Kulturë
Dr. Rugova - themelues i shtetit
E marte, 24.03.2009, 06:54 PM
Nga Bajrush Morina, BOTA SOT
Jusuf Buxhovi
Ekskluzivisht për “Botën sot” flet Jusuf Buxhovi, një prej themeluesve të LDK-së
“Bota sot”: Z.Buxhovi, libri Juaj “Kthesa historike...” ka zgjuar interesim jo vetëm te shtresa e njerëzve të letërsisë, po edhe më gjerë. Pse mendoni se vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDK-së janë kthesa historike për Kosovën dhe popullin e saj?
J.Buxhovi: Fjala është për ngjarjet që lidhen me një kthesë historike. E para ka të bëjë me paralajmërimin e shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos, për të cilën mendohej se ishte kthyer në një model shoqëror, sepse shihej si “socializëm me fytyrë njeriu”, edhe pse nuk e kishte zgjidhur barazinë e shqiptarëve dhe kjo do t’i kthehej atij në “exhel”. Dhe e dyta ka të bëjë pikërisht me përcaktimin e shqiptarëve të Kosovës që në fazën e parë të fillimit të fundit të Jugosllavisë të organizohen që t’i marrin përsipër fatet e veta siç do të ndodhë në të vërtetë kur do ta themelojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës më 23 dhjetor të vitit 1989.
LDK-ja brenda tre muajve arriti ta rrënojë gjithë infrastrukturën e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës
“Bota sot”: Periudhën e fundit të viteve 90-ta e keni quajtur “...Epoka e LKD-së”. Një emërtim goxha i guximshëm ky. Pse epoka...e jo vitet ose decenia e LDK-së?
J.Buxhovi: Si mund të quhet ndryshe një proces shoqëror, ku një parti e cila kthehet me të shpejtë në një lëvizje politike ndër më të mëdhatë e shekullit, zhvillon dy procese paralele historike: atë të shkëputjes nga komunizmi dhe të shkëputjes nga Serbia. Lidhja Demokratike e Kosovës brenda tre muajve do ta rrënojë gjithë infrastrukturën e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, zhvillim ky që askujt nuk ia ka marrë mendja se do të ndodhte. Kjo nxori në dritë të vërtetën se shqiptarët ideologjinë komuniste e kishin nga dhuna dhe jo përcaktim, që do të thotë se botës i treguan se janë pjesë e civilizimit të Perëndimit.
Edhe procesi i shkëputjes nga Serbia do të arrihet vetëm brenda nëntë muajsh. Fillimisht me aprovimin e Deklaratës
Kushtetuese të Dy Korrikut dhe pastaj me Kuvendin e Kaçanikut të Shtatë Shtatorit. Edhe njërën e edhe tjetrën i inicioi dhe i udhëhoqi Lidhja Demokratike e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë më deputetët e Kuvendit të Kosovës, e ku nuk mungoi edhe ndihma e amerikanëve dhe e gjermanëve.
“Bota sot”: Kapitulli për LKD-në ka zbardhur një të vërtetë të përfolur por jo të njohur për themelimin e kësaj partie. A mendoni se nga e vërteta juaj dikush “e ka kafshuar buzën” dikush “është skuqur” e mbase dikush edhe “e ka mbuluar fytyrën me duar prej marres”? Keni pritur reagime të tilla?
J.Buxhovi: Kur i kam hyrë punës që të shkruaj librin nuk kam menduar për sjelljen e të tjerëve, qoftë të atyre që në parti kanë hyrë për interesa të ndryshme dhe asaj ia kanë kthyer shpinën pasi që të kenë marrë prej saj çfarë kanë dashur. Po ashtu nuk më kanë interesuar as ata që në periudha të ndryshme kanë kalkuluar dhe vazhdojnë të kalkulojnë. Mua më ka interesuar e vërteta për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe rrethanat në të cilat është krijuar ajo, në mënyrë që të bëhet pjesë e historisë së lëvizjes sonë shtetformuese, ku ajo e ka vendin meritor dhe mbetet shtyllë e saj. Ka ekzistuar rreziku që pa këtë të vërtetë historia e saj të manipulohet ose të zhvleftësohet nga ata që janë futur në të për përfitime dhe i kanë bërë më shumë dëme sesa dobi.
Nuk jam tërhequr nga LDK-ja, jam tërhequr nga politika!
“Bota sot”: Deri më tash kam dëgjuar me dhjetëra e qindra veta të kenë thënë: “Unë e kam formuar LDK-në”! Unë kam qenë i pari në LDK” etj, ndërkaq në librin tuaj nuk i kam parë emrat e këtyre “rrahagjoksëve” të sotëm të LDK-së? Pse jeni treguar aq modest deri më tash ndaj vetvetes? Pse asnjëherë decidivisht nuk keni thënë: “Po, unë, Jusuf Buxhovi, e kam dhënë idenë për formimin e LDK-së?”
J.Buxhovi: Formimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është meritë e individëve, por meritë e një vetëdije shtetformuese, e cila ishte në ngritje e sipër dhe priste momentin e duhur që të dilte në pah. Shkrimtarët dhe intelektualët që kishin marrë pjesë në debatet e kundërvënies së kursit hegjemonist serbomadh që nga shfaqja e Memorandumit të akademikëve serbë e tutje, e kishin të qartë se po u binte barra e një përgjegjësie historike që të merrnin fatet e udhëheqjes politike. Dhe kjo do të vijë pasi që Serbia të rrënojë me dhunë autonominë e Kosovës dhe klasa e atëhershme politike kishte shpenzuar gjithë kredibilitetin e vet për të qenë në krye të një procesi të ri. Mua nuk më kanë interesuar meritat, por mirëvajtja e themelimit të Partisë. Ideja është pranuar nga bërthama e nismëtarëve dhe pa përkrahjen e tyre ajo nuk do të mund të shkonte më tutje. Po ashtu, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëhej ajo që do të bëhet pa 127 guximtarët që më 23 dhjetor të vitit 1989 do të marrin pjesë në Kuvendin Themelues. Dhe po ashtu LDK-ja nuk do të kthehej në Lëvizje të madhe gjithëpopullore pa anëtarësimin e rreth 700 mijë vetave, që do t’i bashkohen dhe do ta paraqesin forcën e saj kryesore. Për mua si themelues, kjo ka paraqitur rëndësi dhe jo marrja me merita.
“Bot sot”: Jeni ndër themeluesit e LDK-së, por jeni tërhequr herët nga LDK-ja. Pse e keni bërë këtë?
J.Buxhovi:Duket se ka keqkuptime këtu. Nuk jam tërhequr nga LDK-ja. Kjo nuk është e mundur, sepse ideja e saj është pjesë imja e pandashme. Tjetër është marrja me politikë aktive. Koha kur kam vepruar, pra nga themelimi e deri në kuvendin e parë të LDK-së, më 5 maj 1991, ka qenë kohë e ndërtimit të brendshëm, e cila doemos kërkonte themeluesit, siç e kërkon shtëpia mjeshtrin deri t’i vihet kulmi. Kulmi LDK-së i është vënë në kuvendin e parë prej nga ajo ka kaluar në duart e atyre që janë marrë me politikë dhe koha i ka qitur në pah mjeshtërit e mëtutjeshëm nga rrënuesit e pandalshëm.
“Bota sot”: Ju kanë “akuzuar” së ky libër është paksa i vonuar. Pse nuk pajtoheni me këtë konstatim dhe a është e vërtetë se keni pasur sugjerime që mos ta botoni këtë libër para 17 shkurtit të vitit 2008?
J. Buxhovi: Libri nuk është i vonuar. E vërteta edhe si e vonuar është e dobishme. Megjithatë, me rastin e promovimit kam shpjeguar psenë e shfaqjes së librit pikërisht në këtë kohë. Po e përsëris edhe një herë: kjo ka të bëjë me pritjen që të mbyllet një proces historik. Dhe ky mbyllet më 17 shkurt të vitit 2008. Meqë Lidhja Demokratike e Kosovës është pjesë e rëndësishme e këtij procesi, e kam parë të udhës që libri të lidhet me këtë ditë për të bërë me dije se 17 shkurti i viti 2008 është një rikonfirmim i 2 Korrikut të vitit 1990 dhe i Shtatë Shtatorit të vitit 1990. Jashtë këtyre datave 17 Shkurti nuk mund të qëndrojë, duket shkëputje historike.
“Bota sot”: Libri nuk është botuar për të gjallë të presidentit Rugova. A ka qenë i informuar ai për detaje të përmbajtjes së këtij libri dhe cili ka qenë reagimi i tij?
J.Buxhovi:Libri nuk ka të bëjë me të tjerët. Është përcaktim imi personal. Por, dr.Ibrahim Rugova është i pashmangshëm në këtë trajtim, sepse ai është më i merituari për jetësimin e filozofisë politike që del nga koncepti strategjik i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë takimit të fundit me të në Bon, në maj të vitit 1999, sapo ishte kthyer nga Italia, kemi biseduar gjatë edhe rreth obligimeve që kemi që të lëmë dëshmi autentike rreth lëvizjes shtetformuese së cilës i kemi takuar dhe ai personalisht i ka kontribuar më së shumti, duke u ngritur me të drejtë në altarin më të lartë të saj, ku do të mbetet gjithmonë. Meqë i ka ditur prirjet e mia prej publicisti dhe historiani ka qenë shumë i interesuar që kësaj pune t’i qasem me seriozitet. Herë pas here më ka dërguar porosi rreth kësaj pune.
Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është histori e madhështisë dhe jo e intrigave
“Bota sot”: Pse i keni kursyer disa emra në këtë libër? Pse nuk ia keni përmendur emrin “UJDI-stit” që ka hyrë në LDK, emrin e atij që është frikësuar t’i shkruhet emri në dokumente të themelimit të partisë, emrin e atij që ka thënë se ky program qenka “autonomist? Etj?
J.Buxhovi: Qëllimi im ka qenë dhe mbetet që të pasqyroj ato që kanë qenë pjesë konstruktive të një procesi historik dhe jo destruksionet dhe veprimet e tjera ndaj të cilave nuk është imune asnjë lëvizje. Po qe se do të merresha me gjërat periferike, që koha i ka margjinalizuar, do t’u bëja shërbim të pamerituar atyre që nuk e kanë merituar. Historia e Lidhjes Demokratike të Kosovës është histori e madhështisë dhe jo e intrigave. Unë merrem me këtë pjesë dhe jo me të tjerat.
“Bota sot”: Keni paralajmëruar se ende nuk i keni thënë të gjitha gjërat për vitet e fundit dhe të fillimit të shekullit XX.
Edhe për cilat kthesa historike do të shkruani në të ardhmen?
J.Buxhovi: Se shpejti del pjesa e dytë e “Kthesës historike”, ku fokusohet shteti paralel dhe faktori luftë. Pra, trajtohet koha nga Referendumi për pavarësi, te Dejtoni dhe deri në Rambuje. Libri ka qasje historiografike dhe do të jetë i përcjellë me dokumente nga ato të Kuvendit të Kaçanikut, të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me të gjitha dokumentet e Rambujesë.
Pas pjesës së dytë vjen edhe pjesa e tretë, ajo që merret me luftën e Perëndimit për Kosovën.
“Bota sot”: Zoti Buxhovi, çka jeni më shumë, publicist, historian, shkrimtar?
J.Buxhovi: Në radhë të parë ndihem shkrimtar. Por, nuk heq dorë as nga historian e as nga publicistika.
Legjenda; J.Buxhovi: Lidhja Demokratike e Kosovës brenda tre muajve do ta rrënojë gjithë infrastrukturën e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës