E enjte, 06.05.2021, 05:03 PM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Kontrolli i trurit/Policia e mendjes

E shtune, 14.03.2009, 09:49 AM


Nga Paul Parsons

Një burrë lidhet me rripa në një tryezë ekzaminimi. Teknikët vendosin një mbajtëse përreth kokës me qëllim që të qëndrojë e palëvizur. Një doktor injekton diçka në krahin e këtij burri dhe më pas e gjithë tryeza shtyhet brenda një makinerie me madhësinë e një kamionçine. Doktori largohet i ndjekur pas nga teknikët që mbyllin derën pas tyre. Disa momente më pas, makina ndizet duke e mbushur sallën me një gjëmim të thellë e kërcënues teksa nis procedura e leximit të mendjes.

Kjo gjë ndodh gjatë një skanimi fMRI (Functional Magnetic Resonance Imaging). Kjo është metoda pa ndërhyrje për të ekzaminuar pjesën e brendshme të trurit të njeriut. Doktorët e përdorin për të identifikuar tumoret në tru, për të monitoruar çrregullime kronikë të sistemit nervor si përshembull skleroza e shumëfishtë si dhe në rastet e përgatitjes për operacione në tru. Ata thonë se, veprimtaria e trurit e atij lloji që skanohet përmes fMRI mund të zbulojë mendimet tanë më të thellë. Kjo mund të informojë policinë apo personelin e sigurisë, nëse një i ndaluar është duke gënjyer. Mund t'u bëjë të mundur kompanive të dinë se çfarë mendojnë vërtetë konsumatorët në lidhje me produktet e tyre. Në të vërtetë, nëse këta shkencëtarë kanë të drejtë, atëherë modelet e aktivitetit brenda kokës tuaj mund të nxjerrin zbuluar dëshirat tuaja, frikërat tuaja, paragjykimet tuaja - madje edhe bindjet tuaja politike.

Skanimi me Rezonancë Magnetike (MRI) është zhvilluar në vitet shtatëdhjetë si një metodë e studimit të indeve të gjallë që ishin më pak të dëmshëm për lëkurën se sa rrezet X. Funksionon duke stimuluar valë radioje nga atomet e hidrogjenit brenda molekulave të ujit në trup. Lloje të ndryshëm indesh, si ata në muskj, gjak dhe në kocke emetojnë dridhje të valëve të radios me shpeshtësi të ndryshme, duke lejuar ndërtimin e një pamje të strukturës së brendshme të trupit.

MRI-ja funksionale (fMRI) u zhvillua në vitet nëntëdhjetë. Ajo fokusohet në emetimin e MRI nga gjaku dhe kështu përzgjedh zonat ku rrjedhja e gjakut e si rrjedhim përdorimi i oksigjenit janë në nivelin më të lartë. Ajo zbulon ato zona brenda trurit që janë më aktive.

Kjo do të thotë që skanimi i pjesëve të trurit të lidhura me tipare apo mendime të caktuar, si përshembull kënaqësia ose gënjeshtra mund të zbulojnë se kur dikush po ndihet i lumtur - apo kur janë duke i treguar të kursyer me të vërtetën.

Trurit i duhet të punojë më shumnë për të ndërtuar një gënjeshtër se sa kur i duhet të thotë të vërtetën, për shkak të përpjekjes shtesë që lidhet me fabrikimin e një historie që të jetë në përputhje me atë çfarë është thënë tashmë. Një studim në vitin 2004 nga studiues në Universitetin Temple në Filadelfia gjeti 14 zona aktive në trurin e një gënjeshtari, por vetëm 7 kur subjekti po thoshte të vërtetën.

"Zbulimi i gënjeshtrës me anë të fMRI ka patur norma saktësia nga 80 në 97 përqind përgjatë studimeve të ndryshëm", thotë Steven Laken, Drejtor i Përgjithshëm i Cephos, një kompani amerikane, e cila ofron zbulim të gënjeshtrave përmes skanimit të trurit. Kjo është afërsisht e njëjta normë suksesi që është arritur nga testet e poligrafit, të cilët masin parametra të tillë si ritmi i zemrës, frymëmarrjes apo djersitjes.

Poligrafët kanë patur pjesën e tyre të polemikave nëpër vite. Kritikët thonë se, shumë besim u jepet këtyre testeve dhe se nuk ka vetëdijësim të mjaftueshëm në lidhje me mundësinë e rezultateve pozitivë falsë - pra tregues që dikush po gënjen në një kohë që nuk është duke gënjyer. Disa ekspertë kanë rezerva të ngjashme edhe në lidhje me përdorimin e skanimeve të trurit për marrje në pyetje. "Një prej shqetësimeve realë që unë kam është se njerëzit mund të fillojnë të thonë: fMRI zbuloi që ai është një terrorist kështu që le ta provojmë pak në dhomën e marrjes në pyetje", thotë Jonathan Marks, një bioeticist dhe avokat në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë. "Përkundër këndvështrimit që fMRI do të nxjerrë jashtë përdorimi, torturën, ajo mund të shndërrohet në një licencë për abuzime të mëtejshme me të ndaluarit, sepse leximi i saj do të bindë njerëzit që kanë në duar një terrorist".

Por Laken këmbëngul se do të ishte jashtëzakonisht shumë e vështirë për autoritetet që të skanojnë trurin e një personi kundër vullnetit të tij: "Çdokush që bie në gjumë, që nuk u përgjigjet pyetjeve, apo që nuk përgjigjet si duhet do të ofrojë një rezultat jokonkluziv", thotë ai. Duke qenë se skanerat MRI janë të mëdhenj dhe të zhurmshëm dhe testet mund të administrohen në distancë, nuk ka gjasa që ata të përdoren pa miratimin e një personi".

Në të vërtetë, nëse personi që skanohet qoftë edhe lëviz në momentin e gabuar, atëherë imazhet që ofron skaneri i trurit janë të kotë e të papërdorshëm. Ndoshta kjo është arsyeja përse Laken mendon që fMRI është më i përdorshëm për ata që mbrohen dhe përpiqen të vërtetojnë pafajësinë e tyre: "Ne kemi testuar njerëz që janë nën investigim prej policisë, janë të interesuar në rivendosjen e fjalës së tyre si dhe do të donin të përmbyseshin bindje të së kaluarës. Rastin e parë e patëm dy javë më parë. Gjykata pranoi fjalën e njeriut që mbronim".

Por Marks nuk e ha këtë. Ai beson se, CIA ka nisur tashmë të përdorë fMRI si pjesë e grumbullimit të të dhënave të zbulimit nga ana e saj. Në një studim të botuar në vitin 2007 në "Revistën Amerikane të Ligjit dhe Mjekësisë", ai shprehet kështu në lidhje me shënimet e një hetuesi amerikan me shumë përvojë: "Skanimi i trurit i kryer përmes skanimeve MRI/CAT që tani përdoret për të skanuar trurin e terroristëve, siç kam sugjeruar unë shumë kohë më parë. Aktiviteti elektrik masiv në tru shfrytëzohet sidomos në rastet kur përdoren fjalë kyçe gjatë skanimeve. Përdorimi i fjalës "Semtex" për shembull shkaktonte shqetësime të mëdha në tru. Një proces ky i zhvilluar nga neuropsikologët në Kolegjin Universitar të Londrës dhe nga ana e Mossad. Me rezulatete fantastikë!"

Në realitet, shumë pak prej nesh do të përfundojnë me akuza për terrorizëm. Por kjo nuk do të thotë se, mendimet e tua nuk janë të dobishëm për dikë, diku - për shembul kompani marketingu. Skanimet e trurit tregojnë se çfarë mendojnë në të vërtetë konsumatorët për produktet. Në tetor të vitit 2004, neuroshkencëtari Read Montague i Kolegjit të Mjekësisë në Hjuston të Teksasit, botoi rezultatet e një studimi të jashtëzakonshëm. Ai kishte mbetur shumë i habitur nga rezultatet e një fushate reklamash: Sfida pepsi. Konsumatorëve u bëhej një test me sy mbyllur që të provonin Pepsi dhe Coca Cola dhe shumica e njerëzve thoshin se preferonin shijen e Pepsit - të paktën kjo është ajo çfarë pretendoi Pepsi dhe ata ishin prapa kësaj fushate. Dhe në këtë rast, si ka mundësi që Coca Cola vazhdonte të dominonte tregun?

Montague mori një grup njerëzish për të përsëritur Pepsi Challenge, por në të njëjtën kohë ai skanoi trurin e tyre, duke përdorur fMRI. Afro 50 përqind e tyre thanë se preferojnë Pepsi dhe pa asnjë dyshim kjo pije nxiti një aktivitet në trurin e tyre. Por, kur Montague u tregonte atyre se, cila ishte secila pije, numri i atyre që preferonin Pepsin binte në 25 përqind. Edhe skanimet e trurit të tyre ndryshonin, duke treguar tashmë aktivitet në një zonë të trurit, e cila është e lidhur me argumentimin. Duket se kujtimet që ekzistonin më parë si dhe ajo çfarë ata besonin më parë kishte më shumë rëndësi se sa cilësia reale e produkteve.

Eksperimenti i Montague konfirmoi diçka që profesionistët e marketingut e kanë kuptuar prej kohësh: fuqia e markës. Por kjo u dha atyre një mënyrë për të kuantifikuar efektin, si dhe i dha jetë një fushe krejt të re: neuromarketingut, në të cilin reagimi i konsumatorit ndaj reklamave televizive apo posterave kuantifikohet, duke përdorur fMRI si dhe teknika të tjera të leximit të trurit.

BrightHouse një agjenci reklamash me qendër në Atlanta ofron tashmë neuromarketing për klientët e saj - që ndodh të përfshijë edhe Coca Colën. Justine Maux, drejtor kërkimesh thotë se, neurmarketingu ndihmon kompanitë që t'u japin konsumatorëve atë që ata duan me të vërtetë. Jo të gjithë e shohin në këtë mënyrë, dhe BrightHouse është ndodhur nën një rrebesh kritikash nga grupet antiomercializëm, të cilët i akuzojnë se kërkojnë "butonin e blerjes" në trurin e njerëzve.

Me sa duket, bota brenda kokës tonë mund të mos jetë kurrë më private. Por gjendja nuk është edhe aq e keqe - të paktën ende jo. Në mars të vitit 2008, një ekip neuroshkencëtarësh në Universitetin e Kalifornias botuan kërkime mbi monitorimin e mendimeve përmes skanimeve të trurit, në revistën shkencore Natyra. Ata konkluduan se aktualisht, teknikat e skanimit përbëjnë shumë pak rrezik ndaj jetës sonë private.

Por ata paralajmërojnë se teknologjia po përmirësohet. Studiuesit heqin në paralel të frikshëm me disponueshëmrinë në rritje të të dhënave genetike personale, të cilat mund të zbulojnë tipare të sjelljes si dhe dobësim ndaj sëmundjes - detaje që sigurisht askush nuk do të donte të binin në duar të gabuara.

Po kështu, teknologjia për leximin dhe interpretimin e aktivitetit të trurit tani po përparon me një ritëm alarmues: "Eshtë e mundur që zbërthimi i aktivitetit të trurit mund të ketë pasoja të rënda etike dhe sa i përket privatësisë, le të themi pas 30 apo 50 vitesh".

A ia vlejnë dobitë e një teknologjie të tillë përballë një humbje kaq të madhe të privacisë? Vetëm koha do ta tregojë.

NEUROPOLITIKA

Në nëntor të vitit 2007, shkencëtarë në Universitetin e Los Angelesit skanuan trurin e 20 votuesve të pavendosur teksa këtyre u tregoheshin kandidatët që konkuronin për të prezantuar secilën parti në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008 në SHBA. Studiuesit stimuluan aktivitet në Korteksin e Kufizuar që lidhet me indinjatën. Votuesit që e rendisnin poshtë në listë Hilari Klintonin në një vëzhgim tregonin aktivitet në Korteksin e përparmë, një zonë kjo që shpesh lidhet me pavendosmërinë. Barak Obama dhe Xhon MekKein, nuk arritën të nxisin reagime të fuqishëm.

Skot Faro, në Departamentin e Mjekësisë në Universitetin Temple në Filadelfia, pyeti 6 nga 11 studentë që të qëllonin me një armë lodër dhe më pas të gënjenin për atë që kishin bërë. Ai u kërkoi pesë të tjerëve që të thonin të vërtetën. Secilit pjesëmarrës iu bë një skanim me fMRI teksa jepnin përgjigjet. Truri i gënjeshtarëve ishte aktiv në 14 vende përfshirë, Korteksin e përparmë dhe hipokampusin. Por, vetëm gjysma e këtyre zonave ishin aktive tek ata që thoshin të vërtetën.

RACIZMI

Në vitin 2000, Elisabet Felps në Universitetin e Nju Jorkut u tregoi disa studentëve të bardhë fotografi të njerëzve të bardhë dhe me ngjyrë, ndërkohë që monitoronte aktivitetin në trurin e tyre. Ajo zbuloi se disa prej tyre tregonin aktivitet më të lartë në një rajon të trurit. që quhet Amigdala - që lidhet me frikën dhe emocione të tjerë bazë - kur këta shihnin një fytyrë të një zezaku. Të njëjtët njerëz që demonstruan këtë aktivitet kishin patur rezultate të lartë në një test të mëhershëm për të pikasur racizmin e fshehur.

NEUROMARKETINGU

Në vitin 2007, gjatë një studimi në Universitetin e Stanfordit, 26 personave iu dhanë secilit nga 20 dollarë për të shpenzuar. Truri i tyre u skanua teksa ata shikonin produktet që lejoheshin të blinin. Nukleus Akumbens, një zonë e trurit që lidhet me kënaqësinë - bëhej aktiv kur shiheshin produktet. Por kur shfaqej çmimi i tyre, Korteksi i Përparmë Orbital - që lidhet me balancimin e humbjeve dhe fitimeve - bëhej menjëherë shumë aktiv.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora