më e vështirë të demagogohet një rini me aftësinë e të menduarit? Në çfarë gjendje mbeten me të vërtetë ata që mbarojnë shkollën universitare të Filozofisë? Pas disa vitesh punë, në mendjen e tyre ziejnë qindra ide kontradiktore të reflektuesve të epokave të ndryshme, pa mundur asnjëri të gjejë fillin që i bashkon këto epoka historike dhe mendimet që dalin nga to.

Filozofi i ri i sotëm (a mund të quhet filozof ai që mbaron këto studime?) jeton në konfuzion, ose ka prirje të ndjekë ato doktrina që me një mënyrë të shkathët i janë shfaqur si më të "mirat". Apo ndjehet i paaftë me kaq shumë argumente që nuk i sjellin zgjidhje për problemet që po përballon në jetën e përditshme. Për këtë, nuk është se i mungon tërësisht filozofia, por…

ÇFARË ËSHTË FILOZOFIA?

Kemi lexuar kaq shumë përcaktime të prejardhjeve të ndryshme, që do të thotë se nuk është e lehtë të mbetemi tek një tjetër akoma. As nuk duam të ngatërrohemi në polemikat që herë pas here skepticistët kanë krijuar midis tyre. Si nëse konsiderohet një shkencë e veçantë, si një shkencë e të gjitha shkencave, ose një jo - shkencë, kuptimet e sotme janë kaq të përziera sa për fat të keq i japin të drejtë atyre që besojnë se filozofia nuk ka lidhje me vetë jetën dhe kështu nuk sjell asnjë lloj dobishmërie tjetër, përveçse një ushtrim intelektual shqeto. Dhe as nuk na intereson të merremi me totalin e rastësive që ndryshuan qëllimin dhe konceptin e filozofisë.

Le të mjaftohemi të themi se nëse sot mund të duket si diçka e paarritshme dhe e pafrytshme, por në epokat klasike të Lindjes dhe Perëndimit, filozofia u përpoq t'u përgjigjet pyetjeve të mëdha mbi universin dhe njeriun dhe sidomos u përpoq të themelojë një mënyrë jetese, një ndihmë të rëndësishme për njeriun si një pjesë e universit.

Nëse do të bazohemi në traditat e lashta greke, ai që formoi për herë të parë fjalën filozofi ishte Pitagora, i cili deklaroi se ai vetë nuk ishte një njeri i ditur, por ishte një njeri që dashuronte diturinë, pra një "filozof". Ky është shpjegimi më i thjeshtë dhe më i thellë që gjejmë. Është pra dashuria mbi diturinë, ajo që mund të mundë njerëzit, ajo që hap sytë botës, ajo që e nxjerr nga një izolim egoist, dhe është ajo që e bën të jetë i shqetësuar në një mënyrë të shëndoshë në kërkimin dhe gjetjen e disa të vërtetave të dobishme mbi ekzistencën e tij. Dashuria është një motorr i rëndësishëm dhe kur dashuria udhëheq tek dituria, shumë dyer të brendshme, që deri atëherë ishin të mbyllura dhe të panjohura për vetvetveten e tij, hapen. Nuk kërkon askush "të vërtetën", të vërtetën e madhe dhe unike, pasi dihet se njerëzit do të bëjnë gabim. Por çdonjeri, çdo filozof me mënyrën e tij, u mundua të gjente disa çelësa që do t'u lejonin të gjithë njerëzve - jo vetëm atyre, individualisht - të arrijnë në një vend, në një nuancë të së vërtetës.

KU NA SHËRBEN?

Pas shumë vitesh përpjekjesh për të na mbushur mendjen se filozofia nuk shërben për asgjë dhe që as nuk ka të bëjë fare me jetën reale, kuptohet që kushton shumë rimarrja e idesë së dobishmërisë së saj. Është e qartë se si ushtrimi i mprehtësisë mendore nuk vlen asgjë më shumë përveçse zhvillimin e "muskujve" mendorë, për të mprehur gjuhët dhe penat. Për të mund të shprehet dikush ose të shkruajë me një mënyrë gjithmonë e më konfuze, pavarësisht se fenomenikisht duket një mënyrë intelektuale. Kjo formë e filozofisë nuk mund të na ndihmojë si njerëz. Por le të kthehemi në praktikën që përpiqemi t'i japim jetës.

Kush nuk i ka bërë pyetje vetes në moshën fëminore, në adoleshencë, në moshën rinore dhe madje dhe në pjekurinë e tij, disa herë fshehurazi që të mos tregojmë dobësi apo padituri? Sa herë këto pyetje nuk mbeten në ajër në dimensionin e të pamundurës dhe të paarritshmes? Sa herë nuk jemi tortuaruar duke menduar mbi lindjen dhe vdekjen, sëmundjen dhe pleqërinë? Sa herë nuk kemi kërkuar një përgjigje mbi botën dhe praninë tonë mbi të? Sa herë nuk jemi rrotulluar përreth idesë së Zotit, disa herë duke e refuzuar për arsye të ndërlikueshmërisë së saj dhe herë të tjera duke e lënë të jetojë si një ndjenjë e pamundur për t'u kuptuar? Sa herë nuk na është nevojitur filozofia për t'u ndihmuar kundrejt dyshimeve, ankthit dhe dëshpërimit?

Dimë që filozofia nuk na shërben për të na bërë të ditur dhe as për të gjetur çelësin e mistereve të Universit. Por gjithashtu dimë se na shërben për të qartësuar disa pasiguri, për të përdorur mendjen tonë, për t'i shtruar vetes sonë jo vetëm pyetje, por edhe të guxojmë të gjejmë përgjigje. Dimë që nuk dimë asgjë, ashtu sikur bukur thoshte Sokrati, por për këtë na nevojitet filozofia, pasi ajo na vë në rrugën e dijes. Dalë ngadalë, pa u nxituar, pa ankth, duke pranuar larminë e pafund të sigurive që fitojmë.

Filozofia na shërben për të jetuar. Është një art shumë i vështirë me të cilin asnjëri nuk merret dhe asnjëri nuk duket se njeh teknikën dhe mënyrat e tij. Thjesht vijmë në jetë dhe lejojmë instiktin të na tregojë rregullat e lojës, ose i shtrembërojmë sipas pranimeve parodike. Por jeta, me shkronja të mëdha është diçka tjetër krejt ndryshe. Jeta është të dimë se kush jemi, të dimë se nuk jemi unike, se ato që na duken teste të dhimbshme dhe vështirësi, nuk janë asgjë tjetër përveçse shkallë për të mësuar t'ja arrijmë vetë, t'ja dalim mbanë me mjetet që ne disponojmë. Është të intuitojmë se po ikim drejt një kohe-vendi dhe le të mos jetë ai që njohim deri tani. Është të konceptojmë një fije lidhjeje reciproke që mund ta quajmë - nëse duam - përjetshmëri.

Filozofia shërben për të justifikuar jetën dhe jo për t'u lënë të zvarritemi nga ajo. Shërben për të vlerësuar të gjitha gjallesat dhe jo vetëm njerëzit. Shërben për të shikuar qiellin dhe tokën, për të gdhendur në thellësinë e tokës dhe për të shpuar thellësinë e qiellit, për të parë përreth, për të menduar dhe për të ndjerë. Që të jemi filozofë do të thotë të jemi të ndërgjegjshëm të pyetjeve dhe përgjigjeve të tyre, të papërcaktuara, por që shkojnë drejt një kuptimi gradual të së vërtetës. Asnjëri nuk do të na paguajë për këtë. Nuk fitojmë mjetet e jetesës me këtë mënyrë, por ajo që fitojmë është të dimë se si të jetojmë dhe të jemi mjaft të kompletuar me sigurinë tonë brendësore dhe vetëbesimin.

KUJT I NEVOJITET?

Të gjithëve. Filozofia nuk është pronë e atyre që mund të formojnë teori të shprehura me pak apo me shumë bukuri, duke përdorur një gjuhë që nuk e ka zakon të jetë e arritshme tek ata që nuk kanë bërë studime të veçanta. Filozofia, si një mënyrë jetese, si një kërkim i dijes, është për të gjithë dhe një mundësi e tillë i nevojitet të gjithëve, një mundësi për të pyetur veten lirshëm mbi anët e qënies dhe të botës. Kurioziteti për të mësuar është një mënyrë jetese. Dhe pasi të kemi gjetur disa përgjigje të përgjithshme bazë që përshtaten në nevojat tona, mund ti zbatojmë çdo ditë e duke u përmirësuar. Kjo gjë është ajo që na bën filozofë dhe jo titujt universitarë, që të shumtën, sigurojnë që kemi ndjekur mësime në një shkollë, por jo se kemi mësuar të mendojmë dhe të jetojmë. As nuk mund të deklarojmë se filozofia është një angazhim që u përshtatet vetëm të rriturve. Si një shprehje jetësore shfaqet që nga fëmijët, në "psetë" e tyre të para, dhe tek të rinjtë, të cilët janë të mbushur me pyetje dhe surpriza përpara zhvillimit të tyre dhe përpara një mjedisi që u është joshës dhe njëkohësisht zhurmues.

Prova e kësaj dobishmërie të larmishme të filozofisë ndodhet tek suskesi që arriti libri "Bota e Diturisë" e Jostein Gaarder, duke u mbajtur për 40 javë rresht në vendin e parë midis librave më të shitur. Dhe e çuditshme dhe e gëzueshme është se ata që janë më të apasionuar pas këtij libri, janë të rinjtë dhe adoleshentët, që ndihen si në një portret në këtë roman të kërkimeve misterioze të disa të vërtetave që u interesojnë të gjithëve. Mund të jetë se ky roman, ashtu sikur dhe vetë shkrimtari thotë, ka shmangur qëndrimet tepër serioze të doktrinave filozofike ose gjuhën e errët që përdorin disa skepticista apo profesorë. Dhe aty ndodhet katedra e çelësit të suksesit të tij: të arrijë t'u përgjigjet temave me një mënyrë të thjeshtë dhe të dobishme, ashtu sikur mund ta bëjë vetëm filozofia. "Kush je?", "Nga ku vjen bota?". Kush është ai që nuk ka nevojë për përgjigje që ta inkurajojnë të vazhdojë të kërkojë tek këto anë?


NEVOJITET MË TEPËR FILOZOFI

Me të vërtetë, kemi nevojë për më tepër filozofi, por filozofi të vërtetë, kaq të thjeshtë dhe kaq të thellë ashtu sikur është edhe vetë jeta. Nuk kemi nevojë për ndërlikueshmëri artificiale dhe as kritika për ato që kanë ose nuk kanë shkruar gjatë rrjedhës së historisë. Kush zotëron kaq dituri që të mund të arrijë të kritikojë mendimtarët e mëdhenj në emër të një të vërtete që nuk ka arritur? Një gjë është shkaku i thellë i universit dhe i njeriut - për të mos futur misterin e Zotit - dhe krejt tjetër gjë është rrjeti i ndërlikuar i teorive që nuk udhëheqin askund dhe as nuk zgjidhin shqetësimin natyral të të gjithë atyre që kanë nevojë për filozofinë.

Filozofia duhet të jetë natyrale, ashtu sikur janë të gjitha gjërat që ekzistojnë. Njeriu duhet të mirësillet kundrejt natyrës, jo vetëm si mjedis, por edhe përsa u përket ligjeve që modifikojnë që nga Zoti e deri tek mibrobet. Sot problemi duket se ekziston në mbylljen e ideve nën çelësa që kuptohen nga pak initaconante materialiste. Kështu, filozofia bëhet brendësore e rreme dhe i jep të drejtë atyre që shpifin mbi esoterizmin, si një formë apokrifike. Brendësore janë të gjitha gjërat që nuk njohim - që janë të shumta - dhe roli i filozofisë është të lehtësojë gradualisht errësirën e paditurisë për ta shndërruar në shkëlqimin e dijes.

Përtej modave, filozofi i madh Platon thoshte në veprën e tij "Parmenidi": "Është i bukur dhe hyjnor vrulli i zjarrtë që të hedh në arsyet e gjërave. Por ushtrohu dhe edukohu tek këto ushtrime që fenomenikisht nuk nevojiten askund dhe që turmat e popullit quajnë teprica të brishta, sa je akoma i ri. Në të kundërt, e vërteta do të të ikë nga duart".

Nuk ekziston asgjë e re poshtë Diellit… As koha që kalon mund të shtrembërojë këtë shpirt zanafillës që na bën të kemi prirje drejt filozofisë dhe që, kur shprehet, flet qartë për rininë e këtij shpirti, pavarësisht viteve natyrale që mbart.

Për ndonjë arsye, gjithashtu grekët klasikë kishin zbuluar se "Afërdita e Artë" - ose rinia e përjetshme - gjendet në zemrat që kurrë nuk mbyllen në enigmat e jetës, por dalin të vendosur për t'i mundur ato.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora